E enjte, 28.03.2024, 06:00 PM (GMT)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Tuni Papuçiu - njeriu redaksi

E enjte, 26.03.2020, 05:30 PM


Tuni Papuçiu – njeriu redaksi

Nga Alfred Papuçiu

Vitet kanë rrjedhur, si pa u kuptuar. Por përsëri e kemi në kujtesë Tuni Papuçiun, ashtu përherë buzagas, të matur në fjalë e veprime, korrekt e zemërgjerë, fisnik. Sjellim në përfytyrimin tonë një njeri aq të dashur jo vetëm për të afërmit, por edhe për kolegët, për të vegjëlit, për të gjithë. E, të tillë, me siguri, do ta ndiejnë permes shkrimeve të tij të frymëzuara edhe fëmijët e prindërit, që nuk e kanë njohur atë nga afër, në gjallje. Babai e pëlqente natyrën, lulet dhe sidomos manjolat, trëndafilat e kuq, qëndronte shpesh për të parë horizontin dhe buzëqeshte. Ishte besnik ndaj vetes, i qartë në mendimet dhe logjikën e tij. Ishte observues i shoqërisë shqiptare, i pëlqente shoqëria e pastër, u shmangej karrieristëve dhe arrivistëve, nuk shante kurrë. Ai ishte pasqyra e mirësisë. Tuni e kishte pasion gjenealogjinë dhe shpesh i rikthehem atij blloku ku ka shënuar pemën gjenealogjike të familjes sonë të madhe që nga vitet 1700 nga Voskopoja është vendosur në Fier, si edhe shumë familje nga Kosova martire. Papuçinjtë jane ndër të parët të vendosur në Fier. Më pas, sipas dëshmive të pleqve të kohës, Loni Xoxa dhe Grigor Dhima, kanë ardhur familje të tjera, si Demajt, Xoxajt, Plakajt, Pogaçajt, Tiçojt, Dhimajt, Lakot, Verriajt etj. Dalëngadalë Fieri po rritej dhe pas ndërtimit te urës së Gjanicës dhe kishës së Shën Gjergjit, më 1864-n, Fieri u shndërrua në qytet.

Në datën 23 mars 2022 u lind i  paharruari, Tuni Papuçiu. Ai u nda nga ne, papritmas, një ditë të fillimit të qershorit 1975, pa mbushur 53 vjeç. Larg nesh. Në Shkodër, midis miqsh e dashamirës që i donte dhe e donin. Edhe në çastet e fundit të jetës nuk donte të shqetësonte njeri, as kolegun e tij të dhomës. Iku, megjithëse të dashurit e tij do të donin ta kishin shumë më tepër pranë tyre, për të dëgjuar zërin e tij meliodioz që i jepte jetë darkave midis miqsh, dasmave të të afërmve, gëzimit të afrimit të një Viti të Ri midis komshijve. “Tuni Papuçiu i përket elitës së publiçistëve. Aty ku ndodhej Tuni, aty buronte kënga, buronin gëzimi dhe humori. Aty ku ishte Tuni, aty takoje ndershmërinë, gatishmërinë, besimin dhe optimizmin për jetën.” Nuk kërkoi asnjëherë për vete diçka edhe pse i takonte më tepër. Punoi gjithë jetën me modesti, në organet e shtypit të kohës, pa mbushur 20 vjeç. Mbi të gjitha ishte i ndershëm dhe krenar dhe ashtu mbeti deri në fund të jetës së tij të shkurtër. Gjithçka e motivonte dhe e bënte për të mirën e atdheut të vet, të njerëzve të thjeshtë. Të afërmit dhe dashamirët e tij do ta kujtojnë si njeriun e çiltër, me karakter, që të bënte për vete me zërin e tij kur kishte një gëzim në familje apo shoqëri, por që shprehte edhe keqardhjen e tij të thellë për fatkeqësinë e një miku apo të njohuri, që u ndodhej pranë, me mish e me shpirt, për të kaluar dhembjen sëbashku. Sa herë, bashkëqytetarë e fshatarë të krahinës së tij vinin në Tiranë, për t'i ndihmuar Tuni i thjeshtë, për një hall, për të takuar një mjek të mirë, për të treguar kujdesin e duhur, për t'i ndihmuar fëmijët që të shkolloheshin, duke njohur zemren e tij të madhe, shpirtin e tij të dhimshëm, gjerësinë e tij. Dhe ai me sa kishte mundësi i ndihmonte sikur të ishin njerëzit e familjes së tij. Pa kërkuar si shkëmbim ndonjë favor apo privilegj për vete apo familjen e tij. E vetmja gjë që më kujtohet, kur vdiq babai erdhën për ngushëllim shumë e shumë njerëz që nuk i njihja por që me fjalë të thjeshta shprehnin mirënjohjen për të.

Tuni ishte vëllai i vetëm midis pesë motrave. Qe i dyti nga fëmijët, mbas motrës Kristinë. I jati, Peçi, si arsimdashës, duke njohur inteligjencën e të birit që në moshën dhjetë vjeç e çoi në Tiranë për studime, pasi Fieri, vendlindja e tij, në ato vite kishte vetëm shkollë fillore. Tuni pothuajse u rrit në Tiranë. I kreu studimet me shpenzimet e të jatit, i cili shpesh shkonte e shihte për të ndjekur ecurinë e tij. Me bujarinë që e karakterizonte ndihmonte edhe shokët konviktorë të të birit. Siç tregonte e motra e Tunit, Pandora: “Në familje shpërthente gëzimi i madh kur Tuni kthehej në pushime pranë nesh. Me vete gjithnjë do të sillte libra, ato vepra të pakta origjinale dhe përkthime që botoheshin në atë kohë. Kështu që në shtëpinë tonë u krijua një bibliotekë e pasur për kohën, e cila na dha mundësi të lexonim. Fillimisht në netët e gjata të dimrit mblidheshim rreth vatrës dhe ne më të vegjëlve na i lexonte motra e dytë, e treta nga fëmijët Ksanthipi…Megjithëse Tuni u rrit me të gjitha të mirat nga prindërit, ai nuk e shpërdoroi asnjëherë përkujdesjen e tyre, përkundrazi, ai qe gjer në fund të jetës njeri shumë i dhemsur për familjen e vet, për prindërit, për motrat dhe kjo sjellje e bëri shumë të dashur jo vetëm për të afërmit e tij, por edhe për miqtë e shokët. Shpërthente në gëzimin e tij të papërshkruar bashkë me të paharruarin Anton Mazreku për fitoren e madhe në Ballkaniadën e 1946, gjë që e ka shprehur dhe në shkrimet e tij të "Sportit" të asaj periudhe. Ishte kryeredaktori i parë i “Sportit” shqiptar pas çlirimit. Shumë shprehëse dhe e paharruar është fotografia kur ekipi i futbollit doli kampion i Ballkanit dhe të gjithë, im atë, Andoni, Loro Boriçi dhe ekipi kanë dalë tepër të entuziazmuar për atë fitore të merituar.

Vetë Tuni u formua si gazetar gjatë Luftës, kur nxori « Përpjekjen e Rinisë ». në Sevaster të Vlorës, bashkë me Jakov Xoxën e paharruar. Ishte një nga familjet më të dëgjuara në Fier dhe që përmendet me dashuri e ngrohtësi nga shkrimtari fierak, Jakov Xoxa tek romani disa vëllimesh “ Lumi i vdekur“. „Përpjekja e Rinisë“, ekzemplarë të së cilës i ruaj me kujdes në arkivin tim,  u bë fryt i punës së përbashkët me shkrimtarin Jakov Xoxa, të cilin edhe unë më pas e kam takuar shpesh herë kur qëndronte në Apolloni, por edhe në ditët e fundit të jetës së tij kur kurohej në pavionin 12 të Spitalit të Tiranës, e ne bisedonim për letërsinë dhe Fierin tonë të dashur dhe me njerëz të mirë e të thjeshtë, mikpritës të gjirokastritëve por edhe të trevave të tjera nga Shqipëria dhe Kosova. Më tej punoi 12 vjet natën në gazetë, më tepër si i « freskët », ku humbi dhe njerin sy, por me karakter gazmor dhe shokët e tij që rrojnë akoma kujtojnë me nostalgji ato mbrëmje madhështore të viteve 50-të, ku Tuni këndonte këngë të trevës së tij. Që prej vitit 1959 e deri sa u nda nga jeta, drejtoi të përdyjavshmen letrare dhe artistike të ilustruar, revistën « Fatosi ». Vdiq papritmas në Shkodër, më 3 qershor 1975. Një rruge në Fier, qytetin e tij të lindjes, i është venë emri i tij. Është dekoruar disa herë për veprimtarinë e tij letrare dhe publicistike.

Në Institutin e Folklorit dorëzoi një fletore të madhe me të gjitha këngët myzeqare, që i këndonte vetë aq bukur. Këngëtari 100 vjeçar, Timo Lule nga Komo e Italisë kujton këngët muzeqare që këndonte me Tunin, shumë vite më parë dhe që mbeten në kujtesën e fierakëve. Deri sa vdiq, organizoi lexime letrare duke shkuar tek lexuesit, bashkëpunoi me revista dhe gazeta të kohës, realizoi botime të vetat dhe të miqve të tij, afroi rreth vetes autorë që ishin të shquar apo që shpejt u bënë të shquar. Shkrimtar por mbi të gjitha njeri dhe qytetar, i tillë që portreti i tij mbetet mallëngjyes, pasqyrë e epokës që jetoi. Mbaj mend se tim atë kishte një letërkëmbim të rregullt me dajën e vet, Vangjel Lulen, megjithëse kishte një diferencë moshe prej 25 vjet me të. Ai ishte një fanolist demokrat, njeri me horizont të gjerë, njihte disa gjuhë të huaja. Daja e donte shumë Tunin dhe Tuni dajën, si edhe daja Komin, prandaj për çdo gjë këshilloheshin me njeri-tjetrin, sikur të ishin shokë të një moshe. E motra Pandora, në kujtimet e saj tregon ndër të tjera:”Dhembja e Tunit, ishte e madhe kur në moshën 45 vjeçare vdiq njëra nga motra, Ksanthipi, duke lënë jetime vajzën 8 vjeçare. Ai u përkujdes në mënyrë të veçantë për të. Flinte natën me të, kujdesej për detyrat e saj në shkollë, për ushqimin, për dëfrimet fëminore. Ai e ndjente shumë thellë përgjegjësinë për fatin e vajzës jetime. Siç na tregonte më vonë e paharrueshmja Lajde Staku, që i ndenji tek koka gjer në fund, deri në regëtimën e mbrame, ai shqiptonte: “Jeta…Jeta”.Jeta, sikur qe amaneti i tij i fundit dhe unë dhe Bedriu këtë amanet e ruajtëm të shenjtë, gjersa Jetën, sot inxhinjere dhe nënë e dy fëmijëve, e nxorrëm në jetë…”

Dikur ndihmoi një tipograf, duke retushuar bashkë me të me mijra kopje të revistës , gabimin që ky i fundit kish kaluar pa dashje, që të mos paguante një shumë të madhe si çdëmtim. Ndihmoi piktorë të rinj në vitet 70-të, në fillimet e tyre si Agimin, Edin, Vlashin, etj., dhe letrarë, për të ecur në rrugën e artit. Faqet e “Fatosit” ishin të mbushura me vizatime e ilustrime të piktorëve të rinj që hapat e para i kanë nisur ndoshta tek “Fatosi” që botohej në fillimet e veta nga i vetmi redaktor përgjegjës, Tuni, me kryeredaktor prof. Bedri Deden. Revista kishte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, nxënës por edhe shkrimtarë të dëgjuar që Tuni i afroi rreth vetes. Sa here shkonte tek Safo Marko për të krijuar një ilustrim të bukur që t’i joshte fëmijët. Aty qëndronte dhe bisedonte edhe me Petro Markon e madh që kishte një shpirt të pastër por që mbeti “një rebel” krenar që nuk i pranonte meskinitetet dhe njerëzit e ngushtë. Shtëpia e Petro Markos pranë maternitetit ishte e mbushur me pikturat e bukura të piktores së shquar, gruas së tij Safos, e cila bashkë me piktorin e merituar Agim Faja kishin prioritetin në revistën “Fatosi”. Tuni i donte të rinjtë e punonte me pasion për të redaktuar shkrimet e tyre që ato të shihnin dritën e botimit. Shpesh, edhe pse një shkrim nuk ishte i goditur, me takt bisedonte me autorin, apo i shkruante një letër dashamirëse, për të mos e vrarë shpirtërisht. Letërkëmbimet me miqtë e tij të përhershëm piktorë e shkrimtarë, me Agim Fajën, Lajde Stakun, Skënder Drinin, Xhevat Beqaraj e shumë e shumë të tjerë mbeten një shembull i dashurisë së tij për artin e letrarët, shkrimtarët qofshin këta të çdo moshe. Ai ofroi rreth saj pena të njohura që i dhanë hov letërsisë për fëmijë, Dritëro Agollin, Petro Markon, Kolë Jakovën, Bedri Deden, Odhise Grillon, Nasho Jorgaqin, Xhevat Beqaraj, Helena Kadarenë, Lajde Stakun, Shpresa Vreton, Skënder Drinin, Prof. Aleko Minga, Prof. Petrit Skende, Prof. Mina Naqe etj. Ai ka pasur temperament të gjallë.  Profesor Alfred Uçi e ka cilësuar Tunin si « njeri të pazëvendësueshëm ». Ishte idealist dhe besonte se një ditë do të fitonte e drejta, mirësia, solidariteti, do të zhdukeshin meskinët dhe do të ravijëzoheshin karakteristikat e bukura të shqiptarëve në shekuj. Jo më kot, kolegu i tij i dikurshëm i revistës Llambi Blido e cilësoi në një shkrim përkujtimor për të "njeriu-redaksi". Nuk ja prishte qefin as shokut, as mikut, as atij që ishte meskin, por nëse me miq e shokë të vërtetë ishte i çiltër, me atë që ishte meskin nuk afrohej. Shoku i tij që përherë kur kalonte në Tiranë vinte e takonte, piktori i meritur Agim Faja, në një letër të tij të 23 qershorit 1975, më shkruante : “ Kanë kaluar afro 20 ditë që kur Tuni s’është më. Do kalojnë muaj, vite do të kalojnë, do kalojnë dekada e Tunin s’do ta kemi kurrë më mes tonë. Unë, Fredi, nuk e pashë Tunin të vdekur. U njoftova vonë, ndaj arrita tamam në kohën kur ai po dilte nga shtëpija, kur po dilte qivuri i tij, i kuq, si gjaku i tij i pastër, si shpirti i tij i kulluar, si mendimet e tij të sinqerta. “Të gjithë vijnë në botë dhe të gjithë largohen një ditë. Por jo të gjithë lënë një emër të shkruar në kujtesën e shoqërisë. Emër të shkruar me djersën e pastër dhe bukurshkrimin e karakterit të tyre. Emri i Tuni Papuciut ka mbetur në kujtesën time si tingujt e një kënge që është kënduar vite më parë, por që vazhdon të jehojë sa lexon një libër për fëmijë apo shfleton një gazetë,apo...një shkrim të shkruar me dorën e të birit tij, Alfredit. S'ka gjë më të bukur kur sharmi i prindit përsëritet në fëmija i tij. Vazhdimesia është bija e pavdekësisë, jo vetëm gjenealogjike, por edhe shpirtërore dhe morale. Vangjush Ziko ». « Gjithnje e kujtoj me shume respekt, e kujtoj të qeshur dhe me humor tek bisedonte  me t'im atë, Sterjon, në shtëpinë tonë. Të rroni e gjithnjë ta kujtoni këtë artist të publiistikës shqiptare. Ilindeni”.

Ndërsa në letrën që i dërgonte profesor Bedri Dedes dhe të shoqes Pandora Dedja, shkrimtari Aristotel Mici ndër të tjera shkruante:”Artikullin që kishit bërë tok me Xhevatin për poezitë e të nderuarit Tuni, më pëlqeu. E lexova me interesim. M’u duk si një lamtumirë entuziaste. Komentet m’u dukën të sinqerta siç janë vetë vjershat. Artikullin e quaj si një plotësim të dëshirës sime për poezitë e Tunit, që lëvroi me pasion lirikën qytetare e festive për të vegjëlit. Valbona ime 6 vjeçe mburret me vjershat e bukura të Tunit. Krenarinë e saj për librin ia pata shkruar në një letër të vogël autorit. Libri i xhaxhi Tunit në bibliotekën e shtëpisë sonë është vendosur ndryshe nga të tjerët. Ai qëndron pas xhamit, si një fotografi, si pasqyrë e një shpirti të thjeshtë e të sinqertë…”

Shkrimtarja nga Shkodra Lajdja Staku e ndjerë, për të cilën babai kishte respekt të veçantë, si dhe për shkrimtarin Skënder Drini e shumë të tjerë shkodranë, na shkruante disa muaj pas vdekjes së tim eti ndër të tjera këto radhë:” E kemi gjithnjë këtu emrin e Tunit, në mes të emrave të tjerë të shokëve e të shoqeve, të cilët i kujtojmë gjithmonë në këto ditë festash. Tani në këtë vit po ndjejmë diçka të vështirë, po ndjejmë boshllëkun e një miqësije… Miqtë e dashamirët gjithnjë e kujtojnë Tunin e “Fatosit” me respekt e mirënjohje, si një njeri që la vetëm kujtime të mira tek të gjithë, si njeri i punës dhe i mirëkuptimit.”

“Shfletojmë tani librin e publicistit dhe shkrimtarit për fëmijë Tuni Papuçiu “Një sirtar i veçantë”, shprehet profesor Murat Gecaj. “Përpara na del i qartë portreti i tij i paharruar. Me trupin e gjatë dhe të lidhur, si një sportist, me buzëqeshjen e ëmbël, me shikimin e mprehtë dhe, thellë tij, me shpirtin aq të mrekullueshëm. Po nuk mund të ishte ndryshe ai, i cili tërë jetën e tij e lidhi aq ngushtë me edukimin dhe mirërritjen e brezit tonë të ri. Duke e vështruar në tërësi libri, “…Një sirtar i veçantë” është si një “biografi” e shkurtër e revistës aq të njohur për kohën “Fatosi”, ku ai derdhi djersën e tij dhe shkriu talentin e vet të spikatur për një periudhë të gjatë”.

Shkrimet e Tunit dallohen për gjuhën e tyre të thjeshtë e të pasur, për mendimet pedagogjike e didaktike, që ato përmbajnë. Ai i këshillonte dhe i mësonte fëmijët me dashamirësi, si një prind dhe edukator më i rritur, se si të krijonin, si të mësonin dhe si të silleshin në jetë, për t’u bërë sa më të dobishëm për veten, për familjen dhe mbarë shoqërinë.

Sa herë jemi ulur për të punuar mbi bocat e revistës, pothuajse rregullisht për çdo numur, e gjithmonë dashamirët e shtypshkronjës kur shihnin se maketi ishte gati, i bënin vend me kënaqësi për nxjerrjen e saj me prioritet.

Në Historikun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të Fierit, i hartuar në vitin 1975, ndër të tjera shkruhet në faqen 148: „….Në zjarrin e kësaj lufte kundër armikut, të rinjtë fierakë si Abaz Kondi, Tuni Papuçiu, Ndreu Dema, Milika Budo, etj., punojnë duke grumbulluar informata e materiale për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke shpërndarë trakte e duke marrë pjesë në aksione luftarake kundër armikut“. Familja e Tunit dhe gjithë fisi ishin të lidhur me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dy nga dera e Papuçinjve, Miço dhe Loni Papuçiu ranë dëshmorë. Në radhët partizane ishte dhe një nga motrat e tij, Olimbia.

Mbaj në kujtesë bisedat e babait me akademikun Mahir Domi, për gjuhën e pastër shqipe që donte të përdorte në “Fatosi” . Prof. Mahiri ishte komshiu ynë më i afërt. Shpesh prof. Mahir i madh merrte bocat e “Fatosit” dhe i korrektonte me kujdes. Kopjet e para të “Fatosit” sa dilnin nga shtypshkronja i jepeshin atij për Etlevën dhe Benin, fëmijët e tij që çdo darkë vinin e qëndronin tek ne për ta lënë sadopak të qetë të punonte për librat e tij të gjuhësisë profesorin e shquar Mahir Domi, fjalëpakë që jetonte vetëm në një dy dhoma e guzhinë. “Poema për Vedihanë”, shoqen e Prof. Mahirit është një hymn që im atë ka shkruar për atë grua nikoqire nga Delvina, që kujdesej aq mire për fëmijët dhe burrin e saj professor që nuk shkëputej kurrë nga librat. Ruaj si kujtim dhe librin e fundit që e motra Pandora mblodhi në kujtim të tij me titull “Një sirtar i veçantë”, me kopertinën aq të bukur të shokut të tij më të ngushtë Agim Fajës. Dikush mendoi pas vdekjes të botonte një libër me tregimet e tij, si kujtim e mirënjohje për të. Në shtypshkronjë, kopjet e para të “Midis shelgjeve, buzë lumit”dolën me fotografinë e tij të madhe (të përgatitur nga dashamirët e tij tipografë) dhe të gjithëve na u duk se e kishim pranë nesh dhe u përmalluam. Më vonë u botuan edhe vëllimi me tregime, përralla, vjersha e skeçe, mbledhur nga shkrimtari Xhevat Beqaraj . Me këtë rast atij ju dha një çmim i veçantë pas vdekjes për veprimtarinë e pasur letrare, për vogëlushët që i donte aq shumë dhe që u shkruante tekstet më të arrira në Festivalet e Fëmijëve që organizoheshin në Shkodër. Me kujdesin e prof. Bedri Dedes dhe motrës së tim eti, u organizua një mbrëmje përkujtimore për Tunin e paharruar. Herë pas here, kur jam vetëm dhe i lodhur nga puna e përditëshme, vendos videokasetën dhe dëgjoj fjalët aq të dashura dhe prekëse të pjesëmarrësve në atë mbrëmje përkujtimore: prof. Alfred Uçit, shkrimtarit Xhevat Beqaraj, shkrimntarit Nasho Jorgaqi, shkrimtares Shpresa Vreto, e sa e sa të tjerëve…Libri “Një sirtar i veçantë” që u botua  pas vdekjes së tij është një kujtim i bukur për krijimtarinë e pasur të babait. Për vite me radhë, në Festivalet mbarëkombëtare të Këngës për Fëmijë, organizuar në Shkodër, ka fituar çmimet e para për tekstet e këngëve, të kompozuara nga autorë të tillë si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, etj Veprimtaria e tij letrare është përfshirë edhe në Fjalorin enciklopedik "Gazetarë dhe publicistë shqiptarë", hartuar nga prof. dr. Hamit Boriçi dhe botuar nga "Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV), "Figura të shquara të rrethit të Fierit", si dhe tek "Lexikon" me titull "Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë" (1872-1995) hartuar nga prof. Odhise K. Grillo.

I paharruar dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i të mirit, të dashurit, njerëzorit, tim eti.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora