E premte, 19.04.2024, 02:11 PM (GMT+1)

Editorial

Xhylije Ibrahimi: Kosova po rrezikon ta përsërisë pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?

E shtune, 28.03.2020, 06:58 PM


Kosova po rrezikon ta përsërisë pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?

Premtimi për amerikanët është baras me besën për shqiptarët! (A promise is a promise - premtimi është premtim)

NGA XHYLIJE IBRAHIMI

Nga përvoja ime e punës me organizata të ndryshme amerikane, kam mësuar një gjë: Te amerikanët vlen rregulla: ,,kurrë mos premto atë që nuk je në gjendje ta përmbushësh".

Këtë thënie, më vonë e kam hasur edhe gjatë studimeve të mia post-diplomatike, që jo rastësisht zgjodha marrëdhëniet Shqipëri-SHBA 1919-1939.

Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri në vitet 1922-1928 rezultuan me njohjen e Shqipërisë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në gusht 1922.

Shqiptarët, të zhgënjyer nga lëkundjet e diplomacisë evropiane ndaj çështjes shqiptare dhe duke qenë të pafuqishëm përballë apetitet imperialiste të shteteve fqinje, vendosin t`i drejtohen Amerikës, me kërkesë që të pengojë përpjekjet për copëtimin e Shqipërisë.

Zyrtarët amerikanë e arsyetonin nevojën për njohje të Shqipërisë nga qeveria e tyre edhe me faktin se Shqipëria, edhe në ato kushte, ishte vend pa borxhe të jashtme, posedonte rezerva të mëdha nafte dhe ofronte mundësi të mira për investime në hekurudha, rrugë dhe industrinë e drurit.

Gjithashtu, ata insistonin që interesat amerikane të trajtohen sipas rregullave për kombin më të favorizuar, kusht ky që u pranua nga qeveria shqiptare, pas njohjes de jure, bashkë me dy kushtet tjera të marrëveshjes.

Njëra prej tyre kishte të bënte me angazhimin e qeverisë shqiptare që të respektonte natyralizimin e shtetasve të huaj në SHBA, kurse tjetra – me një hua të madhe nga bankat amerikane, që do të përdorej për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, nën kontrollin e ekspertëve amerikanë.

Periudha 1923-1925 karakterizohet me një ftohje të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, që ishte një goditje e rëndë në përpjekjet e forcave demokratike.

Favorizimi i interesave ekonomike të Italisë dhe Anglisë, bëri që marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë të ftohen dukshëm.

Amerikanët mendonin se SHBA meritonte së paku një trajtim të barabartë, duke pasur parasysh shërbimet që i kishin bërë Shqipërisë përmes presidentit Uillson dhe Kryqit të Kuq.

Në këtë mënyrë, Shqipëria kishte shkelur tri pikat e marrëveshjes në raport me SHBA-të.

Pas në periudhe ftohje, në prill të vitit 1926, fillon të përmirësohet qëndrimi ndaj Amerikës, falë Faik Konicës, i shkolluar pjesërisht në Harvard, që ishte emëruar ambasador në Uashington.

Në vitet 1928-1939, periudhën e Monarkisë në Shqipëri, Qeveria e SHBA-së, duke njohur Mbretërinë e Shqipërisë kishte parasysh marrëveshjen e lidhur nëpërmjet shkëmbimit të notave në qershor të vitit 1922, midis Maksvell Bllejkut dhe qeverisë shqiptare, e cila mbetej në fuqi.

Por, SHBA-ja nuk ndërmori asgjë, në vitin 1939, për të penguar pushtimin e Shqipërisë nga Italia, edhe pse Faik Konica, si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në SHBA, kishte njoftuar Departamentin e Shtetit se Shqipëria gjendej para greminës dhe se së shpejti do të pushtohej nga Italia fashiste.

Fajtore për këtë mos reagim të SHBA-së konsiderohet të ishte politika e Zogut.

Më 10.06.1939, me udhëzim të Departamentit të Shtetit, mbyllet ambasada amerikane në Tiranë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ndërpriten.

Këtë  kronologji të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë e ri-solla për të rikujtuar politikanët tanë në Kosovë me rrezikun për të provokuar një zemërim tjetër amerikan ndaj shqiptarëve, pas gati një shekulli, edhe pse arsyet mund të ndryshojnë.

Roli i Amerikës ishte vendimtar edhe te çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj.

Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se Amerika mundet pa Kosovën, por është pikëpyetje e madhe nëse Kosova mundet pa Amerikën. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të lëshojmë pe në interesat jetike të shtetit të Kosovës, por duhet të dinë që gjërat t`i bëjmë me më shumë diplomaci.

Mjerisht, Kosova ka shumë politikanë e pak diplomatë. Ata duhet kuptuar se Amerika nuk mund të barazohet me çfarëdo shteti tjetër, në raport me interesat shqiptare.

Shpresojmë për ditë më të mira.

________

Autorja është master i marrëdhënieve ndërkombëtare & diplomacisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora