Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fran Gjoka: Zef Therçaj, një emër i nderuar dhe i respektuar

| E enjte, 12.03.2020, 06:57 PM |


NE DITEN E 7-MARSIT

Zef Therçaj, një emër i nderuar dhe i respektuar në drejtimin e menaxhimin me sukses të shkollës së tij

NGA FRAN GJOKA

Vitet në arsim rrjedhin natyrshëm, ndërsa jeta në shkollat tona ecën herë e qetë dhe herë rrëmbyeshëm, me plot variacione, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e brezave. Ato që i japin impuls jetës janë nxënësit dhe mësuesit, që me punën, pasionin dhe aftësitë profesionale, i bëjnë ata të nderuar dhe të respektuar. Sa më të plota të jenë aftësitë dhe dinjiteti i një mësuesi dhe drejtuesi, aq më i frytshëm është efektiviteti i tyre, që më shembullin pozitiv, ata ushqejnë individin dhe shoqërinë. Sado i thjeshtë dhe i zakonshëm te jetë individi, ai me mendjen e tij mund të verë një gur themeli në kështjellën e madhe të shoqërisë njerëzore.

Ishin ditët e ftohta të janarit, kur aty nga buzëmbrëmja, rastësisht takova drejtorin e Shkollës së Mesme të Bashkuar të Zejmenit, njohësin e profesionit të nderuar të mësuesit ndër vite dhe drejtuesin e apasionuar të arsimit në rrethin e Lezhës, Zef Therçaj. U takuam si miq të vjetër dhe nisëm të bisedonim për fushën arsimit dhe të drejtimit. Është disi e vështirë dhe njëherit mallëngjyese të shkruash për një institucion arsimor që ndër vite ka patur traditë të nxjerrë nga bankat e shkollës nxënës dhe kuadro të njohur dhe të drejtohet nga personalitete të arsimit në Lezhë e më gjerë. E kam njohur z. Zef vite më parë, pasi ishte njeri me vlera, mësues i përkushtuar, drejtues i zoti dhe punëtor i zellshëm. Puna dhe arti i tij i drejtimit kanë bërë jehonë brenda dhe jashtë rrethit të Lezhës. Punën e vështirë dhe delikate të mësuesit e kishte pasion. Ka nisur aktivitetin mësimor aty nga viti 1986, si mësues i lendëve matematikë-fizikë në shkollën e Spitenit, ku punoi deri në vitin 1993, vit në të cilin emërohet drejtor i shkollës në fshatin Pllanë. Më tej, për 6 vjet punon në sektorin e kualifikimit pranë Drejtorisë Arsimore në Lezhë, ndërsa në vitin 2002, emrohet drejtor në shkollën e Mesme të Bashkuar në Zejmen, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe sot.

Diskutimet, mbresat dhe përshkrimet për punën, jetën dhe veprimtarinë e tij pedagogjike dhe drejtuese të rrëmbejnë. Janë aq interesante dhe të thjeshta, saqë edhe lexuesi përjeton me emocion problemet dhe vështirësitë, hidhërimet dhe gëzimet që pati kaluar drejtuesi i nderuar gjatë punës dhe aktivitetit të tij pedagogjik dhe drejtues, prandaj edhe lexuesi jeton me shqetësimet dhe arritjet e tij në çdo moment. Ka ngjarje të bukura mbreslënëse në jetën dhe veprimtarinë pedagogjike dhe mësimore të një mësuesi të njohur, ka ndodhi të gëzueshme dhe të hidhura që të zgjojnë kujtime të ëmbla dhe të zymta për të kaluarën, por edhe mbresëlënëse dhe të bukura për të tashmen. Përmes kujtimeve të shokëve dhe kolegëve të tij, lartësohet figura e drejtuesit të njohur Zef Therçaj, këtij edukatori, drejtuesi dhe njeriu me vlera shoqërore, lartësohet puna dhe veprimtaria e tij, të cilën e njohin dhe e kujtojnë me aq respekt dhe dashuri kolegët, nxënësit, prindërit dhe njerëzit e thjeshtë. Kështu, mes shokësh, sot jo rrallë përshkuajnë plot emocion dhe ndjenjë momentet më të bukura të jetës, veprimtarisë, punës plot përkushtim të mësuesit të apasionuar Zef Therçaj, kur jepte mësim atje në fshatrat e Lezhës, por edhe këtu në Zejmen, shkolla e të cilit tashmë ka traditë në drejtim, që nga Gjelosh Toma, Mark Uci, Dedë Vata e deri tek Zef Therçaj, i cili po ruan me devotshmëri traditën e mirë që ka arkivuar kjo shkollë ndër vite. Drejtues i thjeshtë, i përgatitur, plot vizion për të ardhmen, rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, familje me vlera patriotike dhe kombëtare, por familje malësore e njohur për bujari e mikpritje të shkëlqyer e me reputacion si fis në krejt Bregun e Matës e si shume familje të zonës, edhe familja e Therçajve e përballonin me vështirësi jetën, po me besnikëri, breza të nderuar dhe me emër të mirë në rrethin e Lezhës. Por nganjëherë vështirësitë ekonomike dhe problemet shoqërore të kalisin vullnetin, të pjekin më shpejt, të bëjnë më të vetëdijshëm për të përballuar sfidat e jetës, të ambientojnë për të përballuar vështirësitë. Këto kujtonte atë ditë janari Zef Therçaj, drejtuesi i nderuar, njeriu i dashur dhe ndoshta kështu është, sepse ishin pikërisht ata vështirësi, ajo jetë e zymtë në fëmijërinë e hershme dhe në rini, që e kalitën vullnetin e tij dhe e futën mësuesin e ri në rrugën e bukur të jetës, të shkollës, të edukimit dhe të drejtimit të arsimit. Si një njeri me pervojë të gjatë në arsim, kam patur fatin dhe privilegjin që drejtor Zefin ta njoh në shumë pozicione pune. Kam fiksuar në memorien time mjaft momente të këndshme në punë me mësues Zefin, madje kam biseduar edhe me kolegë të tij. I thjeshtë, tolerant, korrekt, i çiltër, i dashur, njerzor, njeri me vizion për të ardhmen dhe miqësor. Madje edhe kur të bënte vërejtje, zotëronte një lloj takti imponues prej drejtuesi profesionist dhe të përgatitur. Nuk mund te portretizohet një personalitet njerëzor dhe profesional si i ai këtij mësuesi e drejtuesi vetëm përmes disa rreshtave të shkruar. Kontributi i heshtur ndër vite dhe mirënjohja njerëzore dhe e kolegëve jane sot sadisfaksioni më i madh i jetës sime profesionale-, thotë me një thjeshtësi të madhërishme mësuesi dhe drejtuesi Zef Therçaj. Duke parë vizionin e drejtuesit të kësaj shkolle, ai është i aftë në momente të caktuara të dalë mbi palët e konfliktuara dhe vogëlsirat, e vlerëson gjithnjë situatën që mund të krijohet në shkollë ose në komunitet. Është asnjanës në vendimet që merr dhe në punë e sipër ka krijuar mendimin te mësuesit se për të në punë të gjithë janë të barabartë. Zefi vijon të na sjellë në retrospektivë breza të shkëlqyer të mësuesisë të kësaj shkolle që rrezatuan dekada më parë dije e kulture, brezave shpirtin e pasionin e tyre të zjarrtë të mësuesisë, duke shpalosur vazhdimisht si një reformator i denjë me fuqi frymëzuese, si një mentor i mirë dhe i urtë. Mund të thuhet se ajo çfarë dëshmohet në drejtimin e menaxhimin e shkollës është afirmimi i një intelektuali të mirfilltë dhe i kompletuar, studiues e udhëheqës me talent e i përkushtuar dhe i mirëpritur në çdo aktivitet që organizon shkolla e tij në komunitetin prindëror. Të punosh në arsim është kënaqësi, por dhe përgjegjësi dhe detyrim i madh njerëzor, moral e social. Nuk mund ta kalosh lehtë dhe pa u vënë re këtë punë, nuk mund të mos ndjehesh i përgjegjshëm kur ke përballë dhjetra e qindra nxënës që shikojnë në dritën e syrit mësuesit dhe presin nga ata, si një idhull, që çfarë do t’u mësosh atë ditë. Sikurse nuk mund të shkosh “me duar në xhepa” përpara adoleshentëve, të cilët që në orën e parë të mësimit, të diktojnë sesa i aftë je, ku shumë nxënës sot njohin disa gjuhë të huaja zotërojnë kompiuterin dhe internetin në mënyrë të përsosur dhe mbi të gjitha kanë çdo ditë informacion të saktë shkencor për botën që i rrethon. Zefi modest dhe i shtruar, i dashur dhe  ekuilibruar në bisedat dhe qëndrimet e tij me mësuesit dhe nxënësit, i matur në fjalën e mençur dhe në mënyrën se si të nxit të punosh për të bërë çdo ditë gjëra të frytshme për shkollën e nxënësit e tij. Kemi shumë mbresa për drejtorin e palodhur, Zef Therçaj, ndërkohë që më befason lëvizshmëria e tij e pandërprerë nga një klasë në tjetrën, duke ndjekur ritmikisht shqetësimet dhe problemet e ditës në shkollë. Nëpërmjet gjithë kësaj pune të përditshme, mbresëlënëse, Zefi vijon të na sjellë parreshtur në kujtesë vitet dhe shpirtin e pasionin e tij të zjarrtë të mësuesisë, duke shpalosur vazhdimisht si reformator i denjë me fuqi frymëzuese si drejtues me vizion të gjerë e dije shkencore, si një mentori i mirë dhe i urtë… Është pikërisht kjo shkollë përherë në avangardë të gjithçkaje të re nga brezi në brez. Kështu shkolla ka eskperimentuar prej vitesh me sukses profilizimin, Maturën Shtetërore dhe ka dhënë ndihmesën e vet në reformimin e pandërprerë të saj, me synimin e vetëm për të formuar gjithnjë një brez të ri, të aftë për jetën dhe sipas kërkesave e dimensioneve bashkohore evropiane. Sukseset e deritanishme e kanë zanafillën ku ke pranë një komunitet që sytë i ka te shkolla. Komunitetin, - vazhdon bisedën Zefi,- e kemi bashkëpuntorin tonë më të mirë dhe bashkudhëtar në përpjekjet e brezit të ri.

Natyrshëm, kujtimet, mbresat dhe përshkrimet për punën mësimore, veprimtarinë drejtuese dhe jetën e tij, të rrëmbejnë, si dhe shfaqja e respektit, mirënjohjes dhe dashurisë për shokun dhe kolegun që jep kontributin e tij për 34 vite me radhë në fushën e edukimit. Po puna e tij, përkushtimi dhe rezultatet nuk do të ishin të tilla pa ndihmën e pakursyer ndër vite të kolegëve të tij më të mirë, si: Gjelosh Toma, Ndue Luli, Tone Pepa, Dedë Vata, Dila Malshi, Gjokë Mili, Marie Frangaj, Margjelina Jakaj, Albina Jakaj, Gjyste Frangaj, Arlinda Nikolli, etj., me të cilët ka përballuar sfida dhe ka kaluar vështirësi. Falë punës së tij të lavdëruashme, shkolla ku ai punon, i është nënshtruar në rikonstruksioni të përgjithshëm vitin e kaluar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, ku janë krijuar ambiente bashkëkohore për të vijuar mësimet në kushte optimale.

Puna dhe veprimtaria e tij e gjatë në arsim iu kushtua zhvillimit me sukses të procesit arsimorë, punës drejtuese dhe zbatimit të reformave në shkollën tonë. U bë shpejt drejtues i njohur falë punës pasionante, pasqyrimit të vlerave dhe djersës së tij në edukimin e brezit të ri. Është meritë e shokëve, kolegëve, miqëve dhe nxënësve të tij që na freskojnë kujtimet dhe mbresat, jo vetëm për aktivitetin e mësues Zefit si drejtues, por edhe si edukator, si shok, koleg dhe njeri me vlera, duke dhënë gjithmonë shembullin e tij pozitiv në institucion dhe komunitet. Vite më vonë pati punuar në detyra dhe funksione të ndryshme si në organet drejtuese të pushtetit vendor, por në kujtesën tonë do të mbetet e pashlyer puna plot pasion në Sektorin e Kualifikimit pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Lezhë, ku u angazhua në aktivitete dhe veprimtari të ndryshme mësimore, shkencore dhe pedagogjike si dhe në zbatimin e mjaft projekteve në ndihmë të mbarëvajtjes së punës metodike në shkollat e rrethit të Lezhës dhe më gjerë.

Kur flet për brezat e mësuesisë në të shkuarën e largët të arsimit të zonës, Zefi nuk e shikon vetëm në aspektin individual, por edhe për rolin e kontributrin emancipues në mjedisin ku ata jetuan e punuan apo me gjurmët që kanë lënë mësuesit e asaj kohe në varësi të zhvillimeve politike e sociale të kohës për trevën që Zef Thercaj jeton e punon. Këtu kujton me nostalgji mësuesit e nderuar që punuan e sakrifikuan dekada më parë pranë kësaj shkolle me emër të mirë, si: Xhemal Prizreni, Agim Xhafka, Hasan Javori, Therco Cesteri, Anastas Buneci, Rudolf Marku, Liza Toma e plot të tjerë. Me këtë drejtim e menaxhim të mirë të shkollës i ka dhënë mundësi drejtorit që detyrat e tij nuk pakësohen, por shtohen. Duke qenë kështu, kuptohet se sa rëndësi ka sot funskioni i drejtori të shkollës. Sloganet që shpesh janë përdorur në shtypin tonë pedagogjik, si: “Një shkollë e mirë, një drejtor i mirë”, “Si të jetë drejtori, është shkolla”, shprehin rolin e pazëvendësueshëm të drejtorit në drejtimin e shkollës. Drejtori i shkollës së Mesme të Bashkuar të Zejmenit, z  Zef Therçaj, mbetet njeri i vlerave, shembull pozitiv i vlerave njerëzore, nga duhet të marrin shembull misionarët e sotëm të fushës së arsimit dhe edukimit, si dhe shoqëria e sotme. Drejtues të tillë, që udhëheqin me shembullin personal, lindin për shoqërinë dhe përpiqen me të gjitha mundësitë për t’i shërbyer me devotshmëri asaj, prandaj mbetën në kujtesën, mendjen dhe zemrën e komunitetit prindëror.