E merkure, 24.04.2024, 08:46 PM (GMT+1)

Mendime

Prend Buzhala: Italia - Jeta në karantinë dhe kënga nëpër ballkone

E diele, 15.03.2020, 02:13 PM


ITALIA: JETA NË KARANTINË DHE KËNGA NËPËR BALLKONE

Nga Prend BUZHALA

Si duket një jetë në karantinë në Itali, po e shohim qe disa ditë nëpër ekranet televizive. Kosova, e, sidomos Shqipëria, kanë shumë të afërm në Itali. Prandaj, dhe shqetësimet janë krejtësisht njerëzore. Jeta paralizohet. Shkollat heshtin. Ekipet mjekësore në luftë për shpëtimin e jetëve njerëzore.

1.

Publiku mungon nëpër stadiume sportive.

Një heshtje varri e zëvendëson jetën përplot gjallëri, këngë, manifestime, festa, gëzime familjare a shoqërore. Njerëzit me maska në gojë. Njerëz me të bardha që lëvizin si ekipe në ndihmë njerëzve... Nëpër spitale, tashmë jo pak të sëmurë përshëndeten nga të afërmit e tyre, për t'ia lënë lamtumirën kësaj bote... pacientë të panumërt të karantinizuar apo të shtrirë nëpër spitale. Vdesin kryesisht njerëz të moshuar, apo të prekur që në fillim nga ky virus.

Italia, po, është e sëmurë.

Italia është goditur në zemër.

Tashmë e tërë Italia është "zonë e kuqe".

Dhe, përfytyroheni një Itali pa vizitat nëpër muzetë e saj, nëpër antikën e saj - djep i civilizimit evropian. Pa leximet e hulumtimet nëpër bibliotekat e qyteteve të Virgjilit, Dantes, Petrarkës, Bokaçios e Umbertto Ekos; pa kryegaleritë e kryeveprave botërore që nga Leonardo, Rafaelo e Mikelangjelo. Pa kancionierat e simfonitë e Vivaldit, Paganinit, Puçinit, Rossinit dhe Verdit. Italinë e emërmëdhenjve të botës, si arkitektët Bernini ,Palladio,Donatello, apo si shkencëtarët e dijetëart famëmëdhenj si Giordano Bruno, Alessandro Volta a Galileo Galilei, apo të regjisorëve të mëdhenj Antonioni e Fellini. Është kjo, Italia e antikës romake dhe e krishterimit botëror, Italia e civilizimit evropian dhe e Evropës moderne (ajo e krijoi Epokën Moderne me Humanizmin e Renesancën)...

Personalisht, kam pasur rastin t'i lexoj e t'i kem nëpër duar veprat e jo pak shkrimtarëve të shquar italianë të shek XX, si Luigi Pirandello, Italo Svevo, Guido Gozzano, Filippo Tommaso Marinetti, Aldo Palazzeschi, Dino Campana, Umberto Saba, Giuseppe Ungaretti, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo, Mario Luzi, Margherita Guidacci, Bartolo Cattafi, Maria Luisa Spaziani, Alberto Moravia, Giuseppe Tomasi di Lampedusa, Alberto Savinio, Carlo Emilio Gadda, Dino Buzzati, Tommaso Landolfi, Carlo Levi, Cesare Pavese, Elio Vittorini, Pier Paolo Pasolini, Primo Levi, Leonardo Sciascia, Italo Calvino, Umberto Eco etj, shnuica shqip, po i lexoja edhe kroatisht. Njëra ndër letërsitë më të mëdha botërore e më me ndikim planetar...

Është Italia edhe e sportit të spikatur, edhe e muzikës moderne, edhe e festivaleve prestigjioze bashkëkohore e botërore...

Thjesht, meriton një kujtesë në këto çaste: se kush është Italia... Italia e sëmurë...

2.

Dhe, fatkeqësisht, disa nga këto pamje tashmë na zbritën edhe ndër ne, në Shqipëri e në Kosovë...

Tashmë po e prekim një mënyrë të re jetese: jetën në izolim total, në karantinë... Jetën pa takime miqësore, pa vozitje, pa këngët nëpër salla a sheshe, pa lojërat sportive me gjallërinë e publikut, pa akademitë përkujtimore. Pa orët letrare, ku lexohen vargje për dashurinë, atdheun, për jetën njerëzore a për shpirtin njerëzor...

Tashmë rrugët edhe ndër ne kudo duken të shkreta. Dy qendra komunale, thuhet, qenkan vënë në karantinë.

3.

Dhe posa të përmendet fjala PANDEMI, kuptohet si sinonim i ankthit dhe panikut: si sinonim i vdekjes dhe i luftës për jetën.

Njerëzit sigurisht që duan të fitojnë vetëbesim mbi frikën, besim tek ekspertët e te mjekët, tash për tashmë, më të mirët në botë... Duan të besojnë se do ta mposhtin këtë sëmundje, këtë virus, më të keq që njeh njerëzimi në kohët moderne. Tashmë pamjet zënë të "pasurohen" me akte të reja dramatike: kontrollet nëpër kufij e aeroporte, ndalim-qarkullimet e fluturimeve, mbylljet e kufijve, mos qarkullimi i mallrave e njerëzve, këshillat (televizive) se si duhet të ruhemi... lajmet për numrat e të prekurve apo edhe të të vdekurve nëpër shtete e rajone të botës... konferencat për shtyp të ministrave të shëndetësisë a të kryeparëve shtetërorë...

Kurse bota e zhvilluar (dhe e pazhvilluar) alarmon: ilaç për korona virusin nuk ka! Ende mungon mënyra medicinale e trajtimit të kësaj sëmundjeje, përpos që i trajtojnë simptomat klinike (temperaturat, frymëmarrje e vështirësuar). I vetmi ilaç: izolimi i të sëmurëve... për të mos u përhapur virusi.

4.

Italia është në karantinë totale: kanë vdekur rreth 1266 njerëz.

Mbrotja Civilie qëndron në lëvizje.

Por është vetë Italia që ndez dritat e shpresës e të jetës... si gjithmonë gjatë historisë.

Por ka edhe shpresë: thuhet se janë shëruar plotësisht 1439. vetë

Por, italianët nuk heqin dorë nga kënga e nga kanconiera e tyre: ata këndojnë edhe nëpër balkonet e shtëpive... (Coronavirus, l'Italia canta dai balconi durante la quarantena | Notizie.it.

E pra, nuk heqin dorë nga jeta.

(Prend Buzhala, 14 mars 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora