E shtune, 20.04.2024, 07:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Gazmend Papa: Dy bica të uritur

E enjte, 26.03.2020, 11:39 AM


Gazmend Papa

Dy bica të uritur

(Pjesa e parë)

Kodra e vogël, e shtrirë nën një degë bliri,  të zgjatur mbi hije të vet, lidhej me ëndrrën që kishte kaq vjet me jugun i vdekuri e njëherësh digjej nga malli për pikën më të ngrirë të veriut, të mbetur jashtë tërësisë së vketër.

- Pse veç me jugun!

-Veriun deri te Molla e Kuqe e kishin  vjedhur ndër vrasje e rrëke gjaku ata që e mbanin tashmë pjesë të vetes, të vjedhur dhe të vetmuar. Kjo ngjante në degë tashmë të këputur gjysmë të tharë dhe gjysmë të gjelbër…

- Kjo degë, e sapo gjethuar-e shtata, e trungut, në mënyrë të çuditshme  krijonte simbolikën e tokës së copëtuar nga tërësia e vet e lashtë, ndërsa fytyrat e mërdhezur e të përlotura të një grupi fëmijësh, të humbur herë shikonin qiellin që lidhej me blirin e herë varrin që lidhej me tokën e humbur gjatë vitesh e stuhish të egra të rëna mbi rrënjën e prejardhjes së trungut. Degët, të ndara nga e shtata, të gjashtat, veç e veç iknin herë nga qielli e herë tjetër vareshin nga toka. Këtë pikturë, përveç meje nuk e lexon as e zbërthen në këtë mënyrë kush tjetër dhe kjo është gjëja më e mirë që ka lëshuar rrënjë në artin tim të shkrimit. Qe gjë e mirë kjo sidomos vitet e ikura, gjatë të qenit rob në tokën tënde dhe zemrën e mbyllur me dry. Zemra gjente udhë të krijonte herë - herë fjalë, forma, radhë e mendime për krijime dhe hapësira të vogla të lirisë. Ngjitem nga pema, shtatë degësh, me njërën të shtrirë kaq shumë mbi një varr. Kokrrat e dheut ende të freskët ndrisin ngjashëm me grimca ari nën tufat e agut, që vjen e përzihet me një mjegull të dendur. Mjegulla dendësohet ende, ngrihet lart e bashkë me kodrën ik dhe humb diku qiellit. Zot, ç`është kjo? Ne kemi vdekje, zot... e ja, përzihen gjërat, ikin nga vendi i vet, çfarë ndodh, zotIm. E gjej prapë fijen e ndritshme të agut e ec nga maja e kodrës. Shtatë varrmihës dihasin, nxjerrin nga brendia e tyre e pafund avull e ndonjë kollitje. Përsëri dëgjohet kori i hutuar, vaji pikëllues i atyre që me lamtumirën e fundit derdhin dhe nga një pikë lot për poetin që i deshi. Lulet, në tufa, që i mbajnë në parzëm u ngrijnë nga dhembja e malli, në radhë nga një buzë varrit. Të ngrira-të gurta, për të gjitha kohët, për një zemër, që Mungon  e prapë është aty, rrah mes tyre amshueshëm, me dritë fjale, me dritë lulesh të malit nga lëshojnë aromën e pranverës së porsaçelur... Kodra tashmë – e ngrehur lart, me blirin me degë të zgjatur mbi varr, e mban mbi kurrizin e vet qiellin, e mban pak atdhe e pak dashuri, e mban gjithë dhembjen e buzëqeshjen e botës, të cilën e shkroi në vargje i vdekuri gjithnjë i gjallë. Luginat kanë humbur në mjegull të dendur e mbi kodër pema e gjethuar, me njërën degë të zgjatur mbi varr.  Ngjitem majë kodrës, e ndjek nga përvidhet drita mes degësh, herë e kuqërreme e herë tjetër e mbytur në gjak. Fëmijët heshtin. Lotët e kristaltë u ikin nga sytë. – Kjo dritë e përgjakur, - flas unë, për ta thyer heshtjen e rëndë e të gjatë. – është dritë e pemës, - dëgjohet zëri i parë. - Kjo pemë është e gjakut të secilit ...- dëgjohet zëri i dytë. – Pemë me shtatë degë?  - i ndërpres. - Po kaq i ka, - shpërthejnë ata në kor, kush me zë kumbues, kush me zë të çjerrë. Ndonjëri sy kaltër, tjetri flokëverdhë, i treti zeshkan... Secilin ta gërryeje brenda shpirti do të nxirrte jashtë vetëm bardhësi. Mendohem pak i heshtur para tyre. E ik shikimin larg për kurriz të kodrës, e cila cilësohej vetëm me shtatë degë, njëra e zgjatur mbi varrin, të cilit ndanë i qëndronte arkivoli i kuqërremtë, i punuar prej drurit të arrës. – Shtatë degë, - e dëgjoj veten nga them. –Po shtatë. Kaq i ka... – zgjohen zërit të vet ata përsëri. – Ti, që ke mbledhur lule të kaltra, prej nga vjen, - e shikoj të parin. – Vij prej Gurishte, -  përpihet ai, i pikëlluar. – Të dhemb kund, - i them. –Ka kund që s`më dhemb, - m`i zgurdullon sytë. – Nuk më shpjeguat pse i ka shtatë degë pema, nën të cilën i deklamoni vargjet e poetit që e varrosni. – I ka shtatë, - flet Dardania. -Ende nuk të është e qartë, - më pyet, përmes habisë së thellë, Iliri. –Pse hesht ti që vjen prej Gurishte, - e zgjoj nga mendimi. – Dega, që ik m`i varr pak e gjethuar, rrënjën e ka Toplicë. – Dega tjetër, ajo që e mban qiellin barrë në vete, shpërthen nga Çamëria. – E treta e ka hijen në Rizonë. Gjysma ka zënë t`i thahet... – E katërta lidh mollë në Iliridë. – E pesta, ah e pesta... – E pesta, çfarë? - Është  Shqipëria. – Dega tjetër është Kosova e flijuar... – E shtata, do të jetë kjo degë mbi varr, përmes së cilës zogu i bardhë ik te besimi i vet? – Jo, dega e shtatë, nga një gdhe i  trungut ngjashëm me feniksin vjen e kthehet prapë në kohë. – Koha nuk kthehet kurrë.- Kthehet dhe nuk vdes kujtimi. – Nuk vdes kujtimi, nuk vdes, nuk vdes... - ia shikoj secilit  lulet e ngrira në dorë e ik. E lë kodrën të puqet tërësisht përmes varrit të ri me qiellin, shkeli mbi mjegullën që ka rënë dendur mbi luginën, që derdhet përmes grykësh dhe fytet në secilën shtëpi përmes dritaresh, përmes dyersh, përmes dhembjes që ka pllakosur sheshet, rrugët, ullinjtë, pjeshkat... Ja, nga qëndrojnë kokulur deri në pafundësi, me degë të thyera, me gjethe të thara, kaq të pikëlluara për vdekjen.

E vëhtroj hapësirën e mbështjellë me mjegull e mçë derdhen vargje të dhembjes për token e cils ksq lsrg tashmë dhe kaq e afërtmë megjithatë. Ec I humbur e flas vargje në hehtje e shaj ashpër me nënë.

shaj me nënë

pres të bien nga degë ulliri kokrrat mbi det
të zgjohet dhe liria nga pika e ngrirë me vjet
tërë vetëm në hapësirën e dritares me qemer
tavernën e galerës ndez hëna me flakë e erë
vë bërrylat në parvaz dhe faqet në shuplaka


detin e iku mendimit deri larg te nënë plaka
zgjohem vetes apo bie prapë në një shtjellë
te kulla e kështjellës ja zogu sjell lajm përsëri
e njëri nga balshajt vetëtimë qiellit mbjellë


ik në kohë prek Tre Gurtë e Zinj në Prevezë
mbi pullaz guri ja seç krekoset një këndes
e unë ngjitem lart te Molla e Kuqe në Toplicë
apo arrij te Guri i Kuq i Malësisë së Madhe
oh kaq prerë kaq copëtuar e gjysmë i fjetur
apo vetëm ndiej diçka m`i fut gishtat në gji
e shaj me nënë e pështyj e vjell e vjell e vjell
Ranës përplaset uji perlën guace e nxjerr

në ulqin tre mijë vjet bie shi në degët me ulli

Zbres i drunjtë, me dhembje në kraharor, zbres. Ik. E lë kodrën, e cila zë të fluturojë pak mbi Pemën me shtatë degë, pak mbi mjegullën e dendur dhe pak atje humbur, ku ëndrra lidhet me Zogun dykrenor, i cili përmes flakës dhe gjakut të vet gurëzohet në flamur... Unë zbres kodrën, të pikturuar me një trung me shtatë degë e një varr, e fëmijët – me lulet e ngrira në duar, lidhen me kujtimin dhe lotin përmes  pikëllimit të thellë; zgjohen fytyrëverdhë nëpër tingujt me jehonë -

“Sa xhepa i ka  vjeshta?”

“Sa?!”

“Sa xhepa i ka...?”

“Kush!?”

Vjeshta, de, vetë vjeshta...

– Oh, nga rrjedh tash kjo, - shikoj rreth. Fëmijët me lule të ngrira në parzma prekin njëri  tjetrin e lozin, fluturojnë,fluturojnë e... qielli, të cilin e puthin nuk bie kurrë, vetëm digjet nga gjaku i tyre i amshuar...Fluturojnë. Fluturojnë. Fluturojnë... Ndonjëri me ndonjë lodër, tjetri me bicikletë në ëndërr të ngrirë, I treti me ndonjë  kalë nga përrallat, me ndonjë një brirësh.

Digjem dhe unë e eci, eci i menduar... nga po ik kjo rrjedhë, ky kurth!

Eci dhe e kujtoj një copëz poezi nga i vdekuri, i gjallë në reshta,“Sa xhepa i ka vjeshta?”

Eci rreth gurit të lulëzuar.

Eci rreth zemrës e hyj në zemër.

Eci rreth pemës, njëra nga shatë degët  gjithnjë i zgjatet mbi varrin nga hapej e njëkohësisht përfundimisht  kuptoj se jeta është gjithsesi më e thellë e më e madhe se çdo gjë tjetër. Është një udhëtim ndërmjet dy stacionesh.Është më e lashtë sesa kodra, më e ndritshme sesa besimi. Kodra lëviz rreth pemës,e pema mbi varr lëshon degën e gjethuar. Kodra vazhdon të lëviz amshimit të vet, bashkë me fëmijët me lule ngjyrash të ylberit në duar, me varrin  nga hapej ndërmjet tokës e qiellit. Çdo gjë qëndron pezull, bëhet gjithnjë më surrealiste pamja e jashtme dhe e brendshme, më e magjishme, ngjitet e lëshohet ndërmjet fijesh të mëndafshta të mjegullës, një tufë e së cilës ndërrohet në pallat të bardhë, pjesa tjetër kthehet në kështjellë të kristaltë. Ndërmjet ecin fëmijët me lule në parzma. Kortezhi bëhet kolonë. I afrohet detit, i afrohet sheshit të mermertë rreth Pallatit të Dioklecianit, mbi të cilin pik gjak e dritë një gjeth i gjelbër nga dega e zgjatur mbi varr e poetit. –Poetët nuk vdesin, - dëgjoj nga vjen zëri i korit nga Pallati i Dioklecianit. – Natyrisht, poetët nuk vdesin. Ag De vetëm iku në amshim, -bie me tiktak zemre zëri i pavdekshëm i shpirtit... e – fëmijët i hedhin mbi arkivol poetit lule  me ngjyra ylberi, të mbledhura në yrtet e malet prej nga vijnë, të ndjekur, të dëbuar nga vatrat e lashta, të varruar e të lënduar nga vrasësit e veriut ... – Tash, kush, me cilin varg do të na kthejë në vete... – dëgjoheshin të pikëlluar.  – Takohemi prapë gjatë rrugëtimit të KShF të Agimit, dëgjojmë prapë vargje që janë ilaç për shpirtin, - qaja e zbrisja nga kodra, ecja ndanë liqenit nga i cili ngrehej lart mjegulla e mbi ujë vagëllonte drita rreth hijesh të pikëlluara të mjellmave.

Kaloja përballë një shtëpie me dritare të hapura,  prej nga derdheshin tinguj të një serenade dhe tufa fijesh ngjyrë vjollcë e shtrinin muzgun në hapësirë.

Eci dhe zgjohem nga pikëllimi. Dëgjoj zgjim tjetër nga trokitja në zemër dhe në një derë gjysmë të hapur në gjithësi.

- Tak-tak, dikush troket në derë të mikut.

Në liqen ka rënë qielli me hënë e yje.

Dëgjoj... trishtili cicërin në triskull të fikut,

e larg, larg...ja, edhe trumbeta bie.

Prej dhomës së Ilirit me dritare të hapur

derdhen vargje  nga “Gjevrekët e liqenit”.

Befas një vetëtimë gjarpëron në hapësi`.

- Ç` është kjo? – dal në dritare me habi.

Ja, aty te kroi, ti mban për dore një fëmijë,

shikoheni të buzëqeshur në sytë e drenit!

Në zemër trumbeta e artë dëgjohet përsëri,

ndërsa mbi kujtimin bie e bie e bie shi.

Bie shi në dhembje, bie shi mbi një kujtim, mbi një zjarr të pashuar...

Një vit e gjysmë, apo më shumë... para ndarjes së Tij nga jeta, e takova në sheshin Zahir Pajaziti, në Prishtinë. (Me të, FB dhe unë,  qemë bashkë gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm, të tre pastaj për një kohë të ushtronim detyrën e gazetarit).  Biseduam aty... në shesh, me atë rast, për gjëra të ditës dhe në të ndarë e pyeta:  – Do të mund të ndash  pak kohë, të ma lexosh një kurorë tingëllimash për fëmijë? – Gjithsesi, - tha. – Vetëm ndoshta nuk të ngutet. – Aspak... – ia bëra. – Dua ta di veç një gjë: sa është ky krijim imi për fëmijë, asgjë tjetër!   Ia dërgova poezinë dhe ca kohë më vonë, ktheva te ai në Fakultetin Filologjik. I kishte lexuar, siç thuhet – me laps, vargjet. Dhe, ngaqë ai më s` është mes nesh, nuk e cek asnjë fjalë lidhur me atë që e tha gojarisht për poezinë... – Ja, - ma zgjati dorëshkrimin, krye të cilit kishte shënuar  me ngjyrë të kuqe-një plus (+) dhe “ - Sonet shumë i suksesshëm!”  Në ndarje hodhi idenë, që po të qe e mundur kurora të realizohej - një sonet, një ilustrim, pa e ngarkuar me asgjë tjetër. Ja, megjithatë , s`po i përmbahem tërësisht porosisë që ma dha, ngaqë librin e ilustruar nga Agi e përgatita dhe me disa vargje-përjetime nga disa pjesëmarrje në orë letrare të Karvanit poetik të Tij, i cili udhëton dhe tash nga mjedisi në mjedis... gjithnjë me Të në ballë!

Asgjë megjithatë nuk mbeti e njëjtë. Në mbledhjen e parë nga ikja e Tij,  IbKa-u e propozoi XheSy-në koordinator për tre muajt e ardhshëm, të mos  këputet rrugëtimi i Karvanit.

-Pse e propozoi  Xhsu-në?

-Veç të përfitonte lekë kripjuesi siç është IbKa-u, ai i thënçin  krijues, pa fizionomi, pa kapecitet e vlerë …

--Ndonjëri heshti, i dyti e futi kokën mes buthësh. Vetëm për ndonjë përfitim material.

–Pse, të mos jetë ai XheSy? , - qe zëri protestues, të cilin e nëpërkëmbën pak veta, mes atyre që kishin përgatitur komplotin...

-Veç pse është një hiç krijues,  një shkarravitës , krijues pa fizionomi, pa bazë të bëhet ndonjëherë krijues i merituar, – më përmendi në mes të rrugës mashtrimi e tradhtia, pafundësia e vrasjes së paramenduar, gjithnjë për ca monedha, shitur 4S-it.

IbKa-u me fytyrë të mjerueshme më kapi për krahu e më pagoi një kafe në hapësirat e gazetës ”Zëri”. Fytyra i ndriste `i copëz të shitur e të vulosur të 4S-it. Bëri një përpjekje të fshehte varfërinë e vet, të lidhte qëllimin pse XheSy është i domosdoshëm aty. –Natyrisht, - ia bëra me zë, pa e ndjerë të nevojshme t`i thosha pse e bënin atë gjë, pa ia thënë troç të vërtetën e shërbimit të tyre të vjetër, nga i cili nuk mund të lirohen dot për të gjallë! IbKa-u kaherë ia kishte shitur djallit shpirtit. Kjo gjë qe vërejtur dhe nga kritika për librat që i botonte…

-E bënin këtë gjë dhe për ta vrarë vlerën letrare të librit!

E bënin atë gjë, atë shitje shpirti dhe për ca monedha, natyrisht!

Po, po...  Vetëm për kaq sytë e varfër iu ndritnin.

...Ecja vetë i dyzeti për në shesh.

Binte pafundësi në të dy krahët e udhës.

Fanari ndriste krye sheshit të lirisë.

Eci brenda vetes e kuptoj se jetë është poezia.

Kuptoj se jetë është Fedora.

Eci sheshit të takohem me të, t`i them se e dua, t`i them se kuptimi i dashurisë është udhëtimi në mes dy stacionesh të ndezura flakë nga  etja. Eci dhe e kujtoj pamjen herë pikëlluese e herën tjetër pjesë të madhështisë së vogëlsisë së shpirtit të çiltër, pjesë të dritës së shpërthyer nga librat që AgDe i la për brezat... Eci e nga larg e shikoj në sy Fedorën. Sytë thonë e flasin zjarrin e shpirtit, e flasin qiellin, e flasin detin, e flasin etjen, ëndrrën... Të qe ashtu, atëherë , kjo njëmend qenka dashuria. Iu afrova dhe me gjithë këtë gjithësi në vete i hapa krahët dhe e përqafova.

-Ec! Nuk dua të arrijmë në gjysmë të shfaqjes, - nxora zë.

-Ka mjaft kohë.

-Ec. Mund të vonohemi, zemër.

-Nuk na ka ftuar kush.

-Ata i ftojnë vetëm mediokrit ...   shkarravitësit, të njëjtët e sojit të tyre!

- Prej nga u shfaqën, vallë?

-Të dy këlysh të njohur, te dalë nga mitet e trilluara të nëntokës ortodokse.

-Pse pra  të ikim atje, te ata?!

-Punë e madhe, pema nuk është e tyre! Më së paku është e tyre. Fare pak!

-E kujt është,atëherë !?

- E ombrellës së ministrisë është. E secilit poet, por ... ata, të dy, hapësirën e lënë bosh nga ti e unë e vjedhin, e zhgërryejë pak-pak, me kthetra qensh... t`i thahen rrënjët qiellit të pemës tashmë të bërë nga Ai që e mbolli.

- Pse i vret drita e pemës së vet, zot?

-Ata e gjaku i tyre janë të pafuqishëm të krijojnë dritë. Bëjnë përpjekje të krijojnë ndonjë gjë të trilluar për ta arsyetuar boshllëkun e vet.

- Drita nuk krijohet pse ti ke dëshirë ta krijosh...

-I ndërsen në etjen sherp ajo që i ka birësuar, hija me kosë, nëntoka, prej nga vijnë!Brenda kornizës së hapësirës së tyre, nuk ka zjarr, nuk ka gjak, nuk ka art.

-Pse marrin frymë kaq të vdekur?

-I jepen iluzionit, mes dehjes së gjakut e magjisë.

-E ... kaq pa gjak.

-Kaq pa gjak!

-Nuk është shfaqje kjo,  në të cilën hapësira krijohet sipas akrobacionit, sipas trillimit, sipas kutit! A është apo nuk është?

- Shfaqje...po?

-Aspak më shumë!?

- Është shfaqje, është tregim,  veç gjithnjë  kaq sa i tyre,kaq i yti e i imi... natyrisht,  i secilit me dritën e ngjyrën, me peshën dhe jehun e fyellit të vet.

-Krijohen ngjyra ylberi aty?

-Do të duhej... jo vetëm ngjyra, po dhe forma, po dhe muzikë.

-Rrjedha uji?

-Tregime për dritën e shpirtit ...

- Ti e merr këtë tregim për kthimin në vete, çaste të papërsëritshme për një orë të poezisë, një nismë... e nuk del të jetë ashtu, aspak, jo.

-Pse?

- IbKa-u e XheSy  kanë tregim tjetër të skalitur për këtë .

-Tregimi i tyre ka  të bëj me vetëm ata të dy, me krijesa me dy fytyra. Me njërën fytyrë të buzëqeshin, me fytyrën tjetër të pështyjnë. U dhemb prania jote apo imja. Çdo gjë e duan  për vete.

-Pse  t`ua vrasim kënaqësinë atëherë, pse t`ua kafshojmë ëndrrën!

-Të mos i ndalim në varfërinë e shpirtit, nuk do të mund të gjejnë fund!

-E kanë etjen flakë e mundësinë e pagjak...

-Kaq larg vetes kanë zbritur?

-Tërë jetën mendojnë të  ngjiten e gjithnjë vetëm zbresin, të jargavitur...

-Gjithnjë në etje, gjithnjë në uri.

- Tashmë gjenden aty, në atë  hapësirë në mes të  çmendurisë së etjes e urisë, me duar të zgjatura nga kodra, që nuk ia dalin ta arrijnë...

- Lidhen për ëndrra?

- E tëra ngjet në përzierje dreqi ...

-Të qe vetëm kaq!

- Tregim për Janusin!  Për dy kalorës të përhumbur, të cilët paraqiten me pamje të dyfishtë; me njërën fytyrë shikojnë nga brenda, me fytyrën tjetër nga jashtë. Kalorësit e përhumbur,me  të cilët  merr frymë ky tregim , fytyrat e veta të dyfishta i shohin vetëm në monedha!

- Mendoja, shikohen në pasqyra?

- Ikin nga pasqyrat, të mos takohen me veten e copëtuar!

-Thuret kështu ndopak ky tregim...

-Ky tregim i rëndë që vazhdon ndërmjet fillimit e fundit, për orët letrare të akorduara për fëmijët e dalë nga lufta,  për ata shpirtra të çiltër, të tubuar kokë më kokë, në pritje të dëgjojnë nga vjen drita, nga këputet hija e atyre që ua vrau fëmijërinë!

-Tregimi do të duhej të qe i këtillë ...

-Pse, s`është?

-Jo!

-Jo!? Pse jo?

-Ka disa unaza që e këpusin harmoninë...

-E zë atë që nuk ecën. Vetëm pse copat që rrëshqasin pasqyrës krijojnë dy Jonusa. Ata, gjithnjë,  shfaqen aty, natyrisht me dy fytyra! Herë me lirinë në supe e herë tjetër me natën. E tëra varet nga shtrirja e sipërfaqes së kuptimit... Këtë herë të buzëqeshin ty, herën tjetër të pështyjnë. Sillen maje varfërisë së vet!

-Me dy shpirtra!

- Gjithnjë të njëjtë...

-Ata nuk mungojnë asnjëherë, në asnjë shfaqje!

-Kaq shumë i duan fëmijët ?!

- Vdesin për ca monedha!

-E fëmijët, të padjallëzuar... i presin gojëhapur. Arritjen e tyre e shkruajnë ngjarje në ditarët e tyre sekret.

-Tashmë kanë zënë hapësirën, ngjajnë në lule, presin... Sytë u farfuritin ngjashëm me yjtë në qiellin e pafund.

- E kam shkruar një poezi pikërisht për ta nga dëgjojnë dhe bëjnë përpjekje t`i harrojnë katrahurat nga kanë arritur te  ky çast, te kjo orë poetike.

-Ma thuaj.

-Ç farë?

-A nuk the ta kesh shkruar një poezi?

-O, po... dëgjoje.

Poetika e Karvanit “AD”

Para shtrihet fusha me lule, flutura e yj`.

Ngjyra ylberi derdhen, tingëllimë uji të kroit,

kalli` valëviten - det, degë me lule të ftoit.

I shikoj kaq çupa e çuna, të buzëqeshur.

Në qiellin e syrit të tyre fluturon një kumri,

e zemrat, oh zemrat, trokasin me furi...

-Pse e këpute?

-Të arrijmë sa më parë mes tyre; t`i dëgjojmë cili e ka emrin e rrënjës Ilir,  t`i dëgjojmë sesi shpirti plot atdhe u bëhet krua, t`i shikojmë dhe t`i ndajmë  në pjesë të njëjta ëndrrat, të cilat porsi fluturat ikin qiellit e bëhen yje.

-Yje?

- Po,  unë ua marr pak qiell, pak sy ua marr e ua jap një tufë me fjalë, me zemër dhe lulëkuqe, me kalli`, me plot yje..

-Yje?

- Secila shkronjë, secili varg ka yje, ka flutura,  ka zemër... Ndryshe,  nuk do të dëgjoheshim, nuk do të ndiheshim, nuk do të fluturonim nga zemra në zemër, nga dega në degë të pemës me tridhjetë e gjashtë shkronja, nga guri në gur, nga  dritarja në dritaren me pamje në det, plot dritë...

-Kush iu bë udhë, gjithësi e atdhe,  liri e det e zemër... trung e zog e kullë, hapësirë e kohë, një ëndrre kaq të pafundme?

-Secilin gur ia ka lidhur me dritë e gjak AD, secilën dritare ia ka hapur nga agu, me dashuri e tufa zogjsh, me ngjyra ylberi... ngjashëm me Rozafatin. Rreth kështjellës, në ballë të së cilës me njërin gji jashtë murit qëndronte Roza, pikë-pikë nga i pikon qumështi për fëmijët  e përvajshëm, me sy të ngulitur në hapësirën e argjendtë. Aty ndrisnin dhe Gjevrekët e liqenit, fusha ngado mbushej me lule, kullosnin sutat e drerët  kërcenin mbi ylberin...  çdo gjë, me artin e vet, zgjonte ngjyra, fluturime e ritme  dhe muzikë nga fjalët, vargjet e poezitë e brendshme të shpirtit krijonin peizazhe të papërsëritshme me rrahje flatrash, me cicërima magjike, vinin e shkonin pandërprerë, të lidhura me shkulma e vorbulla e rrjedha të Bunës, që merrte gjarpërimin për në det... gjithnjë kështu derisa s`u shua AD, derisa nuk u shfaq Xhesy e IbKa-u, të cilët  pak-pak, natën nisën ta kafshojnë, ta rrënojnë, t`ia prishnin  harmoninë mrekullisë me hijen e tyre, që ngjan në dy qen frikacak, në dy gica të uritur.

-Kush zot kështu e rrënon kullën e përjetshme, të bardhë, kush e pi dritën, e vret shpirtin e vet, kush ia ngul dhëmbët mitit?

- Xhesy e ai shërbëtori tjetër, për ta ushqyer çmendurinë e shpirtit të varfër,  ia  vjedhin kullës dhe qiellin, ia vjedhin syrit dhe zogjtë e fluturat, të gjitha bukurinë, ia këpusin ylberit dhe ndonjë ngjyrë,  ia këpusin ëndrrës  dhe udhën, të  mos arrijë andej më asnjë krijues i ri, por vetëm  hijet e tyre ende të lidhura me natën dhe vetminë, të lidhura me zinxhirë për robërinë e territ dhe  etjet e nëntokës ortodokse. Të dy besnikë të trurit të  varfër, bëjnë përpjekje t`ia mbyllin nga ndonjë dritare Kullës, të mos e prek drita,  bëjnë përpjekje ta thajnë nga ndonjë pemë, të ngrijë brenda fjalës nga ndonjë zog, deti të ik nga vetja e  Bunës  t`i këputet nga një rrjedhë...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora