E premte, 19.04.2024, 07:35 AM (GMT+1)

Sport » Sporti

Prekja e botës, nga “rasti Kasaj” te “rasti Qerimaj”

E diele, 01.07.2007, 03:26 PM


1.

Po mendojshe: sikur Erkand Qerimaj të ishte shpallë Kampion i Botës, jo më 2007-ën, por në vitin oruellian 1984, çfarë do të kishte ndodhur?

Erkand Qerimaj
Do ta kishte pritur në aeroport sekretari apo inspektori i peshëngritjes në Komitetin e BFSSH-së, i shoqëruar nga shefi i sektorit të jashtëm të Ministrisë përkatëse ose i BFSSH-së. Kryetari i BFSSH-së nuk do të kishte dalë, sepse si një autoritet partiak që ishte, e quante veten tepër të madh për të shkuar për këtë ngjarje deri në Rinas. Mandej, Erkandi i vitit 1984 do të kishte mbërritur te selia e BFSSH-së, e vendosur në një vilë private të pronësuar prej shtetit komunist. Aty do ta kishte pritur ai, partiaku apo ruajtësi i biografive të sportistëve, kreu i BFSSH-së. Erkandin, kryetari do ta kishte përgëzuar për arritjen e madhe, për nderimin që i ka bërë sportit socialist shqiptar, për të cilin partia dhe qeveria tregon një kujdes të veçantë, e për këtë flet vetë rezultati i Erkand Qerimajt, i cil, falë kushteve të mrekullueshme që ka krijuar Partia, ka arritur të triumfojë deri te titulli i Kampionit të Botës. Duke qenë se do të ishte vitit i 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe të triumfit të revolucionit popullor, ndoshta të nesërmen Erkandin e vitit 1984 mund ta priste edhe zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave që mbulonte arsimin, kulturën dhe sportin, i cili pak a shumë do të përsëriste po ato fjalë të kryetarit të BFSSH-së, por më me pompozitet dhe autoritet. Ndërkaq, shtypi do të kishte botuar një reportazh-intervistë me protagonistin, duke theksuar se ky sukses flet për kujdesin e vazhdueshëm të Partisë dhe të qeverisë për zhvillimin e kulturës fizike e të sporteve.

Kaq, pak a shumë. Erkandi i vitit 1984 nuk do të ishte shpërblyer, por do ta kishte për nder që kishte gëzuar popullin, Partinë, Atdheun, klubin e tij për suksesin e arritur pikërisht në vitin e 40-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Më mbas, ai do të kishte fituar anketën e 10 sportistëve më të mirë të vitit dhe meqë ishte viti i 40-vjetorit të çlirimit, mund të kishte marrë edhe medaljen “Naim Frashëri”, përveç titullit të menjëhershëm “Mjeshtër i Merituar i Sporteve të RPSSH”.

Kështu “të nderonte” regjimi.

Sot nuk është regjimi, është diçka tjetër.

2.

Kur Erkand Qerimaj u kthye nga Praga me titullin e tij të dytë të Kampionit të Botës për të Rinjtë, në Rinas pa asnjë urdhër, por vetvetiu, kanë dalë për ta pritur një numër tifozësh me flamurë kombëtarë dhe me thirrje të forta që prishën qetësinë e mesnatës së banorëve të vendbanimit përreth. Kuptohet që kanë dalë edhe krerët e Federatës Shqiptare të Pëshëngritjes dhe të ministrisë. Dy ditë më vonë, Erkandi është pritur prej kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, të qytetit të tij të lindjes dhe të formimit të tij si sportist, zotni Luka, në praninë e presidentit të FSHP-së, zotni Ademit. Çka, nuk mendoj se mbetet me kaq, sepse Erkand Qerimaj është i vetmi Kampion i Botës në fuqi i Shqipërisë së sotme. Erkandin nuk e kanë pritur krerë të qeverisë apo të shtetit dhe në demokraci kjo duket normale, sepse shteti demokratik, nuk i ka qëllim politik më vete titujt sportivë; i ka qëllim dhe synim kombëtar. Më fort se pritjet ceremoniale, në demokraci merr përparësi dhe rëndësi shpërblimi monetar, natyrisht së bashku edhe me atë nderues moral po e po, por më fort përkujdesja, nxitja për më tej, kushtet, vlerësimi më universal.

Megjithatë, nuk mendoj se mjedisi sportiv shqiptar e priti si diçka të rrallë titullin e dytë të Erkandit. A thua se Shqipëria ka përherë kampionë të botës, duke harruar se deri më sot ne kemi vetëm një kampion të botës në shekull: Ymer Pampurin dhe vetëm edhe një tjetër dy herë në dy vjet, Erkand Qerimajn.

Duke harruar se, vetvetiu titulli botëror i 19-vjeçarit tonë është sensacional.

Është sensacional, sepse Qerimaj është Kampion i Botës i njërit prej vendeve me nivelin e jetesës ndër më të ulëtit në Evropë; është Kampion i Botës i një vendi, i cili përjashto sportin e peshëshëgritjes, përjeton një krizë sportive, që e pakta prej nja 15-vjetësh, nuk ia arrin ta kapërcejë; është sensacional, sepse arrihet për herë të dytë brenda dy vjetësh po prej të njëjtit sportist. Dhe më së fundi, është sensacional, sepse arrihet vetëm mbas pak javëve kur një sportisteje tjetër të rangut evropian të peshëngritjes shqiptare, Fetije Kasajt, i zbulohet përdorimi i lëndëve që nxisin artificialisht rezulatin dhe shkatërrojnë shëndetin.

E pra, a mos qe ky shkaku që titulli i lartë i Erkand Qerimaj, gati-gati kaloi si në një lloj heshtjeje? Ose për të qenë më të saktë: kaloi shumë shpejt, si në rastin e një meteori që sapo ndriçon shuhet? Në një kohë që, në këtë rast kemi të bëjmë me një lloj meteori i cili vazhdon të ndriçojë pa ndalesë.

Mirëpo, a ka vërtet lidhje midis “rastit Kasaj” dhe “rastit Qerimaj”? A varen ata nga njëri-tjetri? A vërtet zhurma që u bë në Shqipëri për “rastin Kasaj” tejet e pamëshirshme dhe e zhbarazpeshuar (ndoshta vetëm kështu Shqipëria sportive do të hidhet në një luftë të ashpër kundër dopingut), mund të zvogëlojë përmasat e botërore të titullit të dytë të Qerimajt? Dhe mu për këtë shkak të “rastit Kasaj”, të mbërrijmë deri aty sa të pritet gati si me ftohtësi titulli i dytë i Erkand Qerimajt?...

Nëse ndodh kështu, nuk kemi kuptuar asgjë nga bota e sotme e sportit.

3.

Këto ditë, mbas gati 16 vjetësh, kam takuar një kampion të madh të botës, rekordmen botëror dhe nënkampion olimpik të pëshëngritjes me emrin Luan Shabani. Nuk më njohu. Kur i thashë emrin, më nderoi fort. I kujtova shpejt e shpejt fillimet e tij, qysh fëmijë, 14 vjeç djalë, kur së bashku me Pirro Dhimën përmes fotos emblematike të pashlyeshme të Besnik Vrapit, kishim mbushur faqen e “Sportit popullor”, duke i cilësuar si kampionë të mëdhenj të ardhshëm. Nuk ishin më shumë se 14-15-vjeçarë. Profecia jonë u realizua. Luan Shabani dhe Pirro Dhima u bënë Kampionë të Botës dhe Kampionë të Olimpiadës, heronj të këtij sporti kreshnikësh. Dy vjet më parë, Luani pati dramën e tij të Olimpiadës, mu për shkak të lëndëve nxitëse të padëshirueshme. Por, shpejt ai u kthye përsëri para boshtit olimpik dhe mori pjesë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes 2006, një pjesëmarrje sensacionale, pavarësisht nga vendi i 11-të që zuri në peshën 60 kg, sepse ky ishte rikthimi i tij që kapërceu dënimin për doping.

Jeta vazhdon. Me ato ligje vazhdon dhe jeta sportive, qoftë dhe në luftën kundër dopingut. Kësisoji edhe për rastin tonë “Kasaj”, që gjithashtu do të kalojë dhe me siguri Fetija do të kthehet po ashtu para boshtit olimpik. Nuk ka gabim që nuk ndreqet. E pra, asesi nuk mund të ndodhë që fitorja sensacionale e Erkand Qerimajt të kalojë kaq në qetësi, në heshtje, disi meteorike. Kështu do të thotë se nuk arrijmë të kuptojmë se çka ka ndodhur. Ka ndodhur që falë një djaloshi të një talenti të rrallë, me emrin Erkand Qerimaj, Shqipëria diku është e para në botë. Jo e para në Tiranë, as në Shqipëri, as buzë Adriatikut, as në Ballkan apo në Evropë, por në rruzull, në botë. Pyes përsëri: na thoni ku tjetër Shqipëria është e para në botë? Ku tjetër Shqipëria ka prekë botën?

4.

Deri më sot, Shqipëria e ka prekur vetëm tri herë botën: me Ymer Pampurin më 1972-shin dhe me Erkand Qerimajn më 2006-ën dhe më 2007-ën.

Fatkeqësia jonë është se prekjen e parë të botës, atë të Ymer Pampurit, siç e kemi treguar me kohë dhe që i përket Olimpiadës së Mynihut, ditës së 29 gushtit 1972, ditë që në historinë e Olimpiadës ka hyrë si dita e vetme që një shqiptar thyen për herë të parë në histori një rekord olimpik, e kemi zbuluar vetëm më 2001-shin, madje e ka zbuluar studiuesi italian dr. Giovanni Armillota.

Ymer Pampuri, 27 vjeç, peshëngritës i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), në të vërtetë, vetëm pak më parë se ky 29 gusht 1972 me 125 kg në stilin e forcës të peshës 60 kg, ishte shpallë Nënkampion i Evropës në Kostanca të Rumanisë zhvilluar më 13-21 maj 1972. Ai përbënte një figurë të madhe të sportit shqiptar dhe kjo thyerje e rekordit olimpik të legjendarit Yoshinobu Miyake të Japonisë - rekord i vendosur prej këtij në Olimpiadën e Tokios (1964), madje fitues i medaljes së artë edhe në Meksiko, ndonëse në Munih, vetëm i 4-ti - bëhet protagonist i nivelit botëror. Një kontuzion muskular e pengon të shkëlqejë në stilet e tjerë, po edhe me kaq ai mbetet i papërsëritshëm.

Pampuri është një pionier legjendar i asaj që do të mbërrijë më vonë peshëngritja shqiptare: e treta në Kampionatin Evropian të Aalborgut në Danimarkë më 13-20 maj 1990 para Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë. Ishte kampionati i fundit, ku Pirro Dhima i Shqipërisë arrin pesë rekorde kombëtare dhe dy vjet më vonë, në Barcelonë, tash nën ngjyrat e Greqisë, ai bëhet kampioni i parë olimpik me kombësi shqiptare, duke vazhduar edhe me dy tituj të tjerë. Për të mbërritur te Luan Shabani - Kampion i Botës e Nënkampion Olimpik, e deri te Agim Xhelili - Nënkampion i Botës. Për fat, që të gjithë shqiptarë përfaqësues të Greqisë.

Gara e 29 gushtit 1972 - një duel spektakolar midis Nurikian të Bullgarisë dhe Shanidze të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, ka ndërmes atë verë të 72-shit Ymer Pammurin, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jepet medalja. Këtu është ngatërruar gjithçka, ngatërrim që për ne mbeti nëntokë për tri dekada. Kanë megjithatë, pak radhë që kanë kaluar kot së koti, kur sot vërejmë se brenda tyre ka qenë e gjithë e vërteta. Kur kthehet nga Mynihu, Ymer Pampuri deklaron në gazetë, fjalë për fjalë kështu:

"Në ceremoninë e mbylljes m'u dha medalja e rekordmenit olimpik dhe e Kampionit Olimpik për stilin e forcës". Siç e kemi thënë prej kohësh, Pampuri ka dashtë të thotë pikërisht "medalja e Kampionit të Botës", sepse dihet që kampioni olimpik ishte vetëm një: bullgari Norair Nurikian me 402.5 kg në tregarësh (forcë+shkëputje+shtytje) dhe asnjë tjetër, pra as Pampuri ynë edhe pse theu rekordin olimpik. Dhe ka thënë "medalja e Kampionit Olimpik", çka nuk ishte aspak e vërtetë. Ajo ka qenë pagabueshëm medalja e Kampionit të Botës, të cilën Pampuri e ngatërron duke thënë gabimisht "medalja e Kampionit Olimpik". Kur dihet se ai është renditur i 9-ti në tregarësh me shifrat 342.5 kiligramë, duke thyer rekordin kombëtar me 15 kilogramë më tepër, një rast i paprecedent në historinë e peshëngritjes sonë.

Punë e kryer! E kryer me vonesë 29-vjeçare. Sot e kësaj dite, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF), shkruan pa e luajtur nga vendi se: "Lojërat olimpike të viteve 1964, 1968, 1972, 1976, 1980, 1984 llogariten edhe si Kampionate Botërore". Dhe, në arkivin e saj i ka vënë Shqipërisë një medalje të artë të Kampioni të Botës.

Kjo është prekja shqiptare e botës, ajo shekullore e vetme e Ymer Pampurit.

5.

Tash është Erkand Qerimaj. Ndonëse në thelb, Ymer Pampuri ende nuk është arritur, sepse ai është Kampion i Botës me të rriturit, ndërsa Qerimaj me të Rinjtë. Ose për ta thënë më qartë: sot Qerimaj është, si thuash, një kampion i drejtpërdrejt i botës: Pragë 2007.

Dhe, mbi të gjitha, ai është një përsëritës, që do të thotë dy herë Kampion i Botës brenda dy vjetëve dhe

përmes një evolucioni apo operacioni teknik jo aq të lehtë. Vitin e shkuar, në Kampionatin Botëror të Hanxhout të Kinës, Qerimaj ishte po ashtu si sot: kampion i botës në shtytje me 175 kg dhe nënkampion i botës në dygarësh me 311 kg. I peshës 69 kg. Sivjet ai e përsërit suksesin në një peshë më lart, në atë 77 kg, çka nënkupton një shndërrim fizik tejet delikat. Shifrat që shpërthejnë: 191 kg në shtytje - kampion i botës. 338 kg në dygarësh - nënkampion i botës. (Për fat, i teti në shkëputje me vetëm 147 kg). Shtatë kg. rritje e peshës trupore të Erkandit i kanë dhënë në Pragë 16 kg më tepër në rezultatin e shtytjes, 11 kg më tepër në shkëputje, ndonëse i teti dhe plot 27 kg më tepër në dy garësh. Kemi të bëjmë me një sportist fenomenal, i cili ndoshta gradualisht apo dhe shumë shpejt mund t’i afrohet peshës së famshme të 85 kilogramëve, më klasikja, më elegantja, më universalja e peshëngritjes, pesha e Pirro Dhimës - tre herë rresht Kampion Olimpik.

Nuk mund ta marrim me mend sot se si do të jetë ky kampion i ardhshëm, i cili mbërrin nga Shkodra. Nuk mund të bëjmë parashikime. Nuk jemi në gjendje të bëjmë parashikime. Këto, në rastin konkret, mund t’i bëjë Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Po më fort mund t’i bëjë sektori teknik i FSHP-së, në këtë rast trajneri i Erkand Qerimajt, Genc Barkiçi. Por, mund t’i bëjë së bashku me të mësipërmit, shkenca shqiptare e peshëngritjes, nëse vërtet kemi një shkencë të tillë. (E nëse ende nuk e kemi, jemi të detyruar ta themelojmë sa më shpejt që të jetë e mundur).

E rëndësishme është ndërkaq se, në Kampionatin Botëror Pragë 2007, përveç Qerimajt, pati dhe një medalje bronzi nga Gerti Trasha në peshën 69 kg, stili i shkëputjes me 143 kg. Pamja e pjesëmarrjes tejet racionale të Shqipërisë në Pragë 2007 është kjo e mëposhtmja:

69 kg

1. ZHENG Zhisheng CHN 145 180 325

2. TANG Fei CHN 143 181 324

3. MIRZOYAN Arayik ARM 143 170 313

4. TRASHA Gerti ALB 143 (III) 166 (IV) 309

77 kg

1. LAHUN Siarhei BLR 155 189 344

2. QERIMAJ Erkand ALB 147 (VIII) 191 (I) 338

3. ZHANG Shichong CHN 150 185 335

85 kg

1. IVANOV Alexandr RUS 163 196 359

2. CIRICU Anatol MDA 157 196 353

…………………………………………………………………..

6. CEREPI Taulant ALB 150 (V) 181 (VI) 331 (VI)

94 kg

1. IVANOV Artem UKR 93.17 164 199 363

2. RUSSYANOVSKIY Roman KAZ 93.38 163 197 360

……………………………………………………………………

---KARINA Endri ALB 93.01 153 (IX) --- ---

Dy medaljet e Pragë 2007-ës e çojnë në 9 numrin e medaljeve të Erkand Qerimajt: Kampion i Evropës për NEN 17 më 2002, nënkampion i Evropës për të Rinjtë më 2005, Kampion i Botës për të Rinjtë më 2006, Kampion i Botës për të Rinjtë më 2007-ën. Synimi dihet se cili është: Pekin 2008: olimpiada. Edhe Qerimaj, ashtu si dhe kampioni tjetër i botës, bjellorusi Lahun, la mbrapa një peshëngritës nga Kina, e cila siç dëgjova prej presidentit Ademi ka dy milionë e gjysëm peshëngritësa. Prekja e botës prej Shqipërisë së vogël është vërtet e habitshme.

6.

Erkand Qerimaj vjen 35 vjet mbas Ymer Pampurit. Ende jo me të rriturit., por është një Kampion i Botës në fuqi, jo i arkivit të historisë. Dhe kjo është dy herë rresht. Dhe vjen vetëm pak javë mbas zhurmës së dopingut të Fetije Kasajt. Sa tronditës që është rasti i saj për të keq, po kaq tronditës është rasti i Qerimajt për të mirë. Dhe, nëse rasti i parë jep alarmin për ndërtimin modern dhe shkencor të kontrollit antidoping qysh këtu në Shqipëri (e kësisoji, shteti mund të luajë rolin më të rëndësishëm të tij), rasti i dytë, ai i Qerimajt, na thotë se peshëngritja - sporti më me rezultate i Shqipërisë së sotme - tashmâ ka hyrë në rrugën e pakthyeshme botërore dhe olimpike. Nuk besojmë se mund të ndalet.

Historia më e fundit të kujton se me fillimin e viteve 2000, peshëngritja shqiptare ka treguar përpjekje tejet serioze për ta prekur botën në këtë sport. Rasti unik i përket Ilir Sulit, i vetmi shqiptar Nënkampion i Botës me të rriturit: në 85 kg të stilit të shkëputjes më 2002. Mandej gjithçka me të rinjtë: Fetije Kasaj Nënkampione e Botës për të Rejat (2005), Gerti Trasha - Nënkampion i Botës për të Rinjtë më 2006 dhe më e madhja: Erkand Qerimaj dy herë Kampion i Botës më 2006-ën dhe 2007-ën.

Në tanësi, shihet se Shqipëria ka zgjatur duart për ta prekur botën në sportin e peshëngritjes të viteve ‘2000. Madje e ka prekur. I duhet të mos i shkëputet kësaj prekjeje. Tejet e vështirë.

Sidoqoftë, tash për tash shpirtërisht le t’i gëzohemi faktit se Shqipëria është diku e para në botë. Është në sportin e peshëngritjes, në disiplinën e saj të 77 kilogramëve, në stilin e saj që quhet i shtytjes, falë një 19-vjeçari nga Shkodra - i vetmi qytet shqiptar që diku ndihet Kampion i Botës - me emrin Erkand Qerimaj.

Dhe, vetëm në periudhën kohore 2005-2007 Shqipëria ka fituar 8 medalje të Kampionatit Botëror për të Rinj, 2 prej të cilave ari.

Nuk dijmë nëse ia arrijmë të kuptojmë se çka do të thotë e gjitha kjo…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora