E enjte, 25.04.2024, 10:15 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (XII)

E diele, 19.10.2008, 12:24 PM


Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

PROF. ARSHI PIPA DHE PROF. PRENKË KAÇINARI

DON ANTON MUZAJ

Ka lé në vitin 1921 në Vernekollë të Jugosllavisë nga prindët Dedë e Dila Muzaj. Kishte katër vëllazën dhe një motër. Mbasi kryen klasën e parë në Prizren, vjen në Shkodër për me vazhdue studimet në Kolegjin e Jezuitëve, ku vendosë me marrë rrugën e meshtarisë. Në vitin 1938 shkon me vazhdue studimet e larta në Universitetin e Gregorianëve në Romë, Itali. Mbasi mbaron studimet për filozofi dhe teologji në vitin 1945 shugurohet meshtar.
Në vitin 1946, Vatikani tue e dijtë se mjaft klerikë po arrëstoheshin, i ban thirrje të gjithë meshtarëve të vendëve të Lindjes “me u gjetë në këtë kohë të vështirë pranë popujve të tyne të robnuem nga komunizmi...”. Thirrjes së Papës Piu XII i përgjigjet Don Antoni edhe Imzot Jul Bonatti, të dy të ndodhun atje që këthehën në Shqipni dhe pësojnë të njajtin fat.
Mbas arrëstimit të Don Tom Lacës, Don Antoni, emnohët Kançelar i Argjipeshkvisë së Shkodrës. Në një kohë rekord, mbrenda pak muejsh Don Anton Muzaj bahët një ndër figurat ma të ndërueme dhe të respektueme të Klerit prej popullit të Shkodrës. Cilësia që ë bani të përjetëshëm ishte përvujtnia dhe modestia shpirtnore e tij. Me të vërtetë i rij me moshë, por shumë korrekt dhe komunikues me njerëzit. I pa pritueshëm dhe shumë aktiv. Ishte shumë tërheqës në biseda dhe në predikimet e tij që bante në Kathedrale. Me datën 20 maji 1947 arrëstohet dhe torturohet si të gjithë të tjerët në mënyrën ma shnjerëzore nga katili Pjerin Kçira. Ky kriminel e mbajti Don Antonin në një nga podrumet e hetuesisë të zhytun deri në bel në ujë të pistë, mbandej e nxori në hollin e Kuvendit të Fretënve, ku asht kenë sahati me diell. Aty vendi i shatrivanit ishte këthye në një pus të madh i gropave të zeza që derdhëshin përjashta dhe në atë moçal të ndytë Don Antoni, asht pa për disa ditë i zhytun, derisa njëditë ka fillue me humbë në atë pisllëk. Aty kaloi një dimën të ashpër që e shpartalloi me një T.B.C. galopante. Asht dëshmitare Z. Ana Daja, që e ka pa me sytë e saj tue skuqë vendin me gjakun e tij që nxirte kur kollitej dhe binte pa ndjenja. E vetmja thirrje e tij ishte: “O Zot, për hatër tand.... më ndihmo!”. Kur ka dalë në gjyq asht ba “përjashtim” në grupin që bante pjesë, i vetmi asht kenë Don Antoni që asht lejue me folë i ulun në karrigë, mbasi ishte aq i sëmurë sa nuk qëndronte në kambë. Që në pyetjet e para para trupit gjykues, i merrën mendët dhe rrëzohet. Don Antoni u akuzue: “Agjent i Vatikanit i dërguar në Shqipëri për qëllimet e tyre djallëzore për me organizuar grupe kundër Pushtetit, është qenë bashkëpuntor i fashizmit që në shkollë, spijun i tyre. Ka dëshruar që pushtetin ta marrin Balli Kombëtar, mbasi ajo organizatë ka qenë që ka bashkëpunuar me fashizmin deri në kapitullimin e plotë të tyre.” (Dosja 1303 Arkivi M.M.Tiranë).
Pjerin Kçira shënon: “Në hetuesi ka rezistue, mundohet të largojë vehtën nga përgjegjësia. Asht element besnik i vijës së trathtisë.” Në proçes-verbalin e ballafaqimit me At Mëhill Miraj, pyetësi Fadil Kapisyzi shënon: “... ka pasë lidhje me padër Mëhill Miraj dhe padër Bernardin Demën, me të cilët ka biseduar se Kleri pret kohën oportune për me sulmue këtë Pushtet. Ka shpërnda trakte për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe ka ba pjesë në grupin e avokat Paulin Palit. Don Anton Muzaj mohon ballafaqimin, se nuk janë të vërteta.”
Grupi përbahej nga: At Donat Kurti, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Angelo Tarcizio, Çesk Hilgega, Viktor Kujxhija, Injac Serreqi, Albert Çoba, Ana Daja, Gjon Kovaçi, Liza Pali, Elez Nurja dhe Sheuqet Lutfija. Dokumentacionin e plotë nuk kam pasë mundësi me e lexue.
Gjyqi Ushtarak u zhvillue në Shkodër dhe vendimi u dha më 8 janar 1948 nga Trupi Gjykues i përbame nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë: P. Alizoti dhe A. Koroveshi, dhe prokuror Namik Qemali. Relacioni për gjykatën u përpilue nga Aranit Çëla, i cili shënon karakteristikat përsonale për secilin, mbasi njëditë para daljes në gjyq ai i mori në pyetje të gjithë një nga një.
Don Anton Muzaj deklaron:”nuk e kam dashtë asnjëherë komunizmin dhe më ka ardhë keq që humbi dhe nuk fitoi Balli Kombëtar, mbasi ishte e vetmja organizatë që kishte elementë të mirë me marrë në dorë drejtimin e shtetit.”
Mbas pak ditësh që u lirue, vdiq në shtëpi për mos me shenue se mbeti në duart e hetuesve kriminelë...

NJË AKT TIPIK KOMUNIST


“Lufta që racjonalizmi nisi
mbi katedra, ra mandej në
rruga e u ba komunizëm,
bolshevizëm gjithrrënues.”

Don Kolec Prennushi

Komunizmi asht një e keqe e madhe, që duhët zhgulë me rrajë dhe duhët mos me hezitue për me e shkatrrue përfundimisht, me luftë të vazhdueshme dhe të përhershme. Asht sistemi ma përbindësh që mbështetët në një dhunë të pamëshirshme dhe propagandë fund e maje vetëm rrena. Sigurimi i shtetit nuk asht tjetër veç një sadizëm i përhapun në çdo skaj dhe i institucionalizuem në të gjitha metastazat e tij. Praktika e punës së qeveritarëve dhe e institucioneve të krimit asht zhdukja e dokumentacionit. Dosjet, hetuesitë, zhdukjet e njerëzve, vrasjet dhe trajtimi i kufomave të viktimave, shpeshherë në tortura ose mbas torturës, gjithmonë në msheftësi, pa proçese legale dhe pa asnjë përgjegjësi të njohtun dhe të pranueme nga organët shtetënore, kanë për qëllim shkatrrimin përfundimtar të njeriut si nga ana fizike, ashtu edhe psikologjike e shpirtnore.
Terrorizmi në Shqipni gjithmonë në këta 50 vjet asht mohue, asht errësue, ose asht nënvleftësue aqsa populli kishte humbë çdo shpnesë, se njëditë mund të shpëtojë. Gjyqet e mëshefta janë rruga e çmobilizimit në masë mbasi mijëra njerëz me të njajtat vlera dhe me trimni të pashoqe, janë torturue e masakrue tue përfundue viktima të terrorit komunist. Kundër popullit shqiptar asht përdorë TERRORI si mënyrë qeverisjeje, tue e kthye atë në një plaçkë të friksueme ose në një turmë të bindun, mbasi përpjekja e Sigurimit të Shtëtit ka kenë gjithmonë mobilizimi i shumë vetëve në strukturat e tij. Ai i ka detyrue ata me u identifikue me spijunllëkun, në mënyrë që jeta e tyne të ishte një ankth i vazhdueshëm. Kontrolli i lëvizjeve të çdo individi, vrojtimi i të gjitha hallkave të jetës, monopolizimi i të gjitha organizatave, i mjetëve të komunikimit, shfrytëzimi i shumicës nga pakica e privilegjueme për shërbimet shtypëse dhe shtërnguese, sjellin si pasojë tek njerëzit që në mënyrë të vetëdishme me pranue dhunimin e të drejtave njerëzore si një diçka e paevitueshme, aqsa njerëzit që nuk janë të arrestuem, ose ma keq, ata që dalin nga burgjet, kthimin e lirisë me e konsiderue si një “dhuratë”, ose prap ma keq, para lirimit me e detyrue viktimën me nënshkrue edhe deklaratë “bashkëpunimi” dhe, me ia ditë për “nderë” se po shkon me ba punën e tyne “i lirë”. Sigurimi i shtetit ka pikësynue gjithmonë që në popull të mbizotnojnë pasiguria e përhershme, tue u konsiderue i “kudogjindun”. Zhdukjet e pashpjegueshme, hetimet e stërzgjatuna, pyetjet dhe firmosjët e proçes-vërbaleve me dhunë, terrorizmi i fshehtë dhe çnjerëzor, proçesët gjyqësore poshtnuese, dëshira me vdekë për me “shpëtue” pa marrë parasyshë pasojat, intërrnimet e familjarëve, papunsia, dëbuemjet, divorcet, etj. që përmblidhen në luftën e klasave, kanë ba mbretnimin e mjerueshëm të psikologjisë së mbarë popullit nga shteti. Asht aksiomë: Çdo shtet i drejtuem nga komunistët përfundon në shtet terrorist.
Kush nuk pajtohet me gjendjën, ose vetëm mendon me e ndryshue atë, asht atypëraty “armik”, edhe pa krye asnjë akt për atë qëllim. Automatikisht atdhetarët, intelektualët e ndershëm dhe kleri janë në formulën e “armikut të popullit”. Të gjithë këta mendojnë kundër kësaj vegle vigane që quhet komunizëm, mbasi zbulojnë qëllimin amoral të tij që asht i mbuluem me lëvoren e pranueshme morale “barazi për të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje”, tue rrokollisë miljona njerëz në këtë humnerë, e provueme sot ma shumë se kurr: utopi. A mund të pranonte Enver Hoxha me shokë, thanjën e Don Lazër Shantojës, që shkruante, shumë vite maparë (në vitin 1924): “Qeveria ka krye plotësisht programin e saj, atëherë, kur trathtarët e popullit të mos munden me qeshë ma kurr, mbi kurrizin e popullit”? Kjo asht arsyeja që më 5 mars 1945, i pari klerik katolik që pushkatohet asht pikërisht Don Lazër Shantoja, i gjymtuem kambësh e krahësh me sharrë druvari. Hetuesit e tij bredhin rrugëve të Tiranës, tue përqeshë turmat e popullit që nuk dijnë cilit me i vue gishtin të parit e, ku me fillue, në cilin skaj të vëndit, gjithkah zi e ma zi.
Komunistët mendonin me përdhosë Elterin e Atdheut me veprat ma makabre të Shekullit XX dhe, asht e vështirë me e mendue këtë skenë të ndodhun me dy klerikë.

DON ALEKSANDËR SIRDANI DHE DON PJETËR ÇUNI

Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjes 1887. Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Atje mblodhi një thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejtë u konsiderue si një ndër njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë që mori në Insbruk, forcoi edhe mashumë idealin e tij si atdhetar. Njihte mirë frymën demokratike, prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër revistat ma në za të kohës. Asht vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky dijetar. Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët ma të ngushtë të Don Nikoll Gazullit dhe At Donat Kurtit. Kishte edhe prirje poetike. Vlenë me u theksue se në shpirtin e tij depërtuen thellë njohjët e ngjarjëve historike të kreshnikëve të Veriut, gja që sollën në letrat e kulturës shqiptare një përsonalitet të kompletuem.
Origjina dhe njohjet e zakonëve të malësisë e lidhen me popullin, nëpërmjet atij virtyti që malësorët e kërkonin edhe në portretin e priftit, që u predikonte e që ai virtyt thirrej trimni. Nësa ndër rrugët e Shkodrës shëtitej mbi një gomar prifti 80 vjeçarë Don Ndoc Nikaj, një ndër thëmeluesit e Shoqnisë “Bashkimi”(1899) dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në vitin 1946 në Koplik, fanatikët komunistë kërkonin me fye figurën e dijetarit Don Aleksandër Sirdani mbi një gomar tjetër, edhe ky prift i rrëthuem nga gomarët e Enver Hoxhës, që mendonin se po përdhosin meshtarin e përvujtë! Sekretar i Frontit demokratik në Koplik ishte Ago Dino, ndërsa prokuror Ali Paçrami. Mbahën mend si katilë: Xhemal Selimi, Pal Mëlyshi, Asllan Lici dhe Faik Nuti.
Në muejin korrik të vitit 1948, Don Aleksandri u arrëstue dhe u mbajt në hetuesinë famkeqe të Koplikut, ku e torturoi katili Xhemal Selimi me shokë, të gjithë të njohtun si kriminelë të pashoq.
Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër më 9 gusht 1914. Në moshën 7 vjeç ai ishte në Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku shkon në Romë me vazhdue studimet e larta teologjike. Përfundoi studimet në Propaganda Fide në vitin 1940 dhe po atje, u shugurue meshtar bashkë me 100 xhakojë të tjerë nga vende të ndryshme të botës nga vetë Papa Piu XII. Mbas shugurimit atje në muejn prill, nga qershori vjen në Shqipni dhe ditën e Sh’Palit e Sh’Pjetrit (pra, ditën e emnit të tij) më 29 qershor, thotë meshën e parë në Kathedralën e vendlindjes, me prezencën e Imz. Gaspër Thaçit, të Imz.Gjergj Volaj, si dhe të gjithë klerit. Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin e dajës së tij, për né që e kemi njohtë Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky meshtar i rritun dhe i prëgatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht ndër klerikët ma të pastër me qëndrimin e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje.
Gjithmonë i papërkulun kundrejt armiqve të Kishës. Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të priftit të devoçëm, daja shihte tek nipi edhe virtytin e vet që e ka karakterizue gjithë jetën, trimin e mendshëm dhe të vëndosun. Këtë e ka provue jeta e të dyve.
Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll. Aty, si të gjithë klerikët, merrët me studimet e zakonëve të krahinës. Boton artikuj në revistën “Kumbona e së Diellës”, me siglën R.I. (Pjetër Çuni), ku spikatë vullneti dhe saktësia në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht edhe shkaku i njohjes me shkencëtarin e asaj fushe Don Aleksandër Sirdanin, me të cilin edhe martirizohet. Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e Koplikut, vritët trathtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor 1946, vetëm për një deklaratë të bame në favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër vëndimit të gjyqit për pushkatimin e tyne. Vrasja e kryeme nga Asllan Lici dhe Pal Mëlyshi, atëherë u vesh me motive plaçkitjeje, motive që në të vërtetë edhe qëndronin, mbasi plaçkitja dhe hajnia ishin gjithnjë të pranishme në vrasjët dhe arrëstimet e komunistëve. Këtë e vërteton vetë fakti i humbjes së pothuej të gjitha studimëve dhe të veprave shkencore, letrare dhe artistike të intelektualve që janë vra, arrëstue ose kontrollue shtëpitë e tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Sirdanit e të Çunit. Me siguri ata janë mbrenda ndonjë titulli të dhanun ma vonë nga Universiteti i Tiranës, po fakti asht se plaçkitësit mohuan autorët e vërtetë. Brezat e ardhshëm nuk do ta besojnë ndoshta këtë ngjarje, por unë, po e shkruej i nxitun nga Konica, që thotë: “Popujt që nuk nderojnë kujtimet e shkuara, janë të dënuar me vdekje”.

SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?

Mbas vrasjës Don Luigjit, në vendin e tij u emnue Don Pjetri, i cili ato ditë thonte: “Dukët se Krishti ka vendosë që unë të jem ndër të fundit!...” Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë për në Shkodër, ndalohët në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut. Aty, siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit të Mbrendshëm, gjenë Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J. që masakrohen bashkë me shumë malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, thonte ai. Nuk dinte sëpse, por jepej një urdhën: “Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!” Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue, mbasi nuk i kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me të. Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo! Njëditë kishin shkue herët në Seksion Asllan Lici e Palë Mëlyshi. Xhemali po i priste në zyrë. Mbas një bisede të shkurtë, të tre bashkë kanë dalë e kanë dhanë urdhën me shkue tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për fat ky nuk e kishte pasë atë rrezik me zbatue atë urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë. I kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore. I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Xhemali ka hy në zyrë, ndërsa Asllani e Pali kanë urdhnue policët me shkue tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinjë dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej por me mend nuk mund të gjindej çka duan me ba xhullinjtë. I sollën edhe cfurqit. Ka dalë i pari topall në topall Asllani e mbas tij me kapadaillëk si gjithmonë Pali. Janë drejtue nga priftnit e lidhun tue u thanë: “Ecni, more klysh të Papës, se tash do t’ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja...! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni çue bukë ndër male?” Nuk kanë pritë përgjigje por janë drejtue nga një gropë gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte gjithmonë e hapun. Kanë urdhnue me afrue priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahëj presion me tregue... por, papritmas Asllani i ka vue duert në gjoks Don Pjetrit dhe Pali, ka kapë përkrahut Don Aleksandrin dhe, tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta veç kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e, kanë ra mbrendë në gropën e zezë. Kur priftnit kanë marrë me u çue, xhelatët i kanë shty me cfurk për me i zhytë mbrenda, tue u thanë: “Hee... flisni... ku e keni ate Krishtin tuej... flisni... kështu do të jenë fundi i priftënve... A po e shihni kund Krishtin tuej, hee pisa pisash...?”
Don Aleksandrit, që ishte zhytë ma parë sidukët i ishte marrë fryma dhe nuk po i shihej fëtyra, ndërsa Don Pjetri ka muejtë me nxjerrë kokën edhe njëherë, ashtu i nxime si të ishte i lymë me zift prej pisllëkut, ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë dhe ka thirrë: “RRNOFTË KRISHTI... TEK AI PO SHKOJ!...”
Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme të dy veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të tyne. Mbas pak minutash priftnit u mbytën... Ata mendonin se bashkë me trupat e pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne.... Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta pësojë, ngjarja e dy priftënve mori dheun. Dihej martirizimi, por diheshin edhe katilët. Fëtyrat e këtyne kriminelëve kanë mbetë njësoj si atë ditë kur janë fotografue si “çlirimtarë”, më 29 nandor 1944, tue parakalue në Fushën e Çelës së qytetit të Shkodrës.
Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha. Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare komuniste, por krimet atje nuk janë kurrë në përmasat tona.
Historia do të flasë njëditë!
Po, kur? - Atë nuk e di!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora