E premte, 29.03.2024, 03:28 PM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Lufta për pushtet e territore në kohë kolere!

E premte, 20.03.2020, 07:53 PM


Lufta për pushtet e territore në kohë kolere!

Nga Enver Bytyçi

Mbrëmë kam shkruar një status në faqen time të FB me të cilin kam kritikuar me fakte qëndrimin e dy-tre përfaqësuesve me influencë në Lidhjen Demokratike, të cilët po përpiqen ta kthejnë LDK-në nga parti e Ibrahim Rugovës në shtojcë të partisë së Hashim Thaçit. Kjo për arsye se në mënyrë të vazhdueshme ata dalin në mbështetje të tezave dhe akteve të tij kundër qeverisë.

Ka pasur shumë reagime për këtë status. Gazetari Bajrush Morina e quante si llomotitje timen dhe kishte shkruar se “është hera e fundit që të lexoj”! Pastaj kishte bërë bllok. Ma zbehu shumë imazhin që kisha për këtë koleg, sepse njeriu i dinjitetshëm ose nuk debaton ose qëndron në debat. Një miku im nga Kukësi gjithashtu më këshillonte në imbox që të mos shkruaj për politikë në këto kohë të rrezikut që paraqet koronaviruesi. Miku im kukësian ishte shumë dashamir. Ndoshta ka të drejtë. Madje më vuri në dilemë, nëse duhet të shkruaj ose jo. Kisha kohë të meditoja mjaft për këtë. Në përfundim i dhashë karar. Eshtë mirë të shkruaj, por jo për politikë. Të shkruaj për të vërtetat dhe përpjekjet e Beogradit, i cili me bashkëpunëtorët e tij në Prishtinë e Tiranë kërkon tjetërsimin e territoreve në kohë kolere. Sot mbasdite një mik tjetër nga Gjilani më kritikonte për atë status.

Por vendimin tim për të shkruar ma përforcuan dy diplomatët dhe ekspertët amerikanë, Shaun Byrnes dhe Daniel Serwer. Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, i cili ka qenë shef i misionit vëzhgues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, shkuante 13 marsin e kaluar se “Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Vuçiq kanë përgatitur një draft marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konflikti, që ka përcaktuar raportet në mes të shqiptarëve për një shekull. Ajo( marrëveshja) është e gatshme për nënshkrim”. Dhe më tej konstatonte se Thaçi “dëshiron ta rrëzojë Kurtin për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar … Qëllimi i Thaçit është që të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përberë nga LDK, partneri aktual i Kurtit në koalicion, dhe nga PDK, partia që themeloi Thaçi”.

Thaçi e ka përgenjështruar këtë deklaratë të Byenes. Megjithatë, nuk kaluan as pesë ditë dhe profecia Shaun Byrnes u shfaq në kohën më të vështirë të Kosovës së pasluftës, kur qeverisë dhe qytetarëve të saj u duhet të përballen me Covid-19. Dje në grupin parlamentar të LDK-së është nënshkruar kërkesa për votëbesim të qeverisë Kurti. Në kohë të tilla krizash do të ishte e rrezikshme të rrëzoheshin edhe diktaturat. Por LDK guxon të rrëzojë qeverinë e vendit të vet, madje qeverinë me të cilën bashkëqeveris. Mu ashtu siç tha diplomati amerikan Byrnes. Në bashkëpunim dhe nën regjinë e presidentit Thaçi.

Pas një përplasjeje midis Kurtit dhe Thaçit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kur LDK mbajti anën e presidentit. Qëllimi është i qartë: Bashkë me rrëzimin e qeverisë, heqjen e menjëhershme pa kushte të taksës dhe firmosjen në kohë kolere të marrëveshjes për ndarjen e Kosovës. Dhe gjetën kohën e duhur, kur në kushtet e Covid-19 nuk mund të bëhen zgjedhje të parakohshme. Madje kanë hedh idenë e krijimit të një qeverie të unitetit.

Paradigmën e mësipërme e provoi dhe eksperti dhe profesori i shquar amerikan, Daniel Serwer. Ai në letrën të dates 18 mars drejtuar Thaçit shkruan: “Shumica e qytetarëve tuaj duan një marrëveshje me Serbinë që e njeh shtetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur brenda kufijve të saj aktualë dhe i mundëson asaj anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Diçka kësisoj nuk është pjesë e ofertës akoma. Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe në mënyrë që të marrë një marrëveshje të mirë, në kohën e duhur dhe me ndihmën e SHBA dhe BE”. Serwer shkruan se nuk është mençuri të ngutesh për të bërë një marrëveshje me Serbinë para 26 prillit, kur bëhen zgjedhjet në Serbi, sepse Vuçiq mund të jetë i gatshëm të bëjë lëshime pas zgjedhjeve e jo para tyre. Dhe si për ta paralajmëruar mocionin kundër pengesës për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, ai i thotë Hashim Thaçit se “Pa dyshim, ju jeni të zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve që e sollën Albinin në pushtet, pasi që këto zgjedhje e vendosën partinë tuaj në vendin e tretë. Mirëpo, të punosh me ata që kanë përfunduar në vendin e dytë për të rrëzuar Kryeministrin nuk do t’i bëjë aspak mirë Kosovës. Kjo rrezikon të zgjojë një stuhi që do t’i japë fund perspektivës së pezullimit të taksës ose progresit të mëtejshëm me dialogun me Serbinë”.

Për mendjehapurit nuk do të duheshin më shumë argumente për të konkluduar se mocioni i mosbesimit është kërcënim për Kosovën dhe mbështetje e plotë e aktorëve, autorëve, regjizorëve e skenaristëve të ndarjes së Kosovës. Megjithatë po citoj edhe reagimin e të ngarkuarës së BE-së për Kosovën, eurodeputetes, Viola von Cramon:“Presidenti Thaçi dhe partneri i koalicionit LDK-ja, janë duke e shfrytëzuar krizën e koronavirusit si preteks për lojërat e tyre me pushtetin”. Këtë deklaratë edhe Cramon e lidh me bisedimet midis presidentit serb dhe atij kosovar kur thotë se “Ne duhet të përpiqemi për stabilitet dhe përgjegjësi të qarta, jo për marrëveshje të errëta pas dyerve të mbyllura”.

Gjithçka çfarë ndodhi e po ndodh në Kosovë dëshmon vërtetësinë e statusit që kam hedh mbrëmë për makinacionet e rrëzimit të një qeverie, e cila konsiderohet pengesë për një marrëveshje, për të cilën është betuar këshilltari trefishtë i H. Thaçit, E. Ramës dhe A. Vuçiq, pra Baton Hxhiu, se “Ju do ta shihni se si do të realizohet ideja e korrigjimit të kufijve në një kohë të përshtatshme”. Rroftë koronavirusi për të gjithë këtë kategori antishqiptarësh e proserbësh!

Megjithatë shpresoj se do të gjendet një zgjidhje positive. Nëse flitet për një qeveri të re të unitetit, kjo nënkupton pjesmarrjen në këtë qeveri të të gjitha partive parlamentare. Një qeveri e tillë e drejtuar nga një luftëtar i dëshmuar i ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit ë Kosovës mund të rezultojë positive. Por një qeveri e dominuar dhe e kontrolluar nga Hashim Thaçi, do të shndërohet në katastrofë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Krahas Covid-10-ës, një qeveri kukull e Beogradit do të ishte rreyik dhe kërcënim për Kosovën. Në këtë rast do të ishte ngushëllim që Vetëvendosja dhe AAK të qëndronin në opozitë. Ndërsa Vjosa Osmanit do t’i duhej të krijonte një parti të re vërtet rugoviane, ku do adaptohej maturia, mençuria, këmbëngulja, vendosmëria dhe papërkulshmëria për mbrojtjen e shtetit dhe territorit të Kosovës!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora