E enjte, 25.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Daut Demaku: Mendimi pozitiv është ardhmëria e njerëzimit (II)

E diele, 19.10.2008, 08:46 AM


Daut Demaku
Intervistoi: Sabir KRASNIQI

www.sa-kra.ch

 

Dimensionet konkrete të Mendimit pozitiv

 

MENDIMI POZITIV ËSHTË ARDHMËRIA E NJERËZIMIT

(Pjesa e dytë)

 

- Nga biseda me Daut Demakun -

 

Kur të do Zoti – të do edhe populli

 

            Përkundër neglizhencës dhe mosgatishmërisë institucional për përkrahje, por edhe sfidave të ndryshme me të cilat ballafaqoheshit në atë kohë, e që ishin të shumta, ju arritët që në pranverën e vitit 2000 të hapnit “Qendrën e Mendimit Pozitiv”. Si u pritë kjo nisëm nga shtresat e ndryshme të popullatës dhe cilët ishin  frutat e para të saj?

 

            Daut Demaku: Në fillim me shumë dyshime. Këtë e dija dhe e prisja. Sepse në të gjitha gjuhët do ta takoni slogani: ”ËSHTË TEPËR E BUKUR PËR TË QENË E VËRTETË”. Pra, dyshimet vërshonin që në fillim. E natyrshme dhe e kuptueshme. Por kur i filluam ligjëratat e hapura ku hyrja ishte falas – kur vinin kureshtarët që nuk e kishin idenë për çka po flasim, dhe, kur dëgjonin se: ne do të jemi pikë për pikë çfarë mendimesh do të kemi…(dhe e qartësonim se: me popullin që nuk i njeh ligjet e mendjes mund të manipulohet si me kope delesh dhe pasonin shembujt)…pastaj ligjërata për hidhërimin – këshilltarin më të keq në jetën e njeriut dhe vrasësin më tinëzar që i prodhon mbi 240 helme në trupin e njeriut…se me Ligjin e tërheqjes mund të fitosh para sikur Xhorxh Sorosi (4.000 dollarë në minutë), edhe atëherë kur flenë e çlodhet për çdo minutë atij i vijnë nga 4 mijë dollarë në minutë  - e kush është ai që mund të thotë se jeta ka limite?…ose tema për biznesmenët që të gjithë nga streset e shkatërrojnë sistemin nervor që, më vonë, me pasurinë e botës nuk e riparojnë dot…e mijëra e mijëra tema të këtilla – atëherë, secila sallë në Prishtinë ishte e vogël që të përballoj atë fluks njerëzish që vinin në Qendër dhe nuk mungonte as ndihma e njerëzve vullnetar që vinin si engjëj të dërguar nga hyjnorja dhe thoshin: Zotëri, po duam TA MBJELLIM NJË PEMË në Kosovë, dhe, na ndihmo TË LUTEMI që ta zbatojmë Ligjin e dhënies – njëri ndër ligjet më fisnike të jetës njerëzore…

            Kështu që, nga atëherë e gjerë tani po mundohemi të shkojmë drejt rrugës së një edukimi kombëtar të ngritjes shpirtërore.

            Çka do të thotë:  fjalë orientuese dhe me ndikim? Për ta ilustruar këtë po ua them një tregim, një ngjarje të vërtetë: një djalë i ri nga Izraeli shkon për studime në Amerikë. Para nisjes babai i thotë: ke mendjen djali jem, Amerika është oqean, ka kapërdirë miliona gjermanë, italianë, suedeze…e ti je një individ – Amerika të hanë, sepse ti je kafshatë e vogël… Mos gabo të INTEGROHESH në jetën e atij përbindëshi të madh.” Pas një kohe, djali ia shkruan një letër babait: “Baba i dashur, e gjeta zgjidhjen për brengën tënde. Të dielën isha në Sinagogë (kishin hebreite) te Rabini. Ia thashë rrezikun e INTEGRIMIT në shoqërinë amerikane. Rabini më tha:” Babain e paska atdhetar, por SHKURTPAMËS. Ti duhet të integrohesh plotësisht në jetën amerikane, me gjuhë, me sjellje, me pikëpamja – me të gjitha të bëhesh amerikan. Kombëtaren tënde e ruaj unë të dielave në Sinagogë, sepse unë jam Pastori (BARIU) i kombëtares dhe fetares të pjesëtarëve të kombit tim. Në Amerikë gjenden sa e sa hebreitë që kanë ardhur këtu para 500 vjetësh dhe  ASNJËRI  prej tyre nuk është asimiluar, se këtu e kanë pas pastorin që i ka ruajtur nga ajo murtajë”

            Tash po besoj të gjithë e kanë të qartë ç’është dhe ç’do të jetë një edukim kombëtar i ngritjes shpirtërore. E shikuar nga këndi ynë, vlera e edukimit del edhe më e rëndësishme.  Një: shqiptarët 500 vjet kanë qenë MILET, 100 vjet kanë qenë NAROD, e sa vjet kanë qenë POPULL – këtë e dini ju lexues. Prandaj edhe e kanë plasur atë sloganin e shëmtuar se shqiptarët janë plastelinë prej të cilës mund të modelosh çka të duash. Unë nuk pajtohem me këtë spekulim, ky është prodhim i burimeve armiqësore, sepse të kishim qenë plastelinë qëmoti do të ishim zhdukur nga faqja e dheut. Populli ynë ka pasur lisa shumë të mëdhenj që e kanë mbajtur të pastër qiellin e bukur kombëtar dhe se, SHKALLA MË E LARTË E KULTURËS NJERËZORE  është të jesh kombëtar i vërtetë. Thuaj gjermanit, a je kombëtar dhe shihe reagimin! Kombëtarja është e lidhur me VETËDIJEN.

            Por dua ta bëjë një nënvizim: çështje kombëtare sot është – faktikisht shumë e rrezikuar, sepse: TË GJITHË RUHEN PREJ  ARMIKUT, POR MË TË MENÇURIT RUHEN EDHE PREJ MIKUT.

             Njeriu krijon e prodhon me miliona probleme, por në fakt ekziston vetëm një problem: njeriu vetë. Veje njeriun në harmoni e paqe me vetveten, problemet të tjera mbesin sikur lojëra fëmijësh dhe material për humor. Sepse nuk ekzistojnë, ato i prodhon mendja që jeton në terr: ndezi dritat e mendjes dhe konfliktet shuhen.

 

 

Daut Demaku gjatë ligjërimit në "Qendrën e Mendimit Pozitiv" në Prishtinë

 

           

 

Thesari i panjohur i popullit tonë

 

            Edhe në librat e juaja të shkruara shumë më herët, sidomos tek ato me tregime dhe anekdota, shprehet kjo frymë në formë porosish, shprehen këto vlera jashtëzakonisht të fuqishme e madhështore të mendimit pozitiv. A do të thotë kjo, se gjeniu unë popullorë e ka njohur këtë dhunti inspirative shumë kohë para se ajo të proklamohet si zbulim epokal në fund të viteve të ’90-ta (bashkëdyzim i njohurive mentale të Lindjes dhe të arriturave shkencore Perëndimore)?

 

            Daut Demaku: Pyetje e mrekullueshme. Faleminderit.

            Gjatë vitit të parë të studimeve shkuam me Çun Lajçin (ai ishte student i aktrimit) në Festivalin e Folklorik në Drenicë, që vazhdon të mbahet edhe sot. Çuni ishte në program, këndonte ëmbël në lahutë këngët e vjetra të Rugovës. Para fillimit të programit shkuam të shoku im i ndjerë, Osman R. Gashi, dritë pastë. Në banesën e shokut tim, Çuni mori lahutën dhe t’ia krisi  Osa Kukës. Kur e kreu,  i thashë: Çun, brenda mureve të banesës është lehtë ta këndosh Osa Kuken, por në të mbajtë – këndoje në Festival. Çuni – edhe ma i krisur se unë – në Festival, sa e mbaroi këngën për njëfarë Kaçurreli të Rugovës, pa pritë e kujtua – ia krisi Osa Kukës. Kur i tha vargjet: çonu ju, mori shkina, mblidhni eshtna nëpër Vranina – ndodhi çudia. U çua profesori, Anton Çetta, me dorën e vet i mbylli perdet e binës dhe e ndërpreu Festivalin. Eu, thashë vetmevete, po njeri i poshtër qenka kyfarë profesori! U mbyll kjo ngjarje dhe vazhduam në fakultet. Pesë-gjashtë ditë ma vonë (meqë ma nuk i flisja profesorit), pas ligjërate, profa me zuri për krahu dhe më futi në kabinet. I thashë: çka do ti me mua, profesori që e kam dashtë unë -  ka vdekur atë natë në Gllogovc, sytë nuk dua me t’i pa ma… Profa me një qetësi më tha: a e di ti kush e ka themeluar Festivalin e folklorit në Drenicë? I thashë: nuk e di dhe nuk dua ta di! Më tha: Atë festival e ka themeluar UDB-a. E ka ditur se qëllon një krisur sikur ti, që e motivon një të krisur edhe ma të madh, si Çuni, ai e këndon një këngë kombëtare, ndizet publiku – UDB-a regjistron publikun dhe, pastaj një nga një – në  tortura dhe në burg. Festivali i folklorit në Drenicë është dritare e UDB-es që ta sheh Drenicën nga brenda. Nuk jeni fëmijë, çilni sytë, bëhuni më të mençur…

            Eh, dritë pastë legjenda e quajtur Anton Çetta. Këtu nisi shoqërimi im me profesorin (Çuni s’i ka fol pesë-gjashtë vjet, madje edhe provimin para tij e ka dhënë duke shikuar anash…) E shoqëroja, pastaj Profesorin kur mblidhte folklor nëpër Drenicë dhe, ndërhyja, sepse i shënonte gabim fjalët “likura”, “shloje” etj. E Ai më thoshte: po ti je rritë në kullë, me urtinë popullore – pse nuk merresh me këtë punë? Por, sinqerisht, mendjemadhësia dhe mosdija ime e asaj kohe më thoshin: kurrë nuk do të merrem me folklor, sepse unë do të bëhem shkrimtar i madh, folklori është për muze.

            Të gjitha këto momente i thashë për të dalë tek përfundimi: dy-tri javë para se të vdiste profesor Antoni, me shokun tim, Mehmet Kajtazin, dritë pastë, ia bëmë një vizitë. Atë ditë profesori tha: ama një letër, ta shkruaj një amanet për këtë kryefortin e Drenicës, t’ia la amanet me shkrim që ta ngris tregimin shqiptar. Por, më tha profa, mos i banë dy gabimet e mia:

E para: titulli le të jetë Tregime shqiptare, e jo sikur unë Tregime të Drenicës;

E dyta: ngriti në letrarishte, sepse bota shqiptare nuk po e kupton tregimin tonë. Dhe të vazhdosh Tregime shqiptare 1, 2, 3,... 20… I thashë: deri kur kështu, prof? Më tha: derisa të mbushet GOJA GJAK edhe ty sikur mua sot dhe, me gjak në gojë, t’ia lësh amanet dikujt tjetër ta vazhdojë këtë punë. Ktheva kokën anash, më rridhnin lotët e nuk doja të më shihte Antoni – legjendë, dhe, kur e mora veten i thashë: Po, do ta bëjë, profesori im, më i miri në botë!

            Dashuria ndaj këtij burri të madh të kombit, amaneti i tij, më detyruan të thellohem në studimin e vërtetë të mençurisë kombëtare. Dhe, a dini çka ndodhë? Gjej se mendja shqiptare është aq e thellë, aq e begatshme, aq e panjohur (edhe për ne) sa nuk kemi çka kërkojmë nëpër metropole të botës, kemi thesarin tonë, shumë të pasur dhe mahnitës, prej të cilit duhet të mësoj bota. Shihni shembullin e Kanunit tonë që Luisi (amerikan) e quajti bazë e kushtetutës amerikane.

            Ndoshta e teprova, por po kam dëshirë të them edhe diçka: gjatë këtyre studimeve më rrëzoi përtoke një NJOHJE. Fjalën e kam për një këngë që e kam urrejtur shumë: e këndonin në Gjakovë, fillonte me do vargje që, për mua, të paditurin, ishin vargje bosh: trandofili i çoj fjalë karanfilit. Këngë boshe. E kotë. Kur, duke studiuar më thellë gjej se kjo këngë iu kushtohet njerëzve të parë të Lidhjes së Prizrenit. Populli i mençur dhe i dashur, për t’iu kënduar burrave të atdheut dhe për të mos e kuptuar armiku, Abdyl Frashërit i thotë Trëndafil, Ymer Prizrenit i thotë Karafil. A është e mundur, o Zot? Parinë e vet, njerëzit më të mirë të shqiptarisë i nderon ME EMRA TË LULEVE. Sepse, me të vërtetë ata ishin LULET MË TË BUKURA TË TOKËS SHQIPTARE.

            Dhe tash, të kthehem tek pyetja e juaj, nuk ka teori të Mendimit Pozitiv, të ligjeve themelore të mendjes, që nuk mund t’iu gjendet ekuivalenca në thesarin shqiptar. Udhëtimi më i gjatë në botë fillon prej vetvetes deri tek vetvetja. Nëse e nxjerrim në dritë një pjesë të mençurisë shqiptare do t’i zbërthejmë të gjitha Ligjet e jetës që sot lexohen në gjithë botën në miliona e miliona ekzemplarë, po ato ligje gjenden në traditën kulturore shqiptare. Librin e parë e botova, “Tregimet shqiptare dhe mendimi pozitiv 1” – fillova me shumë vonesë ta përmbushi amanetin e profesorit tim, por fillova. Mos e merrni për reklamë, sepse ky libër shitet pa kurrfarë reklame, por ata që do ta lexojnë, jam i bindur që më loçkë të zemrës do të thonë: faleminderit. Por falënderimet nuk më takojnë mua, falënderimet i takojnë NJERIUT që udhëhoqi Pajtimet e gjaqeve, që pajtojë mijëra e mijëra zemra shqiptare. (Bekimi dhe mëshira e Zotit qoftë me shpirtin e tij). Më falni që u zgjata tepër, ama amaneti është amanet dhe unë kam qenë i DETYRUAR ta them një ditë publikisht dhe kjo është hera e parë që e them.

 

 

Mendimi pozitiv është ardhmëria

           

            “Mendimi pozitiv”, është pjesë e shkencës - konkretisht i takon sferës së psikologjisë, është alternativ - pjesë e parapsikologjisë, apo shkrirje e këtyre te dyjave bashkë duke nxjerr në sipërfaqe një prodhim të ri, një fuqi ekzistuese në qenien njeri, por të pa shfrytëzuar sa duhet, ose fare pak, gjer më tani?

 

            Daut Demaku: Mendimi pozitiv është bletë e zellshme që thithë nektar nga të gjithë dhe e formëson tërësinë e vet mahnitëse.

(Kjo mënyrë e të menduarit u FORMËSUA NË FUND TË SHEKULLIT NJËZET. Gjatë këtij shekulli janë bërë 70% të të gjitha zbulimeve njerëzore, në këtë shekull është zbuluar atomi e hidrogjeni, udhëtimet planetare etj. Por është thënë se zbulimi më i madh i shekullit njëzet është ÇELËSI I LUMTURISË NJERËZORE, prandaj – tre Mësuesit e mëdhenj, ndërtuesit e kësaj sinteze, në vitin 1996 një OJQ e Kombeve të Bashkuara i shpalli njerëzit më të mençur në botë. Mençuria e tyre ka lëshuar rrënjë të shëndosha edhe në Kosovë, por ta qartësoj edhe pak mendimin pozitiv.)

            Ta them një krahasim për qartësim: mendimi pozitiv është sikur lulja; rrënjët e lules janë shkencë e pastër, trupi i lules është edhe shkencë edhe art, bulbëria e lules është shumë shkencë dhe shumë art, kurse aroma e lules është prodhimi final: mendim pozitiv. Nuk bën pa rrënjët, nuk bën pa trupin, nuk bën pa lulen, por – kush e sheh aromën brenda të cilës gjenden rrënjë, trup e lule – pra: tërësia?

            Amerika nuk do të ishte Amerikë po të mos ishte kaq e mençur sa është. Të gjitha postulatet e Mendimit pozitiv – të gjitha paradigmat të reja dhe të vjetra - i vërteton përmes formave të ndryshme. Aty ku mund të vërtetohen me metoda laboratorike – kjo provohet me mijëra herë, aty ku laboratorët nuk kanë mundësi të veprojnë, atëherë eksperimentet bëhen në mijëra e mijëra mediumi dhe nxirret një përfundim i saktë, pa dilema, me pastërti dhe siguri të plotë..

            Do të na duheshin nja dhjetë faqe A/4 t’i radhisim shërimet, për pasurimin, suksesin dhe arritjen e lumturisë E PLOTËSIMIN E DËSHIRAVE përmes përsëritjes së Afirmimeve pozitive, përmes hipnozës së pastër e pozitive, përmes  mënyrës më të fuqishme në botë që quhet VETËDIJËSIM  dhe  asaj që është maja e bukurisë, që përfshiu edhe Evropën  perëndimore e që quhet: MEDITIM.

            Për lexuesit që nuk kanë pas rast të takohen me ligjërata konkrete më duhet të them se mendja dhe vetëdija janë pikërisht sikur qielli. Qiellin e errësojnë retë, mbi re kthjelltësia dhe pastërtia e qiellit është e amshueshme. Mendimet e dëshirat e njeriut ( mbi 60.000 brenda 24 orëve lëvizin nëpër mendjen e njeriut), janë pikërisht sikur retë në qiell. Retë në qiell në asnjë çast nuk e kanë të njëjtën formë as të njëjtën trajtë. E çka është tash vetëdijesim? Dalje mbi re, dalje mbi mendime e dëshira, në kthjelltësinë e dritën e pafund të qiellit.

            Prandaj ligjet e universit janë këto (fillestarët): secili njeri ka të drejtë të këtë shëndet të përkryer, pasuri sa të dojë, sukses të plotë, lumturi të pastër. Këto janë gjendje normale dhe të drejta themelore të secilës qenie njerëzore. Gjendjet abnormale si joshëndeti, që e kam thënë edhe njëherë më lartë, varfëria, dështimet, vuajtjet dhe mjerimi që të gjitha i shkakton mendja e njeriut që krijon vetëm re të errëta në qiell dhe nuk e lejon depërtimin e dritës në njeriun.

            Kur them ligjet e universit ( këtë termë e përdorë shkenca amerikane, sepse nuk do të lëndojë askënd) – ato janë konkrete, shkencë e pastër.  UNIVERSIT mund t’i thuash Zot, Perëndi, Allah, Mençuri Universale, Farë Hyjnore apo Fuqi Natyrore – varet nga bindjet tua – ajo, në fakt është e njëjta gjë. Dhe, duhet ditur me saktësi se ato ligje VEPROJNË ME SAKTËSI KOMPJUTERIKE: edhe kur i vejnë në lëvizje planetët e mëdha pa karburante, edhe kur lëshojnë dritë e ngrohtësi pa elektrana, edhe kur lëshojnë shiun pa asnjë liqe akumulues, edhe kur derdhin pasurinë hyjnore pa pas asnjë bankë, edhe kur dhurojnë gëzim e hare pa asnjë shkak material, edhe… edhe… edhe… Dhe të gjitha i bëjnë pa korrupsion, pa ryshfet, pa miqësi, pa...pa…pa…

            Shkurt e shqip: mendimi pozitiv ose ngritja shpirtërore është saktësisht  ARDHMËRIA  njerëzimit. Individi që vendosë të hyjë në këtë mënyrë të të menduarit, ditën që vendosë – le ta regjistrojë në ditar si DITËN MË TË MIRË TË JETËS SË TIJ. Ai që vonohet do ta pësojë me vuajtje, por ajo është zgjedhje personale. Në këtë lëmë nuk ka “duhet”, sepse “duhet” është dhunë, por ka “dua”, e “dua” është dashuri.

            Gjatë këtyre njëzet vjetëve që e studioj këtë literaturë, jam bindur, thellësisht jam i bindur, se unë thërmia e tij, popullit tim nuk mund t’i ofroj DHURATË  më të madhe, prandaj do të punoj në këtë fushë deri në frymën e fundit. Por do të punojë edhe në aftësimin e studentëve që të më zëvendësojnë dhe të bëhen edhe më të mirë se unë, sepse njëmijë herë ka ndodhë që nxënësi t’ia kalojë Mësuesit jo me kilometra, por me epoka. Por, studentëve dhe nxënësve të mi, disa herë ju kam thënë: mos lejoni që tepër herët t’iu bëhet VONË. Dhe asnjë mënyrë të të menduarit, që është tepër e mirë për të qenë e vërtetë – mos ndalni vetëm për vete. Asnjë krua nuk e pi ujët e vet, asnjë pemë nuk i hanë frytet e veta, asnjë artistë nuk i ndalë vetëm për vete bukuritë që krijon. Veprimi më i bukur në jetë është dhënia: dhuroni që të fitoni gëzimin. Nëse do dashuri – duaj njerëzit, nëse do respekt – respektojë njerëzit, nëse do pasuri – ndihmoju të tjerëve që të bëjnë pasuri, nëse do ardhmëri të fëmijëve mbille farën sot, nëse… (A e keni vërejtur si flasim ne: e humba ditën dje duke ndenjur me fëmijët në shtëpi! O Zot. Po, a ka pasuri më të madhe se investimi në fëmijë? Mos qenka më i rëndësishëm hambari me grurë, apo fëmija që mund të ngris mijëra hambarë?)

            Në fund fare: duajeni veten tuaj, faljani gabimet vetes, prindërve, miqve e shokëve, duajeni shumë njerëzit e gjuhës tonë – kështu siç janë – sepse nuk ka të tjerë. Filloni me ndryshimin, por filloni së pari  ta ndryshoni veten tuaj, pastaj do të fillojnë të ndryshojnë të gjithë të tjerët. Populli ynë është i vogël, ka nevojë për shumë dashuri se ka përjetuar vuajtje mbi vuajtje, prandaj , o të dashurit e mi – duajeni shumë njëri-tjetrin se ne kemi   shpirtin tonë dhe një mik të madh prej të cilit duhet të Mësojmë.

            E di që e zgjata, por e di që nuk e kam thënë as të njëmijtën e asaj që kisha dashur t’ua them të gjithë atyre që shqip flasin, shqip mendojnë e shqiptarinë e duan sa shpirtin e tyre.

            NJË PËRQAFIM ME SHPEJTESINE E DRITES TË GJITHËVE – KUDO QË JENI.

 

            P. S.

            Daut Demaku – “Qendra e Mendimit Pozitiv”

            Perball hotelit Grand – Prishtinë,

            rruga Nena Terezë nr. 41/25

            dautdemaku@yahoo.com

            mendimipozitiv@yahoo.com

            www.mendimipozitiv.org

            tel:  038 225 800

                   044 679 009

                   049 438 544

 



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora