E merkure, 24.04.2024, 12:15 AM (GMT+1)

Mendime

Bashkim Kopliku: Një debat për intervistën enveriste të z. Hajati

E diele, 19.10.2008, 05:37 PM


Bashkim Kopliku
Një debat për intervistën enveriste të z. Hajati

Nga Bashkim Kopliku*

Zoti Marash Hajati thuhet se ka qenë njeri i ndershëm, si person, por ka mbetur enverist, çka është një perversitet i madh për kohën kur jetojmë.  Të bazohesh në mendimet e z. Hajati për enverizmin dhe Enverin, është njësoj si të bazoheshe në mendimet e Gëbelsit (Goebbels) për nazizmin dhe Hitlerin: edhe Gëbelsi ishte në krye te propagandës naziste për 11 vjet me radhë (tre vjet më pak se z. Hajati!  Në Gjermani, nuk të le njeri akoma sot, pas 63 vjetësh të vdekjes së Hitlerit, t’i thurësh lavde atij: e pra Gjermania është shtet superdemokratik, përfshirë edhe lirinë e shtypit.

Gjithsesi, po bëj një flesh me komente mbi një pjesë të asaj që shkruan z. Marash.

 

Zoti Marash Hajati shkruan (MH): “Enver Hoxha ka qenë në krye të “një shteti që po ribëhej në drejtime të panjohura”

Unë (BK): Jo, vendi po shkatërrohej, po shkëputej nga Evropa ku kishte rihyrë me mundime në fillim të shekullit të XX, dhe po çohej drejt greminës.  Këtë gjë realizoi “me sukses” enverizmi, në 45 vjetët që pasuan.

 

MH: “Një rrugë e gjatë peripecish, arritjesh e humbjesh të një shteti e të një populli të tërë”.

BK: Enverizmi nuk e shtyu para vendin dhe popullin, veç e frenoi.  “Arritjet e vendit” janë vetëm arritje të shekullit ku jetohej (bota ecte me shpejtësi përpara, e ne nuk mund të frenoheshim totalisht, sado i egër të ishte EH).  Arritjet e periudhës së enverizmit janë vetëm ato që i shpëtuan frenimit enverist: nuk ishte i përkryer EH as në frenimin e tij.

 

MH: “Por askush tjetër nuk diti e nuk manovroi si E.H. për marrjen e pushtetit dhe vazhdimin  e qëndrimit në krye të tij pas luftës së çlirimit.”

BK: Nuk është “dije” dhe bile as “manovrim”, të vrasësh e të burgosësh, internosh e degjenerosh një popull të tërë, bile të parët shokët tuaj më të ngushtë, siç bëri EH.  Ishte tirani, si ajo e Hitlerit, Stalinit etj.

 

MH: “ai bashkoi më zgjuarsi tytat e armëve të komandantëve trima e të dëgjuar si: M.Peza, H.Lleshi, S. Moisiu, R. Kodheli, M.Shehu etj,”

BK: Ata, në radhë të parë, nuk ishin “komandantë trima”, por vegla kriminale të bandës së EH.

 

MH: “E.H. del i pari në drejtim të luftës,”

BK: EH doli i pari në krye të luftës vëllavrasëse, të luftës për pushtet personal me çdo kusht, me çdo mjet, e pa asnjë kufizim moral e ligjor..

 

MH: “ai i përket një plejade udhëheqësish të vendeve të Lindjes, që dolën fitimtarë mbi pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre.”

BK: Enveri luftoi kryesisht kundër shqiptarëve, patriotëve; luftën me të huajt e kishte anësore fare, sa për të fshehur qëllimin kryesor: zhdukjen e kundërshtarëve politikë.

 

MH: “Të çoje llambën elektrike në vend të pishës, ishte njëlloj sikur të zbrisje në errësirrën shekullore një copë diell. Të gjitha këto për fatin e mirë kanë ndodhur nën sundimin e tij.”

BK: Jo, Enveri ka frenuar “llambën elektrike”, ka frenuar përparimin e shpejtë me kohën të Shqipërisë: të gjitha do t’i vinin vendit shumë më shpejt, shumë më lehtë, pa Enverin.  Shqipëria kishte filluar të ecte me shpejtësi në ekonominë e tregut, që në vitin 1924.  Ardhja e enverizmit, veçse bëri që Shqipëria në vitin 1990, të ishte shumë më larg Greqisë, Italisë etj., sesa kishte qenë në vitin 1944—natyrisht që nuk mund të mbetej krejt në vend, si në vitin 1944, sepse ecte bota.

 

MH: “Edhe udhëheqësit janë njerëz të dashur, të ëmbël, të sertë, inatçi e brutalë.”

BK: Është shumë e vështirë për një shqiptar normal të vitit 2008, të gjejë “të dashurën dhe të ëmblën” tek EH.

 

MH: “Komandanti i partizanëve legjendarë me plumbin e nagantit të tij, hequr vetvetes depërtoi thellë edhe në zemrën e E.Hoxhës, duke e mposhtur atë në mënyrë të pakthyeshme moralisht e shpirtërisht.”

BK: Është për të ardhur keq se deri ku arrin një burrë inteligjent si Marash Hajati: vërtetë mendon ai se EH kishte zemër, pasi kishte vrarë “me dorën e vet”, që nga burri i motrës, Bahri Omari, e deri tek shokët më të ngushtë të partisë së tij, për 40 vjet me radhë?!  Ai kishte zhdukur të gjithë Byronë Politike, që përbëhej e gjitha nga “legjendarë”.

 

Të nderuar lexues, mendoj se nuk ia vlen më të komentoj shkrimin e z. Marash Hajati.  Tani jam i qetë për krahasimin që bëra në fillim, me Gëbelsin, hitlerianin.


Nderime.
Bashkim Kopliku
13.10.2008
 
*Bashkim Kopliku ishte zëvendëskryeministër i Shqipërisë në periudhën 1992-95, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në 1991-97, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në 1996-97, anëtar i kryesisë së PDSH në 1991-97, i dekoruar me "Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë", nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, kryetar i Bashkisë Durrës (Komiteti Ekzekutiv Pluralist Durrës) në 1991-92, kryeinxhinier i URT Durrës në 1990, ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në fushën e elektronikës, por edhe dënim si punëtor për qëndrime "të gabuara" politike në 1975-76. Tani është në pension. Është autor i mbi 300 shkrimeve opinion në gazeta të ndryshme, etj. etj."



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora