Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Don Robert Kola: Shfaqja e fytyrës

| E premte, 20.03.2020, 07:36 PM |


SHFAQJA E FYTYRËS

Nga Don Robert Kola

Mahnitja e fytyrës

Fytyra! Sa rrëmbyese është fytyra! Fytyra është mahnitja më e thellë e njeriut. Nga të gjitha qeniet që ekzistojnë në faqen e dheut, vetëm njeriu i mahnitet fytyrës. Fytyra e mahnit njeriun, njeriu mahnitet nga fytyra. Njeriu është qenie që mahnitet dhe mahnit. E mahnit tjetrin dhe mahnitet nga tjetri. Njeriu është qenie mahnitëse. Akti i mahnitjes është të mahniturit. Në vetë aktin e të mahniturit shquhet mahnitja. Mahnitja thellon të mahniturit dhe thellësia e saj thellon edhe thellësitë e të mahniturit. Thellësia e krijesës shquhet përmes mahnitjes.

Mahnitja e përshkon njeriun si një fëshfëritje që vjen nga rrahjet e misterit  të krijesës dhe e përshkon qenien e tij në shpërthimin drithërues të rrokjeve të habisë, duke e përmbushur me mrekulli frymën e tij. Drithërima që e përfshin njeriun përmes misterit të krijesës, e që lakohet përmes rrokjeve të magjepsjes, është parathënia e parë e frymës se tij ndaj misterit të jetës.

Rrokjet e mahnitjes janë akordet e para të njeriut që shpërthen në brohoritje, klithje dhe ofshamë, duke e kredhur brendësin e kraharorit të tij në përdëllime të pa rrëfyeshme. Mahnitja shquan brohoritjen, ndërsa, brohoritja shquan kremtimin. Mahnitja është vatra e kremtimit. Kremtimi është loja e tërheqjes; është si lojë fëmijërore e cila s’ka asnjë qëllim, pos që të ngihet me praninë dhe shfaqjen e kuptimit. Thelbi i artit të mahnitjes është si thelbi i veprës së artit.  Atij i përket të zbulojë trajtën e qenies që e përfshin duke e shfaqur. Asgjë nuk ia ndal frymën krijesës sikur qëllim që i përcaktohet. Njeriu është i prirë me tepër ndoshta vetëm nga qëllimi, sesa nga kuptimi. E pra, krijesa përmbushet vetëm përmes kuptimit që shfaq thelbin e saj. Vepra që ndjek qëllimin shquhet përmes shfrytëzimit, ndërsa vepra që ndjek kuptimin shquhet përmes frymëzimit. Shfrytëzimi priret kah harxhimi dhe mbaron vetëm në shkapërderdhje. Qëllimi kërkon të gërryejë krijesën deri në sosje, ndërsa kuptimi e lartëson krijesën deri në përsosje. Frymëzimi priret kah përsosja e gjërave dhe mbaron në kremtim. Kremtimi shquan shkëlqimin e krijesës.

Asnjë mahnitje njeriun nuk e përshkon në pambarueshmëri sa mahnitja e fytyrës. Pa mahnitjen e fytyrës njeriu do të mbetej i vetmuar në rendin e krijesës, si një gjësend pranë gjësendeve të tjera dhe nuk do të kishte arritur kurrë të kapërcejë rendin e gjërave, për të hyrë në botën e marrëdhënies (relacionit), në botën e pambaruar të personit. Po dhe vetë krijesa, pa shfaqjen e fytyrës së tjetrit, do të mbetej si një shtëpi e pabanuar, e cila, pa frymën e njeriut, sa vjen e rrënohet. Kur Bibla e përshkruan mahnitjen e njeriut, gjithë mahnitjen e tij e përqendron në shfaqjen e fytyrës së tjetrit dhe vetëm tradita biblike e përqendron primatin e mahnitjes tek fytyra.

Brohoritja më mahnitëse e njeriut që shpërtheu është takimi me fytyrën e tjetrit. Fjala e parë që njeriu ia drejtoi tjetrit është fjalë nusërore: “Kjo ështëashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim.” (Zan 2, 22) Njeriu i drejtohet tjetrit me: ti. Nga kraharori i njeriut doli pra fjala më e përmallshme e cila nuk përmbushet me asgjë tjetër pos me mahnitje të pambarueshme të fytyrës. Fjala që i drejtohet tjetrit, lind nga kraharori dhe mbaron në kraharor. Buron nga gjiri dhe përmbushet vetëm në të. Kraharori përmbushet vetëm me kraharor. Fytyra përmbushët vetëm me fytyrën e shfaqur.

Sikur të kërkohej të përmblidhej në një fjalë gjithë mahnitja e njeriut, sipas Shkrimin të Shenjtë, atëherë përmbajtja e saj fillon me shfaqjen e fytyrës dhe mbaron me fytyrën e shfaqur. Zanafilla paraqet shfaqjen e fytyrës, ndërsa Apokalipsa paraqet fytyrën e shfaqur. Zanafilla shfaq pambarimësinë e fytyrës, ndërsa Apokalipsa shfaq përmbushjen e saj në pambarimësi. Çfarë kuptimi do të kishte pambarimësia e fytyrës pa fytyrën e shfaqur dhe pa përmbushjen e saj të pambaruar? A thua nuk do të përfshihej jeta në një zymti mbytëse të pakapërcyeshme, sikur të mos shfaqej fytyra e tjetrit në gjithë plotësinë e dritës që fytyra kërkon? Po fytyra ka rëndësi. Ajo paraprin jetën dhe përmbushjen e amshimit. Aty ku mohohet fytyra, mohohet përmbushja e ekzistencës. Mohimi i fytyrës është mohimi i të qenit. Shfaqja e fytyrës, pra, përshkon mahnitjen deri në thellësitë e pambarueshme të saj, që është e krijuar sipas përfytyrimit të Hyjit. Krijim i njeriut sipas përfytyrimit të Hyjit bën që fytyra t’i këtë thellësitë e pambarueshme.

Fytyra, përkëdhelje e lirisë

Fytyra bëhet krejt e mahnitshme sidomos kur gjendet në përqafim me tjetrin; në përqafim me tjetrin ajo merr gjithë hapësirën e saj të pambarueshme. Fytyra në përqafim merr frymën e lirisë. Përqafimi është loja e vetme, të cilën e duron liria. Në përqafimin e tjetrit përfshihet vetja jonë. Vetja jonë zgjerohet vetëm kur shtrihemi në krahët e tjetrit. Përqafimi i tjetrit nuk është një rrethim i vetes sonë, por është një hapje kah e pambarueshmja. Krahët e tjetrit hapin pambarimësinë tonë. Në krahët e tjetri fillon rrita e lirisë sonë.

Fëmija në përqafimin e nënës, miku në përqafimin e mikut, i dashuruari në përqafimin e së dashurës, është kënga më e mistershme e kësaj loje të lirisë. Liria fillon përmes përqafimit dhe fytyra merr shikimin kah pafundësia, ndërsa loja e përqafimit pa ditur, ndjek shikimin kah pafundësia që fal fytyra. Përkëdhelja në këtë pafundësi e kërkon gjithmonë fytyrën. Po të mos ishte e pranishme fytyra në këtë pafundësi, kjo pafundësi do të ishte diçka tmerruese dhe liria do të rrënohej. Liria trembet dhe bëhet e pakrye nga pafundësia, e cila nuk e shfaq dhe nuk e përmban fytyrën. Në pafundësinë që kërkon liria, vetëm amshimi e plotëson gjakimin e saj, mbasi pafundësia e lirisë sonë në amshim gjendet në kundrimin e Fytyrës së Hyjit. Njeriut i vjen liria nga amshimi dhe është e themeluar nga përkëdhelja e Hyjit, që i ka bërë krijesës së vet, duke e krijuar atë në përfytyrimin e vet. Kur njeriu, krijesë e Hyjit, përqafon Hyjin, atëherë njeriu gjendet në krahët e Atij, nga buron loja e pambarueshme e lirisë sonë. Kundrimi i Fytyrës së Hyjit është roja, e cila e përcjell lirinë e njeriut kah pambarimi i saj. Vetë Hyji është roja e lirisë sonë kah pambarimi.

Liria e vërtetë nuk trembet nga Hyji dhe s’ka si të trembet; vetë Hyji na fal kundrimin e pambaruar të Fytyrës së Tij. Atdheu i lirisë është fytyra, ndërsa amshimi është trualli i pambaruar i fytyrës. Liria mohohet kur mohohet amshimi. Liria bëhet e mërzitshme kur përmbyllet vetëm në rrethin e kësaj jete. Atëherë brehet e grihet së brendshmi pikërisht nga mërzia e këtij rrethi të mbyllur.

Krahët e lirisë thyhen kur mohohet amshimi. Liria pa krahë nuk mund të përfytyrohet si liri. Gënjeshtra më e madhe që bëhet ndaj lirisë është mohimi i krahëve të saj. Liria shtrihet vetëm aq sa shtrihen edhe krahët e saj. Amshimi i rrit krahët e lirisë kah pambarimësia dhe në këtë pambarimësi bën që të përkëdhelet fytyra. Liria e vërtetë qëndron në përkëdheljen e amshuar të fytyrës. Amshimi nuk është vetëm premtim i lirisë, por është themeli, nisma dhe pambarimësia e saj.

Fytyra na dëfton rrugën e saktë të lirisë. Nuk mund të shtrohet dhe as të kuptohet rruga e lirisë pa shfaqjen e fytyrës. Liria është shfaqje e fytyrës. Arti, letërsia, filozofia, fjala vjen, nuk mund të flasin për lirinë dhe të mohojnë fytyrën. Përmbajtja e lirisë duhet të hetohet përmes shfaqjes së fytyrës. Liria nuk e shpërbën fytyrën. Shfrenimi i lirisë ndodh, kur mohohet fytyra, është kërcënim i shuarjes së fytyrës dhe njëkohësisht frenimi i vetë lirisë. Liria e zotëruar nga fytyra është liria e vërtetë e njeriut.