E shtune, 20.04.2024, 05:29 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Rektori famëkeq - Radivoje Papoviq

E merkure, 18.03.2020, 08:59 PM


Në pesëdhjetëvjetorin e Universitetit të Prishtinës

REKTORI FAMËKEQ – RADIVOJE PAPOVIQ

(“E urrej racizmin, se e konsideroj barbarizëm, pavarësisht nëse vjen nga njeriu i zi apo i bardhë”. N.Mandela)

Nga Adil FETAHU

Në vështrimin tim për romanin e shkrimtarit Ibrahim Kadriu: “Na ishte njëherë Lotë Vaku”, botuar para disa ditëve në disa media,  kam përmendur  në kontekst negativ emrin e Radivoje Papoviqit, ish-rektorit të dhunshëm të Universitetit të Prishtinës, në periudhën 1991 – 1998, se ky ishte nipi i kriminelit gjakpirës të shqiptarëve  Kojica Papoviq, nga Maroca e Medvegjës. Në këtë shkrim do japim hollësi tjera për prejardhjen,  punën dhe qëndrimin racist antishqiptar të Papoviqit të ri, në cilësi të rektorit të dhunshëm.

Prejardhja e Papoviqit

Pas Kongresit të Bërlinit (1878), kur fuqitë e mëdha ia dhanë Serbisë  tokat shqiptare të Jabllanicës së Epërme, Toplicës dhe Kosanicës, regjimi i Serbisë i dëboi me dhunë e krime të papara të gjithë shqiptarët autoktonë, ashtu që ai territor mbeti pa popullsi, pothuajse i shkretë disa vjet.Për të siguruar kufirin me Kosovën, që asokohe (deri në vitin 1912) ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, Serbia shpalli kolonizimin e atij territori me serbë e malazezë nga vende tjera. Thirrjes për kolonizim iu përgjigjen shumë malazezë e serbë nga Mali Zi dhe Hercegovina. Regjimi serbë i vendosi kolonët e rinj në brezin kufitar ndaj  Kosovës, iu dha shtëpi e toka të shqiptarëve,iu dha armë dhe mbështetje tjetër ekonomike e sociale dhe mbështetjen e ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe. Kolonët e ardhur  formuan njësitet e tyre  komite të armatosura, çetnike,të cilat i quanin “kërstashi” (kryqtarët), gjoja për të ruajtur kufirin.

Në mesin e kolonëve të ardhur në tokat dhe pronat e shqiptarëve ishte edhe familja malazeze, Papoviq nga fshati Kozance e rrethit të Nikshiqit. Gjyshi i Radivoje Papoviqit, Kojica, që u bë kriminel në zë kundër shqiptarëve, kishte ardhur  me të atin që ishte pop (prift) dhe tre vëllezër tjerë dhe ishin vendosur në fshatin Marocë, në vitin 1890. Për shkak të krimeve që bënte kundër shqiptarëve pas pushtimit të Kosovës (1912), kaçaku trim Lotë Vaku nga fshati Poliçkë i Kamenicës,në vitin 1917 e vrau Kojicën në oborrin e shtëpisë “së tij”. Kojica kishte tre djemë: Mitrin, Radovanin dhe Markon, të cilët ishin në  shkollim dhe në shërbim ushtarak. Radivoja, rektori i dhunshëm e famëkeq në Univeritetin e Prishtinës, është biri i Radovanit,dmth. nip i kryekriminelit Kojica.

Si u bë Radivoje Papoviqi rektor  i Universitetit të Prishtinës

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës (1989), regjimi i Serbisë me masa të dhunshme i pushtoi të gjitha organet,institucionet  dhe ndërmarrjet ekonomike, prej të cilave i dëboi shqiptarët dhe në vende udhëheqëse e në vende tjera të punës i solli serbë e malazezë nga të gjitha anët e ish-Jugosllavisë, madje edhe nga Rumunia.  Masat dhe organet e dhunshme në Universitetin e Prishtinës u vendosën me Vendim të Kuvendit të Serbisë, nr.152, dt. 27 qershor 1991 (publikuar në “Slluzhbeni gllasnik RS”, nr.38, dt.28.06.1991). Me atë rast  nga detyra e rektorit të Universitetit u shkarkua rektori Skënder Karahoda dhe prorektori Dali Emërllahu; për rektor u caktua Radivoje Papoviq, ndërsa prorektorë  Misha Doshliq dhe Stanoje Doganxhiq.  Sipas vendimit, rektori i dhunshëm quhej:  organ i përkohëshëm punëdrejtues, ndërsa prorektorët: zëvendës të atij organi.  Në vend të Pleqësisë së Universitetit u caktua një këshill prej tre vetash:  Shqepanoviq Lubomir,kryetar, Vukoviq Vlladeta  dhe Samarxhiq Drago – anëtarë. Sipas ligjit që ishte në fuqi, masat e dhunshme dhe mandati  (funksioni) i organeve të përkohëshme mund të zgjasnin 6 muaj, deri maksimalisht një vit, mirëpo Radivoje Papoviqi  mbeti në detyrën e rektorit të dhunshëm deri në fillim të vitit shkollor  1998/99.

Si person “me pedigre” kriminale, Papoviqi ishte me traditë një urrejtës patologjik kundër shqiptarëve. Në funksionin e rektorit, i mbështetur nga regjimi i Serbisë, bëri veprimet më famëkeqe në Universitetin e Prishtinës, kur nga objektet mësimore,nga bibliotekat dhe nga konviktet e Universitetit u përzunë të gjithë studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë. Duke marrë parasysh rëndësinë e Univeritetit, Papoviqi u bë një nga njerëzit kryesor dhe më të besueshëm të regjimit të Serbisë në Kosovë, dhe e quanin “gvozdeni rektor u svetoj zemlji” (rektori i hekurt në Tokën e shenjtë), apo “ikona e sërbizmit”. Ai u bë aq i fuqishëm,sa që nuk e përfilli, as nuk lejoi zbatimin e Marrëveshjes së lidhur  e nënshkruar (më 1 shtator 1996)   nga Millosheviq – Rugova, për kthimin e nxënësve e studentëve në objektet e tyre.

Teksti i Marrëveshjes Millosheviq - Rugova (Dokument, përkthimi im,jozyrtar)

Ka disa vjet që sistemi i arsimit nëKosovë- prej atij fillor e deri te ai univeritar nuk po funksionon normalisht.

Në bazë të marrëveshjës reciproke,të nënshkruarit: Kryetari i Republikës së Serbisë Sllobodan Millosheviq dhe dr.Ibrahim Rugova arritën pëlqimin që t’i qaset normalizimit të sistemit të arsimit për fëmijët dhe rininë shqiptare në Kosovë.

Kjo Marrëveshje parasheh kthimin e nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë në shkolla.

Për shkak të rëndësisë së saj shoqërore dhe humanitare, kjo marrëveshje është përmbi çdo debat politik. Kujdesin që ndiejnë të nënshkruarit për ardhmërinë e fëmijëve dhe të rinisë shqiptare, i ka udhëhequr të arrijnë këtë marrëveshje.

Ata poashtu iu falënderohën miqëve të vet të përbashkët nga Komuniteti Shën Egjidio për ndihmën dhe përkrahjen që kanë dhënë për realizimin e dialogut.

Të nënshkruarit besojnë  në gadishmërinë e të gjithë atyre që janë të detyruar ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e sistemit të arsimit. Për realizimin e kësaj marrëveshjeje, do të formohet grupi i përbërë 3 + 3.

Kur të rinjët t’i qasen seriozisht ngritjes së tyre arsimore e kulturore, ashtu që të bëhen qytetarë përgjegjës, do të vie deri te fitorja e civilizmit, e jo deri te fitorja e njenit mbi tjetrin.

Dr Ibrahim Rugova                                                            Kryetari i Republikës së Serbisë

Slloboan Millosheviq

*

Rektori Papoviq dhe regjimi i dhunshëm serb në Kosovë, nuk e prefillën as zbatuan marrëveshjen në asnjë segment. Përkundrazi, ashpërsuan dhunën dhe presionin ndaj arsimit që zhvillohej, sa për ta mbajtur gjallë, nëpër shtëpi dhe objekte private.  Në mars të vitit 1998, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Shën Exhidio nga Roma (ms.Vinçence Pale, prof.Roberto Maroco dela Roka dhe dr Marija Dira), u bë edhe një tentim për realizimin e marrëveshjes Rugova – Millosheviq, për normalizimin e mësimit shqip në Kosovë, por as ajo përpjekje nuk dha rezultatet, mu në saje të këmbënguljes së Papoviqit  me kompani, që të pamundësohet arsimi në gjuhën shqipe. Marrëveshjen (Protokolin) e 23 marsit 1998, me ndërmjetësimin dhe ndihmën e Shën Exhidios, e kishin arritur e nënshkruar:  Fehmi Agani, Abdyl Rama dhe Rexhep Osmani (për palën shqiptare), dhe Ratomir Vico, Goran Perçeviq e Dobrosllav Bjeletiq (për palën serbe). Në atë marrëveshje, parashihej që:

më 31 mars 1998 Instituti Albanologjik të jetë i hapur për shfrytëzuesit e mëparshëm;

në bazë të propozimit të komsionit 3+3, deri më 31 mars, San Exhidio do t’i caktojë tri faktultete të Universitetit të Prishtinës, në të cilat deri më 30 prill do të rikthehen studentët dhe profesorët shqiptarë, ashtu që studentët në gjuhën serbe të mësojnë deri në ora 14, e pastaj vijnë studentët shqiptarë, dhe ky ndërrim do të bëhet alternativ në çdo semester;

deri më 30 prill do të caktohen edhe tri fakultete tjera,në të cilat do të kthehen studentët dhe profesorët shqiptarë deri më 31 maj;

studentët dhe profesorët shqiptarë në fakultetet tjera do të kthehen në objektet e tyre deri më 30 qershor 1998, sipas kushteve të njëjta të mësimit në dy ndërrime (serbe e shqiptare). Deri më këtë date (30 qershor 1998) do të rikthehen studentët dhe profesorët shqiptarë edhe në shtatë shkolla të larta, sipas të njëjtave kushte të mësimit në dy ndërrime.

Deri më 30 shtator 1998, studentët dhe profesorët shqiptarë do të mund të kthehen e t’i shfrytëzojnë objektet tjera të Universitetit: konviktet, mensën, bilbliotekat, ashtu që viti akademik të fillojë në mënyrë të rregullt prej 1 tetorit 1998.

Deri më 31 mars 1998, do të rikthehen në shkollat e tyre edhe nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë të shkollave të mesme dhe  atyre fillore, në ato ndërtesa të cilat aktualisht nuk janë në shfrytëzim, dhe në ato që janë në përdorim do të kthehen sipas kushteve të mësimit në dy ndërrime.

Komisioni 3 + 3 i ndihmuar nga San Exhidio do të shikojnë mundësinë e ndërtimit të shpejtë të objekteve të reja universitare e shkollore, për të shtuar kapacitetet e nevojshme.

Komisioni 3 + 3, me ndihmën e Komunitetit San Exhidio, do të formojnë grupe të cilat do të shqyrtojnë problemet tjera që dalin në normalizimin e sistemit të arsimit, siç janë: financimi, administrata, gjuha, diplomat, programet, titujt dhe gradat, personeli, etj.

* * *

Këto marrëveshje ishin një blef dhe manovër pushtetit serb, për t’u arsyetuar para faktorëve ndërkombëtarë, gjoja se po përpiqet të sigurojë të drejtën e shqiptarëve për arsim, por nga ana tjetër, përmes njerëzve si Papoviqi e papoviqët e tjerë të regjimit, bënin obstruksione dhe kurrë nuk lejuan realizimin e marrëveshjeve as normalizimin e arsimit në gjuhën shqipe.

Në një tubim të rreth 15000 studentëve serbë, të mbajtur më 24 mars 1998, rektori i dhunshëm Papoviq, nënshkrimin e Protokolit për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e arsimit shqip, e cilësoi si tradhti kombëtare, duke thënë: “Nënshkrimi i sotëm është shitje e Kosovës, është shkatërrim i Kosovës, ky është turp për kombin, por nuk do t’iu lejojmë as universitet paralel as fëmijëve të separatistëve të përkundën në djepin serb”.

Pas protestës së studentëve, që u mbajt më 1 tetor 1997, rektori i dhunshëm Papoviq, në deklaratat e tij dhënë mediave serbe,thoshte: “Universiteti është institucion i shtetit, e jo i pakicës kombëtare; nëse sot u japim universitetin, ata nesër do të kërkojnë shtetin e tyre, prandaj nuk do t’iu lejojmë as kthimin në universitet, as universitet paralel. Protesta është armiqësore, e organizuar jo vetëm kundër Universitetit, veçse kundër gjithçkaje që është serbe dhe civilizuese. Separatistët duan gjithçka të veprojnë veçmas, në mënyrë separatiste, gjithçka antiligjore, antikushtetuese dhe antiserbe”.

Papoviqi në tubime, intervista dhe në emisione të ndryshme volli tërë helmin nacional-shovinist kundër shqiptarëve. Studentët shqiptarë i quante “armiqë monstrumë”, kurse për Univeritetin e Prishtinës thoshte se “është universitet serb dhe i tillë do të mbetet, derisa arsimimi i shqiptarëve është vetëm përgatitje për terrorizëm”. Papoviqi disa herë ka pohuar se “në spastrimin e Universitetit të Prishtinës e ka shfrytëzuar metodën e kolonizimit, të cilën e kishte shfrytëzuar Mbreti Aleksandar Kragjorgjeviq para Luftës së Dytë Botërore. I vjen keq që kjo metodë nuk është shfrytëzuar sa duhet, por serbët po punojnë që kjo ide të ringjallet përsëri, ngase ky është interesi i shtetit serb”. Në një intervistë dhënë revistës javore NIN, të datës 30 shtator 1994, Papoviqi ndër të tjera deklaroi se”gjatë dy vjetë e gjysëm të kaluara, në Universitetin e Prishtinës i ka sjellë 7000 studentë  të ri dhe 348 profesorë serbë nga Serbia dhe nga viset e tjera jashtë Kosovës”. Në një nga intervistat në B=92, në vitin 1994, Papoviqi thoshte: “Serbët në Kosovë janë kryesorë, janë masë e vlerës dhe të gjithë të tjerët duhet të sillën sipas kritereve të tyre. Kush i jep të drejtë pakicës kombëtare që ta shohë Kosovën si diçka të veçantë? Është e palejueshme që pushteti ka një tolerancë të pakuptueshme ndaj Shqiptarëve. Problemi këtu qëndron vetëm në respektimin e ligjit, por shqiptarët nuk dijnë në mënyrë të civilizuar të repektojnë ligjin”. Deklaratat e tilla të Papoviqit, paraqesin vepra të rënda penale, por ndaj tij asnjëherë nuk u ngrit ndonjë procedurë përgjegësie.

*

Për t’i vu kulmin nacional-shovinimit klerofashist serb, rektori i dhunshëm Papoviq,në marrëveshje dhe bashkëpunim të ngushtë me patriarkun e KOS, Pavle, në qendër të Kampusit të Universitetit ndërtuan objektin e kishës, të quajtur “Hram Hrista Spasa” (Tempulli i Krishtit të Shpëtimit). Papoviqi ia dha 4-7 ha tokë, në të cilën u ngrit tempulli dhe objekti tjetër për banesa, zyra dhe lokale tjera për nevojat e kishës. Ndërtimi i kishës filloi me një pompozitet të madh, me flamuj e transparente serbe,  më 5 dhjetor 1992, në praninë e shumë klerikëve dhe qytetarëve serbë, në mesin e të cilëve ishte edhe krimineli Arkan  dhe kriminelë tjerë të shumtë. Përfundimin e ndërtimit dhe përgatitjes së kishës e ndërpreu lufta që u zhvillua në Kosovë. Tash Universiteti i Prishtinës me të drejtë e konteston ligjëshmërinë e ndërtimit të kishës në tokën e Kampusit të Universitetit, ndërsa nga ana tjetër KOS pretendon ta përfundojë ndërtimin e ta vejë në shfrytëzim, gjë që nuk duhet të lejohet kurrësesi, sepse në Kampusin e Universitetit nuk e kanë vendin as kisha as xhamia. Ka mendime se atë objekt të kishës duhet shndërruar në galeri të arteve, apo në muze të gjenocidit serb të kryer kundër shqiptarëve. Por, e mira e së mirës është që ai objekt të rrënohet dhe të zhduket pa  shenjë e nishan.

Atentati kundër Papoviqit

Rektori famëkeq, Radivoje Papoviq, që banonte në lagjën “Dardania” të Prishtinës, më 16 janar 1997 mbijetoi  një atentat. Në të vërtetë, në mëngjesin e asaj dite, duke shkuar në punë, me veturë zyrtare, u trondit nga një eksplodim që shpërtheu nga një veturë tjetër e parkuar. Me atë rast u plagos Papoviqi dhe shoferi i tij. Për atentatin qarkullonin verzione të ndryshme: se është vepër e UÇK-së; të tjerët thoshin se atentatin e kanë kryer njerëzit e Millosheviqit, për shkak se Papoviqi ishte bërë i padëgjueshëm, që nuk e përfilli Marrëveshjen e tij me Rugovën, ndërsa verzioni tjetër atentatin e vënte në lidhje me interesa financiare ilegale.

Për shkak të kokëfortësisë së tij, që nuk pranoi ta zbatojë as marrëveshjen Rugova – Millosheviq (1.9.1996), as Protokollin Agani – Vico, e të tjerë (23 mars 1998), Millosheviqi e shkarkoi Papoviqin nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës, në fillim të vitit shkollor 1998/99. Prej atij viti, Papoviqi ishte profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit.

Është për habi se si në monografitë e Universitetit të Prishtinës,të botuara me rastin e përvjetorëve të ndryshëm, nuk ka të dhëna,madje as nuk figuron emri i rektorit të dhunshëm Radivoje Papoviq, i cili ishte shkatërrues i këtij Universiteti për gadi një dekadë, që përveç atij shkatërrimi, la pas vete edhe sherrin e madh, kishën ortodokse në mes të Kampusit të Universitetit.  Përmendën me radhë rektorët, prej të parit deri te i fundit: Dervish Rozhaja, Idriz Ajeti, Feriz Krasniqi, Gazmend Zajmi, Minir Dushi, Hajredin Hoxha, Bozhidar Çollakoviq, Stevan Balosheviq, Skënder Karahoda, Ejup Statofci, Zejnel Kelmendi, Arsim Bajrami,  Enver Hasani, Mujë Rugova,  Ibrahim Gashi, Anton Berishaj, Ramadan Zejnullahu e Marjan Demaj, të cilët kanë udhëhequr Universitetin periudha më të shkurtëra, e nuk përmendet Papoviqi që ishte në krye të Universitetit shtatë vjet, e që la pasoja për shtatëdhjetë vjetë tjera. Apo, ne jemi popull që harrojmë shpejtë mizoritë që na kanë bërë të tjerët!

Papoviqi rektor i Universitetit të Mitrovicës; reagojnë organizmat ndërkombëtare

Regjimet serbe e kanë në traditë, që eksponentët më në zë të nacional-shovinizmit dhe kriminelët serbë t’i  ruajnë dhe avancojnë në pozita të larta shtetërore, politike dhe institucionale. Kështu, pas gjashtë vjetë “pauze”, Qeveria e Serbisë (V.Koshtunicës), më 23 prill 2004, e emëroi Papoviqin rektor të Universitetit njënacional serb në Mitrovicë, pasi paraprakisht në mënyrë të kundërligjshme e shkarkoi rektorin Gojko Saviq. Gojko Saviqit iu zu për të madhe se është në rrugë për t’u integruar në sistemin arsimor të Kosovës. Kundër emërimit të Papoviqit në krye të Universitetit serb të Mitrovicës reaguan organizmat ndërkombëtare. FederataNdërkombëtare e Helsinkit, më 8 maj 2004 i dërgoi letër të hapur kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Vojisllav Koshtunicës, duke e quajtur emërimin e Papoviqit si provokacion që mund të ketë pasoja. Në emër të 700 fakulteteve të Europës, më 2 qershor 2004, reagoi edhe Asociacioni i Universiteteve të Europës (EUA),  duke shprehur brengosjen e tij për shkarkimin e Saviqit dhe emërimin e Papoviqit, e  duke kërkuar anulimin e vendimit për emërimin e Papoviqit, përndryshe vendimi do të shkaktojë pasoja të mosnjohjës së diplomave të atij Universiteti për të vazhduar studimet në universietet europiane.  Me një letër të dërguar Vojisllav Koshtunicës, më 25 qershor 2004,  Charles H.Brayshaw, në emër të Harri Holkerit, shefit të UNMIK-ut, ia tërheq vërejtjen Koshtunicës, se emërimi i Papoviqit nuk ka bazë legjitime dhe paraqet svidë për të ardhmën e Universitetit të Mitrovicës.  Pas këtyre reagimeve, Qeveria serbe u detyrua ta tërheq vendimin e vet për emërimin e Papoviqit rektor të Universitetit serb në Mitrovicë.

Në gusht të vitit  2013, me rastin e rikonstruimit të Qeverisë së Serbisë (kur kryeministër ishte Ivica Daçiq), u bë edhe një përpjekjet për ta rehabilituar Papoviqin,  duke e nominuar si kandidatin më serioz për  ministër të arsimit të Serbisë, veçse këtë emërim e penguan reagimet e shumta të forcave progresive në Serbi, ndër të cilat ishte edhe organizata joqeveritare e quajtur “Inicijativa mladih za ljudska prava” (Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut), e cila e cilësonte Papoviqin të padenjë dhe të papërshtatshëm për të qenë minister i arsimit, duke ia numëruar edhe qëndrimet dhe veprimet e tij kundër shqiptarëve dhe arsimit në gjuhën shqipe. Reaguan edhe  shume organizata e shoqata tjera, të cilat argumentin qëndrimet dhe veprimet raciste e luftënxitëse të Papoviqit sa ishte rektor (i dhunshëm) i Universitetit të Prishtinës. Këto reagime  ndikuan që të mos vjen deri te emërimi i tij për ministër.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora