E premte, 29.03.2024, 01:26 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Fran Vukaj - Profile dhe vlera

E shtune, 14.03.2020, 09:47 AM


“PROFILE DHE VLERA” NË ZËRIN E FRAN VUKAJT

Nga Qazim Shehu

Libri më i ri i Fran Vukajt “Profile dhe vlera”, një përmbledhje e ndërthurur (me prozë publicistike, reportazhe, portrete, poezi, prozë) është një vepër e një lloji të veçantë që, në këtë mënyrë kompozimi, formon një reliev të përthyer leximor.

Ai manifeston  në boshtin e organizimit të tij ideotematik,  profilin e një artisti të pazakontë që e ka ndërtuar jetën e tij në marrëdhënie intensive me artin dhe artistët e tjerë, që nuk e ka për droje, as për ndonjë paragjykim egoist,  të flasë për të tjerët e duke folur për të tjerët kështu rrit e madhështon edhe veten e vet. Fran Vukaj është një regjisor i talentuar , me një karrierë të begatë artistike, një artist i fjalës skenike, i quajtur  nga analistëtpërmes metaforës:”gjeneral i skenës”, po njëherit poet, humorist e gazetar dhe analist.

Këto  tiparetë spikatura , kuptohet që kanë në krye cilësinë e regjisorit dhe të aktorit. Ai ka një biografi të gjatë artistike, në Pukë, shumicën më të madhe të kohës, por edhe në Tiranë. Jeta e tij nuk ka qenë e lehtë. Ca prej biografisë, e ca prej trillit të artistit të lire,  i është dashur të vuajë persekucionin,  dhe fyerjen që vjen nga kjo,  të zyrtarëve  kokëgdhë që kishin në dorë frenat dhe kodet e mpira zyrtare të kulturës. Por gjithmonë, duke pasur edhe artin si shpëtim, ai ka mundur të mbijetojë në saj të talentit të vet, dhe,  në jo pak raste,  këta zyrtarë kur kishin nevojë e thërrisnin që ai të zgjidhte mjaft çëshjte të koklavitura të skenareve dhe teksteve(Shkrimi “Si u dënuam për këngën e Enver Hoxhës);por edhe pse e shikonin se këtë punë mund ta bënte ai, ata si mosmirënjohës që ishin heshtnin kur vinte puna për t`i dhënë vendin dhe nderimin e merituar. Këtë mospërfillje,  ky artist e ka sfiduar me artin e tij të skenës, një art i magjishëm dhe plot domethënie. Me jetën e tij artistike,  ai tregon se arti është më i fortë se zyrtarët mediokër, se, ndërsa arti mbijeton , zyrtarët harrohen dhe,  përmes turpit të tyre, edhe kur kërkojnë ndjesë,  kjo ndjesë nuk vihet re.

Në librin e tij”Profile dhe vlera”autori,  si regjisor dhe dëshmitar po edhe realizues i mjaft spektakleve artistike,  bën një prerje vertikale të artit skenik, koreografik, muzikor në Pukë e më gjerë, po kryesisht në Pukë.

Në shkrimet e tij publicistike që ndërthuren midis analizës, tregimit dhe faktit jetësor deri te kujtesa individuale, ai sjell portretet e Ndue Shytit, Riza Hoxhës, Françesk Radit, Ndrec Mustafës, Tom Nikollës, Frrok Haxhisë, Zoje Palit, Fran Palit, Gjovalin Ndrecës, duke i parë këto portrete në rrafshin njerëzor po edhe në rrafshin e vlerave, duke dëshmuar marrëdhëniet e tij me ta, po njëherit edhe të vërtetën e pakontestueshme se,  edhe në kohëra të vështira,  bëhej art, aq sa të besohet se arti imadh bëhet në kohëra të vështira, të cilat,  me mungesën e lirisë dhe të vetëveprimit, sjellin natyrshëm një kundërveprim për ta dashur dhe kërkuar më tepër insiativën krijuese.

Këta janë artistë që,  Frani i ka njohur nga afër, ka bashkëpunuar me ta, ka dhënë ide dhe ka marrë prej tyre;ai nuk i idealizon, përkundrazi, në mënyrë të natyrshme  përshruan vlerat e tyre, punën pasionante në dobi të artit, seriozitetin dhe kërkimin e mundësive për rritjen e cilësisë artistike, sedrën e një krijuesi të vërtetë që mban përgjegjësi ndaj publikut dhe që kërkon ta ushqejë atë me  vlera dhe jo me dokrra, e vetiu të krijohet, dhe autori e sjell këtë, bindja se si duhet të jetë një artist i vërtetë.

Teksa e lexon këtë libër,  ndjen respekt e mahnitje nga puna e viganit, gjeniut të çiftelisë,  Ndue Shyti, i cili krijoi një ansambël të madh dhe një orkestrinë me njëqind instrumentistë, gjë që sot nuk është, sesi ai e lartësoi artin shqiptar edhe në skenat europiane;po kështu shikon sesi koreografi Riza Hoxha  pasuroi vallen pukjane dhe arriti të manifestojë vlera të saj në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare, kjo, jo vetëm në saj të talentit të tij, por edhe të seriozitetit artistik,  gjë që,  e çoi atë në hulumtimin studimin dhe frymëzimin ndaj valles popullore;rapsodët e mirënjohur Tom Nikolla dhe Frrok Haxhia janë dy ikona të rapsodisë shqiptare. Kush nuk frymëzohet nga këngët e tyre për Halil Gashin e Bardhok Bibën, por lexuesi mëson në këtë libër se talenti i tyre  nuk u realizua në një fushë me lule, dhe kjo falë librit të Fran Vukajt.

Thjesht e bukur na flet ai për Françesk Radin, këtë kantautor të mrekullueshëm,  dhe për Ndrec Mustafën , i cilësuar si”Fishta i Bugjonit”. Françesk Radi , i degdisur në Fushë Arrëz,  mund të këndonte në skenat europiane, por kjo ishte logjika diktatoriale;po kështu,  Ndrec Mustafa  mund të merrte pjesë në festival poetike,  por ishte i detyruar të punonte punëtor i thjeshtë,  sepse”ceni” në biografi nuk e lehonte.

Ajo që vihet re  në librin e Fran Vukajt,   është se ai flet pa dorashka, tregon realitetin me relievin e tij të përthyer kohor;as bën zbukurime e trukime të pahijshme, as e ul atë sipas paradigmave ideologjike, edhe pse vetë ka vuajtur;kjo tregon se Frani ka mbetur artist nga fillimi e gjer më sot, një artist që i ka besuar artit të vet dhe artit në përgjithësi,  jo për modë, as për t`u dukur, po me sinqeritetin e lindur të krijuesit. Kjo, si gjithmonë,  mbetet një shenjë e mirë, brenda kufijve adhurues të artit.

Por në librin e Franit, edhe ata që përfshihen, mund të gjejnë edhe gjëra që vetë ndoshta i kanë harruar apo nuk i kanë hetuar e vëzhguar dhe mund t`u kenë anashkaluar;Frani, me mprehtësinë e regjisorit(se regjisori kap detajet për hir të tanësisë) ua vë në dukje, kjo në plotësimin më të mirë të portretit të tyre.

Nuk mund të rrimë pa përmendur, dimensionin patriotik të publicistikës së Franit.

Ky dimension është aq i natyrshëm dhe kokëfortë në fakte. Sa prekëse dhe domethënëse është shkrimi”Pëllumbat e plagosur “për fëmijtë e Kosovës, ku Frani  jep,  për herë të parë,  poezitë e vogëlushëve kosovarë që ndodheshin në Pukë në kohën e tmerrit. Po kështu udhëtimet, koncertet në Kosovë, Drenas, Prizren, detajet e komunimmit vëllazëror, këngët, poezitë dhe fjalimet vijnë gjithnjë në këtë hulli ideor.

Duke folur për portrete të tjera si :Elez Hoxha, klerik i shquar, Mark Ukshinin, Zef Koliqin, Idriz Ahmetajn, Sabah Sinanin etj, autori me dy tre vizatime apo episode sjell një botë të tërë, konkkretizon ngjyrat e një kohe të caktuar brenda rrethanave apo konteksteve njerëzorë e kulturorë. Me mjaft kmpetencë flet ai për ekoturistin e shquar Gjovalin Alia, një njeri aq mendjendritur ,  i cili i çau  vështirësitë e jetës me punë dhe pasion, përkundër  ngushticave që i sillte biografia,  dhe arriti të sjellë vlerat turistike të Pukës  në përmasën e dinjitetshme të prezantimit me libra,  harta e guida.

Frani është një portretizues i zoti, ai nuk vizaton me fjalë të përgjithshme, por çdo personazhi i jep vendin e merituar, përmes jetës së vet dhe kontributit artistik, nuk zmadhon, as  nuk lë gjë pa thënë. Kjo, se i njeh, ka një material të bollshëm, por dhe se i shikon me dashuri dhe i çmon;kështu,  proza e tij derdhet lirshëm dhe dhuron bujari, dritë, sinqeritet dhe afrimitet;cilësi mjaft të pëlqyeshme të penëse së tij.

E njëjta gjë vihet tre kur flet për Ismailian, për gjuetarët e Pukës, për Halit Furrikun dhe Gjon Gjonajn, kryebashkiakun aktual të Pukës  që punoi e punon me përkushtim për ta ndryshuar këtë bashki, që ajo të bëhet gjithnjë e më shumë një atraksion i kërkuar turistik, por  edhe jeta e banorëve të përmirësohet e të fitojë cilësi të reja atje. Apo kur flet për Migjenin, për jetën kulturore artistike në Pukë dhe Kamëz, Tiranë, jep informacione të sakta mbi këngëtarët , rapsodët Musa Dauti e Sheriff Dervishi e artistët e rinj.

Poezitë e Franit janë një tjetër shfaqje e talentit të tij;ato janë të frymëzuara, mjaft të frymëzuara,  prej portreteve dhe konkretësisë së jetës. Poezitë e tij për Babën Ukë, Nanë Terezën, për Flora Brovinën, Mariana Graf, Rustë Kabashin, Hilë Bocin, Tonin Alinë e Lush Osmanin etj, përcillen me ndjenjën e dashurisë dhe respektit. Poezitë e Franit, përgjithësisht janë përkushtuese, por ato nuk e humbasin vizëllimin lirik, dhe tonin meditues, edhe pse ekziston ky rrezik.

Në dy vargje ai thotë:”Në karrigen e Pukjani/asht ul Papa i Vatikanit”, duke na sjellë ndërmend faktin se ishte duararti pukjan ai që punoi karrigen ku u ul Shenjtëria e Tij.

Poezia e Franit është mjaft e recitueshme, agjitative,  por jo me një agjitacion që përdor klishe të njohura, por me një agjitim për idetë njerëzore dhe vlerat e trazimit të shpirtit.

Humori i Franit vjen në cikjen e temave të përditshmërisë, ai zbulon të papritura dhe  njëherit zbulon karaktere, mendësi, prirje e këndvështrime të ndryshme.

Libri”Profile dhe Vlera”mbetet një dokument i gjallë i kohës së një artisti që nuk e ndan kohën e vet brenda qerthullit të një madhështie vetanake;përkundrazi e shikon veten në rrjedhën hapësinore, në bashkëveprim, ashtu siç edhe mund të nisemi nga vetë titulli. Ai është një libër plot dëshmi, fakte sa të gëzueshme aq të hidhura, jep një prerje veritikale të kohës dhe kohërave, njëkohshëm tregon se vlerat e artit nuk mund të kuptohen pa vlerat e bartësve të tyre, si për të na kujtuar shprehjen e famshm, me”nuk ka art, por ka artistë”, shprehje që jo domosdoshmërisht përjashton artin, por vendos në krye të tij artistë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora