E enjte, 28.03.2024, 12:59 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Mustafa Ismaili - Rruga pa adresë

E diele, 15.03.2020, 08:46 AM


Romani “RRUGA PA ADRESË” i autorit  Mustafa Ismaili dhe brenga Kosovare e pavarësisë

Nga Albert Z. ZHOLI (Shkrimtar-publicist)

Ky roman është një rrëfim drithërues i dramës kosovare të vitit 1999, kohë që përkon me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në fakt drama e Kosovës është edhe më e hershme, qyshkur territori dhe populli i saj u ndanë prej Fuqive Evropiane dhe iu dhuruan Jugosllavisë. Por, viti 1999, solli një kthesë historike dhe një rritje të konfliktit serbo-kosovar, sepse kish ardhur momenti për ndarjen njëherë e mirë të Kosovës shqiptare nga kthetrat e sllavo-serbëve. Po sigurisht, kjo ndarje nuk do të ishte e lehtë, ajo kërkonte një kosto të madhe që do ta paguante në radhë të parë vetë populli martir e liridashës i Kosovës, bijtë dhe bijat e tij, që do të dinin si të mbijetonin, si të luftonin dhe të fitonin lirinë e ëndërruar nëpër breza. Autori nëpërmjet rrëfimeve shpalos historinë e kësaj Kosove dhe të viseve shqiptare nën Jugosllavi, trajtimin shpesh mizor e genocidist të autoriteteve shtetërore jugosllave ndaj popullsive të fshatit e qytetit, politikën kriminale të shpopullimit të trojeve shqiptare, të spastrimit etnik të kosovarëve nga vatrat e lashta stërgjyshore. Nëpërmjet personazhit kryesor, Tafës, që bëhet mjaft i dashur për lexuesin, shpaloset e djeshmja dhe e sotmja e një populli me identitet të pastër e të kulluar shqiptar. Djaloshi shkollar, me emrin Tafë, e mëson dhe e kupton më qartë historinë e popullit të tij nga një rrëfim mjaft prekës e mbresëlënës të një bariu plak. Ai rrëfim ishte jo thjesht rrëfim bariu, por ishte rrëfim dhe dëshmi që kishte rrjedhur nga stërgjyshi te djali, te nipi e stërnipi. Ishte vetë historia që fliste nga zemra dhe buza e zhuritur për liri dhe pavarësi. Nëpërmjet atij rrëfimi, djaloshi përjetoi kalvarin e dhimbjeve, padrejtësive dhe shkeljeve që u ishte bërë nëpër dekada shqiptarëve nën shtetin e Jugosllavisë, ndjeu shijen e urrejtjes ndaj shtypësve të popullit të tij,por dhe shijen e atdhedashurisë, krijoi krenarinë dhe vetëdijen për racën  e tij shqiptare, u brumos e u ndërgjegjësua që të rritej e jetonte si bir i denjë i popullit të tij, si dhe të mbante lart amanetin e të parëve për t’i nxjerrë në dritë ato troje.

Por nuk vonoi, dhe djaloshi Tafë, duke u rritur, do të bëhej edhe vetë dëshmitar i rrëfimeve dhe historive që kishte mësuar në jetë, do të kishte fatin e keq të bëhej edhe viktimë e terrorit dhe politikës shfarosëse serbe ndaj shqiptarëve. Dhe në roman përshkruhen bukur, me nota realiste e mjaft origjinale momentet e ndezura të vitit 1999, kur edhe bota më së fundi filloi të reagojë ndaj mizorive serbe. Kalvari i atyre ditëve është odiseja e një populli, që, prej 100 vjetësh martirizohej dhe viktimizohej. Dhe paradoksi është se, në odisenë që na vjen nga lashtësia, protagonisti lufton e kalon rreziqe për të mbërritur më së fundi gjallë në atdhe, në Itakën e ëndërruar... Kurse në odisenë e kosovarëve të vitit 1999, turmat dhe karvanët me njerëz, nuk drejtohen për në atdhe, por për ta lënë atë, për të shpëtuar gjallë nga plumbat, nga torturat çnjerëzore që ngjethën edhe vetë botën! Në roman ndërthuren bukur me shumë ndjenjë dhe me mjaft meditacion skena të ndryshme si individuale, e sidomos familjare, apo kolektive. Të gjitha këto jepen përmes një optike: luftës për të mbijetuar, luftës për ekzistencë! Mbas shumë peripecive, dhimbjeve, vdekjeve, humbjeve, iluzioneve, protagonisti i Romanit, Tafa, arrin të shpëtojë gjallë bashkë me familjen e tij, nga masakrat serbe. Ai përfundon në shtetin Kanadez, ku gjen në fakt qetësi e humanizëm, për të marrë frymë e për të shëruar plagët që i kullonin dhimbje, lot edhe gjak. Por, megjithatë, Kanadaja, nuk është destinacion i përjetshëm për të. Në shpirtin e tij është e do të jetë deri në fund të jetës Kosova, toka e saj, varret e të parëve dhe amaneti i tyre... Prandaj ai kthehet në Kosovë, vetëkuptohet, në një kohë e realitet tjetër, kur nga lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja amerikane, tashmë Kosova ishte e lirë nga pushtuesi serb. Kjo klimë e re e kënaq Tafën, por gjithsesi ai ndien se “lufta” ende nuk ka mbaruar: është lufta për organizimin e shtetit të ri kosovar, lufta për qeverisje të drejtë e të ndershme të popullit, larg interesave përfituese, karrierizmit dhe etjes për pushtet e para...Autori gjithsesi e lë të hapur këtë luftë, si një sfidë tjetër me të cilën brezat e rinj të popullit trim kosovar, duhet të përballen për ta fituar orë pas ore, ditë pas dite...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Atdhe Geci: Kanina

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora