E merkure, 24.04.2024, 02:43 PM (GMT+1)

Mendime

Bashkim Kopliku: 100-vjetori që shqetëson

E shtune, 18.10.2008, 12:36 PM


Bashkim Kopliku

100-vjetori që shqetëson

Nga Bashkim Kopliku

Dy janë mënyrat bazë si u “prit” 100-vjetori i lindjes së Enver Hoxhës. Njëra është ajo e nostalgjikëve  që qajnë kohën e shkuar, kur ishin në tavë, paçka se në pozicione lakejsh. Iu jepte kënaqësi pozicioni relativ: kishte të tjerë që dergjeshin internimeve dhe dëbimeve, e ata ishin diku aty afër, por gjithsesi një çikë më lart. Pritja tjetër e përvjetorit të diktatorit, është ajo e atyre që sot nuk pajtohen kurrsesi me enverizmin, pavarësisht se në kohën e tij, edhe nuk bënin të gjithë dot heroin. Këta janë shumë, i bie të jenë nja 99% e popullit, gjykuar nga rezultatet e fundit të votimeve: partitë komuniste, apo të punës, ato që e pranojnë Enverin, të gjitha bashkë zor se morën ndonjëherë tash 18 vjet, më shumë se 1% të votave: të votave pak a shumë të lira.
Një pritje të merituar i bën “100-vjetorit që shqetëson”, Pëllumb Kulla, regjisori, skenaristi, artisti, i dënuari në gurore, “i famshmi nga Fieri i kohës së komunizmit”, diplomati në post-komunizëm. Pëllumbi na bie një libër: “Vdekja e Enver Hoxhës”, të botuar në Nju Jork, por edhe në Tiranë njëkohësisht. Është një libër për të gjithë, të rinj e të vjetër, një libër pa kundërvënie në mes kampeve të Sali Berishës apo të Edi Ramës, brenda pjesës së mirë të tyre e të shumicës së shqiptarëve: kundër diktaturës. Libri sjell gjykimin e një shqiptaro-amerikani tashmë, që ka mentë e lirisë, të pastruara e të çliruara nga vargonjtë tanë prej kompromisaxhinjsh me të keqen.
* * *
Natyrisht që gjëma më e madhe që i bëri këtij populli regjimi enverist, ishte dërrmimi i karakterit të shqiptarit. U përpoq ta transformojë në një servil, spiun, hipokrit, dembel, hileqar, ziliqar. E gjithë kjo duke mbjellë vdekje, internime, punë të detyruar e punë të paguar keq. Të gjitha këto janë në librin e Pëllumbit.
Por tek “Vdekja e Enver Hoxhës”, tek libri, ka brenda edhe një vdekje shumë mbresëlënëse, ajo e një intelektuali, e profesor Bestar Melos, në kapitullin “Cilin Përcjell kjo Muzikë”. Bestari është një i dënuar në burg nga enverizmi. Burgu fillon të bëjë punën e vet: të përkulë edhe intelektualë të mirëfilltë si Bestari.
Një nga një, “për një lugë sheqer në çaj”, të burgosurit braktisin heroizmin e Kujtimit, një djaloshi të pafajshëm edhe formalisht, por prapë se prapë të rrasur në burgun enverist. Nga një anë Kujtimi, shembull i konsekuencës dhe i papërkulshmërisë, nga ana tjetër makina shtypëse enveriste. Por kësaj makine mund t’i rezistonin vetëm supernjerëz, si Kujtimi—ai ishte “vetëm një”.
Njerëzit normalë filluan të thyhen nga makina enveriste, që nga një tregtar, e me radhë të gjithë në dhomën e burgut — kush nuk po thyesh në Shqipërinë e asaj kohe, edhe jashtë burgjeve, dhe jo më aty brenda. Me thyerjen, ata po bëheshin dhe pjesë e asaj makine shtypëse. Por filloi thyerja edhe tek profesor Bestari, shembulli i intelektualit të lirë e patriot, i elitës shqiptare.
Është pikërisht pranimi dhe përshkrimi i fillimit të dorëzimit të profesor Bestarit, ajo që e bën Pëllumb Kullën të vërtetë, realist, të kundërt me “realizmin socialist”. Profesor Bestari filloi të ketë dhe ai shenjat e lodhjes nga makina shtypëse enveriste e burgut. Edhe ai u “gëzua që e pinë çajin me sheqer”, si rezultat i dënimit kolektiv që i dhanë qëndrimit konsekuent të Kujtimit. Pëllumbi gjykon siç është e vërteta, edhe një personazh që e do shumë. Por e vërteta është shumë komplekse.
Dhe ja, ajo që e çliron nga thyerja, nga rrëzimi moral, profesor Bestarin, është hipokrizia dhe fyerja kolektive që u bën personalisht Enver Hoxha të burgosurve, kur viziton burgun dhe u kërkon që publikisht ta dënojnë kot Kujtimin, konsekuentin. Këtu Bestari çlirohet nga makina shtypëse e burgut: sikur nuk e duron më veten që kishte filluar të thyhet. Trysnia e madhe, e shprehur me paraqitjen e urryer të Enverit, bëri efektin e kundërt: zgjoi profesor Bestarin dhe e ktheu në atë që ishte në përmbajtje, një intelektual, një njeri që vetëflijohet për të drejtën, për të tjerët.
* * *
Na duket se libri i Pëllumb Kullës, ka një “i bie pragut që të dëgjojë dera”. Duke e lexuar atë, pa dashje na duket sikur u bëhet thirrje shqiptarëve të sotëm: dënoni enverizmin si një periudhë e zezë e historisë së vendit tonë, por jo vetëm kaq. Edhe sot, vendi ka nevojë për qëndrestarë konsekuentë, si Kujtimi; edhe sot Shqipëria ka nevojë për intelektualë si profesor Bestari. Vërtetë që shoqëria jonë nuk është më nën shtypjen mizore të një regjimi enverist, por ama ka shumë gjëra për të përmirësuar, e prandaj duhet përpjekur, e jo dorëzuar para makinës shtypëse moderne të kohës që jetojmë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora