E premte, 19.04.2024, 08:46 AM (GMT+1)

Mendime

Syrja Kurti: Qëndresa

E marte, 17.03.2020, 09:42 AM


Qëndresa

Nga Syrja Kurti

  një vend të quhet i shkretë  dhe të  perdoret  termi shkretëtire  nuk është e thënë që të ketë sipërfaqe pafund rëre të kuqe dhe duna rëre ku era fërshëllen me tinguj të çuditshëm. I shkrete  mund të quhet  sot më shumë se kurrë  edhe   qyteti im. Madje shkretinë  ja shtojnë më  shumë godinat nga ku nuk del dhe nuk hyn njeri. Nuk e di nëse në historinë e tij katërmijëvjeçare Durrësi ka pasur një situatë  të ngjashme me  këtë kur  banorët e tij janë  detyruar të sillen si tani.Edhe në kohërat më të këqija , kur bota lëngonte  dhe kur murtaja e kolera bënin kërdinë,  banorët e këtyre trevave nuk kanë përjetuar tmerret e Evropës prej sëmundjeve që vinin nga  Azia. Edhe këtë herë  sëmundja erdhi po andej, nga Lindja e Largët. Por sot  edhe si pasojë e modernizmit të mjeteve me të cilat lëvizin  njerëzit ajo erdhi shumë më shpejt dhe po aq shpejt u përhap duke I vështirësuar gjërat.

Kur thashë pak më lart që qyteti im nuk ka përjetuar situatë të ngjashme me këtë të tashmen, pata perasysh që asnjëherë, në asnjë çast,   forcat e së keqes  nuk ishin bërë bashkë, për ta tundur me muaj të tëre nga themelet, për ta infektuar me viruse të panjohura të shoikura nga forca akoma më të panjohura, për të cilat  jeta e një njeriu vlen edhe më pak se jeta e një milingone.

Me këto mendime,  por edhe më shumë të tjera akoma më të zymta  në kokë, pothuajse kisha mbërritur tek tregu I fruta-perimeve, që ishte edhe arsyeja  për të cilën  kisha dale nga shtëpia. Si djalë qyteti unë nuk shquhem si  blerës i mirë i   gjërave   agro –blegtorale, madje që të jem i sinqertë, jam komplet idiot kështu që është pjesa tjetër e familjes që merret me këtë punë Prandaj para   tre ditësh kur bëra furnizmin e radhës isha me vajzën  dhe ajo më  kishte treguar disa pika ku mund të merrja ato që më duheshin.  M’u kujtua shitësja e agrumeve dhe vendosa ta nis blerjen nga ajo. Ajo  zonja në fakt nuk është se  m’u kujtua fare kot. Kur isha me vajzën  padashje u bëra dëshmitar i një bisede të pazakontë mes asaj dhe të birit. Djali i saj këmbëngulte që  të rrisnin çmimet e agrumeve dhe sidomos të  limonave dhe portokalleve. Zonja e kundërshtoi prerë  duke i thënë se mjaft i kishin ngritur. Mua nuk m’u durua dhe e falenderova për qytetarinë e treguar. Prandaj edhe për  respekt të atij gjesti ,  u drejtova në fillim atje. Por u befasova. Çmimi sot ishte ai që I kishte kërkuar djali.

-          I paskeni ngritur? – e pyeta me keqardhje.

-          Gruaja uli kokën sepse siç duket  ju kujtova dhe tha me gjysmë  zëri:

-          Nuk kisha çfarë të beja!. Edhe këta të shumicës i kanë ngritur cmimet. I kanë rritur të  gjithë  edhe këtu në treg  dhe  unë nuk mund ta mbaj cmimin aq  sa e kisha.

Mjaftuan ato fjalë për të kuptuar shumë. Presioni I djalit, por edhe i të gjithëve rreth saj , e kishin detyruar edhe atë grua të bënte si ata që ajo I quante “të gjithë”. Nga ato fjalë  kuptova se forcat e të keqes  me të cilat  Durrësit tim I duhet të përballet, nuk janë vetëm ato që përmenda më lart , nuk janë vetëm tërmetet, nuk janë  vetëm viruset misterioze, por janë edhe këta “të gjithë” që kjo tokë i lind me shumicë. Ata kanë qenë këtu që nga Demetër Fari  dhe pas tij deri  më sot. Por  këta “të gjithët”  kanë harruar diçka ose   me atë shpirtin e tyre katran edhe ndoshta  nuk e kanë ditur kurrë. Që ky qytet ka parë shumë. Ka parë romakë, hunë, vandalë, gotë e ostrogotë, normanë e bizantinë, anzhuinë e venecianë, turq e sllavë, italianë e gjemanë. ka parë dreqin dhe të birin. Dhe këta “të gjithët”tanë në çdo kohë i kanë  bërë dëm qytetit duke I ndihmuar sundimtarëve të radhës. E kanë zhvatur sa kanë mundur dhe me çdo mënyrë. Por qyteti ka qëndruar. Ndoshta edhe është lëkundur ndonjëherë por ka qëndruar. Ka patur edhe humbje, ka patur edhe pasoja por I ka mbyllur plagët dhe ka vazhduar. Dhe jeta ka vazhduar prej mijëra vjetësh dhe do të vazhdojë edhe me mijëra të tjera. Ky qytet do të qëndrojë ashtu si ka qëndruar gjithmonë!

Të gjithë ne do të qëndrojmë bashkëqytetarët  e mi!

S.K.

Durrës pasdite

15 mars 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora