E enjte, 18.04.2024, 05:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Dekalog nga Koronavirusi

E marte, 17.03.2020, 10:40 AM


DEKALOG NGA CORONA VIRUS-i

(Sipas një realieti jo vetëm virtual. Dekalogu u zbrit nga do "hapësira të pajnohura")

Kërkohet lamja e duarve para leximit të këtij DEKALOGU

Nga Prend BUZHALA

1. CORONA VIRUS-i NA THOTË: Tash unë jam mbret i kësaj bote, krenaria e kësaj bote, I Pari i kësaj bote. Unë jam pranë jush besniku më i madh. Ti që lutesh shumë, a nuk më ke kërkuar për t'i larë duart nga unë, a nuk e ke kërkuar shërbimin tim mbretëror e hyjnor? E di se duart lahen para Lutjes, para e mbas buke e besa edhe gjetiu... prandaj LAJI DUART SA MË SHPESH, e në daç atëherë edhe lutu. A nuk e ke kërkuar Fuqinë Time kur u lute?

2.. CORONA VIRUS-i NA THOTË: unë ju dua shumë, po më përqafove ti njeri i dashur mua, unë ty të bëj të fuqishëm, të shndërroj në bombë: së pari e dërgon në parajsë të afërmin tënd, e mandej me rend, krejt të tjerët, me të cilët përqafohesh a gjendesh afër tyre, apo çka ti prek me dorë, e në fund, e dërgon edhe vetveten në parajsë.

3. CORONA VIRUS-i NA THOTË: me mua e ke të lehtë, të gjithë ikin prej teje... dhe, kur të zënë, të mbyllin, që as dritën e diellit nuk do ta shohësh, as të afërmit nuk t'i lënë afër teje, as të përshëndeten me ty, aq armiqësor do të tregohen të gjithë me ty, kur të lënë të vetmuar... i vetmi jam unë që nuk të lë të vetmuar, të shoqëroj dhe qëndroj me ty...

4. CORONA VIRUS-i NA THOTË: jam mjeshtër i mrekullive moderne: unë di të krijoj karantina për njerëz pa i prekur fare me dorë, di të krijoj izolime për ta, e izoloj një qytet të tërë, e besa edhe një shtet të tërë... a nuk e keni ëndërruar këtë forcë timen?!

5. CORONA VIRUS-i NA THOTË: di të krijoj frikë e ankth, e besa, duke krijuar shumë miq, krijoj edhe hajgare historike, e krijoj shakanë historike më proverbialen për të gjitha kohët... Cili mbret, cila perandori dhe cila luftë e ka arritur këtë me kaq forcë të padukshme, siç jam unë?!

6. CORONA VIRUS-i NA THOTË: a nuk kam forcë t'i mbyll kufijtë e shteteve pa ia pasur nevojën t'i kalojë dikush? A nuk arrita t'i ndaloj krejt takimet diplomatike, krejt vizitat turistike, krejt vërshimet e refugjatëve; krejt aeroplanët, trenat, autobusët, veturat, fabrikat, industritë, vend-punishtet, me një fjalë, kush ka forcë si unë ta paralizojë jetën?

7. CORONA VIRUS-i NA THOTË: atë që ke dashur t'ia bësh dikujt tjetër (dhe ia ke bërë), duke e përbuzur, duke e veçuar, duke e stigmatizuar, a nuk ishte kërkesë jotja që të vija pranë Teje? A po kënaqesh me fuqinë time, kur edhe ti po e provon vetë po të njëjtën gjë? Sa bukur!

8. CORONA VIRUS-i NA THOTË: është bukur të mos punosh asgjë, rri mbyllur. Çka po të duhet puna në arë; çka po të duhet puna në Fabrikë, në zyrat e shtetit, në biznes, në tregti a kudo tjetër... e përse ta shijoni jetën kafeneve, duke e urryer Tjetrin, duke krijuar mosmarrëveshje me Tjetrin, duke gënjyer, mashtruar, vjedhur a duke u dhënë pas ndonjë babëzie Tjetër... më mirë shijoje kështu, i mbyllur, larg atyre të këqijave, duke mos pasur guxim as të punosh e as të dalësh as të kesh rast të vjedhësh, ta shash a sulmosh Tjetrin... A nuk më ke ftuar ti si mysafir në tryezën tënde të grindjeve politike, prandaj më mirë veçohu, mos merr pjesë te e keqja,... sepse këtë vetë e ke kërkuar, ti më ke ftuar të vij pranë Teje!

9. CORONA VIRUS-i NA THOTË: A nuk është e bukur jeta pa lëvizje, pa takime, pa prodhime? Madje, edhe më bukur: ata që[ kanë e ata që prodhojnë, tashmë heqin dorë nga solidariteti për ata që nuk kanë, sepse ata i kam përvetësuar unë. Tash po kënaqem me tempuj të zbrazët... A nuk është e bukur jeta pa manifestime, pa kongrese e konferenca, pa gazeta të përditshme, pa libra të botuar, pa... bukë, ilaçe, ujë,..

10. CORONA VIRUS-i NA THOTË: Kam shëtitur nëpër të gjithë Universin e nuk më bënë konak. Konaku im është Ferri. Por Ferri nuk ma ofron këtë kënaqësi që ma ofron Toka. Vetëm Toka u tregua mikpritëse dhe e falënderoj shumë! E çka tjetër kërkuat prej meje e nuk u realizua? S'kam çka t'iu bëj as atyre TË MIRËVE që nuk me deshën e as më kërkuan... por dëgjova zërat e lutjeve... Lani duart!

Çka do që kërkoni nga unë, secilën dëshirë ua realizoj... Unë jam këtu, në mikpritjen tuaj...

(Në ndërkohë, kur u duk DIELLI I NGROHTË mbi botë, për çudi I PARI I BOTËS u dridh së tepërmi... mendoi se edhe Toka do të jetë e ftohtë dhe pa dritë, si Ferri... u struk dhe humbi dikah).

(Prend Buzhala, 15 mars 2020)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Shyqyri Fejzo: Lufta e re

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora