E premte, 29.03.2024, 02:06 PM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Më shumë më pëlqen të dëgjoj ''enver hoxha tungjatjeta...'' se sa ''Kosovo je serbia'...'

E shtune, 18.10.2008, 08:44 AM


Adnan Abrashi
MË SHUMË MË PËLQEN TË DËGJOJ “ENVER HOXHA TUNGJAT JETA ...” SE SA “KOSOVO JE SERBIA...”

 

Nga Adnan Abrashi

 

Pa asnjë dozë ngurrimi, që në fillim, duhet pranuar se në përgjithësi, ne shqiptarët jemi popull me shumë teke dhe specifika. Këto manire që shpesh na shprehen jo vetëm si individuale por dhe kolektive, na bëjnë që të dukemi ashtu sikur edhe jemi. Njëra nga këto “tabiate” të mentalitetit tonë, në mes tjerash është edhe shprehia e interpretimit të një dukurie shoqërore të së kaluarës, me argumentet e realitetit kohor të së tashmes. Më konkretisht, e kam fjalët tek polemikat e shumta  “pro et contra” të shprehura këto ditë në opinionin kosovar, në lidhje me kremtimin e 100 vjetorit të ditëlindjes së Enver Hoxhës, që u mbajt para disa ditëve në Prishtinë

 

Enver Hoxha, kompjuteri “PENTIUM 4” dhe interneti

 

Në një ndeje shoqërore, duke llafosur me një mik timin i cili ishte anti-enverist i përbetuar, i ndërhyra në bisedë me një shaka :“Nga të gjitha të këqijat që t’i ia numërove Enver Hoxhës si diktator, sigurisht nuk e din edhe një të vërtetë tjetër. Merre me mend – vazhdova më tej unë me kallëzimin – Enveri në kohën e regjimit të tij në Shqipëri, rreptësisht e kishte ndaluar kompjuterin dhe internetin për popullin e vet, sepse, këto mjete bashkëkohore të komunikimit i konsideronte si ç’pikje të imperializmit. Kur në një rast, dikush nga shokët e  partisë, ia kishte ofruar një “PENTIUM 4” dhe kyçjen falas në internet, Enveri, le që nuk e ka pranuar këtë ofertë, por ofertuesin dhe familjen e tij e kishte dënuar me internim të gjatë.

- “Po, po!  Ashtu është. Kam dëgjuar edhe për këtë rast.”– u përgjigj i sigurt në vete bashkëbiseduesi - “Enver Hoxha në mënyrë patologjike ka qenë kudër çdo përparimi teknologjik, vetëm e vetëm pse vinte nga Perëndimi”.

U desh të kaloj disa minuta, që në kokën e zjarrtë të mikut tim anti-enverist, më në fund t’i kallën “sijalicat kujdestare ” dhe ai ta kuptoj poentën e vërtet të shakasë.

- “T’i si duket po luan k...me mua? “- mu drejtua pak sa me nervozizëm – “Po, ku ka pas kompjuterë “Pentium 4” dhe internet në atë kohë?!!

- “Ja pra! Aty edhe dua të dal! -  iu përgjigja unë me buzëqeshje.- “Mu këtu qëndron problemi kyç i mentaliteti tonë të gabuar, miku im! Ne sot, në kohën e epokës së kompjuterizimit dhe internetit, ku vetëm me disa shtypje në “Google”, mund t’i qasemi çdo informate të çfarëdo aktualiteti kudo në botë, fatkeqësisht, nga kjo shkallë vetëdijesimit dhe eksperiencave të së sotmes, po tentojmë ta vlerësojmë kohën e një periode kaherë të perënduar historike; atë kohë, ku ndoshta figurativisht, as vetë Enver Hoxha nuk ka pas letër të mjaftueshëm t’i shkruaj me dorë veprat e veta, e lere më diçka tjetër sikurse është sot kompjuteri?!”.

 

Vetëm pak histori

 

Të izoluar gjatë me perden e çeliktë të kohës në mes vet, ne shqiptarët nga të dy anët e atdheut tonë,  fenomenin e Enverit duhet shikuar ndaras: veç si Enver Hoxha për shqiptarët e Shqipërisë,  dhe veç për shqiptarët e Kosovës tek të cilët më tepër reflektonte si mbështetje, kuraje, dhe simbol i identitetit shkëputur kombëtar,

Kur ta sheshojmë këtë çështje nga ky këndvështrim, atëherë, besoj se do ta kemi një përgjigje më të plotë në hamendësimin tonë:  pse Enveri duhet aq shumë edhe sot në Kosovë, dhe pse ai ka edhe mjaft armiq në Shqipëri.

Vlerësimin më meritor për Enver Hoxhën e Shqipërisë, unë do t’ua leja vëllezërve tanë atje, por për Enver Hoxhën nga këndvështrimi kosovar, do mundohem ta jap një mendim nga këndvështrimi im subjektiv amator si jo historian.

Dihet se, paralelisht, në kohën e pushtetit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri,  Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë po ashtu komuniste të Josip Borz Titos.

Ne, faktikisht, ishim të dënuar me dhunë të jetonim në shtetin e sllavëve të jugut (Jugosllavia), por, realisht, kurë nuk e ndjenim veten ashtu. Sepse ishim shqiptar, popull autokton me prejardhje nga ilirët e lashtë. Si u ndamë dhe u cunguam në dy e më shumë pjesë, edhe kjo histori na është e njohur mirë, por e vërteta e kohës ishte se, sikur këndej, ashtu edhe andaj kufirit, ideologjikisht kishim të bënim me dy shtete komuniste. Në këto rrethana, ne shqiptarët të mbetur jetim në Kosovë, atëbotë i kemi pasur dy zgjedhje të mundshme politike të orientimit: të jemi me Enverin shqiptar (Enverista), ose me Titon sllav (Titista). Mes tjetër alternativ s’kishte.

Derisa, sikur thuhet, andej kufirit sundonte “errësira staliniste” e regjimit enverist,  këndej gjysmës tjetër të atdheut tonë, “jo stalinisti”, dhe “demokrati” i socializmit vetëqeverisës Titoja, në çdo hap dhe në vazhdimësi, persekutonte, burgoste besa edhe gjakoste çdo mosbindje tonë dhe tendencë natyrore që të jemi të bashkuar me vëllezërit tanë gjenetik.

Nuk i kam në dispozicion këto të dhëna, por shumë kisha dashur që me shifra statistikore të bëja një ilustrim krahasues: varësisht prej numrit të banorëve shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, sa ka qenë mesatarja e të burgosurve politik në kohën e diktaturës së proletariatit të Enver Hoxhës në Shqipëri, dhe sa ka qenë kjo mesatare e të burgosurve politik shqiptar në  Kosovën e Jugosllavisë së Titos.

Edhe vetë si pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, më kujtohen shumë mirë ku pas intervenimit brutal dhe të përgjakshëm të policisë jugosllave ndaj protestuesve duarthata studentor; mjaftë prej nesh aty u vranë, qindra e qindra të rijnë u burgosën dhe u persekutuan, ndërsa mira të tjerë u desh ta braktisin Kosovën.

Në atë kohë, regjimi kinse demokratik i socializmit vetëqeverisës të Jugosllavisë së trashëguar titiste, jo vetëm se i kishte shuar me gjak këto protesta legjitime studentore shqiptare, por ajo, nëpërmjet të propagandës dhe marketingut të fuqishëm diplomatik që bënte, kishte arritur ta ngulfas në tërësi depërtimin në botë të së vërtetës rreth  kërkesave tona të parashtruara në këto demostrata, si dhe për brutalitetin e përgjakshëm policor të përdorur ndaj nesh..

Më kujtohet mirë se, as Evropa dhe askush nga shtetet tjera të botës demokratike, nuk reagoi si duhet në këto ngjarje, duke e konsideruar këtë punë si çështje të brendshme të RSFJ-së. Në këtë errësirë totale mediale, ishte vetëm Enver Hoxha dhe “Zëri i Popullit”, si organ i PPSH, i cili doli haptas në favor të kërkesave tona studentore për “Kosovën Republikë”. duke i gjykuar ashpër dhe njëkohësisht demaskuar, të gjitha gënjeshtrat pan-sllaviste-antishqiptare të RSFJ-së. Vetëm ky regjim Enverist atëbotë u mobilizua dhe e ngriti zërin që e vërteta e përgjakshme e këtyre protestave, të depërtoj jo vetëm në mediat botërore, por edhe gjer tek nivelet e institucioneve më të larta ndërkombëtare dhe në vetë OKB-në

Nuk ka pasur kush nga ne atëherë nga shqiptarët e Kosovës që nuk e kishim veshin kah “Radio Tirana” dhe reagimeve bombastik të “Zërit të Popullit”, organit të PPSH?!

Unë pranoj se, qaja me lot kur i dëgjoja këto lajme, por jam i sigurt që çdo shqiptar në atë kohë, së paku një herë e ka shqiptuar në vete uratën: “Na rroftë Enver Hoxha dhe Shqipëria!”

Por, ta lëmë këtë pak histori të thjeshtë dhe t’i kthehemi kremtes kontestuese të 100 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës në Prishtinë.

Për ta balancuar raportin e të kundërtave paradoksale të kësaj ngjarje konkrete, mjafton vetëm të merremi me emrat e atyre që ishin  prezent në këtë jubile, dhe këtyre të tjerëve, që sot po reagojnë si anti-enverist më të zëshmit. Në njërën anë shihen: pjesëtarët e familjeve më të persekutuar atdhetare shqiptare gjatë tërë kohës së regjimit titist, dhe nga ana tjerët, figurojnë emrat e përkatësve të familjeve, apo edhe personalisht ata, që tradicionalisht kanë qenë në anën e titizmit kosovar.

E, sa i përket hamendjeve mbi lejimin apo moslejimin e mbajtjes së këtij tubimi, të gjithë bashkëdebatuesve të mijë në këtë temë, ju përkujtoj se, sot Kosova është një vend i lirë dhe demokratik, ku çdo qytetar apo grupacion tjetër etnik, fetar dhe politik, ka të drejtë të mbaj tubimet e veta kremtuese apo protestuese të çfarëdo natyre dhe përmbajtje qofshin ato. E, sa për mua personalisht, më shumë ma kënda që në Kosovën time të dashur ta dëgjoj atë këngë “Enver Hoxha tu ngjat jeta, me ty jena sa të jetë jeta ...:” se sa ato tjera që shpesh këndohen nëpër enklava tona serbe: ”Spremi te se, spremi  te se, çetnici...Kosovo je Serbija...ne damo te Kosovo...”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora