E premte, 19.04.2024, 07:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Të shkruash për miken e dashur

E enjte, 12.03.2020, 08:36 PM


Të shkruash për miken e dashur

Nga Meri Lalaj

Në ditët pas ikjes së Dritëroit nga jeta, shkoja shpesh tek Sadija për të biseduar e për të pirë kafe. Teksa po flisnim për librat e dorëshkrimet, Sadija më rrëfeu se Dritëroi gjithçka e kishte sistemuar me duart e veta nëpër dosje të veçanta: poezitë, publicistikën, përkthimet. “Madje në një dosje janë edhe tregimet e mia”- më tha Sadija dhe bëri një gjest gjysmë mospërfillës me një lëvizje të dorës dhe me një nënqeshje të lehtë në buzë. Dhe kurrë më nuk biseduam për tregimet e saj. Mbaja mend se pata lexuar dikur tek revista “Nëntori”, tregimin “Shkëmbi” të Sadijes. Papritur Sadija fluturoi nga kjo jetë. Disa muaj pas kësaj gjëme, Elona, e bija e Sadijes, më thotë se kishte ndërmend që të botonte tregimet e nënës së vet. “Shumë mirë!” i thashë, pa pasur asnjë mendim në kokë sesi do të ishin këto tregime. A do t’ia vlenin për një masë të gjerë lexuesish apo qenë vetëm për një rreth të ngushtë familjar. Kur u mblodhëm në ditën e përvjetorit të parë të ikjes nga jeta të mikes sime Sadije më dhuruan edhe librin e saj me tregime: “E dikurshmja në apartamentin Nr. 13”. Duke lexuar librin me tregime më dukej sikur po bashkëbisedoja me Sadijen për jetën tonë si konviktore, për vështirësitë e punëve që bënim kur dolëm në jetë, për rritjen e fëmijëve tanë, madje u gëzova kur lexova se një personazh mbante emrin tim. Më kryesorja është se ndonëse këto tregime janë shkruar dyzetë e ca vite më parë, ata përveç që mbajnë frymën e asaj kohe tingëllojnë të natyrshëm edhe në ditët tona. Arsyeja është sepse Sadija punoi për një kohë shumë të gjatë gazetare dhe si të thuash pena e saj u mpreh në përshkrimet e situatave nëpër të cilat jetonim, por në tregimet e saj ajo ka edhe një sy të mprehtë duke vëzhguar dhe zhbiruar në anën psikologjike të problemeve të kohës. Më kryesorja është se Sadija futet në shpirtin e femrave, në hallet dhe brengat e tyre në dhimbjet sa fizike aq edhe shpirtërore.

Në tregimin “Atë natë lindën dy djem” me dy fjalë ngjarja zhvillohet në një maternitet ku një grua e re i hap zemrën shoqes që gjen aty.

Tregimi “E dikurshmja në apartamentin 13”, më kujton jetën që kemi bërë dikur, miqësitë e ngushta kur ishim studente dhe pastaj kur ndonjëra martohej me një burrë gjoja  intelektual, një snob, që dinte vetëm të shtirej e të dukej përmbi të tjerët, i cili është i zoti t’i sigurojë asaj Mirës të gjitha komoditetet, por e ndrydh shpirtërisht duke e trajtuar si pronë si robinjë. Shoqet vijnë tek apartamenti i Mirës që ta kujtojnë për takimin që kanë lënë me ish-shokët studentë…

Me shumë vërtetësi, madje duket sikur të jetë shkruar sot është tregimi “Pështirje”, shoqet studente në konvikt, që i dinë të fshehtat dashurore njëra tjetrës shqetësohen për Mimozën, e cila njihet dhe takohet me një djalë Alfonsin, për të cilin shoqet dyshojnë se nuk është i duhuri, së fundi edhe Mimoza ndërgjegjësohet për të. Sipas rrjedhës së tregimit shkojnë vitet dhe ai mbetet po i njëjti, ai shtiret dhe me sjelljen e tij duke pështirosur veten dhe të tjerët.

Në tregimin “Shkëmbi” ngjarjet, përshkrimet hera herës duken si të fotografuara dhe hera herës si të pikturuara nga dora e një artisti: deti dallgët e tij, qielli i kaltër, tre personazhe gra dhe shkëmbi në formën e trupit të njeriut, paralel me shkëmbin qëndron një grua që kërkon të jetë e lirë së paku për disa ditë larg telasheve familjare e tjera.

“Sirtari i komodinës mbeti i pandrequr” është një tregim me anë të të cilit autorja futet në kujtimet e së kaluarës teksa hap një sirtar komodine për ta rregulluar dhe aty i shfaqen kujtimet e dikurshme, dashuria e saj, ajo dënon me forcë ndërhyrjet e fisit për të bërë mblesërira, mbron dashurinë e pastër dhe të sinqertë.

Një tregim shumë interesant është “Vajza e maturës “C”, në të ndihet menjëherë se Sadija e ka shkruar këtë tregim nga përvoja e saj si mësuese, por analiza psikologjike, vëzhgimi deri në hollësira të personazheve bën që ky të jetë një ndër më tregimet më të bukura të librit. Ermira është një vajzë jetime pasi babai i ka vdekur ndërsa nëna është martuar me një burrë tjetër. Vajza rritet nga gjyshërit dhe halla e saj, e cila është një grua llafazane, e pamartuar, egoiste që flet keq për të tjerët, ndërsa përkundrazi Ermira është një vajzë shpirtbukur e lidhur fort me mësuesen e vet, një ndjenjë që dikur në kohën tonë ishte e natyrshme lidhja shpirtërore midis nxënësve dhe mësuesve diçka që tani ka ndryshuar ka marrë thjesht drejtimin material.

Tregimi i fundit titullohet “Kur lëshon helmin e padukshëm”. Teksa lexoja këtë tregim para syve më përvijohej Dritëroi, i cili dikur shoqërohej me këdo dhe i hapte derën e shtëpisë kujtdoje. Është një tregim i bukur realizuar me vërtetësi me dialogë që thonë përtej mendimeve. Personazhi negativ, Tahiri, i cili kërkon vetëm të përfitojë nga të tjerët, madje të bëhet edhe shkrimtar është sjellë në tregim me ngjyra të myrrëtyera në mënyrë shumë realiste. Ky personazh i zi është gati edhe të prishë harmoninë e familjes mjafton që uji në mullirin e tij të shkojë drejt.

Tanimë, pasi autorja e këtij libri me tregime nuk është më në jetë, pengu i shkrueses së këtyre radhëve është ky: Si munda t’i lexoja këto tregime pa biseduar me Sadijen, e cila më buzëqesh nga Parajsa!?

Vlera e këtij libri është e madhe dhe sidomos tani që Sadija nuk është më në jetë. Tregimet janë shumë të arrira dhe përmes tyre ne arrijmë që të njohim anën e panjohur të bashkëshortes së Dritëro Agollit, frymën e saj krijuese, vlerat e saj, jo vetëm si redaktore dhe lexuese e kryeveprave të Dritëro Agollit, bashkëshortit të saj, por edhe peshën e penës së saj si krijuese.

Brezi i shkrimtareve femra, në vitet 70-80 të shekullit të kaluar, me emrat e njohur të: Helena Kadare, Shpresa Vreto, Diana Çuli, Dhurata Bozdo, Feride Papleka, Elsa Ballauri e të tjera.

Edhe Sadije Agolli në historinë e letërsisë shqipe meritonte të zinte vendin e vet me tregimet e saj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora