Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Vendi im i marrosur

| E marte, 24.03.2020, 08:26 PM |


Ndue Ukaj:

Vendi im i marrosur, ku janë tërbuar ata që tash e sa vite janë ushqyer me urrejtje dhe po shfaqin fytyrën e tyre të vërtetë.

Vendi im i marrosur, ku fjalët solidaritet, mëshirë e respekt, janë groposur thellë në dhé.

Vendi im i marrosur, që dikur - jo shumë moti - nxori nga gjiri i vet mendjendritur e të urtë si Ibrahim Rugova, sot është në duar të një tufë urrejtnxitësish të mjerë dhe të pamëshirshëm.

Vendi im i marrosur, harron.

Harron se - si sot- para 21 viteve, bota e qytetëruar u bë bashkë për të na nxjerrë nga robëria dhe balta.

Tani asaj bote ia kemi kthyer shpinën dhe kundër saj i kemi drejtuar shigjetat e helmatisura. Një tufë mjeranësh sulmon Brukselin e një tjetër Washingtonin.

Perëndimi na çliroi nga armiku i madh, Serbia,

por nga robëria shpirtërore e brendshme, nga konceptet anarkiste dhe kthetrat e egra të urrejtës, askush s' mund të na çlirojë.

Sepse, deri me sot, nuk është gjetur një armë për t' i luftuar mosmarrëveshjet e brendshme dhe urrejtjen patologjike që mbretëron mesh nesh.