E marte, 29.09.2020, 06:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Të përgojosh krijuesit, ves apo keqdashje?

E shtune, 14.03.2020, 03:42 PM


TË PËRGOJOSH KRIJUESIT, VES APO KEQDASHJE?

Nga Kadri Tarelli

Besoj se nuk jam unë i vetmi që po shpreh një lloj keqardhje dhe trishtim, ndaj një dukurie që bezdis mjedisin e krijuesve, por më shumën një lloj mospranimi nga lexuesi dashamirë, që e shikon dhe e vlerëson me përbuzje këtë ves të shëmtuar njerëzor e shoqëror. Është një shqetësim që po e bluaj me kohë, pasi ngacmimet janë të hershme dhe nuk po shteren edhe ne ditët e sotme, madje me shumicë.

Kur para ca kohësh publikova një shkrim të titulluar “Kultura vrastare e mohimit të vlerave kombëtare”, shkrim që i kushtohej librit “Elitat e mohuara. Nderi i kombit”, të autores Vilhelme Haxhiraj-Vranari, dikush më tha me dashamirësi: E ashpër fjala “Vrastare”, për një dukuri që nuk është vetëm shqiptare. Nuk u mundova as ta sqaroj, e as t’i mbush mendjen, pasi diskutime të tilla hanë goxha kohë dhe nuk sjellin asnjë dobi, aq më tepër miku përkarshi, ishte njeri goxha i kënduar. Vetëm shtova: - Është e vërtetë. Këtë e hasa edhe në librin “Dantja… e të tjerë”, një studim të sapo botuar nga Shpendi Topollaj, ku flet edhe për Shekspirin e Shollohovin, ndaj të cilëve, janë thënë e shkruar edhe vepra, për t’i mbushur mendjen botës, se nuk janë të mëdhenj.

Unë jam i bindur, se mohimi apo goditja e tjetrit, vërtet nuk është vetëm dukuri shqiptare, por ne sikur e teprojmë, madje me tepri, sepse nuk merremi me veprën e krijuesit. Do të ishte mirë të mbeteshim këtu, madje kjo do të ishte vlerë e vërtetë, por hyjmë në hollësi të jetës vetjake, që nuk i vlen askujt dhe s’ndihmon askënd.

           Në këto kohë, me ç’ kam lexuar e dëgjuar, kam përshtypjen, se është shndërruar në modë, mos themi sëmundje, kultura e mohimit, poshtërimit, përbuzjes, bështyrjes, baltosjes e përdhosjes së kolegu, mikut, shokut, të njohurit, shkrimtar, poet, piktor, skulptor, këngëtar, instrumentist, artist teatri, filmi, etj, etj.

Nuk them çuditem, pasi kjo fjalë e zbut zemërimin, sepse thesi i pyetjeve është goxha i madh. E pranojmë, se para viteve 90, të shekullit të kaluar, ia ngjisnim fajin politikës dhe ideologjisë, që nxiste sherr mes krijuesve, madje më keq akoma, disa i pushkatonte, i burgoste e syrgjynoste nëpër internime, për të vazhduar më tej, me ndalimin e veprave të tyre, medemek si armiq të realizmit socialist, etj, etj. Po tani, kur askush nuk na nxit, nuk na shtyn, nuk na ngacmon dhe as na lavdëron e nderon, ç’ dreqin kemi që nuk gjejmë qetësi me veten dhe të tjerët? Cilit krijues, i ka zënë udhën (x-it) apo (y-it) që nuk i lë të shkojë përpara dhe të ngjitet në fron të perëndisë? Kush i bën hije shkurreve, që i merret fryma dhe nuk i le të rriten e të bëhen lisa me fletë e me degë të mëdha? A mendojmë pak shtruar, se kur mohojmë vlerat e tjetrit, i shtojmë vetes grada dhe përfitojmë ofiqe? Unë nuk e besoj se kënaqim veten kur nxijmë tjetrin, as fitojmë emër dhe aq më pak pasuri. Mjafton të kujtoj fjalët e Sadiut, poet persian (1203-1291), që thotë:Ai që, në këtë botë ka shpifur e ka sharë, duhet ta kuptojë, se veten e ka vrarë”. Po! Mund  të them pa droje, se fitojmë nënvlerësim dhe përbuzje, qoftë edhe e heshtur. Mbase kështu mendojnë edhe shumë të tjerë, që secili të dijë ta gjejnë vendin në odën e burrave, si zakon fisnik i hershëm i shqiptarit: A në krye pranë oxhakut, apo në fund pranë derës?

Këto dhe shumë pyetje të tilla mblidhen gërshet e nuk i zgjidh dot askush, madje as i japim dot përgjigje, veç mbledhim buzët, e në shumicën e rasteve heshtim, sepse të mëdhenjtë, ata që mbartin vlera, nuk kanë nge të merren me të vegjlit, madje disa i shohin me admirim, sepse kanë me kë të krahasohen. Besoj se shkojnë këto pak vargje, që thura për poezinë, “Agolli – Kadare”(1)

………….

Diell i diturisë, askujt s’i mban anë,

Ka sofër të madhe, të gjithë pinë e hanë.

Koha është gjykatës, ajo mban hanxharë.

Kë e le të dytë dhe kë e tërheq zvarrë.

Jo rrallë herë, nëpër tavolina kafeneje, tema që zë më shumë vend dhe ha kohë, është marrja nëpër gojë e personit, dhe jo krijimtaria dhe veprimtaria e tij, si krijues dhe person publik. Këto kohë është shtuar edhe zhurmuesi apo tellalli elektronik, që me emra anonim, herë-herë edhe pa kapistër, vjellin vrer, si të ndërkryer në garë, apo të ndërsyer, kush e kush të shajë më shumë, madje edhe me fjalë të pista, marrë nga fjalori i rrugës.

Kur shpesh diskutohet nëpër biseda shokësh, biem në një mendje, se ky është huq i njeriut me shpirt të vogël, ziliqar, mburracak, grindavec, që do të duket, që nuk pëlqen askënd, veç vetvetes, aq sa edhe dielli e hëna, të ndriçojnë vetëm për ta. Disa prej tyre janë bërë si Arusha e plagosur, tek “Gjahu i Malësorëve” i Kristoforidhit, që pështyn sa majtas e djathtas, ndaj nuk duhen dëgjuar me vëmendje, as duhet vlerësuar shumë, pasi u krijohet përshtypja se janë në udhë të mbarë dhe bëhen persona me rëndësi, etj, etj.

E pranojmë këtë gjykim të ftohtë, por këta thashethemexhinj krijojnë një lloj opinioni mbytës, që në një farë mënyre dëmtojnë personalitetin e tjetrit, që nuk i ka asnjë borxh. Jam i vetëdijshëm, se problemi mbetet i vështirë dhe pa zgjidhje, sepse nuk mund t’u mbyllet goja e fëlliqur, veç me heshtje dhe mos përfillje, pasi kuptohet keq, si triumf apo fitore e ligësisë.

Po e tjerr pak më gjatë fjalën time, pasi po vë re, se ky soj njerëzish, nuk po mbetet vetëm brenda kufijve të njohjes, si të thuash brenda nesh, por merr përsipër të mësojë edhe botën, që as do t’ia dijë fare, se kush jemi, sa jemi, nga jemi dhe çfarë themi. Më thoni ju lutem: Cilit personalitet të njohur shqiptar, që ka fituar emër dhe nderime nëpër botë, që nuk e kemi sharë dhe i kemi ngjitur një bisht.

Po ndaloj tek dy raste të kohëve të fundit, që i bëjnë nder racës sonë shqiptare, mbase llafazanët do të mbyllin gojën dhe do të heshtin:

Jo pak kohë më parë, Ermonela Jaho, këngëtare lirike shqiptare shumë e njohur në arenë muzikore të botës, si soprano në “Royal Theater House”. Londër, në një intervistë televizive, në Tiranë, e mërzitur tha: “U kërcënova, që të largohesha sa më parë nga Tirana”, kur erdha dhe debutova në operan tonë këtu në Tiranë”. Ç’ koment mund t’i bëhet këtij veprimi dhe kësaj ngjarje të shëmtuar dhe tronditëse?

Vetë Ermonela, ma lehtëson fjalën, gjykimin dhe mendimin, kur  zemërthyer, komenton: “Ne shqiptarët jemi pak të çuditshëm në këtë pikë. Kemi ndjenjë të lartë xhelozie me njëri-tjetrin edhe pse flasim të njëjtën gjuhë. Ti mund të kesh arritur diçka, të jesh bërë dikushi edhe jashtë kufijve të vendit tënd, por kur kthehesh këtu, e kemi shumë-shumë të vështirë që ta pranojmë zotësinë e tjetrit”. – Më tej ajo shton me bindje dhe krenari të ligjshme për vete dhe Mëmëdhenë: “Kështu është edhe me vendin tënd. Mund të pushtosh botën, por nëse nuk ke vendin tënd, të duket sikur nuk ke asgjë”.

Besoj se është e gjallë në kujtesë, gurguleja mediatike kushtuar prezantueses së mirënjohur Alketa Vejsiu, e cila arriti të jetë pjesë e festivalit muzikor të Sanremos në Itali, spektaklit më të njohur e më të ndjekur në botë. Çfarë nuk thanë për të. Një lloj histerie e çuditshme, sa keq-dashëse, aq edhe fyese, të cilën askush nuk e kupton nga buron dhe pse bëhet. Një lloj “gare” dhe “trimëri” e shfrenuar, kush e kush të shajë, të trillojë e të mallkojë më shumë. E pakuptueshme kënaqësia e tyre. Kujt i bënë keq, Alketës? Nuk bindem për këtë, pasi televizioni Italian e quajti “Uragani shqiptar” dhe as e ndien fare se ç’ llomotisin shqiptarët këtu në Shqipëri. Me një fjalë: “Na e lanë pushkën në faqe”, por llafollogët tanë as u skuqën e as u zverdhen.  Mund ta shajmë sa të duam, por Alketa për këtë rast, ishte një mrekulli, që gëzoi dhe mrekulloi çdo mendje dhe zemër shqiptare.

Nuk më pëlqen ta mbyll këtu mendimin, pa sjellë në kujtesë edhe përvojën time, si të thuash të heq merakun. Kam marrë pjesë në disa konkurse letrare, këtu në Durrës, Tiranë, Bajram Curr, Kosovë, etj, etj. Nuk më takon të flas për klasifikimin e pjesëmarrësve, me çmime dhe vlerësime te ndryshme. Mendoj se është puna e jurisë, mirë apo keq qoftë. Por më shqetëson, ajo pas konkursi, sepse fillon sharja dhe përbaltja e kolegeve të ndryshëm: ai s’bën! Si e mori ai vendin e parë? Pse njëlloj jemi? Ku merr vesh ai nga poezia! Tjetri s’ka haber dhe del para meje! ? Etj, etj. Të gjithë harrojnë se edhe ata kanë të drejtë të shprehen, madje kanë bërë më të mirën e tyre, nw fund dikush do të fitojë. Po uni personal nuk i lë të qetë dhe, aq sa vetëm poezia apo krijimi i tij e vlente të ishte në krye‼‼ Këto ankesa dhe baltosje vazhdojnë gjatë, si në tavolina, madje edhe nw makinë kur kthehemi, për të mos thënë edhe kur mblidhemi në kafe më shokë. Disa herë u kam bërë një pyetje: Po të ishit ju në juri, kë do vlerësonit si më të mirën poezi? Heshtja ishte kapaku i bisedës….

Nuk marr përsipër të them se ç’ duhet bërë, pasi kjo çoroditje morale dhe shoqërore, nuk zgjidhet me receta, as me këshilla. Veç besoj dhe shpresoj se goditja e artistëve dhe krijuesve nuk na ndihmon dhe as na nderon.

Me mirëkuptim

Kadri Tarelli

Durrës

Shënim: 1. Poezia u paraqit në konkursin letrar “Pranvera Durrsake”. Maj 2018.     

          



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora