E shtune, 20.04.2024, 04:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Kush jeni ju, zonjë?

E hene, 16.03.2020, 10:22 PM


KUSH JENI JU, ZONJË ?

Tregim nga Resmi Osmani

Kohë koronavirusi. Po edhe brënda tërë ditën nuk rrihej.Sokoli  mbajti këmbët para lokalit të Benit, sa të mbaronte së  tymosuri cigaren, se brenda  nuk e lejonin duhanin. U bënë dit që nuk kishte ardhur, për sot e kishte lënë me Astritin dhe Luanin të mblidheshin për kafe dhe një dorë muhabet. Të dy shokët ende nuk kishin mbrritur. Sokoli ngau për Brenda. Ela, që shërbente në banak, përherë e buzëqeshur dhe e sjellshme e përshëndeti duke ngritur dorën.Buzëqeshjen ja fshihte maska. Maskë kishte vënë dhe Çimi, djali që shërbente. Sokoli buzëqeshi. Kohë koronovirusi,kohë paradoksesh, si të kishin zbritur Alienët! Brenda ishte qetë. Nga llampat neon të maskuara në tavan, derdhej një ndriçim i butë, çlodhës e si i mugët. Nga altoparlanti perhapejvalë-valë melodia e bukur, lirike e ”Boleros” së Ravelit, që e luajtur herë nga instrumenta solo e herë nga e tërë orkestra, tingëllonte nanuritëse si një ëndërr dashurie. Hera-herës, dëgjohej edhe vërshëllima e avullit të aparatit të ekspresit të kafes. Në lokal kishte pak klientë. Ishin mbyllur nëpër shtëpi që t’i ruheshin të keqes së padukshme, që s’dihej e nuk shihej se nga vinte. Frekuentuesit e përditshëm ende s’kishin ardhur.Sokoli u nis për te qoshku i tyre, me kolltukë e tryezë të ultë, ku rrinin zakonisht. Iu bë se dëgjoi një të thirrur me emrin e tij. Mbajti këmbët dhe ktheu kryet andej nga ju duk se erdhi zëri. Nga këndi në të majtë të banakut, drita e mugët linte të dukej siluetën e një femre. Ajo ngriti dorën, ku ndrinin unazat dhe byzylikët dhe e thirri me emër. Zëri ishte i plotë, i ngrohtë e pak si i ngjirrur. Sokoli si i ndërdyshur u nis drejt saj. Kur u afrua, ajo u ngrit .

- Përshëndetje- dhe i zgjati dorën për ta tokur. Ai për një çast hezitoi, dora e saj mbeti e zgjatur. Për të qënë i mirësjellshëm ia dha dorën. Ajo ia rroku me të dy të sajat, ia shtrëngoi fort dhe e pa ngultazi dhe e buzëqeshur drejt e në sy.

- Pse bën të habiturin, sikur s’ më njeh?

- Kush jeni ju zonjë, që më njihni e që unë nuk u njoh?

- Nuk më njeh vërtet apo do e bën, që të dukesh interesant e të bësh sikur po zbulon mistere?

- S’më kujtohet tu kem parë apo njohur më parë.

- Pa mendohu mirë, thirri kujtesës, se aty në ndonjë qoshe të saj ke për të më gjetur.- Ajo i buzëqeshi. Dukej si e zënë në siklet, dhe vetiu futi gishtat në flokët e gjatë.- Mos rri më këmbë, ulu.

Sokoli u ul. E zhbiroi me kujdes. Ajo me dikë i shëmbëllente, me një vegim mjegullor të dikurshëm, por e tanishmja që i ndodhej përballë s’kishte asgjë të atij vegimi të largët.

- E po?

- Jo. Asgjë.

- Po më habit. Kaq  shumë të kem ndryshuar? E pra, jam Denada.

Çimi,djali i shërbimit, qëndroi para tryezës që të mirrte porosinë. I shkeli syrin me shejtanllëk Sokolit, por kur i hodhi sytë zonjës, fytyrës i dha pamje guaku.

- Mua, të zakonshmen.

- Po zonja?

-Zonjusha- e korregjoi ajo - një lëng portokalli të shtrydhur taze. Thonë se vitamina c, është e dobishme. - tha dhe i vuri të dy duart mbi syprinën e tryezës. Duar të bardha, nazike, gishta të gjatë, zbukuruar me unaza gurmëdhaja, thonjtë të kujdesur, formë bajame ndrinin nga manykyri ngjyrë trëndafili, në njerën dorë, dhe ngyrë argjendi në tjetrën, në kyçet e duarve byzylykë të artë , të platintë e të argjendtë dhe tatuazhe me ca motive abstrakte.

-Eh, pra. Ja ku e mësove. Jam Denada,  e dashura jote e gjimnazit”Partizani”, që ti ahere marroseshe pas meje! Kaq gjë s’duhet ta kesh harruar. Se dashuria e pare, mbetet në zemër e në kujtesë e pashlyer, sido që vitet e fashitin.

Sokoli mbylli sytë. Denada? Ju shfaq ajo vasha e dikurshme, e dashura, e njohura dhe kjo e tanishmja, e tjetërt, një e panjohur e njohur! Kishin kaluar dhjetë vjet. Sokoli u kthye pas në kohë. E deshën njeri-tjetrin.Aso kohe ishin shtatëmbëdhjet vjeçarë, ajo moshë e bukur kur shpirti dhe zemra ngazëllehen nga e bukura, kur të kaplon ndjesia për të dashur dhe që të të duan,kur dritherohesh nga një e prekur e dorës së vashës, nga vështrimet mikluese, fjalët e thëna si patëkeq, por drithërimi i zërit bën që të marrin kuptim tjetër dhe ëndërron për të puthurën e parë, si në një botë përrallore. Denada, shtatselvi, belunazë, sybukur të zez si ulli, qerpikgjatë vetullhollë,, hunda pakëz krrute por me hijeshi, goja e vogël buzburbuqe, qafa dhe gusha si e pëllumbeshës dhe nën bluzë gjokset e vegjël e të fortë si dy mollë. Të shtunat e të dielat shkëputeshin nga shoqëria, shkonin në kodrat e parkut të liqenit.Uleshin në barin e lëndinave, të puthurat ishin mjaltë. Ai e puthte në buzë, në sy, në faqe, në gushë, ajo gugiste si pëllumbeshë. Ç’do fjalë që thuhej tingëllonte si muzikë dhe dashuri. Denada mbështeste shpatullat pas trungut të lisit teksa ai shtrihej dhe e vinte kryet në prehrin e saj. Ajo përkulej mbi të, e puthte, butë, ëmbël, ngrohtë, flokët e saj,me atë amzën e veçantë, që i derdheshin si ujvarë, i çiknin fytyrën dhe i shkaktonin drithërima.

Jeta i ndau rrugët e tyre. Ai në Universitetin Politeknik, ajo në të arteve, për aktrim. Të tjera kohë, të tjera miqësi, të tjera dashuri. Dhe çuditërisht, pas gjithë atyre viteve të shkuar, Denada del nga honi i harresës dhe shfaqet si fantazmë.

Përball tij, rehatuar në kolltuk, me një gotë lëng portokalli përpara, qëndron një grua - zonjë, por që e quan veten zonjushë. Ku janë ato flokë të gështenjtë, lidhur xhufkë me një kordele që nxirnin në pah dhe hijeshonin ovalin e fytyrës së dëlirë e të qeshur? Në vend të tyre,ca flokë  të përhinjtë me reflekse platini, të ftohta, ngjyrë e panatyrshme për asnjë moshë, të shtrirë e lëpirë pas kokës e të derdhura pas shpatullave. Ku kishte shkuar hunda,pakëz e spikatur, që qëndronte bukur midis faqeve? Tashmë e modeluar,pakëz e luguar dhe me majucë pipiruqe, flegra të ngushta dhe në anën e majtë një sumbull metalike nga ato që u thonë pirsing. Po buzët, ato buzët e bukura, që dinin të puthnin aq ëmbël? Të fryra,  mishtore e të plota, të lyera fort me të kuq, buzë nga ato që me të tallur, të rinjtë i quajnë buzëviçe! Ovali i fytyrës, ishte shndërruar nga mollzat, të spikatura,si dy kodërza, që binin në sy si te portretet e femrave të lindjes.Mjekra nuk e kishte atë rrumbullaksinë e dikurshme, por ishte prerë me një drejtëz të sheshtë. Po sytë? Ah sytë, që janë pasqyra e shpirtit: nga  të zez si ulli, tani ishin të kaltër, me lente, prej tyre zor se kuptoje ndjesitë që buronin së brendshmi.Qerpikë të rrem, të gjatë, nxirë nga rimeli. Në vend të vetullave të veta, dy vija me rimel të zi, të harkuara. Nga dekolteja e hapur, ngriheshin gjinjtë si male të mishta, dhe pak mbi vijën ndarëse, një tatuazh me flutur krahëhapur.

- Ç’i ke bërë kështu vetes moj Denada?

- Nuk të kuptoj.

- Bën sikur se kupton.E krahason veten me atë që ke qenë, shihesh në pasqyrë. Që je shfytyruar , në këtë far feje, që s’do të njihte as nëna jote!

- Sokol, ke mbetur me të vjetrën. Kohët kanë ndryshuar. Me të ndryshojmë edhe ne. Kirurgjia estetike bën vepra arti. Bën që të dukemi ashtu siç duam dhe jo ashtu siç ishim, siç kishim lindur. Është ajo që dua të jem, ajo që më pëlqen.

Përgjigja ishte e plotë, e kotë që të diskutohej. Sokoli ndrroi temën.

- Me se je marrë këto vite?

- Më së shumti me modeling. Fillimisht në Itali, pastaj në Zvicër, Gjermani e Hollandë, në pasarelat e modës.

- Po ti? Në s’gaboj, u diplomove në inxhinieri mekanike.

- Profesionist i lire, kam një servis makinash.

Sokoli nuk kishte ndryshuar, pos  flokëve pak të rralluar, veçse më i burrëruar. Denada e pa nga duart. Ai nuk kishte rreth martese.

- I martuar, ke krijuar familje?

- Ende jo.

- Nuk të duket se je i vonuar?

Vrejtjes së saj iu përgjigj me pyetje:

- Po ti ?

Ajo i dha fytyrës një pamje të pikëlluar por edhe pafajësie.

- S’më ka ecur. U martova me një impresario italian, por qëlloi shumë mosbesues dhe xheloz. U divorcuam pa bërë dy vjet. Që atëhere s’e bëra më atë gabim.

- Ke kohë që je kthyer?

- Po bëj dy muaj. Më ofruan një vend si moderatore në një studjo televizive private. Vendosa të qëndroj. Boll u solla vendeve të europës.

- Më thuaj të drejtën. Ishte rastësi që u gjende në këtë lokal?

-Jo. Në fillim kërkova në feisbuk, pastaj pyeta.Desha të shihja, ç’bëhet i dashuri im i parë, me dëshirën që të përtërijmë miqësinë e vjetër.

- Të më falësh, por më duhet të të le, shokët e mi sapo erdhën. Sokoli u ngrit,i pezmatuar dhe me një buzëqeshje të hidhur, që u mundua të mos dukej përbuzëse. U ngrit dhe Denada.Ajo e pa drejt e në sy, me një shprehje lutëse e pafajësie, aq sa ja lejonte pamja e saj e tjetërsuar.

- Si thua, e lemë të dalim ndonjë mbrëmje për darkë,të përtërijmë miqësinë e viteve të rinisë?

Sokoli u mundua ti zgjidhte fjalët e përgjigjes. Desh t’I thoshte që Denada shoqja e tij e rinisë kish vdekur, e kish gllabëruar koha e ndryshimeve dhe e shpërdorimit të lirisë vetjake, por ishin fjalë të rënda. Tek e fundit ishte jeta e saj dhe mund të bënte me të ashtu si i pëlqente.

- Më vjen keq që s’ta plotësoj dot dëshirën. Kërkoje gjetk shortin  tënd. Lermë ta kujtoj dhe mbaj brënda kujtesës Denadën e kohës së rinisë, ashtu  siç ishte dhe ashtu siç e desha.

Mbetsh me shëndet dhe të priftë e mbara.

U largua pa ia dhënë dorën.

Tiranë,më 17.03.2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora