Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: At Gjergj Fishta vdiq me 30 Dhjetor 1940...

| E diele, 22.03.2020, 02:30 PM |


Nga Fritz RADOVANI

6

At Gjergj Fishta vdiq me 30 Dhjetor 1940...

At Gjergj Fishta vdiq në prag të vitit ri 1941. Me formimin e Partisë Komuniste Shqiptare nga emisarët jugosllavë të Titos, vetkuptohet se jeta, shkolla, kultura, shoqnia apo politika do të kalonin nën ndikimin sllav, që ma vonë mori edhe formën qeveritare e shtetnore të Jugosllavisë, e njohun nga vendimet e Jaltës në Shkurt të 1945, kur Stalini u takue me Rusveltin e Çërçillin.

Ja parashikimi i At Fishtës që në 1914, në

“Një gjamë dëshpërimi!..”

Veç sot pse Europa, sot që asht gjith’ uzdaja

Se Shqiptaria e lirë del zojë n’ vetveti,

Pse sot Europa, - do  Mbretni t’ Mëdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E n’ vende tona duen që shkjau të shklasë

E fisi shqiptarit n’ dhe t’ humbasë?...

Atëherë kur Shteti Shqiptar dhe Qeveria Provizore e Tiranës u zgjodhën dhe vazhduen me u drejtue nga komunistët shqiptarë, sherbëtorë besnikë të Titos dhe të Stalinit, çfarë mund të pritej përveç një pushtimi të ri, që po zëvendsonte atë fashist e nazist? E të mendosh se Shqipnia, mbas pushtimit fashist të vitit 1939, kur kryeministër ishte Mustafa Kruja, ministri i arsimit Ernest Koliqi arrijti me hapë 220 shkolla shqipe jashta tokës Nanë, në territoret e pushtueme nga Serbia, në Ulqin, Tivar, Hot, Grudë e Kosovë, e kudo ku kishte në organet shtetnore vetëm Shqiptarë. Pushtuesit nazistë njohën edhe të drejtën e vendosjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar pa shenjat e fashizmit apo të nazizmit.

Ndërsa, me 29 Nandor 1944, po në kompanjelin e Fretënve, aty ku At Fishta vendosi Flamurin Kombëtar në 1913, partizanët komunista të Enver Hoxhës vendosën Flamurin e zhigatun me yllin e kuq jugosllav, porosi e “shokut” Tito, në shenjë poshtnimi të Mbasardhësve të Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit, Ismail Qemalit, At Fishtës dhe të gjithë Atyne Atdhetarëve Shqiptarë, që luftuen Trimnisht e vdiqën Burrnisht për Shqipninë Europiane, por kurrë të poshtnueme prej sllavëve.

Me të drejtë At Fishta shkruen:

Këtu, këtu Shqiptarë!.. A ndiet?.. Ku ju kam...Ku jeni?

Mo’ leni burra!.. M’ armë!.. Mbaroi Kosova!...

Janina humbi!.. e ndoshta Tepeleni...

Shkoi Manastiri! Dibra dhe Gjakova!...

Vendet ma t’ mira ne na i mori shkjau,

E, çka asht ma zi, ne vëlla me vëlla na ndau.

Vazhdon pjesa e VII...

Melbourne, Mars 2020.