E merkure, 24.04.2024, 05:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Dita e përjetësisë

E merkure, 18.03.2020, 08:50 PM


DITA E PËRJETËSISË

Kushtuar 112 vjetorit të Luftës së Mashkullorës

Tregim nga Resmi Osmani

Mashkullorë, e martë mbrëma,18 mars 1908.

Pas rrugëtimit të gjatë e të lodhshëm, që pasoi vrasjen e bimbashit të Gjirokastrës, në atë fillim marsi të ftohtë, me llohë e shqotë , gërxheve malore, pyjeve e monopateve, e ndjekur nga koshadhet turke, dhe sytë e zaptieve, çeta e vogël e Çerçiz Topullit me shtatë luftëtarë, arriti nga Gardhiqi në Mashkullorë. Zemani, pjesëtar i çetës, u dha strehë që të bujtnin në shtëpinë e tij, ku do të preheshin  të sigurtë. I pritën krahëhapur e bujarisht. Myrto Haskua, i ati i Zemanit, aq u gëzua për trimat që i përndritën shtëpinë, saqë dukej sikur i qeshnin dhe rrobat e trupit. Nuk u mor vesh sa ahpejt u gatit darka nga nikoqirja. Jatakët i shtruan në odën e mqve. Ata u shtrinë bri njëri-tjetrit, të mbuluar me guna e velenxa dhe ca nga ngrohtësia e zjarrit, ca nga lodhja fjetën në çast.

Mihali, me shpatullat mbështetur në jastëk, po hidhte në një  radhua me kapakë lëkure ngjarjet e ditëve të fundit, pas vrasjes së Halil Musa beut bimbashit të urryer të  Gjirokasres. Ai pa që edhe Çerçizin, nuk po e zinte gjumi. Mendueshëm e disi ëndërrues ia kishte ngulur sytë tavanit stisur me dru të stolisur.

-Nuk po të ze gjumi kapedan?

-Jo, Mihal. Shoh këta trima, shtrirë këtu si fishekët në gjerdan dhe si shumë herë të tjera pyes veten: pse këta burra, më besuan jetën e tyre, kanë lenë shtëpinë, stanet e arat, prindërit pleq, nuset e reja ,fëmijët kërthinj, dhe kanë rrëmbyer armët e shkojnë në luftë, drejt rrezikut e mundimeve, duke e ditur që edhe mund të vdesin? Mbaj mbi vete barrën e kujdesit për jetën e tyre.

-E ke gjetur përgjigjen?

-Gjykoj se po. Është zëri i atdheut të robëruar që i thërret, është britma e lirisë. I atdheut që rënkon, vuan e heq nën thundrën e turkut, që na vret, na grabit, na mohon gjuhën dhe shkronjat që të shkruajmë gjuhën tënë, fjalët e shenjta: Shqipëri, Mëmedhe, liri. Kjo thirrje trondit shpirtërat, është më e dashur edhe më e shtrenjtë se gjithëçka tjetër, edhe se dashuria për prindërit, nuset dhe fëmijët. Se atdheu fillon te pragu i shtëpisë , nderi i së cilës është i shenjtë e duhet mbrojtur, por gjendet edhe kudo ku flitet shqipja jonë e bukur. Për të duhet luftuar. Se jeta s’ka ç’duhet pa nder e pa liri. Prandaj them se burrat marrin në sy rrezikun dhe  shkojnë në luftë .

-Mirë e the kapedan. Kështu e ndjejnë edhe shokët tanë që i janë bashkuar çetës, por edhe nëse nuk e shprehin dot me fjalë e ndjejnë me shpirt e zemër. Historia na rrëfen se themelitë e kombeve janë ngritur mbi pirgje eshtrash dhe lumenj gjaku. Edhe kjo jona s’do të jetë ndryshe. Do të na duhet të luftojmë si qëmoti, për tu lënë bijve tanë lirinë, me flamurin e shenjtë që të valojë mbi Shqipërinë. Por tani fli, se nesër kemi për të bërë rrugë të gjatë gjer në Çajup që të bashkohemi me pjesën tjetër të çetës.

