Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vilhelme Vrana Haxhiraj: Koronavirusi - Zbatoni këshillat dhe do të jeni të fituar!

| E merkure, 18.03.2020, 07:37 PM |


Të nderuar miq të letrave, media si dhe miq të mi!

E gjithë bota po kalon një periudhë të vështirë, e cila ngjason me një luftë të ashpër dhe me një armik të rrezikshëm, me koronavirusin vdekjeprurës. Kjo betejë ka ndryshim me luftërat botërore që ka përjetuar njerëzimi, pasi armiku ka qenë përballë dhe shtetet kanë ditur të mbrohen. Kurse tani jemi në një situatë shumë më të vështirë  sepse kemi përballë një armik të padukshëm që duhet ta luftojmë me durim.

Veç karantinës, kujdesit higjenik, kufizimit të daljes  dhe takimeve publike, gjithë qytetarët në këtë periudhë të vështirë, kanë nevojë për shpresë.

Natyrisht që mediat do të bëjnë punën e tyre me statistikat në lidhje me të infektuarit apo të atyre që kanë humbur jetën, sepse kjo i bënë njerëzit më të  kujdesshsëm në zbatimin e rregullave dhe udhëzimeve të dhëna nga Institucionet shëndetësore.

Megjithëse Qeveria shqiptare e kapi shpejt situatën duke marrë masat e me udhëzimet e duhura, porse edhe këtu po përhapet virusi, ndonëse me ritme më të ngadalta krahasuar me Italinë fqinje. Media duhet të kenë kujdes që të mos ndjellin panik. Gjithashtu qytetarët nuk duhet t'i pushtojë paniku, nga fika se një ditë mund të preken prej virusit. Paniku nuk është në favor të luftës që duhet të bëjmë me virusin, por është kundër, sepse na çorienton dhe nuk jemi në gjendje t'i bëjmë familjes dhe vetes shërbimet e duhura. Gjakfohtësia në çaste të vështira është mikja më e mirë e çdo personi. Ju lutem, ruani qetësinë që të mos humbisni gjykimin!

Miq të nderuar, kurrë mos e humbisni shpresën se ajo vdes e fundit!

Zbatoni këshillat dhe do të jeni të fituar!

Mikja juaj e të njëjtit hall!

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vlorë,18.3.2020