Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bardhyl Maliqi: Këmishët e të vdekurve

| E marte, 24.03.2020, 10:43 AM |


Bardhyl Maliqi

KËMISHËT E TË VDEKURVE

E keni parë “Arturo Ui-në”?! E keni parë sigurisht.

një detaj të mbetet në mendje, i mprehtë ligësisht.

Po sa gangsterë si Ui-ja kanë bërë karrierë

dhe sa vrasës si Xhivola i kanë padronët Hitlerë?!

Xhivola mblidhte kapelat e të vdekurve

që prej armës vrastare kishin ndërruar jetë,

Kapelat kokës së tij i jepnin formën,

por jo trutë e atyre që u nisën tatëpjetë…

Mendova se qe kapriço e forcës dhe kaq...

e kisha harruar Xhivolën në fëmijërinë e largët,

kur befas një vdekje më trokiti në gjak,

ç’tronditje të tmerrshme kam ndier sa kaq!

S’e pata dëgjuar kurrë zakonin makabër

që rrobat e të vdekurve të dhurohen për të gjallët,

gjithnjë e kam gjykuar Xhivolën si monstër,

por koha nuk pyet nëse je i mirë a i poshtër.

Në mokrat e makthit realiteti të bluan

dhe jeta me vdekjen aty qesh e luan,

kur ke njëzet vjet që ke filluar të vdesësh,

dhe pemën e jetës ta kultivosh a ta presësh.

Se kurrë nuk kënaqesh në jetë ç’gatite,

se fillimin e fundit e sheh në krye dite,

dhe vesh një këmishë të re nga togu i vjetër,

larë, hekurosur në kremastarin e gjelbër.

Këmisha e radhës ka qenë e një plaku,

që jeta e griu e prostata e mpaku,

që e shoqja për bamirësi e fali në kishë,

iu dha një emigranti, punëtor hekurkthyes.

Në tekstilet e Çikagos këmisha qe prodhuar,

nga gra emigrante qe qepur e kopsuar,

dhe kuadratet e errëta si hoje renditur,

ku grerëzat mjaltin me kohë kanë grabitur.

Ndaj s’pati shumë fat kjo këmishë azilante

veç të përfundonte sërish emigrante.

Dhe rrugën mori për në barakën e vjetër,

ku era rreh xhamat si mbreti me skeptër.

Dhe emigranti vdiq: infarkt miokardi,

e quanin Astrit, Apostol apo Nardi;

për kërrkënd kjo nuk ka kurrfarë rëndësie,

se koha rrjedh si ujë prej çatie.

Zbret nga ulluqet në sterrën e vjetër,

dhe sterra uturin prej mundimit të egër,

ashtu Stiksi rrjedh tej Qafëbote,

ku kurnaci Keront të mbart kësobote.

Dhe ovullën ta merr nga gjuha e vdekur,

se mbret është në Had ai e s’ka tjetër.

dhe Akeronit kufomat mbarten në llucë,

kufomat pa kollare, këmishë e këpucë…

Këpucët e të vdekurve shiten te GABI,

ku blejnë të gjallët, të gjorët nga halli

dhe kollaret atje i blejnë profesorët,

dhe kostumet me kile i blejnë doktorët.

Tek kazanët e plehrave u vjen rëndë t’i shohin,

mos komshijet, studentët, hafijet i njohin,

e ku të shkojnë të mbyten të shkretët paskëtaj,

ku ta shkojnë pleqninë e shkretë patravaj?!

Kjo zonjë që vërtit prapanicat si autokombajnë,

që kallinj kalimtarësh shkoqit me radhë,

edhe kjo te GABI psonis dhe bërtet,

se tulet s’i nginjen për turp, për ibret!

Këmisha që ka zgjedhur për burrin e saj

s’di nga ç’morg a bordel vjen paskëtaj,

një këmishë e çuditshme: e zezë me kafka,

me çizme piratësh, me thika të gjata.

Shtati më rrëqethet thjesht kur e shoh,

ta prek as një çast nuk mund domosdo.

gruaja i vesh burrit këmishë banditi,

paçka se pas tigrit fshihet ogiçi!

Një prostitutë ka psonisur një kostum serioz,

kapardiset si kastraveckë në kavanoz,

shpreson paskëtaj të gjejë një punë për të qenë,

…për shembull sekretare e zotit Diogjen!

Po një merak më ha, ashtu si hekurin ndryshku e bren

si do t’i vejë halli Zylos, po zotit Diogjen?

Sikur nga Sharra a Limjoni t’ia behin një ditë

në mes të qytetit të bardhë e evgjitë?

Po të ngrihen të vdekurit e të zhveshin të gjallët,

t’u kërkojnë këpucët, këmishët, kollaret,

t’u kërkojnë livadhet, pronat, çatitë…

Jam i vetmi që s’do çuditem ndoshta atë ditë!