E enjte, 28.03.2024, 07:46 PM (GMT)

Kulturë

Nexhat Halimi: Lumëbardhi rrjedh nën Urë me gjëmë

E hene, 16.03.2020, 08:47 PM


Nexhat Halimi

Lumëbardhi rrjedh nën Urë me gjëmë

Cikël me poezi

Veç të dua

Me frymë të ndarë zgjata dorën ta marr letrën

Kaherë prisja ndonjë shkronjë ndonjë fjalë nga ti

Ndjenja mall ndjenja dhembja të thellë për ty

E afrova letrën mbi zemër i humbur në mjegull

Me rrembin e lëshuar të degëzës për pjergull

Zgurdulloi sytë postieri e s`tha asgjë për habi

Humbi rrugës në kalldrëm i mësuar me befasinë

Me skenën e këtillë të gufuar me zjarrin e  etjen

Me sytë lart shtanga ngrirë shikoja pafundësinë

Kaq afër sipërfaqja e ëndrrës kaq afër me gjithësinë

E prekja letrën dhe nuk arrija të kuptoj ç`ngjet

Është letër nga ajo zot a mund të jetë e vërtetë

Çfarë do të ketë shkruar a do ta ketë përshkruar

Atë dashuri pa fjalë nga mbushte ujë në krua

Do të ketë thënë pse s`e the një fjalë veç të dua

Në zemër të lodrës

Më përhitesh në reflektim të xhamit të thyer

Ik e prapë vjen e asnjëherë brenda nuk hyn dot

Më le me bërryla të zhveshur në habi në tryezë

Në kotësi ta shkruaj fshehtësinë për ty me lot

Me sy larg në hapësirë të pasqyrës të zezë

Kërcasin degëzat e zhveshura nën krahnezë

Më le në lot me fytyrë të lëshuar në shuplaka

E dhomës rreth çdo gjëje i shpërthen flaka

Kot bëj përpjekje ta prek dashurinë e parrëfyer

Prapë shfaqesh e prapë pasqyra e zezë ndrit

Ngel e papërfunduar poezia e flaka në sytë

Gjej forcë të shtrihem ngadalë në shtrat

Qentë e trazuar nuk pushojnë të lehin në fshat

Të kanë hetuar nga merr lart në majë të kodrës

E unë të rishikoj të rikthyer në zemër të lodrës

Apo të pikturoj vetmisë e dorën të të prek zgjat

Hapa të mujit

Shtrirë në kokërr të shpinës nën yllin polar

Kokën ma mbushin aromë lule xheneti e tufa bar

Pafundësisë vjen me kalë me zile ndez në mall

Silueta jote ka vjet ikur ujit të thartë në bunar

Të mbetur në vetmi në kopsht nën mollët kall

E vërej te sytë tërfilin e egër me katër fletë

E kali i bardhë mes dhiares vjen me hingëllimë

Oh e këpus tërfilin e ëndrrës kaq i etur e i qetë

E mbi fushën me asfodela shpërthen një vetëtimë

E këpus me ndjenjë tërfilin e fatit fletë për fletë

Ti më shfaqesh në dumnicë e zhveshur fare

E dikush në murin e rrënuar ja e çal një dritare

Unë i mbyll sytë i vetmuar në jalli te rrjedha e ujit

Ti vjen etjes sime apo veç bien hapa të mujit

Zemra pik gjak

Ecnim udhën me baltë të lagur gjatë në shi

Shkollarë të vetmuar me kuqërremti të ditës

Kolonë e vendosur për udhëtim në largësi

Të prekur etje fshehtësisë së flakës e të dritës

Mes ëndrrës e të ftohtit të thellë nën vetëtimë

Kapnim degësh me gjemba ndonjë kulumbri

E dëgjohej të shpërthente ndër dridhje ushtimë

Të prekur rreptësisë  të frikësuar nga qentë

Kaq të prekur njomësisë nga të huajt e trentë

Arrinim te shkolla tek priste mësuesi aty

I cili na i thane shtrojsat te stufa ndezur flakë

T`i mësonim shkronjat shqipe me  dashuri

Të iknim përballë erës që na rrihte shuplakë

Tashmë kot shkoj në dumnicë s` është shkolla

S`është as mësuesi veç kot zemra pik gjak

Shtatë lisa me hije të thellë

Shtatë lisa bënin hije të thellë në oborr

Ta presim njërin në këtë dimër të ashpër

S`janë për t`u djegur janë veç për varr

Ata me rrënjë të thella vinin duke u trashur

Ndërruam vendbanimin pa e prerë asnjë

Veç mendja më ikte te shatë lisat gjithnjë

Tashmë në Prizren te rrapi treqind vjeç

Lidhur dorë më dorë trembëdhjetë vetë

Provojnë ta mbërthejnë me mund kaq vjet

Nën kalanë ku qe robëruar trimi Frshër

E kujtoj orën e familjes të shitur për bukë

I kujtoj shtatë lisat e vjetër në Dumnicë

Kokë më kokë siç zgjojnë kthim në Toplicë

Siç zgjojnë flakën e pashuar shatë pleq

E Sala hesht e Skeja me hije të rëndë

E ndez fillimin e Agimit shkrirë në këngë

E  Lumëbardhi rrjedh nën Urë me gjëmë

Gjakulli gardian në kështjellën e Prizrenit

Për  të vetmen të përditshme shqiptare në botë

Shkruaja me vendimin e Maksit kryeredaktor i vjetër

Të pathënat ngjarë në Prizren nga një prekje tjetër

Krejt çfarë mund të kapet njëqind vjet më vonë

Kujtime e detaje të vogla me të rrahurat e Lidhjes

Për heroizmat e flijimet zgjuar me Lidhjen shqiptare

Ose të na vrasin armiqtë  ose t`i hapim lirisë dritare

Shpërtheu betejë e paparë me Sefë Kosharen në litar

Shpërtheu me Mic Sokoloni diçka kurrë e parë

Iu hodh topit turk e copëzoi me kraharorin e vet

Çdo gjë agoi mbi gjak e prapë errësoi në gjak tri vjet

Ja çfarë thoshte Gjakulli me dhembje dhe me lot

Çfarë mund të kapet njëqind vjet më vonë për lirinë

Atëherë 17-të vjet e tashmë i shtrirë në shtrojë

“Veç një karrocier me karrocë të një trimi të pa gojë

Merrja pjesë në shumë raste të rënda në Prizren

Zogu me vigmën e vet fluturon, shkon e prape vjen

Qesh i pranishëm në vrasjen në kafenenë e Marashit,

Zaskoci i kap një dokument telegrafistit të delegatit

në Kongresin e Berlinit,  Maxharri, e ia rrëmben.

“Ç`është ky?!” i thotë Zaskoci e ia shkrepë për vdekje…”

Më rrëmbyen e më dërguan në kala, lart, gardian.

Lidhja e Prizrenit ra. Në kala sollën të gjakosur

Luftëtar të prangosur, mes tyre dhe A.  Frashërin.

E vizitoja për çdo mëngjes  Abdyl Frashërin në çeli

Vinte e tretej në mërzi, vyshkej lule pa ujë në saksi

Rraskapitej nga mundimet, i lodhur e i uritur

E ofroi orën me qostekë e m`u lut ta shes për bukë

Është orë e familjes veç s`kam ndonjë zgjidhje tjetër

E mora orën e ia shita një miku të vjetër

La  tre vjet në kala e e dërguan syrgjyn në Anadolli

Ai shkoi në shkretëtirat e zallit humbur në largësi

Njëqind vjet më vonë e kujtoj me dhembje e me lot

Shite orën e familjes sime të çmuar për pak bukë

E i mbylli sytë  nën pranga të rënda lart në kala

I shtrirë në shtrojë të sëmundjes  i vetmuar kaq mot

Rrëfen Gjakulli kardian për çastet e datat e ngjarjet

Për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e i rrjedhin lot shi

Të dua për vdekje

e shfaqur ndërmjet fijesh të fatit vjen ti

në dorën e majtë me qiri të përflakur

në dorën e djathtë me tufë lulesh të përgjakur

kaq vjet më vonë vjen ende në fshehtësi

të vërej nga silueta e fjetur në xhamin tjetër

e njëjta e vetmuar në pikëllim të vjetër

e shtroj tryezën me fotografi nën vetmi

e të pres të zgjohesh nga hija me dy koka

le të dridhet zemra të dridhet dhe toka

veç të vish të më vizitosh me lule e qiri flakë

ndërsa vjen e vetmuar nëpër shuplakë

e njëjta ec e  mbështetur për bastun të vjetër

ja fedorë kaq për vdekje të dua ty

në këtë sipërfaqe dhe në planetin tjetër



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora