Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Anton Berisha: Moment për reflektim

| E marte, 17.03.2020, 06:29 PM |


BRISHTËSIA E JETËS TONË NË KËTË PLANET, E SHPËRFAQUR ME COVID-19, MOMENT PËR REFLEKTIM

Nga Anton Berisha

Ajo çfarë është duke ndodhur në këtë kohë me Coronavirus, është se bota e niveleve të ndryshme e dallimeve të mëdha, papritur, përnjëherë ndodhet e tëra në një anije.

E gjithë historia botërore, që nga luftërat e deri tek armatimet bashkëkohore nukleare, sistemet e ndryshme të organizimeve shoqërore, veprave të mira kulturore, artistike e sportive, e çkado tjetër, nuk arritën të bëjnë atë çfarë është duke bërë një virus, që dorën në zemër, ne nuk e dimë se a është natyror apo kimik, për ta bërë botën, siç është një shprehje e popullit ‘pyk’, duke e përballur njerëzimin, me nivele të ndryshme ekonomike, organizative, kulturore e historike, në një gjendje të përbashkët në sfidën e përballjes me të njëjtin fat: mbijetesën.

Treguesi i parë e thelbësor me këtë virus, është fragjiliteti (brishtësia) i jetës tonë në planet.

Treguesi i dytë, është domosdoshmëria e të kuptuarit, se shoqëritë dhe shtetet e veçanta, edhe ato me superioret, kanë marrë leksionin se bashkëpunimi dhe koordinimi tash e tutje do të jetë domosdoshmëri e pashmangshme. Kjo vlen për shtetet, për sektorët përkatës, shkencor, mjekësor, organizativ, siç e theksoi para pesë viteve Bill Gates, edhe ushtarak për të krijuar një sistem konfrontues me ‘armikun’ e të gjithëve ne, siç doli të jetë Covid-19.

Përderisa shifrat e infektimit, qe tash në epiqendër kanë Europën, janë në rritje shqetësuese, që kërkojnë përballje të secilit shtet me njerëzit e infektuar, me panikun e krijuar, me shpëtimin e jetëve, që kërkon mobilizim shtetëror por edhe ndërshtetëror, me shpresën që situata megjithatë mund të tejkalohet, kjo është një situatë që Europa dhe bota, duhet të ndalet e të reflektojë, për mënyrën e stilit të jetës që kemi aplikuar.

Dallimet ndërmjet shteteve dhe klasave, në të pasur dhe të varfër, tash kur virusi është duke i relativizuar ngase është duke prekur shtete të zhvilluara por edhe individë të klasës së lartë, do të duhej një reflektim ne sistemet shëndetësore e deritanishme dhe në investimet brenda-shtetërore. Meqenëse rasti konkret, ka të bëjë me mjekësinë respektivisht me shkencën, si mundesia kryesore për zgjidhjen e problemit, një riorentim investues është domosdoshmëri, që me një rast të thjeshtë e ilustroi mjekja italiane që tha se mjeku që paguhet rreth 1300 euro duhet të merret me shpëtimin e jetës së sportistëve, në të cilët investohet edhe deri në një milionë euro. Ne kontekst më të gjerë, Europa por edhe bota duhet të orientohet në një sistem përkujdesjeje mjekësore në nivel global e jo si deri më tash parcial e të mbyllur.

Shembull tipik, është vet rasti ynë, kur ne ndonëse me Shqipërinë kemi bërë sa e sa mbledhje të qeverive, i takojmë një kombi, ne këtë situatë s’kemi asnjë bashkëpunim e as ndihmesë, përkundrazi kemi mbyllur kufijtë dhe përballemi me virusin krejtësisht të pavarur pa asnjë lloj bashkëpunimi e as solidariteti. E njëjta gjë është duke ndodhur edhe me shtetet shumë më të zhvilluara, si ilustrim, Italia e Gjermania po ashtu janë duke u përballur pa ndonjë interaksion, ndonëse të dyja janë shtete anëtare të UE-së.

Duke marrë parasysh qasjen racionale, se sado e dhimbshme dhe më shumë jetë njerëzish të humbura, kjo situate do të tejkalohet, shtrohet pyetja thelbësorë: çfarë të bëhet në situatën e ardhshme ngase Covid-19, me siguri nuk do të jete sfida e fundit e njerëzimit.

A do të kuptojnë shtetet dhe individët, ashtu siç e theksoi drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva se pabarazia financiare dhe ndryshimet e mëdha ndërmjet shteteve e individëve, mund të krijoj pasiguri të tipit të Depresionit të Madh, se është koha e reflektimit etik dhe solidaritetit global, mbetet të shihet, dhe Covid-19 mund të ketë ‘efektin anësor’ për të tejkaluar egoizmin e etabluar ndër shekuj.

Tash, që Covid-19 në një formë ka shkrirë dallimet, duke mbyllur në shtëpi njerëzit, pavarësisht përkatësisë së tyre shtetërore apo klasore, është momenti për të kuptuar se ne, pa dallim, jemi qenie të brishta në këtë planet, dhe për të mbijetuar na duhet bashkëpunimi bazuar në solidaritet, bashkëpunim e mbi të gjitha qasje humaniste.

A do të jetë kjo një situatë e rëndë nga e cila do të marr mësim bota, kjo mbetet ta shohim?!