E enjte, 28.03.2024, 08:54 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Babai dhe të tjerët

E premte, 27.03.2020, 11:07 AM


BABAI DHE TË  TJERËT…

Tregim nga QAZIM SHEHU

Vajtja në fakultet dhe pikërisht në degën që dëshiroja, ishte për mua një ëndërr që ende nuk e besoja se kishte ndodhur.Tashmë ,nuk duhej të fshija qerpikët për të  ndier ose për të përfytyruar se ëndrra linte në to pjalmin e saj,siç e kisha zakon, sa herë kur duhej të shkundja qepallat.Sapo u sistemova në konvikt,dola në ballkonin e dhomësdhe po shikoja qiellin e kaltër ,i cili sikur ndriste për hir të ëndrrës sime.Isha me burse shteti.Kjo ishte një gjë e mirë.Babai punonte ne minierë , por nuk i plotësonim të ardhurat,atëherë kishte kritere fikse.Ditën e parë në auditor, vura re se ne,në kurs, ishim gjashtë djem dhe tridhjetë vajza,një mrekulli;më vonë,kuptova se çfarë paqeje dhe mirësie i jepnin ato vajza këtij kursi,aq sa kurset e tjera  do të na e kishin zili.Por unë vija re se ato vajza nuk ishin sidokudo,baballarët  e tyre punonin në dikastere të rëndësishme,ishin vajza profesorësh apo njerëzish që vinin nga bota akademike,vajza personalitetesh  të politikës apo të sferave të tjera shoqërore dhe babai im ishte minator…Kjo më cimbiste pak dhe ma ulte emocionin e sedërs,por,nga ana tjetër,më sillte edhe mendimin se, pikërisht për këtë,unë duhej të studioja…por pashë se më mungonin disa libra dhe unë librat i doja shumë…Në ditët në vazhdim,vura re se edhe rrobat e mia nuk ishin të përshtatshme,ato më tregonin një fshatar,që mundohet të ndjekë modën,nuk i mungon shija ,por nuk ka aq para sa të blejë rroben e duhur;megjithatë,një të diel, e mendovase kjo do të rregullohej,ndaj i hip autobuzit të linjës dhe u gjenda në minierë, atje ku punonte babai.Sapo kishte dalë nga turni,dhe ende në ballin e tij dukeshin grimcat e mineralit.Babai ishte shpatullgjerë,kishte duar të fuqishme si kanxha  dhe ishte punëtor i madh;ai nuk i dorëzohej pritshmërisë,guxonte dhe kërkonte  punën që jepte më shumë para në atë kohë të vështirë  kur ,për një punë shteti, duhej të përtërije lejen çdo vit te kryetari i këshillit,të cilit babai ia gjente gjithmonë anën duke i sjellë vërtetime dhe kërkesa nga ndërmarrja që të mos pengohej.”Më prit ,-thabai,-sa të lahem dhe po shkojmë në mensë”. U ula në një cep,por shpejt u ngrita teksa shihja punëtorët që dilnin nga miniera,ashtu të heshtur dhe duke i hedhur ndonjë fjalë të rrallë njëri-tjetrit,nuk shkonte që unë të rrija i ulur,duhej të kisha respekt për klasën punëtore.Baba  doli shpejt dhe më futi krahun.”Ç`thonë studimet”-më pyeti- ty s`ta kam merakun,po fëmijtë e tjerë më mbetën pa shkollë”-; vura re se në ballin e tij u shtua një rrudhë- dhe unë po ndihesha fajtor pse ata do të mbeteshin pa shkollë(të lartë)se të mesmen e vazhdonin.Në atë kohë,nëse  një fëmijë ,nga një familje ,shkonte në shkollë të lartë,të tjerët nuk kishin të drejtë,ky ishte një kriter i poshtër.I thashë babait se nuk kisha uri…’Hamë një drake bashkë”-tha,dhe,pa e zgjatur u futëm në mensën e minierës,babai shkoi te sporteli dhe solli gjellët,mensa nuk kishte kamarier…Hëngrëm në heshtje dhe babai nuk pyeste më për shkollën,vetëm,në mbarim të drekës,dolëm përjashta dhe u ulëm në një fron, në lulishten përpara godinëssë fjetores së minatorëve…”Me lekët si je?”-pyeti babai…”Keq”-thashë, i gëzuar  që e hapi vetë këtë çështje…”Mirë,mirë,tha,-ja po të jap,unë…ai nxori portofolin dhe më dha një mijë lekë…”Të duhen më?”-pyeti.”Edhe një,-thashë…të ble disa rroba, tashmë jam student…ndodhem midis vajzash kryeqytetase…Babai qeshi: ..”Të kuptoj”-tha, dhe më dha edhe dy mijë lekë të tjera, duke shtuar:”Rrobat mirë i ke,por meqë të është mbushur mendja…”Tani,- thashë,-ti duhet të pushosh dhe unë të iki…”Rri dhe ca,-tha babai,-mua s`më prish punë,nuk pushoj në këtë orë..”Jo,duhet të iki,autobuzi erdhi…”Mos na harro”,-tha babai,-eja kur të kesh kohë,veçse,mësimet mos  i lër pas dore,rrobat, rroba janë”…Ai më përqafoi dhe unë u nisa i gëzuar…Mbaj mend se bleva një kostum të bukur, këpucë të mira,dhe ,kur shkova në leksion, njëra nga vajzat ktheu kokën nga unë…Ne nuk ishim njohur mirë me njëri-tjetrin,por sidoqoftë të ndenjurit në auditor,për nëntëdhjetë minuta, kërkonte ta mposhte e lehtësonte  monotninë e leksioneve të gjata me disa kryqëzime vështrimesh  të ëmbla,që sillte një lehtësim në përballimin e kohëszgjatjes së leksionit…

Një ditë, m`u afrua një vajzë.I thashë se isha nga qyteti E.dhe babai im punonte në komitet;kishim dalë nga leksoni dhe  rrinim jashtë në oborr.Kursi jonë gjithmonë kriojnte një oaz shumëngjyësh ndjellës.Unë  e dija që bija në sy me  veshjen time.Vajza më komplimentoi për kostumin,sa i bukur tha,dhe qeshi.Ishte një vajzë e gjatë…Nuk e di sa turp më erdhi që e fsheha të vërtetën, duke gënjyer se baba më punonte në komitet,por kësaj nuk i dhashë rëndësi.”A të qeras?”,i thashë.”Ou,me kënaqësi,-tha ajo dhe erdhi pas meje;hymë në një kafe pranë fakultetit  dhe e qerasa  çfarë ajo deshi.Nuk harxhova ndonjë gjë të madhe,para kisha.Kështu kalonin ditët  dhe  ajo,vajza,gjithnjë vinte pas meje, sa herë i thosha ta qerasja,nuk i vinte turp fare,aq sa, një ditë, u bezdisa dhe nuk i thashë më; ajo e kuptoi këtë dhe filloi të largohej edhe vetë…Mbrëmjeve, dilnim me                                    shokët,shkonim në kinema dhe unë u prisja biletat,pastaj rrëkëllenim ndonjë gotë birrë te Sahati dhe shëtisninm rrugëve të Tiranës…Isha bërë bujar i madh…Më kujtohet se një herë i thashë asaj vajzës  që të shkonim të dy në kinema,biletat i prisja unë  dhe ajo më tha se do merrte me vete edhe një shoqe.”Shoqes biletën pritja ti,-i thashë,-nukvij!”.Nuk e di sa e kuptoi mesazhin tim,ndërsa, të nesërmen, fillova të zë muhabet me një vajzë tjetër,vajza rrinte në oborr dhe më shikonte në bisht të syrit.Vështrimi i saj sikur më thoshte”pse ke para, deshe të më  kapësh në grackë”,ndërsa unë nuk kisha kurdisur asnjë grackë,thjesht më pëlqente  të rrija me të,ta qerasja dhe kaq.Doja shoqëri nga një vajzë e një rrangu të tillë,babai i saj punonte  si këshilltar në institiucionin më të lartë të shtetit.Atëherë pse donte të rrinte afër meje,çfarë e tërhiqte tek unë, kostumi,paratë e mia?!…Mendja më turbullohej dhe nuk gjeja një prehje shpirtërore,po ndërkohë ,sipas fjalësqë i kisha dhënë babait, shikoja mësimet.Në sezonin që erdhi,i mora të katër provimet  me nota shumë të mira.Kur dhashë lëndën “historia e mendimit gjuhësor”,sapo fillova të flas,pedagogu,një njeri i aftë, ndali dhe më shikoi:”Nga je ti djalë”-pyeti.I thashë emrin e rrethit dhe të fshatit.”Ouu-klithi ai,-por unë kam qenë partizan andej”,dhe pedagogu filloi të më pyesë për të gjitha emrat e kodrave,përrenjve që vareshin si litar mbi fshatin tim,fiset e ndryshme.E kuptova,e kapi nostalgjia,madje ai më pyeti për një fshatarin tim që e kishte srehuar gjatë luftës…”Bjere librezën,-tha-dhjetë!”..Kam ëndërruar të kem një student nga ai fshat”.Ai ma                              vuri notën afrofe…Kur dola jashtë,pashë vajzën e gjatë.”Çfarë more ti?”Dhjetë”,-thashë dhe i rrëfeva librezën gjithë mburrje…”Unë, tetë,-tha ajo,jo,nuk jam e kënaqur,do të vij ta ngrë notën në vjeshtë”….Nuk i fola…Por e dija se më shihte me zili,e ç`nevojë kishte ta provonte këtë ndjenjë zilie…Mos vallë ajo mendoi se unë e kisha joshur  pedagogun me ndonjë kafe ,ngaqë kisha lekë?Çfarë s`mendojnë këto buddallaçka,ndërmenda dhe ,meqë i mbarova provimet me rezultatin e pritshëm,i ftova shokët t`u jepja një drekë…por po vija re se paratë po mbaroheshind ,nërkaq i hipa sërish autobuzit të linjës.Ato ditë, babai merrte rrogën dhe duhej të kishte para.Dhe babai më dha para.”Je student,-më tha,-të duhen,por kujdes,mos i shpenzo kot”.Isha krenar që babai ishte punëtor i madh.Vajzën e qerasa të parën.Nuk e dija pse më tërhiqte ajo vajzë,ishte e thjeshtë,gjithë sqimë,mësonte mirë dhe kishte një kujdes ndoshta të tepruar në sjellje,por ky kujdes dukej se buronte nga një shpirt fisnik.Dinte dy gjuhë të huaja, thoshte se i kishte mësuar me mësues privat.Unë e qerasa me çfarë mendova se do ta kënaqte…Por ajo nuk e kishte mendjen aq tek e qerasura:”Ti ,më the se babai të punon në komitet?-pyeti ajo…”Po,i thashë,po…”Unë kam një kushërirë ne E…punon në fshat,a mundet babai jot ta tërheqë në qytet?A jo është arsimtare…”Por ti e ke babanë këshilltar shteti-i fola-Si mundet babai im,një nëpunës i thjeshtë komiteti ta bëjë këtë?’”Epo, nganjëherë, punët i kryejnë më mirë  nëpunësit e vëgjël” –murmuriti buzagaz  ajo.Ishte e.zgjuar..”Do ta bisedojmë,-thashë…Gjithë atë pasdite më dhimbte koka.Nuk duhej të gënjeja për babanë,por tashmë duhej ta mbaja këtë gënjeshtër ,duke e shërbyer si të vërtetë,gjersa të gjeja një gënjeshtër tjetër për të shkuar drejt asaj që ishte reale.Dhe bëra një xhiro me atë vajzë,ajo ecte krah meje,më fliste për muzikën dhe poezinë,kishte njohuri të thella,babai i saj gjendej,kishte ca ditë,në Paris, dhe, kur të kthehej që andej,i kishte premtuar një dhuratë,nëse ajo nuk do t`i pëlqente  do të ma jepte mua.Qesha me vete,nëse ajo nuk do i pëlqente?Kë kërkonte të fyente kjo vajzë nomeklature?Një bir të popullit?Por ajo nuk e dinte se unë isha bir i popullit,por bir i një zyrtari të rëndësishëm në provincë…Ditët po bëheshin monotone,kishte ca kohë që nuk dilja nga dhoma,dhe rrija gjithë ditën, lexoja romane,dispensa dhe leksione që  i kisha kopjuar në orët e gjata të lektoriumeve.Duhej të përgatitesha…Një padsite, më erdhi një shok dhe më  tha se  përjashta  më kërkonte një vajzë…U ngrita dhe u vesha me rrobat e mia të bukura,u kreha dhe e pashë veten mirë..Nuk kisha një pamje dashnori,por  një pamje të mirë;kur dola,pashë se ishte ajo..Vajza e gjatë ,Elsa.U takuam…Ajo më ftoi të bënim një shëtitje dhe më tha se  babai i saj ishte kthyer nga Parisi(në atë kohë të shkoje në Paris ishte një lajm  i madh,dhe shkonte atje vetëm nomeklatura  e lartë)…ai  i kishte  sjellë  një dhuratë,dhe ajo dhuratën  jepte  mua.U ulëm  diku, dhe  nga çanta nxori  një shall femrash,një palë dorashka dhe një parfum…”T`ia çosh nënës tënde”,-më tha…Sa ngushtë u gjenda…Nëna ime nuk mbante kurrë shall të tillë,as dorashka,pa lëre parfum .Por nuk mund t`ia ktheja mbrapsht,ajo e dinte se nëna ime ishte gruaja e një zyrtari të komitetit…Dhe ,duke ikur, më tha që të mos e nxirrja nga mendja faktin se ajo kishte një kushërirë në  E.Vajta në dhomë dhe po mendoja për atë vajzë.Por më shumë për vete dhe për babanë.A e dinte ai se çfarë po bëja me këtë trill prej snobi,dhe, po ta dinte,me siguri, do të mërzitej,babai im e urrente të dukurit.Unë po futesha në një identitet tjetër social dhe ajo vajzë po më besonte,ndërkohë që ndieja ndaj saj thjesht një pëlqim miqësor dhe më ngjante se gjihë eleganca vajzërore gjente shprehjen më të lartë te tiparet e saj të brishta.Babi im,nuk kishte pse të merrej nga të tjerët (d.m.th.,nga babai i asaj  vajzës)si një nëpunës komiteti,por unë, për  tekën time, duhej ta vija në atë status vetëm në trillin tim çmendurak.Mendova që duhej t`i bleja një dhuratë të mirë për atë vajzë,një dhuratë që ajo ta çmonte shumë dhe çfarë mund t`i blija?Pashë lekët;ato ishin drejt mbarimit.Duhej shkuar te babai,megjithëse e kisha bërë baltë.Prita dy ditë,sa të vinte dita e rrogës…,ndërkohë ,aq para sa më kishin mbetur ishin të mjaftueshme për të shkuar sërish në kinema me shokët dhe për të qerasur vajzën me akullore ose pastë.Në ditën e caktuar ,vajta në minierë, por babai sa ishte futur nëgaleri bashkë me shokët…Ndieva një trishtim të madh,ai sikur s`kishte dashur të më priste…Ika.Vajta të nesërmen…Babai më priti mirë…Ai e kishte marrë rrogën..Babai më pyeti për mësimet dhe gjithnjë më poroiste që ato t`i shikoja me kujdes…I thashë se më duheshin para…Babai mori një shkop dhe filloi të shkarraviste dheun poshtë fronit të lulishtes,pastaj e hodhi shkopin tutje dhe tha:”More studenti im,si shumë para më kërkon-por ti ke harruarse unë kam edhe të tjerë përveç teje…(kush ishin këta të tjerë?)…Ja,jot motër tani do fejohet,i duhet bërë paja,ajo pret nga unë,Dashi,sapo e mbaroi të mesmen dhe them ta çoj në një kurs për hidraulik;duhet edhe ngrënë,nga kooperativa s`marrim gjë,Eduardi kërkon një palë këpucë të reja,dhe i duhen blerë,por,edhe jot ëmë një rrobe e do dhe ajo….ti a i sjell ndërmend ndonjëherë këto halle…Sytë e tij ishin të përhumbur…Pashë tek ai një njeri që nuk donte të më qortonte,çuditërisht i vinte zor  nga unë,pse nuk mundej të ma plotësonte dëshirën,(ai kishte respekt për statusin tim të studentit dhe në ndërgjegje krenohej që unë vazhdoja shkollën e lartë)por, në këto fjalë, kishte edhe një qortim të ashpër…Ai nxori portofolin dhe më zgjati  një mijë lekë,por unë nuk desha t`imarr.”Merri,merri,-tha babai- vetëm se duhet të mendosh edhe për të tjerët…Tani je burrë”…Që atëherë shkova tek ai më rrallë dhe ruaja ditët kur ai nuk e merrte rrogën…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora