E premte, 19.04.2024, 10:54 PM (GMT+1)

Mendime

Ciko: “Jeta ime midis dashurise dhe muzikes”

E diele, 19.10.2008, 07:18 AM


Zhani dhe Rudina Ciko
Maestro Zhani Ciko flet ekskluzivisht për gazetën “Albania”

Petrika GROSI
 
Kësaj here, si personazh i suplementit “Albania Weekend” shfaqet një figurë e njohur dhe tepër e dashur për publikun shqiptar, siç është Zhani Ciko. Ai zbulon për ne detaje nga fëmijëria e largët, marrëdhëniet me prindërit (Mihal dhe Evanthi Ciko), por edhe dajën e tij, kompozitorin e njohur Nikolla Zoraqi, deri te pianistja dhe pedagogia e Akademisë së Arteve, bashkëshortja e Zhanit, Rudina Ciko. Cili ka qenë Zhani Ciko fëmijë, adoleshent dhe më pas burrë. Zhani si bir dhe Zhani si bashkëshort. Si u njohën dyshja Ciko dhe si përfunduan bashkë me njëri-tjetrin, ndonëse kishin diferencë moshe dhe paragjykime të opinionit kundër tyre. Këto dhe detaje të tjera mbi jetën intime, të bërat dhe të pabërat, kujtimet e afërta e të largëta të maestro Cikos, mund t’i mësoni duke lexuar intervistën që vijon më tej

Nëse për një moment Zhani Ciko do të mbyllë sytë dhe do të kujtojë fëmijërinë, cilat janë imazhet që shfaqen para jush?
 
Imazhet e para janë ato të një qyteti të njohur dhe shumë të nderuar të kulturës, që është Korça, ku unë pata rastin të jetoj gati 4 vite (mosha 1-5 vjeç) pas lindjes sime në Tiranë. Këtë vendim e mori babai pas rëndimit të atmosferës në kryeqytet. Kam përjetuar bukurinë natyrore të Korçës, në dimër dëborën e saj, bulevardin ku zhvilloheshin manifestime të ndryshme, koncerte, deri te karnavalet, festat fetare apo edhe ndonjë garë sportive. Të gjitha këto unë i shikoja në fëmijëri nga tarraca e një shtëpie, e cila më vonë do të bëhej turizmi i Korçës “Valbona”. Ngjarje të tilla më ngjallnin shumë fantazi dhe dashuri për qytetin. Mbresa ruaj edhe nga lëvizjet artistike të Korçës, nga provat që bënte im atë me korrin dhe orkestrën e Korçës, apo nga shfaqjet e para teatrore në kinema “Majestic”. Atje për herë të parë pashë një shfaqje skenike-teatrore, një grup baleti më vonë. Babai më merrte gjithmonë me vete edhe në koncertet e grupit të Korçës, të cilat i ndiqja me qejf kudo ku shkonin në Vithkuq, Dardhë etj. Shkoja rregullisht nëpër provat e korit. Siç më thotë edhe mamaja, njëherë të vetme në jetë kam marrë një shuplakë dhe ka qenë ai rast kur babai donte të shkonte në punë pasi ishte vonë për provat, ndërkohë që unë insistoja të vija pas tij. Ajo dackë ishte mënyra e vetme për të më penguar mua. Një ndër gjërat e tjera të bukura që mbaj mend ishte festimi i festave tradicionale dhe fetare në Korçë. Kisha e bukur e Mitropolisë me oborrin e saj, kisha baroke e Shën Gjergjit dhe dyqanet që kishin mbetur ende në një pjesë të tregut janë të freskëta në kujtimet e mia. Në njëfarë mase, klima e krijuar atje nga prindërit e mi, krijoi disi llastim për mua si djalë i vetëm. Amatorë që punonin në pastiçeri gjithmonë sillnin nga një ëmbëlsirë për djalin e profesor Mihalit, ose ndonjë tjetër që kishte dalë për gjah, do të sillte ndonjë shpend në shtëpinë tonë. Aty munda të shoh për herë të parë se ç’janë shapkat, pëllumbat e egër etj. Mbresa të shumta kam nga kopshti i fëmijëve (prapa Mitropolisë), që u hap ndër të parët në Korçë, dhe nga shoqëria ime siç ishin fëmijët e një amatori që quhej Gaqo Jorganxhi, Zhulianën, Rikardon etj.

Po për adoleshencën tuaj ç’mund të na tregoni?

Adoleshencën e kam kaluar në Tiranë. Që në klasën e parë fillore u futa në Liceun Artistik. Ishte një shkollë që ndërtesën e kishte aty ku pas rënies së Komunizmit në vendit tonë, jetuan për vite me radhë të përndjekurit (te Fusha e Aviacionit). Gjithë rrugën, nga shtëpia për të vajtur në shkollëm e bëja përditë hipur mbi një biçikletë të vogël, me violinën e mbajtur në krahë, e cila shpesh bëhej objekt ngacmimesh nga bashkëmoshatarët e mi.
Më pas gjithçka u lidh me formimin profesional, me muzikën dhe formimin e Filarmonisë së Shtetit dhe Teatrit të Operas. Shoqëria që frekuentoja ishin Ermir Kranjta, Marie Gjoka, Inis Kraja, Gergj Antoniu etj. Mendoj se ai që quhet universitet i parë dhe që zhvillohet nga 1-5 vjeç, është baza e formimit, e cila për ne është bërë intensivisht. Kjo është dhe arsye pse një pjesë e mirë e fëmijëve të artistëve të këtij brezi kanë ecur para duke lënë emër si artistë të shquar. Vështirë ka qenë përballimi me atë frymën populiste të krijuar atëherë, për t’i përjashtuar nga jeta artistike të gjithë ata fëmijë që vinin nga prindër artistë. Talenti nuk është pronë i atyre që vijnë nga shtresat ose klasat artistike apo i familjeve intelektuale. Edhe nga shtresat më të thjeshta kanë dalë artistë të mëdhenj, para talentit të të cilëve unë përkulem, por çdo lloj ndikimi ekstra-artistik për të përkrahur një shtresë ndaj një shtrese tjetër është një lloj dhunimi që e kam provuar në fëmijëri dhe ka lënë shenjat e veta në një mënyrë apo në tjetrën.

Cili ka qenë raporti juaj me Mihal dhe Evanthi Cikon?

Raporti me prindërit e mi ka qenë ai i një biri që i vlerëson dhe respekton shumë prindërit për ato vlera çfarë ata kanë. Kam qenë një fëmijë që i admironte prindërit e vet dhe donte të ecte në gjurmët e tyre. Më pas filluan të shfaqen trajtat e një rebelimi për të krijuar individualitetin, e cila nganjëherë shfaqet edhe me shenja nënvlerësimi; njeriu e shikon veten sikur ka mundësi më të mëdha, nis dhe dallon edhe ndonjë defekt te prindërit dhe nuk pajtohet me rënien që krijon mosha e tyre. Me dhimbje përjetova momentin kur im atë u nda nga jeta dhe fill pas kësaj, erdhi momenti tjetër i rivlerësimit të atyre që ai kishte bërë në jetë.
Mbushesh me krenari kur shikon se gjithë ai brez artistësh në ato kushte të asaj kohe kanë dhënë jashtëzakonisht shumë. Sa i takon nënës sime, tek ajo gjithmonë më ka habitur gatishmëria për të ndihmuar dhe përkrahur të tjerët, që nga fëmijët e vegjël jetimë, ose nxënësit e shkollave deri te komshinjtë.

Keni pasur një lidhje të veçantë me Nikolla Zoraqin?
 
Për mua është fat që Nikolla Zoraqi ka bërë pjesë në familjen time, duke qenë në të njëjtën kohë vëllai i nënës sime. Ai ishte më i madh se mua, por ishte ajo lidhja mes moshës së babait dhe mua. Me talentin dhe përkushtimin e tij më jepte shembullin sesi duhet të punoja. Më kujtohet kur shkonim në shtëpinë e gjyshes, Nikolla gjithë ditën mbyllej në dhomën e tij disi të errët dhe studionte për violinë. Unë e dëgjoja Nikollën dhe hapja derën e hyja brenda për ta dëgjuar. Ishte aq i zhytur në punën e tij, sa as që e vinte re se unë isha në dhomë. Më vonë, kur i hyra vetë studimit të violinës, kisha ende në kokë pjesët dhe etydet që studionte më parë Nikolla. Ai ishte një nga nxënësit më të spikatur të liceut me personalitet dhe iniciativa të shumta, por sigurisht, duke mos qenë biri i një familjeje të llastuar të regjimit, Nikolla e pati jetën tepër të vështirë. Me atë bindjen e tij të fortë për artin, meritat dhe zakonin, Nikolla e braktisi violinën dhe kaloi në rolin e krijuesit. Më vonë, kur Nikolla mori bursën për në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, vazhduam komunikimin me letërkëmbim pasi dhe unë isha më i rritur e mund të flisja e kuptoja shumë gjëra. Lidhja jonë ndonëse familjare mendoj që kaloi në tri faza; Faza e parë ishte nxitja ime për të ecur në rrugën e artit, faza e dytë është koha kur u bëra instrumentist i ri dhe Nikolla më dërgonte nga larg libra për violinë, disqe dhe këshilla. Këto ishin jashtëzakonisht të rëndësishme sepse disqet e tij me ekzekutimet e klasikëve të mëdhenj, në atë kohë u bënë udhërrëfyes jo vetëm për mua, por dhe për shumë miq që vinin i shikonin dhe i dëgjonin. Kur ai solli gramafonin nga Rusia ishte sërish një ngjarje e madhe pasi ishte një gjë e rrallë në vendin tonë. Faza e tretë, ishte raporti i ri mes nesh, ku tashmë përballeshin dy muzikantë, kolegë dhe jo dy familjarë. Në drekat e përjavshme familjare që zhvillonim zhvilloheshin orë të tëra debati dhe diskutimi mbi muzikën.

Meqë e nisëm këtë bisedë nga kujtimet, mund të na thoni ç’tip fëmije keni qenë?

Kam qenë përgjithësisht një fëmijë i gjallë, por tepër i pjekur dhe mund të trajtohesha si një njeri i urtë, me marrëdhënie shumë ë mirë shoqërore dhe që më pëlqente studimi. Më vjen keq që për shkak të impenjimit tim me studimin thuajse më kanë munguar orët e lojërave sportive dhe argëtuese me shoqërinë.

Kur ju ka djegur për herë të parë ajo “flaka” e dashurisë fëminore për një femër dhe si?

Kam qenë një djalë që më kanë pëlqyer individët, qoftë djemtë, qoftë vajzat e rrethit tonë. Në atë kohë ne nuk kishim marrëdhënie të orientuara shumë drejt lidhjeve, siç bëhet sot. Atëherë kishim normat dhe kanunet tona të familjeve, të cilat nuk kam pasur as dëshirën dhe as prirjen për t’i tejkaluar ndonjëherë. Për mua lidhja me muzikën, apo konsiderata për një person që e shikoja me vlera ishte ndjenja kryesore. Kështu që kam admiruar edhe shoqe dhe shokë. Ekzistonte një naivitet ku simpatia për dikë që ishte i talentuar, mund të lidhej me një simpati të përgjithshme.

Nuk e keni kuptuar nëse keni dashuruar ndonjëherë, apo nuk thuhet?

Duke qenë se ne ishim të jashtëm në shkollë dhe jo konviktorë, nuk kishim mundësi për të kaluar më shumë kohë në praninë e femrave dhe për të bërë një kalim të parakohshëm në marrëdhëniet në çift. Më vonë jeta ime ka qenë si e gjithë të tjerëve, krejt normale dhe pa dashur të bëj rolin e shenjtit, them se nuk kam bërë asnjëherë ndonjë aventurë që të jetë mbresë e pashlyeshme. Pra kam qenë i papërlyer në shoqëri.

Si u njohët me gruan tuaj të ardhshme, Rudinën?

Isha në atë kohë pas Plenumit, në periudhën kur isha vetëm 24-25 vjeç dhe punoja në Teatër. Pasi u largova për një periudhë të gjatë nga Tirana dhe humba kontaktet me botën e muzikës. Rikthimi im më vuri para alternativës nëse do të merresha me pedagogji apo do të vazhdoja me artin. Rruga ime nuk ishte e lehtë për tu marrë me art dhe vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, u krijuan spacio të tjera. Në atë kohë filluan të vijnë në vendin tonë personalitete dhe specialistë të huaj të muzikës, të cilët evidentuan se cilët njerëz kishin vlera e cilët jo, gjë që më ndihmoi së tepërmi. Pas 15 vitesh pengese, jeta ime u kthye në botën artistike. Në një klasë që kisha me shumë talente muzike, mes një brezi të talentuar, gjeta papritur Rudinën. Ajo shihte tek unë një njeri të hapur, interesant dhe pak e nga pak miqësia me Rudinën u shndërrua në një raport që la të kuptohej se jeta jonë pak e nga pak do të lidhej ngushtë në të gjitha drejtimet. Kjo lidhje nuk ishte pa pengesa, pa vështirësi, pa presione. Unë konsiderohesha si një njeri që kishte marrë vërejtje të rëndë nga Partia për kohën.

Keni pasur problem mospranimin tuaj nga prindërit e Rudinës?
 
Nëse prindërit e Rudinës do të më paragjykonin dhe nuk do të më donin si dhëndër, sado që ajo të ishte e vendosur nuk do të bashkoheshim dot. Vazhdimisht kam pasur momente sulmi nga mësues të indoktrinuar, po kështu edhe Rudina me prindërit e saj. Sa u takon atyre, një pjesë i inkurajonin që të më pranonin mua, ndërsa pjesa tjetër iu thoshin që kjo lidhje të mos bëhej.

Çfarë ju afroi me Rudinën asokohe? Mendoni ka qenë dashuria, apo ai vlerësimi dhe admirimi reciprok?

Besoj se kanë qenë nga pak të dyja. Po të ishte vetëm admirimi, atëherë lidhja ime me Rudinën do të mbetej një raport si me shumë miq e mikesha të mira të miat; me konsideratë, respekt, shoqëri, gallatë etj. dhe nuk do të kalohej më tej. Me Rudinën ka ekzistuar dhe një lidhje shpirtërore e padiskutueshme, e cila është baza e bashkëjetesës.

Keni një diferencë moshe si çift, pasi Rudina është shumë më e vogël se ju. A përbën kjo ndonjë problem?

Ndoshta brenda nesh thellë nën ndërgjegjen tonë mund ta kemi menduar ndonjëherë, sidomos në fillimet e lidhjes. Vazhdimisht më pyesin sesi e përjetojmë ne këtë fakt, por pavarësisht se në atë kohë unë kisha një diferencë mbi 10-vjeçare me Rudinën kemi kaluar mirë dhe kur festuam 25-vjetorin e martesës thashë me vete: “Qenkam martuar shpejt...”

Një rastësi brenda familjes tuaj është se edhe babai ka pasur diferencë të madhe vitesh me nënën tuaj...
 
Unë kam parë tek ata një respekt të veçantë. Ishin dy natyra krejt të ndryshme, nëna e qetë, ndërsa babai shumë më eksploziv sesa unë, me një temperament të jashtëm tepër evident, i cili mbante nga brenda edhe atë revoltën e jetës. Megjithatë, jeta e tyre ka qenë shembullore në çdo aspekt. Në këtë drejtim, të diferencës së viteve nga gruaja, unë e kam zbutur pak rekordin e babait tim, pasi kam një diferencë më të vogël nga gruaja dhe jam natyrë më e butë se ai në të gjitha drejtimet.

Pa dashur t’ju lëndoj në asnjë plagë, si e përjetoni mungesën e një fëmije në familjen tuaj?

Njeriu në jetë ka një filozofi që duhet ndjekur. Jeta zhvillohet me një kurbë që herë shkon lart dhe herë zbret poshtë. Njeriu duhet t’i mendojë të gjitha dhe të mos paragjykojë asgjë si katastrofike. Ka gjëra që i ka në dorë njeriu, ka gjëra që nuk i ka në dorë, jeta duhet të zhvillohet. Në rast se unë nuk do të kisha talentin e nevojshëm në një fushë të caktuar të artit do të ishte e kotë të përpiqesha sa të doja për të arritur në një pikë të cilën nuk do ta kapja dot. Kështu funksionon jeta në të gjitha drejtimet. Mendoj se dashuria për fëmijën mund të konsumohet edhe duke ja falur këtë dashuri të rinjve, pavarësisht nëse ke apo nuk ke me ta lidhje gjaku. Pastaj sot jeta ka ndryshuar shumë, shikon familje të vetmuara, të cilat kanë fëmijë të shumtë në numër, shikon njerëz të lumtur një mënyrë ose në një tjetër. Atë çfarë fati të rezervon dhe që nuk varet prej teje, njeriu duhet të gjejë forca ta kthejë në mos në një avantazh, jo në një dramë që do të ishte krejt e panevojshme për të. Nuk di ç’të them. Çdo njeri e përjeton në mënyrën e tij një gjë të tillë. Duke qenë i lidhur gjithmonë me të rinjtë në fushën e muzikës, dashuria që konsumoj për ta është e mjaftueshme dhe them se tashmë e kam harruar këtë problem. Po kështu edhe gruaja ime.

Si e përjetuat rënien e diktaturës komuniste në Shqipëri?

Brenda asaj që konceptoj unë, momentet historike kanë nevojë për t’i parë një çikë me filozofi. Isha shumë i gëzuar kur pashë se në jetën time ndodhi ajo që asnjeri nuk besonte se mund të ndodhte... I pashë me një simpati shumë të madhe transformimet që ndodhën te ne në një hark kohor shumë të shkurtër dhe në mënyrë më radikale seç mund ta imagjinonim më parë. Isha një ndjekës i etur i këtyre ndryshimeve, por nga ana tjetër edhe i matur, sepse e kuptova se këto ndryshime erdhën nga një brez tjetër më i ri se ne, të cilit i takonte të merrte stafetën.

Së fundi, ndërsa folëm për të shkuarën, a keni ndonjë plan se ku dhe sesi do t’i kaloni vitet e pleqërisë? (Ndoshta pas daljes në pension.)

Shpresoj që gjithmonë ta kem një vend pranë skenës, pasi artisti nuk del kollaj në pension.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora