E premte, 19.04.2024, 06:15 AM (GMT+1)

Mendime

Enver Bytyçi: A i ka mbet gjë Lidhjes Demokratike nga filozofia e Ibrahim Rugovës?!

E premte, 27.03.2020, 05:49 PM


A i ka mbet gjë Lidhjes Demokratike nga filozofia e Ibrahim Rugovës?!

Nga Enver Bytyçi

Para pak ditësh kam shkruar dhe vënë në dukje se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është më parti e të madhit Ibrahim Rugova, por patericë e Hashim Thaçit. Për Isa Mustafën e kam thënë këtë fakt që kur ai para katër vitesh e bëri Hashim Thaçin president. Mbrëmë u binda se nuk kam gabuar asnjë milimetër në përcaktimet e mia.

Por nuk bien dakord me mua shumë anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Sinqerisht kjo nuk më lëndon, sepse secili ka të drejtën e vet të bindet për ndryshimin që sheh. Vetëm ata që janë të lidhur me interesa me partitë nuk marr përsipër t’i bind, sepse ku është interesi nuk është e vërteta. Prandaj dua të ve në dukje vetëm disa, dallime midis Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës dhe kësaj që ka në dorë Isa Mustafa, (kupto: Hashim Thaçi).

Partia e Rugovës kishte objektiva, ishte alternativë, ishte trup, ishte parti e synimeve, vizioneve, dhe ideve të mëdha kombëtare. Si e tillë ajo përcaktoi strategjitë e aleancave, marrëdhënieve, marrëveshjeve, por me një bosht moral të përcaktuar e të pandryshueshëm. Nuk lëvizi LDK dhe lideri i saj historik asnjë çast nga parimet e përcaktuara. Nuk iu shmang asnjëherë detyrës ndaj Kosovës e atdheut. Kishte një përcaktim: Kosova e pavarur, me kufij të hapur, në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Isa Mustafa nuk e bëri as edhe një ditë LDK alternativë, e shndërroi në degë e gjethe të Hashim Thaçit dhe PDK-së. Isa Mustafa nuk mbaj mend të ketë përpunuar asnjë ide origjinale për shtetin dhe për Kosovën, përveç retorikës së trashëgimisë së Ibrahim Rugovës. Institucionalizmin e Rugovës e përdor si gjethe fiku në mbrojtje të interesave të pushtetit dhe të pasurisë së Hashim Thaçit. Miqësinë me Shtetet e Bashkuara e përdor si mjet për t’u armiqësuar me Europën dhe për më keq për të realizuar projektin e treshes Vuçiq-Thaçi dhe Rama për ndarjen e Kosovës. Nëse LDK do ta krijojë qeverinë e ardhshme pas kësaj që u rrëzua, Hashim Thaçi do ta marrë për dore kryeministrin e saj dhe do ta përdorë si sfond në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së tradhtisë.

Ibrahim Rugova themeloi doktrinën e aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por ruajti ekuilibra të admirueshme me Bashkimin Europian, sidomos me Berlinin, Londrën, Parisin, Romën e madje edhe me Madridin. Isa Mustafa për realizimin e interesave të Hashim Thaçit e shndërroi LDK-në në kundërshtare të interesave evropiane në Kosovë e në rajon. Kurrë Ibrahim Rugova nuk do të kishte pranuar të luante intriga midis Uashingtonit dhe Berlinit, gjë që e bëri Isa Mustafa. Ai dinte ta ruante shenjtërinë e miqësisë me Amerikën, pa patur nevojë t’i kundërvihej miqësisë me Europën. Ai dinte të thoshte jo, edhe atëherë kur amerikanët i bënin presion të merrte pjesë në zgjedhjet serbe, gjest që nuk cënonte drejtpërdrejt interesat e Kosovës. Mund ta bënte një provë. Ndërkohë që Isa Mustafa e bën të kundërtën në funksion të shkëmbimit të territoreve. Mos i besoni retorikës dhe fjalëve të Isa Mustafës. Më mirë dëgjojeni Hashimin në origjinal. Pra Isa Mustafa nuk di të thotë jo edhe kur vihet në pikëpyetje integriteti territorial i vendit. Janë dy gjëra krejt të ndryshme, dy qëndrime krejt të kundërta. Sepse Ibrahim Rugova në qëndrimet e tij kishte në llogari Kosovën, Isa Mustafa ka në llogari lidhjet e tij mafioze me Hashim Thaçin.

Ibrahim Rugova e kishte LDK-në si trup, ndaj dhe kurrë, edhe në momentet më kritike të karrierës së tij politike, nuk e humbi orientimin. Në vitin 1998 dhe dimrin e vitit 1999 e shpallën tradhtar. Madje e shpalli tradhtar edhe kryeministri i vet, Bujar Bukoshi dhe ky Isa i sotëm ia kishte ndaluar me kohë financat për veprimtarinë e tij shtetërore. Por ai u ngrit si feniksi. Kujtojeni përshkrimin e ambasadorit Christofer Hill gjatë një vizite në Malishevë, kur njerëzit në kushte lufte i përuleshin si Papës dhe paramendoni dikë tjetër në Kosovë të respektohet si Rugova. Pse ndodhi kjo në kulmin e kundërshtive politike ndaj Rugovës? Sepse ai ishte Rugova, ishte vetvetja. Nuk ishte mashë e askujt. Ndaj e kishte bind popullin e Kosovës në drejtësinë dhe filozofinë e tij.

Ibrahim Rugova kishte rreth vetes burra të mëdhenj e profesorë me famë, si Fehmi Aganin e Fatmir Sejdiun. Kishte burrin e urtë Kolë Berisha. Shihni kë ka në krah Isa Mustafa. Një prej injorantëve në kulturën politike, si Agim Veliun, por jo injorant në mjeshtrinë e intrigave mafioze që rëndojnë në qafën e Kosovës. E plot si ai. Ka edhe Dr. Abdullah Hotin, për të cilin mund të fliten vetëm fjalë të mira, përveçse faktit se nuk mundi të bëhet kurrë vetvetja, me identitet të veçantë.

A mund të më thotë dikush se cila është filozofia e asaj që ndodhi dje në Prishtinë? A do kishte vepruar Ibrahim Rugova kësisoj?! Kurrë jo! Ibrahim Rugova e bëri kryeministër liderin e një partie me 20 deputetë (Ramush Haradinajn) dhe ia dha të gjitha mundësitë për drejtimin e qeverisë, sepse ai besonte te njerëzit. Isa Mustafa nuk beson as te këmisha e vet, përveçse të këmisha e Agim Veliut dhe Hashim Thaçit.

Ibrahim Rugova kurrë nuk do të krijonte një aleancë parazgjedhore si ajo e VLAN-it e pastaj të ikte prej saj për ta krijuar qeverinë me Hashim Thaçin. Ibrahim Rugova nuk e ndërpreu asnjë koalicion qeverisjeje para kohe. Kur Ramushi shkoi në Hagë, ia dha të drejtën të ndërronte kryeministrat sa herë të donte prej Agi Çejkut te Bajram Kosumi. Isa Mustafa e Isa Mustafës ia ka prish Hashimi koalicionet gjithmonë. Megjithatë ai shkon si viktima që shkon pas kriminelit, nuk i ndahet shpirti prej të pabesit Hashim Thaçi. Ndërkohë Rugova, pavarësisht presionit të amerikanëve, nuk e pranoi Hashimin për kryeministër! Në vend të tij mandatoi të ndjerin Bajram Rexhepi.

Ah! Kosovë sa të mungon Ibrahim Rugova! Sa më shumë kohë kalon e shohim se si sillet lidershipi i LDK-së ndaj teje, aq më shumë na merr malli për ty e për kohën tënde!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora