E premte, 29.03.2024, 12:38 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Delo Isufi, këngëtar i dashurisë

E enjte, 26.03.2020, 10:12 AM


DELO ISUFI, KËNGËTAR I DASHURISË

Në udhëtim me librin “Vajza e Manaferrave”

Nga Kadri Tarelli

Para do kohësh në Tiranë, miku im Viron Kona, shkrimtar dhe studiues i njohur, duke pirë kafe, më thotë: - Kam një libër me poezi, “Tavolinë e Rezervuar”, të poetit aviator Delo Isufi. Hidhi një sy, se e di që të pëlqen poezia.

Më tërhoqi ideja, se paska edhe pilotë që shkruajnë poezi. - Ç’ përrallis edhe unë, - thashë me vete. Poetët fluturojnë qiejve vetëm me fantazi dhe frymëzim, në ecje apo ulur diku në lulishte, lumë, pyll a breg deti, dukë parë me admirim dhe zili, avionët që fluturojnë lart, si zogj të lirë në hapësirën pa anë e fund. Kurse aviatorët, ah,… lundërtarët e qiejve! I afrohen fronit të perëndisë vetë, pa ju dridhur qerpiku, në ditë me diell, natë më hënë e me yje, shi dhe erë, borë e tufan, dhe e shohin tokën si në pëllëmbë të dorës.

-Kush ka të drejtë më shumë? -Pyeta veten! Besoj se kështu do të pyesë secili prej lexuesve.

E këndova librin që në autobus, pa pritur që të vi në Durrës. Më pëlqeu tematika, por më shumë thellësia e mendimit dhe thjeshtësia e fjalës, vendosur bukur në muzikën e vargut. Sepse vargjet kishin melodi, ishin këngë, që mësohen e këndohen lehtë dhe mbahen mend pa u shtrënguar, mjafton të bëheshe vet i dytë, që ta marrë dhe ta mbajë ison labe.

Nga kënaqësia, nuk prita gjatë dhe, në ditët e para të Janarit 2017, shkrova: “Delo Isufi, Këngëtari i dashurisë, në Librin “Tavolinë e Rezervuar”. Shkrim që u publikua në disa portale elektronike. Po citoj vetën pak vargje, që mbeten brengë shpirti e kujtesë jete:

………………………

Një ditë kalova nga varri,

dashuria ç’ bënte vallë?!

Ajo tha: Ju kini vdekur,

Ndërsa unë jam e gjallë!

Pak muaj më parë, përsëri poeti Delo Isufi botoi librin e tij të fundit me poezi, “Vajza e Manaferrave”, ku në ballinë bie në sy një vajzë e bukur, dukë mbledhur manaferra. Pikturë e bërë enkas për këtë libër nga Rajashree Monhapata. Bhubaneswar. Nga India.

Më pëlqen që unë përsëri të vendos në këtë krye titull shkrimi: “Delo Isufi Këngëtar i dashurisë……….

Që në nisje të librit, gjejmë hyrjen e shkruar nga Viron Kona, me titull: “”Vajza e Manaferrave”, Një xhevahir i ri në gjerdanin poetik të Delo Isufit”, ku gjejmë edhe fjalët profetike të tij: “Poezia është e lirë si zogu dhe shkon e fluturon nga s’e pret”. Lexuesi bindet lehtë, sapo fillon poezitë e para të këtij libri me copëza jete të shtruara në qëndisje vargjesh.

……………………..

Prit mike në pranverë,

Të jesh e bindur aty jam!

Do të sjell lule me erë,

do t’i mbjell në fustan………

Këto vargje, shkëputur nga poezia “Pritmë se do vij”, më shtyjnë që të hesht dhe të mos komentoj poezitë kushtuar dashurisë, pasi lexuesi do të mund të shijojë mjaltin, mbledhur nga nektari i frymëzimit. Por më shtyjnë të kridhem në përhumbje mendimi, dukë pyetur veten dhe të gjithë sojin e poetëve: Ç’ është “dashuria”, kjo magji që mban të mbërthyer botën njerëzore, që në lindje të saj dhe vazhdon po njësoj si ditën e parë? Mos vallë ky është boshti i jetës me dy pole; njëri i ngulur në zemër dhe tjetri i zgjatur deri tek perëndia, rreth të cilit rrotullohet jeta, lindur dhe ushqyer nga dashuria? Mos prisni përgjigje! As unë nuk pres, pasi e thith aromën nga vargjet e thëna dhe të kënduara që nga lashtësia, sepse e di që, nuk ka poet, i famshëm apo i panjohur, të zëshëm apo i pazëshëm, që të mos i ketë kënduar dashurinë, e cila nuk pyet për moshë, megjithëse lakmon rininë.

S’besoj se jam i gabuar, por çuditërisht dashuria ka një magji të habitshme në shprehjen e ndjenjave, megjithëse është “i vetmi yll polar” njerëzor. Besoj se janë me miliona poetë nëpër botë, por kënga e tyre për dashurinë është e veçantë. Gjykoj se poetët e vërtetë, kurrë nuk kopjojnë dhe as ngjasojnë me të tjerët. Ata mësojnë, por janë vetvetja, edhe nëse mund të përdorin të njëjtat forma. Madje mund të shtoj nga trasta ime, disa vargje kushtuar kësaj teme:

Dashuria, kur thotë të dua,

Nuk bën bukë me miell hua.

S’pyet për ty as për mua,

Shkon pi vetë ujë në krua.(1)

Kjo vihet re edhe në këtë libër të Delo Isufit, që nuk ngjason me asnjë tjetër. Është vetvetja, ndaj pëlqehet vargu dhe kënga e tij.

Të gjithë ne, që lexuam poezi në rini dhe vazhdojmë të lexojmë, disa edhe shkruajnë, na ka ushqyer e frymëzuar bukuria e fjalës dhe forca e mendimit të poetëve, kur këndojnë e lëvdojnë dashurinë. A nuk ishte Dante, që zgjodhi Beatriçen ta shoqëronte për në parajsë? Dhe, që më pas do të shprehet: “Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata,/ por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë./ Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë”. Ndërsa Omer Khajami, çdo ditë porosiste: ”Ngrini kupa, puthni çupa”, dhe Shekspiri kërkonte: qiellin letër dhe detin bojë, që të shkruante “Ju dashuroj”. Rumiu, poeti persian, thotë: “... Njeriu ka nevojë për dy gjëra: Dashuri dhe sy të përlotur”, ndërsa Petrarka i përmalluar: “Femra që zemrën time pat rrëmbyer/ Më la në kishë, atje tek vendi i mirë/ E dashuria, ku jam përkulur, shkrirë/ Ma zbehu ballin, më la të ngashëryer...! Kurse Pushkini këndonte që nga Rusia: “Por ja! Më shkrepi prapë agimi/Se përsëri u shfaqe ti/ Si vezullim i një vegimi/Si engjëll me plot bukuri”. Lazgushi që përbetohej para Liqerit të Poradecit: … se “Dashuronte dashuria”! Esenini, nga stepat e gjëra, përgjërohet deri në flijim: “Puthmë moj e dashur puthmë/ gjer në dhimbje gjer në gjak!”. Dhe Kadare përhumbet e mallëngjehet, kur shkruan: “Ca pika shiu ranë mbi qelq/ dhe unë për ty seç ndjeva mall!…!” Ndërsa Driteroi, psherëtin e rënkon: “Unë jam i burgosuri yt/Rroj me prangat që ti më ke vënë/Po çudi, as qelia nuk më mbyt/Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë”. Për t’u derdhur në përqafim me habitjen e tij: “Nuk di se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit të bëhem kaq i papërmbajtur në shfaqjen e ndjenjave!

Mbase e teprova me kujtesën e korifenjve të letrave, por nuk po futem as në minierat e gurrës popullore, ku zbulohen e nxirren diamante, as në thellësinë e deteve ku vilen perla, as ku i këndohet dashurisë dhe ngre krye “Perëndesha e bukurisë”, siç shpërthen serenata Korçare, apo “Tundu bejkë e bardhë tundu, sonte me hënë duku”. Të gjitha këto janë thesare të popullit e kombit tonë, besoj të tilla ka çdo komb e çdo popull në botë, sepse aty buron dhe gjen strehë poezia e bukur.

Këtu mbase e vlen të ndalem pak, pasi poeti ynë Delo, pikërisht në këto burime gjen frymëzimin dhe shuan etjen e shpirtit të trazuar e të dashuruar. Mendoj kështu, sepse vargjet e tij rrjedhin lirshëm, pa ngutje e sforcim, si bredhje nëpër lëndina, apo rrëfime të shtruara këmbëkryq pranë oxhakut në net dimri, mbase në dolli, në tavolinë gëzimi mes miqsh e shokësh të mirë, dëgjues e krijues. Gjykoni vetë, poezinë: “Vajza e manaferrave”, nga e ka marrë edhe titullin vetë libri: “Manaferra më solli një ditë,/ i kish mbledh me duart e saj,/ i gufonte gjoksi dhe gjinjtë,/ si një det me tallaze e valë”.

Në këtë buqetë poezish, do të çuditesha, sikur të kishte vetëm lule dashurie, sepse poetët janë të ndjeshëm edhe ndaj problemeve të jetës dhe shoqërisë. Madje do të trishtohesha po të ndodhte kështu. Të shpërndara aty-këtu, gjejmë aforizma dhe rrëfime të besueshme. Më gjykoni, kur të lëçisni poezitë: “Shpërblimi”, “Le ta kthejmë nga një gotë”, “Kukuvajka”, “U grindën mendimet”. Këtu nuk është fjala për mësim e moralizim. Këto i bëjnë mirë dhe e kanë për zanat, mësuesi, prifti dhe hoxha. Poeti vrojton, diku qesh, diku vajton, por godet, ndryshe nuk është poet. Vini re këto pak vargje te poezia “Nuk kam nge”: “Kundërshtarët kanë patur çaste fisnike,/ mëritë dhe inatet i kanë harruar fare”. Ose poezia “Sot kë do të shpallim armik”, ku shpërthen zemërimi: …“Sa çohemi nga gjumi në mëngjes herët,/ mendojmë: kë do shpallim armik?!

Dukuri të trishta në mjedisin tonë, të ndodhura e po ndodhin! Ndaj ai e vë gishtin në plagë, sepse e ndjen dhimbjen në lëkurë, pikërisht atë që ndjejnë të gjithë krijuesit, për kulturën vrastare ndaj elitave të kombit, apo vesin shndërruar në sëmundje, për të baltosur e përgojuar, dënuar e syrgjynosur, kolegun, mikun, shokun madje edhe të panjohurin, kur ai është më i ditur, më i zoti dhe më fisnik.

Jo më kot thonë të diturit, se poezia është pasqyrë e shpirtit të poetit. Edhe unë po shtoj, se në këtë libër noton “këngëtari i dashurisë”, poeti Delo Isufi. Njeri fisnik, me shpirt bujar dhe mendje të ditur,.

Urime dhe suksese, në krijime e libra të tjerë, mbushur frymë dashurie!

Kadri Tarelli

Durrës më: 22, fillim pranvere, 2020.

Shënim: 1. Vargje, shkëputur nga poezia “Dashuria”, në librin “Koha në vargje”. Mbetur në shtypshkronjë nga karantina e Virusit “Corona 19”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora