Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Merita Kuçi-Thartori: Të qeshë dielli

| E premte, 20.03.2020, 08:01 PM |


“Nuk ka gjë më artistike se të duash të tjerët”. - Van Gogh

TË QESHË DIELLI

Sa desha të jem një lule portokall,

Degë trëndafili që shpojnë me mall,

Copëz ëndërr në qepallat që s’ flenë dot,

Një puthje për botën, që sot derdh lot.

Jam këtu harruar e lutem si një murg,

Si fjalë e penguar nga hekurat në burg,

Si një mall i kyçur, pa hënë e pa yll,

Sa pres që të ngjallem e të ndris në pyll.

Zemrën lule flakë, ta marr me të mirë,

Pelerinë mrekullie, rreth botës së nxirë,

Si një Papë të bekoj bukë mirësie,

E dielli të qeshë me forcë dashurie.

Merita Kuçi-Thartori

Durrës më: 19. 03. 2020.