Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Ditëlindje në kohëra të “Coronës...”

| E marte, 24.03.2020, 11:11 AM |


Ditëlindje në kohëra të “Coronës...”

Albert Habazaj

Nuk e pandeha që do të ndodhte kështu:

Ditëlindje në kohëra të “Coronës...”

Brenda oborrit të shtëpisë ... dhe rri si dru,

Buzë Detit të Bukur, në bark të Vlorës.

Kur gjashtëdhjetë vjetorin - në cep të buzës

Kërkon “Corona...”, tek më shtyn drejt flijimit,

Tatëpjeta e jetës në kurriz të udhës

M’i çel më të ndezura lulet e udhëtimit.

Përse të ndodhte kështu, o njerëz, përse?

Sot unë kam ditëlindjen, ti e ke nesër.

Ç’i thonë kësaj? - Rrufe në qiell pa re?

Si banorë të Botës të jemi më tjetër?!...

Personazhet negativë të historisë,

Që nga Herostrati, më duken liliputë

Kundrejt kësaj flame qepur keq Njerëzisë,

Heshturake dhe tinëzake kryekëput.

Na shikon nga lart e i dukemi si miza,

Më djallosur se në prozën e Zhan Pol Sartrit.

Luftë “Coronavirusit” - t’i hiqet viza,

T’i thyejmë presën e padukshme të draprit!

Që këtij qoftëlargu kaq të palyrë

T’i shpëtojmë nga kthetrat e hidhërimit,

Bukur ta shohim pranverën në fytyrë -

Ende durim epik për Lulen e Udhëtimit!

E premte, 20.03.2020