Mihali e mbylli radhuan dhe u mbulua  me gunë. Çerçizin, që në mëndje i buisnin rrëmujshëm mendimet, vonoi që ta zinte gjumi.

E mërkurrë, mëngjesi i nëntëmbëdhjetë marsit 1908.

Çerçizi u zgjua. Veç Mihalit djemtë flinin. Llamba ndriçonte  zbehtë, drita e ditës që sapo niste depertonte e paket nga dritarja që shihte nga lindja. Çerçizi u ngrit dhe siç e kish zakon iu afrua dritares per te hedhur një sy përjashta. Dita ishte e mugët, e vrenjtur dhe dukej se do të niste shiu. Ai pa ca hije njerëzish që nuk i shqoi mirë se çfarë ishin dhe i thirri  Mihalit:

-Pa eja shih, djem shkolle janë a njerëz të tjerë?

Mihali pa nga dritarja, po xhami ishte i veshur me ujë dhe ai nuk arriti ti shkoqiste mirë. Ahere Çerçizi vuri në sy dylbitë dhe bërtiti:

-O burrani, shokë, ngrehuni se po na rrethon ushtria e turkut!

Kjo thirrje ishte si një goditje rrufeje. Me shpejtësi, të tronditur, veshur e paveshur, të pafjalë, sikush mori pajisjet e tij, ngjeshën gjerdanët me fishekë, pushkët në dorë dhe u turrën pas Zemanit, zbritën në katua, kaptuan një mur dhe u gjendën në oborrin e prasm. Vendi ishte i zbuluar dhe atje i hante plumbi.Ishin të rrezikuar po të dilnin në shesh. Ca më tej, në të djathtë, rridhte një përrua, i thellë me shtratin mbushur me ujë, mollokë, gurë e shkëmbenj ku brambullinin me rropamë e uturimë ujërat. Ishte e vetmja mundësi largimi. Morën me vrap nëpër përrua. Pengoheshin, rrëzoheshin, ngriheshin dhe bënin me mundim përpara.

Taborri i asqerëve, me ndoca 150 shpirt, të gjithë turq, se hyqymetis’u besonte arnautëve, ishte sjellë  nga Janina  dhe  komandohej nga mylazim Nexhadin beu dhe oficerë e çaushë të njohur për trimëri e të rrahur me punët e luftës. Të përhapur në radhitje luftimi, i ishin  drejtuar rrethimit të shtëpisë  në tre drejtime , dhe prisnin ti zinin të rrethuarit në gjumë e në befasi në strofullën e tyre, si në një çark. Ata nuk e panë çetën kur mori tatëpjetë përruan.

Spiuni, që e quanin Veip, e që i ishte taksur mjë qese me flori, e kishte në sy shtëpinë dhe i pa luftëtarët e çetës që zbritën tatëpjetë përroit dhe bërtiti:

-Mylazim Bej, na shpëtoi Çerçizi! Shihi si po vrapojnë në shtratin e përroit!

Buçiti trumpeta, thirrja për luftë , dhe, plumbat u vërshëllyen mbi krye. Ushtima e  trumpetës ishte e frikshme, ajri u drodh. Ishte si një britmë vekje që të ngjethte flokët. Krismat e qindra pushkëve ishin shurdhuese. Luftëtarët e çetës, të zënë në befasi, shtriheshin, ngriheshin, rrëzoheshin, bënin përpara dhe nisën t’i japin zemër njëri-jatërit: “Mbahuni, përpara burra!”Tronditja e fillimit kaloi . E mblodhën veten dhe nisi të mos u bëjë më përshtypje e tu shtrëngojë zemër e shpirt zallahia e luftës dhe plumbat që u vërshëllenin rrëzë veshit. E frikëshme është krisma e parë.

Në atë arrati, pa patur mundësi të mbroheshin, ishte rrezik të vriteshin të gjithë, pa marrë as gjakun e tyre. Ushtarët nisën të zbrisnin tatëpjetë e të afroheshin. Rrëpira u mbush me feste të kuqe. Çerçizit iu desh të merrte një vendim. Mendja i punonte ethshëm. E dinte që s’ka rrethim pa shteg daljeje. Ai duhej kërkuar, se rrethimi duhej çarë dhe jeta e shokëve duhej shpëtuar. Sipër përroit, në një shesholl, ishte një haur i rrëzuar që muret e kalonin lartësinë e bojës së burrit. Ishte hauri i braktisur i Abaz Çanos.

-Të gjithë pas meje, më ndiqni!-Sokëlliu zëri i tij i fuqishëm. Me çap të shpejtë, i shkathët si një sorkadh mali, i vrullshëm si furtuna , bashkë me Asllanin vrapues i shpejtë, që si ndahej këmba- këmbës, zuri haurin.Pas dritres-frengji, qëlloi drejt e në shenjë, të njëjtën bëri dhe Asllani. Dy ushtarë u vranë. Të tjerët u tulatën, u shtrinë dhe zunë vend të frikësuar pas gurëve. Gjaku i derdhur i shokëve të tyre i lemerisi, aq sa nuk guxuan as t’i ngrinin. Përparimi i tyre u ndal.

Një e nganjë luftëtarët po arrinin në haur. Në fund kishin mbetur Mihali dhe Haredini. Edhe një vrap dhe ata do të ishin aty. Pa pritur, disa hapa para Mihalit, Haredini u këput si lisi i goditur mga rrufeja, pa nxjerrë fjalë apo zë. Plumbi ia kishte përshkuar kokën tejpërtej. Mihali briti: ”Haredin o djalë!”, iu ul në brinjë, e luajti, i mori kokën e përgjakur në duar, por s’kishte shënja jete. Mihali u pikëllua por edhe u mahnit: ai s’kishte parë të tillë të vdekur të nurshëm e të bukur. Kështu duhet të ishin vetëm dëshmorët! Haredinit i kishte rënë në fytyrë një buzëqeshje, një  bukuri ëngjëllore si e zbritur prej qiellit. Mihalit vetiu i rrodhën lotët. Psherëtiu dhe ngriti sytë në qiell, duke iu lutur perëndisë ti jepte prehje e paqe shpirtit të Haredinit, që ishte trim, guximtar, i mençur e që ra dëshmor duke dhënë gjakun mbi altarin e atdheut, për lirinë e Shqipërisë. E hodhi mbi shpatulla dhe me trupin e pajetë të Haredinit hyri i fundit në vendstrehim. Të gjithë derdhën lot për vdekjen e Haredinit, se të qash nuk është turp, me lotët çlirohet dhimbja e shpirtit që lehtëson zemrën dhe kthjellon  mendjen.

Çerçizi, kur i pa shokët të ligështuar, e mblodhi veten dhe u tha:

-Të rrojë Shqipëria, se edhe ne ,në qoftë e thënë, gjith si Haredini do të vritemi. Po oburra shokë të zemë vendet, të luftojmë burrërisht dhe ti marrim gjakun Haredinit dhe dëshmorëve të tjerë të lirisë! Kurseni fishekët, qëlloni veç në shenjë!

Kishin mbetur pesë. Hito Lekdushi i vonuar, që vinte më pas i shkëputur nga shokët, në pamundësi për t’i arritur, kishte zënë një ledh të gurtë në një arë, por ishte rrethuar nga ushtarët dhe në rrezik për të rënë rob,  kishte çarë rrethimin dhe mori arratinë në pyll, pa mundur tu bashkohej shokëve.

E mërkurrë,ora shtatë e mëngjesit.

Pesë burra shqiptarë përballë njëqind e pesëdhjetë asqerëve otomanë festekuq, nga stepat e Anadollit. Ushtuan trumbetat, që urdhëronin sulmin, pastaj thirrjet “Allah,allah” jehona e së cilës kthehej nga shpati i malit dhe merrte teposht grykat dhe luginat, për të tromaksur të madh e të vogël.

Nisi lufta: e pabarabartë , e ashpër , e egër, mbinjerëzore, me tërbim, që mund të arrinte edhe trup më trup, sy ndër sy, dhemb për dhëmb, për jetë në liri a vdekje në robëri! Luftë shqipëtarisht:

Liri a vdekje!

Koha nuk priste. Kapedani i ndau detyrat. Ballin e frontit e zuri vetë, në krahë mbajti Zemanin dhe Myftarin. Anët, Mihali dhe Asllani për të mbrojtur krahët nga rrethimi.

Qindrat e pushkëve villnin plumba, që vërshëllenin si gjarpërinj dhe binin si breshër,qindrat e fyteve sokëllinin, trumbeta rrënqethëse dridhte ajrin. Qielli i vrenjtur rengarkuar derdhte shiun pa kursim dhe herë pas here breshër kokërrmadh. Era shtynte renë e tymit të athët e të pikër të barutit, që bënte të lotonin sytë. Ishte si dita e kiametit. Nga lindja retë u çanë, doli dielli dhe sakaq u shfaq ylberi, si një kurorë lavdie qiellore.

Mbështetur puq pas murit që tu ruheshin plumbave, luftëtarët shtinin me kursim. Ishin vrarë edhe tre ushtarë të tjerë turq. Armiku ishte përgjakur, por nga kjo nuk ishte ligështuar, egërsia e sulmuesve sa vinte e shtohej.

Mihali, çuditërisht edhe pse i lagur sa i ishin ngjitur rrobat për trupi, edhe i uritur, gojëtharë nga etja, i lodhur dhe i dërrmuar, i dëshiruar për një cigare duhan, ndihej i ngazëllyer nga ajo që po shihte! Po bëhej afro dyzet vjeç, por heroizëm të tillë as kishte parë as priste të shihte apo dëgjonte! Pesë burra kryengritës, me guxim, vendosmëri e trimëri e kishin kthyer këtë ahur –gërmadhë, në kështjellë të pathyeshme qëndrese të luftës për liri. Nuk ja ndante sytë Çerçizit: Ky djalë gjirokastrit njëzet e tetë vjeç, shtathedhur, shpatullgjerë, me hijeshi trupore prej atleti, e bukuri të pamjes mashkullore si të hyut Apollon, ishte një dragua, burrë  i pashoq nga trimëria, zemërhekur, syshqiponjë, luftëtar i madh e i patrembur, që si  tutej syri nga vdekja. Bashkë me shokët e tij luanë, me pushkën në dorë, gjashtoren në dhëmbë, po i jepte dërmën taborreve të turkut. Djalë i ri por burrë i madh i Shqipërisë. Kokëjashtë, se e kishte flakur ksulën e qullur, ujët e shiut i pikonte mbi shpatulla e fytyrë. Gjithë kohën në lëvizje:  lëvizte shpejt e paprerë, nga vendi në vend, qëllonte me pushkë, prapste armiqtë dhe u jepte zemër shokëve ”Mbahuni burra, se jemi bij të Skënderbeut, ne do të fitojmë se me ne është e drejta, se jemi luftëtarë të lirisë!” Fytyra e tij ishte e qeshur, më e çelur se kurdoherë, sytë i dritësonin, jo sikur luftonte por si të hidhte valle, sikur ajo që bënin të mos ishte luftë por një festë! Ku e gjente vallë gjithë atë forcë, kurajo, guxim e trimëri? Si se tradhëtonin nervat? Për trima të tillë, nuk ka vdekje,-mendoj Mihali, - me të tillë burra nuk humbet Shqipëria!

Lufta sa vinte dhe ashpërsohej, asqerët guxonin dhe bënin disa hapa para, por plumbat që derdheshin mbi ta i sprapsnin. Atëhere, kur shokët ishin të lodhur e të sfilitur, Mihali, që tu jepte zemër, nisi këngën që e kishte hartuar muaj më parë e që luftëtarët e çetës ia dinin fjalët dhe melodinë:

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë

Vraponi burra se s’ka me prit

Të vdesim sot me besa besë

Pranë flamurit të kuq që u ngrit.

Kënga, si  grishje për të luftuar e vdekur për mëmëdhenë, ushtoi dhe jehoi e fuqishme si të këndohej nga një kor e jo vetëm nga pesë zëra burrash. Ajo godiste njësoj si plumbat dhe shkaktoi hutim e habi. Çuditërisht, armiku rreshti të shkrehurat e armëve. Mylazim Nexhadin beu, që e dinte shqipen,  po dëgjonte i shushatur këngën e të rrethuarve. ”O Allah! Ç’farë ishin këta, xhinde të magjepsur, që si trembeshin vdekjes apo njerëz?” Përgjigjen e mori nga mbyllja e këngës:

Ejani burra malit përpjetë,

Duke u betuar vdekje a liri,

Se s’ka më ëmbël në këtë jetë,

Kur vdes shqiptari për Shqipëri.

Ata ishin të gatshëm të vdisnin për shqipërinë! Turqit, atdheun e tyre që e quanin vatan e kishin lënë larg, në Azi, këtu ishin në tokë të huaj, që as e donin as i donte. Për kryengritësit e lirisë, edhe ajo pjesëz toke ku ishin ngujuar, ishte tokë Shqipërie dhe ajo u jepte forcë si Anteut mitik. Kur lufton në shtëpinë tënde, të ndihmojnë edhe muret, edhe gurët edhe drurët.

Nexhadin Beu shkumëzonte nga tërbimi: edepsëzët, qafirët, morracakët! Mund edhe të vdisnin, siç thoshte ajo kënga e tyre, punë e tyre prej të marrësh , dhe këtë ai do ta bënte,  po nga pesë burra kaçakë, si binte një gjethe pemës madhështore të perandorisë. Kaqë gjë ata nuk arrinin ta kuptonin. Atëhere mylazimi vendosi tu fliste  me tjetër gjuhë  kryengritësve të rrethuar:

-  Çerçiz Topulli! Dëgjoje mirë se çfarë do të them: hiq dorë nga jesiri dhe bjerë teslim. Jeni të humbur. Kurseje jetën tënde dhe shokëve të tu, se jeni në lule të  moshës. Paçka se ma përgjake taborrin, mëshira e Padishahut, që allahu i shtoftë ymrin dhe lavdinë, është e pafund dhe jo vetëm që do të ta falë jetën, se ai e çmon trimërinë dhe si prish trimat, por do të japë edhe rytbe, mall, kamje e gjë!

Atbotë u përgjegj Çerçiz trimi:

-Mylazim! Mos u fshih si gratë pas gurëve, por dil në ta mban të flasim në shesh  të burrave. Këto armë që kemi ngjeshur i kemi për të luftuar për lirinë e mëmëdheut të robëruar e jo për ti dorëzuar. Nderet na i bën populli dhe vendi ynë, sa për mall e gjë na mjafton e tepron ajo që kemi. Ne se lakmojmë gjënë e tjetrit si ju. Hiqe taborrë, leri djemtë e mi të shkojnë, se të skuq të bëj me bojë, se Çerçiz Topulli ma thonë!

Nuk vonoi përgjigja nga ana tjetër:

-Po jeni vetëm një grusht njerëz , more jezitë, mosmirënjohës e bukëshkalë! Dëgjoje mirë: do t’u shkoj në hanxhar dhe kufomat tuaja nuk do t’i tretë dheu se do t’ua hedh qenve!

-Ejani,po ju presim!-qe përgjigja.

Çerçizi, duke e sharë rëndë, duke e quajtur halldup, doç, burracak e frikacak, nxirte kryet dhe u thoshte: “Jemi bijt e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do të luftojmë deri në orën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut, se shqiptari di të vdesë sipas zakonit,  me nder e faqe të bardhë për atdhenë!”

Fryma e fjalëve e ndezi më keq flakën e luftës.

Pushkët villnin mizërinë e plumbave,qielli derdhte shi e breshër, era e ftohtë priste si brisk.Furia e luftës nuk rreshtëte.

MIhali u tmerrua, u zverdh e u bë dyllë dhe gjunjët iu prenë kur pa gjakun në ballin e Çerçizit.Shkoi me vrap tek ai:

-E ç’na bëre o kapedan, që na preve krahët? Pse nuk mejton edhe për ne e nuk dëgjon këshillat e mia, por të gënjyen e të joshën  turqit hileqarë me fjalë, gjer të zbulohesh e të plagosën?! Dale të ta mjekoj plagën.

- Ska nevojë, është vetëm një gërvishje nga një cifël guri –tha dhe tereziti mirë pushkën, mori në shenjë asqerin që e kishte qëlluar dhe nuk gaboi: asqeri u plandos i vdekur.

Çerçizi ishte shënjues i përsosur.

Ora dy e pasdrekës

Ushtoi trumbeta që i thërriste asqerët për tërheqje. Deri atëhere ishin vrarë tetë syresh. Të plagosurit ishin të panumërt. Të rrethuarit, pandehën se turqit po e braktisnin fushën e luftës, por gabonin: nuk shkuan as pesë minuta kur buçiti trumbeta dhe sulmuesit u turrën valë-valë duke qëlluar paprerë. Armiku kishte ndërruar taktikë:  ta mbulonin ahurin me zjarr të paprerë, që të rrethuarit të mos mgrinin dot kokën e të mos zbraznin dot asnjë pushkë.

Kapedani e kuptoi hilen e armikut:

-Qëlloni, qëlloni qoftë edhe  verbërisht e kuturu, mos i lini të afrohen se duan të na zënë të gjallë!-U tha kapedani. Ai, veç me pushkë, qëllonte edhe me revolver ata që guxonin të bënin çap përpara e ti afroheshin ahurit. Të njëjtën bënin edhe shokët. Ishte një ferr i vërtetë, ishte si të luftoje me djallin, turqit sikur mbinin nga dheu. Duhej përpjekje mbinjerëzore për ti përballuar e prapsur. Edhe pse shi e të ftohtë, ata kullonin djersë dhe nga kryet e lagur u dilte avull.

Pati edhe dy të vrarë të tjerë, gjaku turk vazhdoi të derdhej. Djemtë e Anadollit po i linin eshtrat larg, në vend të huaj. Por nga rrethuesit u plagos Myftari.

Eh, Myftari, kur e morën në çetë, nga stani i tij, pas kërkesës së të atit,iu duk si barrë. Me natyrë të qetë, i përmbajtur dhe pak i mefshët, nuk premtonte shumë. Por gabonin. Burrat provohen në luftë.Atë ditë,që ishte provë burrërie, pa droje, pa u trembur aspak, me guxim e trimëri, luftoi si një luan, ashtu si nuk e prisnin prej tij. U hoq pak mënjanë, u mbështet për muri dhe i tha Mihalit duke buzëqeshur:

-Më gërvishtnë pak të ligjtë!

Plumbi e kishte marrë në ije, Mihali ia lidhi plagën pa e xhveshur. Plaga nuk i pëlqeu se i rridhte shumë gjak,megjithatë i dha zemër:

-Mos ki dert, plaga është e lehtë dhe s’ka gjësendi.

Myftari u përgjegj burrërisht:

-E çdo të ketë , mor Mihal vëllai, më tepër se një vdekje për nder të Shqipërisë?!

Kur ju ftoh plaga, Myftari u ndje keq, iu shtuan dhimbjet dhe u ul shesh.

-Kam një amanet- u tha shokëve- mos më lini të bie i gjallë në dorë të ushtrisë, jepmini fund jetës dhe mermani kryet me vete!

Kishin mbetur katër pushkë. U dëshpëruan dhe u mallëngjyen për Myftarin, por i jepnin kurajë dhe e mbanin me shpresë se luftën as e kishin humbur as do ta humbnin dhe ai do të bëhej mirë e do ta shihte shqipërinë të lirë.

Kjo luftë,pa rreshtur aspak, mbajti me gjithë rreptësinë dhe tërbimin e saj deri në orët 4-5 pasdite. Plani I luftës sulmuese që bënë nuk u solli ndonjë dobi turqve veç të vrarëve e të plagosurve të tjerë. Ishin para një qëndrese vigane. Që as e kishin parë as dëgjuar. Turqit të lodhur,të dëshpëruar, të lagur e të mardhur filluan të tërhiqen. Lufta u rrallua. Kryengritësit, për të kursyer fishekët nuk po i qëllonin gjatë tërheqies.

-Po tërhiqen si qen të rrahur me bisht në shalë- tha kapedani-po kokëfortë si mushka që janë, zor se heqin dorë. Çlodhuni trima- pastaj tha me ashk: ah, çfarë nuk do të jepja për mjë cigare duhan!

Duhanin e pinin të gjithë. Shkundën xhepat dhe mblodhën thërrime duhani sa për të pleksur një cigare të hollë. E thithën dhe tymosën të gjithë me radhë, por gjysmën ja lanë myftarit që ti zbusnin dhembjet.

Nuk mjaftonin turqit, por ishin edhe armiqtë e tjerë: Urija, po bëheshin gati njëzet e katër orë pa shtënë gjë në gojë, shiu i paprerë dhe breshëri, era e akullt, etja se ujët e pagureve ishte mbaruar me kohë, pinë nga pellgjet dhe,….duhani. urija durohej, por mungesa e duhanit jo!

Ora pesë pasdite.

Kapedani vuri në sy dylbitë. Asqerët , pasi lanë dhjetë të vrarë po shkonin pa rregull në fshat. Pa që nga Gjirokastra kishte ardhur mytesarifi, kishte sjellë mjekë e farmacistë për të mjekuar të plagosurit dhe ushtarë e xhandarë të shumtë për të zëvëndësuar taborrin që thuajse kishte dalë jashtë luftimi me dhjetë të vrarë e afro dyzet të plagosur. Çerçizi i shihte si në pëllëmbë të dorës dhe mytesarifin dhe oficerët e tij mund edhe t’i vriste, por i tërhoqi vëmendjen midis tyre një civil që seç u thoshte duke lëvizur këmbë e duar. Ishte spiuni, ai gjakprishuri, që për një grusht para kishte shitur luftëtarët e lirisë, që një natë më parë kishte shkarë si gjarpër në errësirën e natës për të zbrazur helmin e tij në zyrat e hyqymetit dhe i kishte prirë taborrit turk.

Kapedani mbushi pushkën dhe i puthi tytën.

-Nderomë dhe mos më turpëro, moj grykëhollë, zbardhma faqen si përherë.

U mbështet te frëngjia, qytën në sup, tytën mbi gurë, syrin pishë, mori shenjë, drejt e në lule të ballit, mbajti frymën dhe tërhoqi këmbëzën. Nuk gaboi, spiuni u rrëzua njëhershe me krismën. E pagoi tradhëtinë e tij.

Mytesarifi dhe oficerët u shpërndanë si pulat kur u bie skifteri dhe u shtrinë përtokë. Lufta kishte rifilluar. Asqerët dhe xhandarët zunë vend te rrapi dhe nisën të qëllojnë, e trumba - trumba, të mbuluar  me zjarr nga shokët, mësynë drejt ahurit, me thika ndër dhëmbë, duke bërtitur: “Me dorë, me dorë, me këllëç e me hanxhar, ti grijmë arnautët”

Të rrethuarit u përgjegjën me zjarr të dendur, nga turqit nbetën edhe tre të vrarë. Kjo e shkrehu vrullin e tyre sulmues.

Lufta zgjati derisa ra muzgu. Po ngrysej, dita po ia linte vendin natës.

Gjithë atë ditë, nga egërsia e luftës u drithëruan edhe gurët  e  maleve për djemtë e tyre, lisat dhe drurët e pyjeve, prrenjtë  luginat e shpellat, ku trimat kishin limerët, jehona e britmës së lirisë ju përcoll reve  dhe qiellit, që s’rreshtën së derdhuri lotët e shiut, për të shplarë gjakun e plagëve dhe ftohur zjarrminë që u digjte ballin. Përroi i foli luginës, lugina pllajave të malit dhe mali reve. Retë i dëgjuan dhe butësisht si frymë përhapën mjegullën, të bardhë , të dendur, që mbuloi ahurin-fortesë dhe fushën e përgjakur të luftës.

-O burrani, trima, pas meje të dalim nga rrethimi, se na mbulon mjegulla, që erdhi si një bekim!

Të pestë, me kurmin e pajetë të Hajredinit mbi supe, dhe Myftarin e plagosur, bënë tatëpjetë përroit të thellë dhe morën udhën e malit. Rethimi ishte çarë. Çetën e prisnin beteja të tjera.

Ajo ditë e armëve të bardha, që me plumba e trimëri, kishte shkruar një faqe lavdie të lirisë, kishte mbaruar për të mos u harruar kurrë dhe për të hyrë në përjetësi  në kujtesën dhe nderimin e brezave me  emërin “Lufta e Mashkullorës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora