E marte, 11.08.2020, 08:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Jaho Delia, poet i lirikës së ngrohtë

E enjte, 12.03.2020, 01:43 PM


JAHO DELIA

POET I LIRIKËS SË NGROHTË DHE i RAPSODISË ME TONE MALLËNGJYESE

NGA QAZIM SHEHU

Jaho Delia, prej kohësh,  e ka spikatur veten si poet i afirmuar , me zërin e tij origjinal, duke na dhënë një poezi të ngrohtë, plot emocione njerëzore, me një verb të thjeshtë ritmik e mjaft të pëlqyeshëm. Në librin e tij të ri,  ai i ngre më lart këto cilësi, dhe, cilido që do ta lexojë këtë libër do të mbetet i kënaqur, por jo vetëm kaq, do të ndjejë jehonën e historisë, këngët për trimat e motit, këngët e reja elegjiake për të birin e Jahos, Floranin, Dëshmor i Atdheut, këngët për njerëz të zakonshëm , por plot virtyte, e njëherit edhe një lirikë që thurret përmes vargjeve të ngrohta e me finesë.Si poet,  ai qëndron mes rapsodisë dhe lirikës, dhe e ke të vështira t`i ndash , ndonëse ato kanë një ndarje të mirëfilltë.

Rapsodia e Jahos,  edhe pse siç e ka natyrë rapsodia,  zotërohet nga toni epik-heroik, merr një ndryshim dhe përpunim të rëndësishëm ndjesor ku,  në to, krahas tonit epik shprehet dashuria dhe malli për njeriun , për kohërat, adhurimi dhe respekti për aktet trimërore, të gjitha këto të kaluara nëpër filtrin e një shpirti të ndjeshëm.Kjo ndodh,  se heronjtë, apo njerëzit e zakonshëm,  që u bënë heronj e mbetën në kujtesën popullore,  ishin njerëz të mirë, të dashur, paqësorë,  njerëz që e donin jetën, dhe për ta mbrojtur atë u ngritën e lufuan trimërisht, kundër shkaut, turkut,  e armiqve të ndryshëm që shkelën tokën shqiptare.

Jaho është nga Kala e Dodës, nga Radomira,  Dibra, një zonë që  mbart histori,  dhe ajo peshon sa malet e saj.I rritur në këtë trevë bujare  e të mençur, ai nuk kishte sesi të mos , mëkohej pikërisht me tamlin e rrëfenjave dhe legjendave, të mos i bridhte mendja pas trillit të historisë e të mos kapte pikërisht me imagjinatën e tij kohërat e shkuara,  për të spikatur ato virtyte të të parëve.Kjo , jo vetëm ndihet në poezinë e tij, por është një vlerë që ai e realizon përmes vargjeve plot vibrim,  duke shprehur krenari e besim se fjala e tij do të dëgjohet.Elementi i këngës, e bën poezinë e Jahos mjaft të konceptueshme dhe ndikuese.

Ai merr nga ajo vijën melodike dhe ritmin, merr nga melosi popllor çka më të mirë ai, jo si një imitim të rëndomtë,  por si një përthithje të tij.

Jo më kot , vargje të tilla të bëjnë për vete:”Dibrën e burrnisë se ku është e dini/Roje i bën Korabi, hije i bën Drini/Rrënjët në histori, të futura thellë/Nëpër shekuj , çdo gur kish kështjellë”.

Por, mund të vazhdojmë edhe me vargje të tjera,  të cilat shprehin ndjenjën e adhurimit dhe shpalosin bëmat e heronjve e luftërtarëve të lirisë:”Më njëzet, pa hy vjeshta/Nji gjamë përcjell bjeshka/Pse Korab kaq fort je nxi/Ku po ngjitet kjo urdi” , e vagje të tilla plot thirrma apostrofa e tonalitete kushtruese do të gjejmë në vargjet e Jahos.

Rapsodia e tij është një pasyrim i dinjitetshëm historik i atyre ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, ku,  zonat e para të ekspozuara ndaj armikut,  iu bënë barrierë atij, për të mos hyrë në thellësi të tokës shqiptare, e këto ishin Dibra, Ploshtani, Kalisi, Luma ,  me trimat dhe luftëtarët zëmëdhenj që meritojnë të gdhenden në vargje e është pak për ta.

Jaho si poet këndon natyrshëm.Bukur i flet ai me fjalë mallëngjyese djalit Floran:”Fort me zor bllokun e mora/Për atë peng që në zemër kam/Kurrë ma fort nuk m`u drodh  dora/Më fal për lotët o Floran”.

Malli dhe dashuria për të birin  përshkohen nga forca burrërore e një prindi zemërcopëtuar,  i cili,  përmes notave elegjiake,  ngre lart vlerrat e rinisë dhe të bukurisë së të birit që lartësohen  me cilësitë e larta morale në shërbim të atdheut.Një poezi e bukur, prekëse  dhe aq brishtë,  delikate.

Edhe pse autori,  në rapsoditë e tij,  frymëzohet nga ngjarje reale,  ai nuk është një përshkrues i thjeshtë i tyre. Ngjarja kalon në plan të dytë kur është fjala për të nxjerrë nga sharmi i saj  frymën poetike, tharmin burrëror, për të përshkruar tiparet fizike e morale të protagonistëve.Dhe fjalët janë të zgjedhura, ndonëse here- herë kemi ndonjë paradigmë apo stilemë të njohur, gjë e cila nuk mund të shmanget dot jashtë tipologjisë së rapsodisë.

Nuk mund të shmanget edhe një fjalor tipik si:urdi, allti, zanë, martinë, kollan, vatan,  kuvend, tabe(llogore) etj, etj , një fjalor që sjell ngjyrimet historike të kohës, të cilat Jahoi njeh mirë dhe po aq me zotësi di t`i ndërfusë e t`i përcjellë përmes rrjedhës së frymëzimit të vet poetik.

Rapsodia e tij është e veçantë , sepse ajo ngrihet mbi besimin se,  kulte e vlerësime të tilla morale , dëshmojnë për qëndresën historike të një populli i cili nuk iu nënshtrua të huajit dhe diti t`i vlerësojë ato deri me gjakun e vet.

Lirika e Jahos është një përvijim i atyre dridhjeve shpirtërore plot intonacione të buta dhe këndellëse.Ai ka shfrytëzuar mirë këngët e dasmasve, psikologjinë e popullit në  konceptimin e gëzimit të jetës, ka ditur dhe ia ka arritur që këto veçori t`i transfigurojë poetikisht dhe,  po ashtu t`i përcjellë  në vargjet e veta.

Poezitë e tij lirike i kushtohen nënës, gruas, babait(Poezia” Mandolina e babait”), një dashurie të vjetër që rizgjohet dhe koha mundohet të mbushë mungesën,  po kjo është e pamundur;kurbetit, natyrës, vjeshtës, qershisë, kohës që ikën, njeriut të sotëm,  po me ato ndjenja si të njeriuit të hershëm,  dhe,  këtu , ajo fiton një vlerë gjithëkohore.

Jaho ngre në kultin e bukurisë cucën malësore me gjithë tiparet e bukura morale të saj, pa përjashtuar ato fizike që ndërthuren dhe krijojnë harmoni.Si Çajupi , ai është konkret  në këngëtimin e dashurisë, nuk lëngon prej mungesë së saj edhe pse nuk i mungojnë nuancatt e trishtimit prej kësaj mungese.”A e ke lidh shaminë fitoz/Ti moj lulja e Serezit/Dimri i gjatë nuk u sos/Tue prit ditën e Shëngjergjit”…

A nuk ngjet kjo pyetje e shkëlqyer retorike me një këngë dasme në trevat tona,  kur gratë dhe vajzat i drejtohen nuses në valle dhe ajo kthen përgjigje vetëm me bukurinë e saj, pa fjalë.Këto intonime  di t`i sjellë vetëm një poet si Jaho.

Motivi i vetmisë, i mungesës,  shprehet në vargje të tilla si:”Sa herë letra të kam çue/s`mu përgjigje, pa u ndjerë/a do ketë pranverë për mue/A do shihemi ndonjëherë?”…e të tjera vargje vijnë si një klithmë e heshtur të një shpirti  të ndjeshëm,  që vuan nga mungesa, trilli, koha, vitet e njohjes që lënë vragë etj,  etj.

Me plot frymëzim poeti i këndon nënës, babait, gruas.Kuptohet , ato janë figura që nuk mund të mos u këndohet , veçse nga thellësia e shpirtit.Antologjike mbetet poezia “Mandolina e babait”, ku përmes veglës muzikore poeti shkon te njeriu, perms  sendit të drunjtë sjellë një refleks nderues ndjenjash:”Heshtjen mandolinës shpesh dua t`ia prish/Jap e marr t`ia shprush të lashta melodi/Ngazëllehem, dështoj, ia filloj sërish/Me ikjen e babait, iku e shenjta magji”…Kjo ta kujton një poezi të Martin Camajt:”Lahuta pushon në tra/Se nipat nuk dinë me i ra”, ndonëse,  pozia e Jahos,  konceptualisht,  është ndryshe nga ajo.

Si poet i peizazhit , ai e sjell atë me ato detaje që vijnë përputhshëm dhe natyrshëm me ndjenjën, peizazhi është ,  jo një dekor i thjeshtë, por funksionalizues:”I shoh të ronitura gjethet e vjeshtës/Si zogj të përhumbur po i degdis era/Venitur në stinë të tretë të jetës/Se u zverdh e blerta që u fali pranvera”.Detaje filigramiste mund të gjesh gjithandej në poezinë e tij,  duke ia zbukuruar kostumin natyrës,  por edhe gjendjeve poetike të subjektit lirik.

Poezia e Jaho Delisë  vjen nga zëri vetjak i një poeti, plot rima, ritme, e vetvetishmëri , larg çdo synimi për të shkruar diçka që të bjerë në sy, e,  për këtë shkak,  ajo bie në sy dhe pëlqehet.Nuk ka gjë më të rëndësishme për një poet , sesa  të jetë vetvetja, të këndojë me zërin e tij dhe këtë e gjen tek Jaho Delia Selmani, një poet i natyrshëm që i rri besnik tematikës dhe shtjellimit të saj, motiveve  dhe procedeut krijues të vetes…



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora