E premte, 29.03.2024, 09:18 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Ultimatumi

E shtune, 14.03.2020, 03:05 PM


U L T I M A T U M I

Qasje te një Kronikë.. e Albert Habazaj.

Nga Timo Mërkuri

Ultimatumi[1] i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dërguar generalit italian Settimio Piançentini dhe vendimet që shoqëruan  atë, janë një ndër kulmet e organizimit të kryengritjeve shqiptare për liri dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale të vendit edhe për arsye se  krahas organizimit të kryengritjes, luftëtarët popullorë të Luftës së Vlorës organizuan paralelisht strukturat shtetërore si dhe shpalosnin vizionet  politike dhe diplomatike europiane njëkohësisht..

1-Ultimatumi i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dërguar generalit italian Settimio Piançentini është unik në llojin e tij. Zakonisht ultimatumin e lëshon një shtet, një koalicion shtetesh, një ushtri apo koalicion ushtrish që janë apo e ndjejnë veten më  të fuqishme ndaj një shteti, ndaj një koalicion  shtetesh, n jë ushtrie apo koalicion ushtrish  që i gjykojnë apo janë më të dobëta. Në këtë konteks ultimatum ka edhe anën e tij humane pasi kërkon që të ndalohen veprimet e dhunëshme me pasoja vdekjen e njerëzve dhe dëmtimin e pronës kundrejt pranimit të kushteve që  vendos pala që lëshon ultimatumin..

Në rastin e ultimatumit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” nuk ndiqet kjo rrugë llogjike. Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” nuk administronte ndonjë ushtri të rregullt dhe ca më pak ndonjë koalicion ushtrisht. Në Beun më 2 Qershor 1920  u mblodhën të  gjithë forcat kryengritëse rreth katërmijë vetë që do nisnin luftën me 20 mijë forca italiane të komanduara nga 12 gjeneralë. Forcat kryengritëse shtoheshin cdo ditë, madje flitet se aritën në 6 mijë vetë, por lista dhe evidence të sakta nuk janë mbajtur[2]..

Është fakt se në Luftën e Vlorës,   kontribut dhanë edhe Kurveleshi, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra, Përmeti, Skrapari, Devolli etj. Erdhën çetat e Çamërisë të drejtuara nga Muharrem Rushiti dhe Alush Taka, çeta e Tiranës me Said Toptanin,  çeta e Himarës me  Nase Labin e Naqe Konomin. Erdhën edhe 155 bashkatdhetarë nga SHBA  që prunë edhe  Bandën Muzikore “Vatra” të drejtuar nga kompozitori Thoma Nasi, i cili kompozoi këngën hymn “Vlora–Vlora” me tekst të Ali Asllanit. U bashkuan me   luftën e Vlorës edhe kaçakët e rretheve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Kurvelesh etj.. Kryqi i kuq amerikan  pruri ndihma në Kotë, për mjekimin e të plagosurve ku shërbenin edhe mjekët italianë të zënë robër, nën oficeri italian Xhovani Valenca me origjinë arbëreshe, u dorëzoi kryengritësve  depot e municionit në Panaja të Vlorës, ku u paisën shqiptarët me fishekë[3] etj etj. Por gjithsesi kryengritësit teknikisht nuk ishin as më shumë se forcat italiane dhe as të armatosur më mirë se ata. Gjithashtu kryengritësit nuk kishin si prapavijë ndonjë shtet të fortë ekonomikisht. Në qoftë se ndo ndiqej simetria llogjike e faktorëve teorikë, italianët ishin në avantazh në të gjitha drejtimet, si në numër ushtarësh, në armatim që përfshinte  artileri, flotën detare, aviacionin, armatimin e këmbësorisë me të gjitha llojet e armëve modern të kohës. Kishin gjithashtu edhe një shtet industrial të fuqishëm në prapavijë etj.

Por kryengritësit shqiptarë kishin një element që u ktheu balancën në favor, ata luftonin për atdheun e tyre dhe ishin të gatshëm që të jipnin edhe jetën…si me le… për të çliruar vendin e tyre[4].  Ky ishte “shkëmbi nën këmbët e tyre” ku u mbajtën kryengritësit dhe i nisën me kurajo ultimatumin ushtrisë  italiane.

2-  Kryengritja e popullit shqiptar e njohur si Lufta e Vlorës nuk ishte një luftë  kaçakçe “dalë ku të dalë”, por në të gjitha hapat organizative të saj ndërtoi struktura shtetformuese.

Shkëndijën e parë e dha demostrata antifashiste e 28 Nëntorit të vitit 1919 në Vlorë, ku italianët për të fyer ndjenjën kombëtare të demostuesve, pasi grisën flamurin kombëtar, një copë të tij e lidhën pas bishtit të një qeni dhe e lëshuan rrugëve të qytetit. Indinjata që shpërtheu në Vlorë I detyroi italianët që të strukën nëpër pozicionet luftarake… Osmëni i  hipi kalit/Dhe i foli gjene-ralit /Breshkaxhiu i breshkamadhit/“Dil sterresë jo limanit,/Të shoç të zot e vatanit/Bijt e Ismail Qemalit.”

Kongresi i Lushnjes[5] , lëshoi një thirrje për “një besë e përgjithshme” për mbrojtjen e trojeve

shqiptare. Atdhetarët vlonjatë u  mbledhën në fshatin Armen më 23 shkurt ku vendosën për organizimin e rezistencës antiitaliane. Në funksion të kësaj plaftorme më 10 Mars 1920 krijohet në Vlorë[6] Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”  “dhe aty u vendos që çështja e Vlorës, të zgjidhej me armë…”

Me qëllim të koordinimit të veprimeve, më 18 maj 1920 komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, dërgoi  në Tiranë[7] për bisedime  me qeverinë e Sulejman Delvinës një delegacion, ku bënin pjesë Osman Haxhiu, Gani Aliko dhe  Rexhep Sulejmani të cilët u takuan në 23 Maj 1920 me Kryeministrin i cili u deklaroi se: “Qeveria e jonë, kurdoherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës dhe jep fjalën e nderit, se kurrë nuk do të kursehet për të bërë një therori për shpëtimin e Vlorës…”.Po kështu, me letrën e 25 Majit 1920 Sulejman Delvina njoftonte Osman Haxhiun se Qeveria e Tiranës kishte ndërprerë marrëdhëniet me Komisarin italian Kastoldin, duke i kërkuar atij “bashkimin politik e administrativ të krahinës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit[8]”.

Për fillimin e organizimit të veprimeve, më 29 maj 1920 në pllajën e Barçallait[9] u mblodhën 200 përfaqësues të krahinave që vendosën fillimin e kryengritjes “derisa të bashkohemi me shtetin Shqiptar”[10]. Qeveria e Sulejman Delvinës dërgoi si përfaqsues të saj Ismail Haki Kuçini Aty u sanksionuan edhe 12[11] antarët e rinj të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” (Në Beun seç u mbëlodhë/dymbëdhjetë komisjonë,) me përbërje:  Osman Haxhiu Kryetar, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari, Myqerem Hamzaraj. Sekretar i Komitetit u zgjodh Halim Xhelo, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Luftës u zgjodh major Ahmet Lepenica.

Në thellim të organizimit  Ahmet Lepenica pas gjashtë ditësh në Kotë dha dorëheqjen nga detyra e Komandantit të Përgjithshëm të Luftës duke ja lënë këtë detyrë kapiten Qazim Koculi, sipas vendimit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”. Ahmet Lepenica u ngarkua me organizimin dhe drejtimin e Policisë Ushtarake bashkë me Shero Eminin.

Operativ i komisionit ushtarak u caktua major Ismail Haki Kuçi[12], i deleguar i qeverisë së Tiranës[13]. Bateria e vetme e artilerisë që kishin kryengritësit komandohej nga Aziz Çami dhe zv/komandant Elmaz Ademi me artilierë Xhafer Xhuveli dhe Abdurahman Çiraku ..

Me qëllim që të parandaloheshin veprimet që dëmtonin  qëllimin e luftës, të ndëshkoheshin dezertorët dhe tradhëtarët si dhe të dënoheshin sipas normave  gjyqësore kriminelët italianë, u krijua Gjykata e Luftës me Kryetar Neki Xhenetin dhe antarë gjyqi Sif Kedhi dhe Agjah Bej Libohova. Sekretar ishin Meçan Selami  e Halim Xhelo.   Krahas saj u krijua edhe Prokuroria  e Luftës  përbëhej nga prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi.

U mendua edhe për robërit e luftës prandaj në Vajzë u vendos kampi i tyre me komandant kampit  Rexhep Sulejmani.

Shtypi që pasqyronte dhe propogandonte  ngjarjet e Luftës së Vlorës ishte  gazeta  “Drita” e  Veli Harshovës Gjirokastër, dhe “Kuvendi” e “Dielli” në Boston..

Pra shikojmë se kryengritësit kishin krijuar gjithë strukturat e nevojëshme ushtarake për një kryengritje me vizion shtetformues pas fitores. Është kjo arsyeja që edhe hartimin e tekstit të ultimatumit që do i dërgohej Gjeneral Settimio Piançetini ju ngarkua avokatit-luftëtar Avdul Kuçi. Ultimatumi u hartua më Beun në datën 3 qershor 1920, një ditë pas mbledhjes së “Komisionit të Luftës[14]”.

Për të dorzuar ultimatumin doli vullnetar Mehmet Selimi Mallkeqi i cili u  shoqërua nga Halim Laze nga Kanina dhe Adem Aliko nga Vranishti ndërsa në takim me general Settimo Piançetini asistoi vetëm Mehmet Selimi për arsye se rojet italiane nuk i lanë dy shoqëruesit e tij. Përkthimin e ultimatumit e bëri Ulise Bozo, një Italian i vendosur në Vlorë si punonjës në vaporin “Pulia”, i cili gjatë luftës shërbeu si ndërlidhës ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.

Teksti i ultimatumit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” për nga mënyra e hartimit është unik në historinë e ultimatumeve, pasi nuk kufizohet vetëm me paraqitjen e  kërkesës së fundit” dhe afatin e saj por pasqyron edhe arsyet historike dhe bazën ligjore prej nga buron kjo kërkesë . Para se të jetë një  dokument lufte ky ultimatum është një dokument hymn, patriotizmi dhe atdhedashurie deri në vetëflijim që edhe sot pas njëqint vjetësh frymëzon krenari për historinë tonë dhe nderim e respekt për ata luftëtarë “dyfekt lidhurë me gjalmë” që bënë Shqipërinë. Si i tillë ky ultimatum ka nevojë për një studim dhe analizë më të gjerë se sa është trajtuar gjer më sot. Le ta shohim këtë tekst historie dhe krenarie që një popull “që rojnë moj me gazep/me një çikë bukë në xhep/mbledhur si foshnja në djep” ja drejtonte një nga ushtrive më të mëdha të kohës “ goxha dovlet” në prag  kryengritjeje…

“Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”

Nr. 6 i protokollit.; Shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Settimio Piaçentini!

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i zgjedhur nga populli i Vlorës në mbledhjen e Barçallasë më 29 maj 1920, në ndodhjen e të nënshkruarve, ka nderin t’i deklarojë shkëlqesisë Tuaj sa vazhdon: ”Kur ushtria italiane zbarkoi në Vlorë më 1914, komanda italiane me anën e proklamatës zyrtare të saj na siguroi në emër e në nder të kombit italian, se Italia e lirë nuk kish asnjë qëllim zaptimi të Vlorës e, qëllimi i zbarkimit ishte nevoja e sigurimit strategjik të gjendjes ushtarake në rast armiqësie ndërmjet Italisë e të Austrisë. Populli shqiptar i lodhur prej grindjeve të brendshme dhe duke u dhënë besim nderit dhe premtimeve të qeverisë italiane që bëri me anën e proklamave të botuara njëra pas tjetrës, i’u desh më në fund të përulte kokën e të toleronte zbarkimin italian. Dhe gjatë pesë vjetëve toleroi dha vazhdon të tolerojë padrejtësitë e kryera prej italianeve në dëm të Shqipërisë. Prej pesë vjetëve Vlora, djepja e Pavarësisë së Shqipërisë është qeverisur si një nga kolonitë më të ulëta: përveç gjuhës, administrata dhe flamuri tonë na u mohuan nën kondita shumë të ashpra, me të këqija se ato nën sundimin turk, kur Turqia sundonte në Shqipëri. Por e ashtuquajtura Italia e Lirë, pa u turpëruar[15] ka provokuar copëtimin e Shqipërisë me traktate të fshehtë duke mos respektuar nderin e saj me anulimin e traktatit që ajo ka firmosur në Londër më 1915. Na e dimë se një popull i vogël si populli shqiptar nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë që të vdesë për idealin e lirisë së tij. Populli shqiptar e quan copëtimin e Shqipërisë një vepër të Italisë e cila duke ndjekur programin e saj imperialist përpiqet ta mbajë Vlorën si një koloni nën zgjedhën e saj. Por ky popull sot me i bashkuar se kurrë ndonjëherë nuk mundet të tolerojë më dhe ta shohë veten të nxjerrë në ankant si kafshët në Pazar të Europës për të kënaqur lakmitë Italo-Greko-Serbe. Prandaj dhe ka vendosur të rrëmbejë armët e të kërkojë nga Italia lëshimin e administracionit të Vlorës, Tepelenës, Himarës, të cilat vende duhet ti dorëzohen sa më parë qeverisë kombëtare në Tiranë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me mandat të popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë, i mbledhur këtu dëshiron që shkëlqesia Juaj t’i përgjigjet kërkesës së tij deri nesër, 4 qershor përpara orës 19.00. Në rast të kundërt për çdo gjë që mund të ngjajë, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk merr asnjë përgjegjësi.

Me nderime: Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare

Osman Nuri, Qazim Kokoshi, Duro Shaska, Ali Beqiri.                   3 qershor 1920

Gjeneral  Settimio Piaçentini u përgjigj me arogancë se : Përgjigjen do t’ua japin topat e mi në Kotë, Gjorm e Kaninë…” duke shpresuar se kjo përgjigje do hynte në histori, por shumë shpejt u kthjellua për situatën dhe dërgoi me urgjencë te kryengritësit Ulize Bozon me flamur të bardhë, të cilin e shoqëroi për në komandën e kryengritësve Manxhar Selfo nga Shkoza. Por Piançentini nuk haroi ti vinte njeriut të tij si shoqërues një pilot, i cili vezhgonte pozicionet e kryengritësve dhe mbante shënimet e duhura… Gjenerali “krenar” u kërkonte shqiptarëve vetëm një liman në portin e Sazanit dhe Karaburunit. Shqiptarët refuzojnë. Pas dy ditëve filloi bormbadimi italian i pozicioneve të kryengritësve nga ajri, deti e toka që tregonte  hapur ndikimin e “shoferit” pilot. Kryengritësit ju përgjigjën me  armë këtij sulmi dhe fatmirësisht për ‘ta  rrëzuan.. ”me dy plumba një balon[16]” dhe e gdhëndën në këngë…: “Aroplanin kush e shtiu?/Trim Avdurramën Aliu/ Këta djemt’ e Shqipërisë/ E hodhë’ për tok’ si mizë”, dhe …Në fushë të Peshkëpisë/Ra ballon’ i Italisë / Këta djemt’ e Shqipërisë/Me manxerrat e Turqisë/ E hodhë në shesh si mizë!” .

Lufta e armatosur filloi më 5 qershor 1920[17] ku përmasat dhe jehonën e saj e pasqyron më së miri kënga…. Evropa shkruajn' e thonë/Ç’është kështu që dëgjojmë?/Bënet dyfek në Vlorë/ Shqiptarët po luftojnë/Me një mbret dyzet milionë/Po me se luftojnë vallë?/Me sëpata, me hanxharë/ Dyfeqet lidhur me gjalmë/ Fishekët në xhep mbajnë….dhe….Atje te Hani në grykë/ Te ura në Drashovicë/ Qëllon topi Italisë/Ka nijet që ta vithisë/Komision' e Shqipërisë/0 moj Shqipëri e bardhë/ Bota ta kanë sevdanë / Të keqen ta kanë marrë/ Se ke trima kordhëtarë/ Barutin me grusht e hanë…për tu kurorëzuar me fitore në 3 shtator 1920.

Festimet popullore zgjatën dy ditë dhe në fund luftëtarëve ju dha nga… një qeleshe dhe një kilogram rrush për rrugës drejt shtëpive. Ishte lavdia e vendit që me varfërinë e saj  përcillte heronjtë e tij…

Sarandë, më  9-13 Mars 2020


[1] Përmbajtja e ultimatumit sipas librit “Lufta e Vlorës” të autorit Ago Agaj, (i mbiquajtur "Kosovari nga Vlora" si prefekt i Mitrovicës dikur. A.Shehu) të shkruar në Egjipt dhe të botuar në Toronto-Kanada. Vendimi për ultimatumin u muar në Kuvendin e Barçallasë më  23.5.1920 ndërsa ultimatum si document u dërgua në 3 Qershor 1920. Fjala “Ultimatum” vjen nga latinishtja dhe ka kuptimin “e fundit”, pra afati,  njoftimi, kërkesa e fundit etj. Kjo shprehje ka filluar të përdoret në mesin e shekullit 18, ndonëse ultimatumet kanë qënë të zakonëshme ndërmejt forcave ndërluftuese qysh në hershmëri, por të formuluara  pa këtë shprehje.

[2]Gjithashtu nuk janë evidentuar saktë të vrarët dhe të plagosurit shqiptarë në këtë luftë por flitet përafërsisht për 150 të vrarë dhe 400 të plagosur

[3] Xhovani Valenca pas luftës qëndroi në Vlorë ku dhe u vra në 1927 nga një atentator I ardhur nga Italia me këtë synim.

[4] “Mbledhja e këtij kuvendi u bë ditën e shtunë më 29 maj 1920, në vendin e quajtur Barçalla, ku morën pjesë 200 vetë nga pleqësia e katundeve dhe qytetit të Vlorës, ku me një zë u betuan që: Me ndihmë dhe pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë derisa të bashkohemi me shtetin tonë, ose në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë, që ta marrë vesh bota e qytetëruar, se shqiptari për lirinë e vet di të vdes, dhe kur vendos të vdes, s’e trembin milionat me ushtri e topa…”. B.Gaçe “Epopeja e Luftës së Vlorës” 16 shtator 2018

[5]  i zhvilloi punimet nga data 28-31 janar 1920 ku  morën pjesë mbi 50 delegatë nga e gjithë Shqipëria

[6] Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u krijua   në shtëpinë e Osman Haxhiut në Vlorë..Epopeja e Luftes se Vlores 1920” : Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

[7]  Tirana u shpall Kryeqytet i Përkohshëm i Shqipërisë me Vendim të Kongresit të Lushnjës  më 9 shkurt 1920. Realisht Kryeqyteti i parë i shtetit shqiptar ishte Vlora, por Qeveria e Durrë-sit u vendos në  Durrësindhe kështu morri atributet e  Kryeqytetit. Realisht Durrësi ishte qytet më i madh se Tirana, ishte prefekturë ndërkohë që Tirana ishte nënprefekturë dhe varej nga Durrësi por në këtë kohë qyteti i Durrësit ishte i pushtuar nga italianët . Me miratimin e të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë. Asambleja Kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht Tiranën  kryeqytet të Shqipërisë.

[8] Po aty…

[9] …të fshatit Dukat…

[10] Halim Xhelo. Gazeta Politika.

[11] Antarët quheshin …komisjonë..

[12] “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e caktoi I.H.Kuçin edhe si komandant të grupit të dytë të forcave, për aftësit e tij ushtarake.Ismail Haki Kuçi u caktua edhe si gjyqtar ushtarak dhe me nismën e tij u bë organizator i gjyqit ushtarak që gjykoi e dënoi me vdekje me pushkatim disa dezertorë dhe spiunë gjatë luftës si dhe agjentë italianë (Fane Veizi- qeveria e kongresit të Lushnjës e veprimtaria e saj, 1918-1920,f.164)

[13] (B.Gaçe-Osman Haxhiu,Tiranë,2002,f.101)

[14] Komisioni i Luftës përbëhej nga 37 antarë, kryesisht ushtarakë të karierës dhe komandantë çetash me përvojë luftarake.

[15] A nuk ju kujton këngën…Itali moj paç lanet/S’pate turp goxha dovlet/Zure luft me një milet/Që rojnë moj me gazep/Me një  çikë buk’ në xhep/Mbledhur si foshnjat në djep

[16] Hidrovolantin që borbadonte nga ajri…

[17] Ndërkohë më 13 qershor 1920 Avni Rustemi qëllonte Esat Pashën në Paris duke i dhënë një hov të ri entusiazmit të kryengritësve dhe duke i prerë rrugën tradhëtisë..



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora