E enjte, 28.03.2024, 10:06 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Qyteti i sharmit mahnitës

E merkure, 11.03.2020, 09:33 PM


Qyteti i sharmit mahnitës

Nga Gani Mehmetaj

Cyrih, 1997-99

Cyrihu është qyteti më i madh i Zvicrës dhe më i bukuri, apo ndër më të bukurit (që të mos u mbetet hatri Gjenevës, Lucernit e Lozanës), me qendra të mëdha financiare, me biznese ndërkombëtare, me diskoteka e restorante. Liqeni i jep sharmë të veçantë qytetit ditën e natën. Lumi Limmat buron nga Liqeni i Cyrihut, nëpër të lundrojnë anije të vogla për turistë. Cyrihu, pos qendrave të biznesit, bankave të shumta, përfaqësive ndërkombëtare, shitoreve me vitrina të rregulluara mirë, ka edhe pjesën shkëlqimtare të natës, që t’i lëbyrë sytë nga dritat. Jeta e natës nuk pushonte deri në mëngjes, por në mënyrë më diskrete, ashtu siç nuk pushonin tramvajet. Në diskotekat ku shkonim me Shkumbinin e Avniun kryesisht ishin zviceranët apo stjuardesa e pilotë të linjave ndërkombëtare që e kalonin një natë para se të niseshin me aeroplanë ndërkontinentalë deri në fund të botës. Ishte interesante edhe diskoteka për të cilën më thanë se është e Arnold Shvarcenegerit, aktorit të famshëm amerikan. Pos muzikës së zhurmshme, të tjerët të kalonin si hije pranë.

Ndërkaq, miqtë e branshes tjetër më ftonin në restorante shqiptare, ku çmallja me atdheun tulatej me gota rakie e meze të rënda mishi të përpunuar nga vendlindja. Përshëndetja nga mikrofoni me emër e mbiemër ishte zakoni i shqiptarëve, pronarë të restoranteve. Banhofi (Stacioni i trenit), njëri ndër objektet më monumentale dhe të vjetra të qytetit, paraqet nyjën e qarkullimit të trenave nëpër qytetet e Zvicrës dhe trenave ndërkombëtarë. Kishte disa nivele të metrove nëntokësore me qindra shitore, restorante, qendra grumbullimi e vende që të mahnitnin. Moria e udhëtarëve që futeshin nëpër trena e tramvaje nuk pushonte deri në mesnatë, ndërsa vrapimi si në garë e njerëzve dëshmonte për një dinamikë jetese në qytetin e madh. Nga ky stacion shpesh nisesha për në Gjenevë, Friburg, Estavajs Le Lac e Bernë, ku kisha të afërmit dhe miqtë. Nga këtu nisesha me trenin e shpejtë ndërkombëtar në Gjermani, Luginës së Rajnës me shpejtësinë 170-180 km në orë.

Dy herë më ka rastisur të futesha në shtetin gjerman pa vizë, mirëpo me gazetën “Frankfurter Allgemajne” para vetes dhe me pamjen time asnjëherë nuk ma kërkoi polici pasaportën. Me t’u futur në kupe të trenit, policët kufitarë u drejtoheshin portugezëve e turqve, mua mbase më merrnin për gjerman a zviceran nuk di, por shkoja e kthehesha nga Cyrihu në Mynih, Bohum, madje deri në Bruksel pa ferrë në këmbë. Këtë trill ma kishin mësuar, nuk e shpika unë.

Banhofi i Cyrihut ishte interesant edhe për një fakt tjetër. Ishte vendtakimi i shqiptarëve, portugezëve, tamilëve e zezakëve. Por shqiptarët talleshin se ishte edhe vendtakimi ku tirreshin intrigat, bëhej parapolitikë shqiptarçe, përpilohej strategjia kombëtare, akuzoheshin bashkëkombësit në atdhe: pse nuk e nisnin luftën në Kosovë? Shumica e atyre që merreshin me parapolitikë, madje edhe me organizime politike ilegale, ishin të papunë, jetonin mbi kurrizin e shtetit zviceran, paraqiteshin me probleme të rënda shëndetësore, ose ishin kërkues të azilit. Taborët e konfrontuar politikë nxirrnin xixa: mërgata e vjetër, gati në shuarje e nacionalistëve, që kishin ikur nga terrori i Enver Hoxhës, e Titos, nuk ishin shumë aktivë. Brezi i marksistëve-leninistëve, që vepronin në ilegalitet, të frymëzuar nga Tirana kishin nisur të hutoheshin pas rënies së komunizmit, por shpejt e morën veten.

Pjesa më e madhe e mërgatës së shqiptarëve të Kosovës e të shqiptarëve të Maqedonisë u organizuan në LDK. Konfrontimet e tyre më shumë ishin ideologjike se sa mospajtime në strategjinë e veprimit. Në Kantonin e Cyrihut jetonin më shumë shqiptarë se në çdo kanton tjetër zviceran. Shqiptarët ishin të organizuar në shoqata e klube, në degë e nëndegë të Lidhjes Demokratike dhe të Demokristianëve, që ndihmonin më shumë se kushdo tjetër bashkëkombësit në Dardani, veçmas jepnin ndihma për të afërmit dhe e financonin arsimin.

Cyrihu është qytet gjermanofon, ku për ta marrë shtetësinë kërkojnë ta flasësh mirë gjuhën letrare gjermane, por ta kërkojnë edhe shvice dyç, gjuhën lokale gjermane. Është vend i rregullit e i disiplinës, i pastër si rrallë ndonjë qytet tjetër evropian. Pjesën më të madhe të qytetit mund ta shijosh duke ecur në këmbë nga qendra, rreth liqenit të bukur, nëpër pjesën e vjetër të qytetit ku ta ka ëndja ta shijosh e përjetosh me sheshet e kishat njëmijëvjeçare, me këngëtarët e rrugës, ekzibicionistët e ndryshëm nga e gjithë bota, rreth të cilëve grumbullohen qindra kureshtarë. Në qytetin e vjetër ku ka kafene e shitore, na tregoi një bashkëkombës, kur deshi ta ndërronte derën e vjetër, iu desh të kërkonte leje të veçantë nga komuna, të priste së paku gjashtë muaj dhe të kishte arsyetim të qëndrueshëm pse e kërkonte ndërrimin e derës së jashtme të dyqanit. Asnjë ndërhyrje s’mund të bëhet pa leje speciale.

Sa herë kam kaluar për kureshtje nga shtëpia-muze e Maks Frishit, shkrimtarit të madh zviceran. Ishte një shtëpi e thjeshtë, tipike zvicerane, e vjetër, por e ruajtur. Qetësia e heshtja e mbërthente jo vetëm shtëpinë, por edhe tërë lagjen. Pakkush nga ata që kalonin me nxitim kujtoheshin kush jetoi e punoi në këtë shtëpi. Tradita ruhet me fanatizëm, ndërsa inkorporohet mirë edhe në arkitekturën moderne.

Cyrihu me pjesën e vjetër të rinovuar shpalohet nga mesjeta deri në shekullin XX. Kur i sheh gjithë ato godina, kisha të moçme, ngrehina të vjetra aristokratike e institucione publike, të kujtohet se ne godina të ngjashme mbase i kishim, por na i rrënuan, apo nuk i ruajtëm vetë nga pakujdesia e padija. Aristokracia e tyre kishte jetuar në shtëpi të mëdha e monumentale, që të mahnitnin edhe sot, përderisa aristokracia jonë gjysmorientale jetonte në shtëpi njëkatëshe me një mbindërtim druri në katin e dytë.

Aristokracia vendëse dhe të kamurit jetojnë kryesisht përreth liqenit, por edhe në kodrat e Cyrihut, ku është edhe universiteti e disa institute shkencore. Prapë edhe këtu shqiptarët kanë zënë disa pika të frekuentuara me restorante, ku më së paku ka klientë shqiptarë, pos ndonjë mysafiri të rastit me emër kumbues. Të rinjtë kanë disa festivale ndërkombëtare me të cilat e tundin qytetin. Në Festivalin e Tekno- muzikës, ku isha dy vjet radhazi, në një hapësirë dy kilometra katrorë ishin 300.000 celularë (telefona dore), që i mbanin të rinjtë në dorë ose në xhepa, që merrnin sinjale ose jepnin sinjale, raportonin mediet. Pajimet muzikore që e tundnin vendin endeshin me qindra kamionë të mëdhenj dhe me vajza të reja të veshura për karnavale. Ishte atmosferë e jashtëzakonshme, ndërsa dielli të përcëllonte. Mbrëmja pastaj ishte tunduese. Në teatër shkonin elita, të veshur mirë e me kollare. Pas ndonjë premiere në Teatrin e Qytetit, që ishte fare pranë tri sallave të kinemasë, trafiku gati paralizohej derisa dilnin shikuesit e shfaqjes me qindra makina, nga parkingu i teatrit. Zviceranët e duan teatrin, ashtu sikurse e duan filmin, ku rastis të shohin tre filma njërin pas tjetrit. Cyrihun gjithnjë e kujtoj me dinamikën marramenthi, udhëtimet me tramvaj, por edhe kur mendoja se ku do ta kaloja fundjavën që të mos sillesha i vetëm nëpër rrugët e zbrazëta të qytetit si portugezët e shqiptarët në tuta (trenerka). Më ka zënë në të rrallë e diela në qytetin e vdekur, i vetëm dhe pa cak, ku mezi gjeja birrë a kafe, në restorantet e Banhofit, sepse të tjerat ishin mbyllur. S’dija ku ta fusja kokën. Ishte e gjatë dita e diel në Cyrih. Zviceranët fundjavën e kalojnë në bjeshkë, në liqene apo në pushimore të veçanta.

Fundjavën shpesh e kaloja në Gjenevë, një qytet ndërkombëtar shumë i këndshëm, ku do të jetoja me dëshirë sikur të më ofrohej mundësia. Kishe ku të shkoje dhe si të kaloje. Ishte relaksim i jashtëzakonshëm, sepse pos një ambienti të ngrohtë, liqenit përrallor, ujëvarës që e hidhte ujin sipër me vrushkull, qyteti ndërkombëtar i diplomacisë kishte diçka që të bënte për vete, me parqe, godina të veçanta, me historinë e të kaluarën, me njerëzit e këndshëm.

Në Gjenevë kisha miq e dashamirë, ishte një komunitet i madh shqiptarësh, që frekuentonin klubet e kafenetë, varësisht nga përcaktimi politik. Nehati e Ajteni, të afërmit e mi, ishin mikpritës të përhershëm në Gjenevë, që ma shpalonin edhe qytetin, edhe vendet atraktive. Ishte kënaqësi të kaloje një ditë apo një pasdite në Gjenevë. Ndërkaq, në Friburg, dhe qytetin tjetër frankfon Estavaje Le Lac, kaloja për mrekulli. Me Musën, kushëririn tim të parë e familjen e tij, merrnim grepat e peshkimit dhe ngjiteshim lumit të rrëmbyeshëm, ndërsa të mësuar nga vendlindja i thoshim Drini. Musa me Hatixhen gjithnjë më prisnin mirë dhe e kalonim mbrëmjen me verë e peshk si askund tjetër. Në Estavaje Le Lac dhe në Friburg kisha më shumë kushërinj se sa në Pejë e Dubovë.

Ditëve të tjera punoja në “Rilindje” deri vonë, ndonjëherë na zinte mesnata. Zyrat e redaksisë i kishim gati në qendër të qytetit, por banoja në Grunau strasse, 40 minuta me tramvaj nga puna në banesë. Banoja në një pension, ku shumica ishin pleq. Më bënin përshtypje këta burra e gra në moshën e tretë, më bëhej se nuk e ndienin moshën, nuk e ndienin vetminë, ashtu sikurse nuk u mungonte oreksi. Në mbrëmje derisa ulesha në një cep të restorantit, ata tashmë e kishin shtruar tryezën me ushqime e pije, me birra (kriglla) gjysmëlitërshe, flisnin me zë të lartë e ishin të hareshëm. Ishin ndryshe nga zviceranët e tjerë. E gëzonin jetën për lakmi.

Edhe kur e ndërrova banesën e kalova në Jozef strasse, fare afër Banhofit (Stacionit qendror të trenit) vetmia më ndoqi prapa. Shpesh më dukej vetja si punëtorët tanë që jetonin me dhjetëvjetëshe larg familjes. Por duket i tërë pensioni, ku banoja ishin vetmitarë e të përmalluar. Pranë dhomës sime ishte një angleze e re, bionde me quka, nga Londra, që punonte në një bankë të Cyrihut. Flitej se mijëra anglezë punonin në bankat e qytetit. Biondja me quka çdo mbrëmje bisedonte në korridor me të ëmën, në të vetmin telefon të përbashkët. Shpesh qante, pastaj qeshte, por nga bisedat e pafundme pas orës 22:00 shihej se e merrte malli për të vetët. Vajza tjetër, po ashtu angleze, ngjitur me dhomën e saj kishte një shprehi tjetër: në mëngjes përderisa e bënte dushin në banjën e përbashkët, prapë si shoqja e saj, qante, ndonjëherë harronte se edhe të tjerët ia kishin nevojën dushit, kështu që përmendej vetëm kur ia kujtonim. Dilte menjëherë si e zënë në faj me një buzëqeshje shfajësuese në fytyrë, por e përsëriste shpesh vajin përmallues të mëngjesit, që ta këpuste shpirtin.

Kroatja që kujdesej për pensionin i dinte historitë e të gjithë banuesve, burra e gra, vetëm unë i dukesha disi i errët dhe i pazbërthyeshëm, meqë nuk i flisja shumë dhe nuk ia tregoja historinë time. Kështu i kishte thënë mikut tim që ma gjeti këtë pension falë njohjes me kroaten. Që të mos e dëgjoja bionden simpatike me quka, kur qante, hapja dritaren e dhomës sime në katin e tretë që binte mbi rrugë dhe ndiqja lëvizjet. Rruga Jozef strasse mbrëmjeve ishte e qetë, në të rrallë kalonte ndonjë makinë. Por më binte në sy kur ndonjëri e ngadalësonte shpejtësinë e makinës, hapte me kujdes dritaren, një hije e ndriçuar dobët nga feneri i rrugës i afrohej, shoferi ia linte 20 franga zvicerane në dorë, kurse tjetri një qese të vogël të bardhë droge. Secili ua mbathte pastaj me shpejtësi drejtimeve të ndryshme. Asnjëri nuk më shihte, ndërsa i kisha aq pranë. Shpesh më dukej vetja si plakat e vetmuara zvicerane që gjithë natën rrinë me kokë në dritare.

Jozef strasse ishte rruga e qetë ku shpërndahej me diskrecion droga. Ndonjëherë kalonte trotuareve ndonjë femër e vetmuar që gjuante klientë. Skenat më trishtuese ishin kur dy-tre civilë që më vonë e kuptoja se ishin policë, e mbërthenin befas shpërndarësin e drogës dhe ia vinin prangat. Rastiste që fatkeqi përpiqej t’ia mbathe, kur e hetonte kurthin, por ndonjëri nga policët e shkathët ia vinte kleçkën prapa dhe fatkeqi përplasej me zhurmë në trotuar.

Jeta në redaksi ishte sa dinamike, koha kur duhej ta dorëzonim gazetën na e hante shpirtin, aq ishte edhe monotone,prapë të nesërmen ia nisnim nga e para, dita e re, numri i ri i gazetës. Në redaksi i takova Sali Çekun që erdhi me Hafiz Gagicën, aty e takova Agim Ramadanin, të gjithë këngëtarët nga Dardania aty vinin para se të shkonin në koncerte. Aty takova pjesën më të madhe të mërgatës sonë, sepse redaksia u bë ambasadë ku vinin shumë shqiptarë. Disa donin të na takonin, të tjerët qanin hallet e veta, të tretët shtronin kërkesa, sikur ne të qemë shteti. Kishim pos zyrave të punës edhe një sallon librash, ku rrinin gati tërë ditën shqiptarë profesionesh të ndryshme.

Nuk ka zyra a institucion shqiptar në Perëndim të këtë pritur e përcjellë më shumë shqiptarë të Kosovës e shqiptarë të Maqedonisë se sa redaksia e gazetës sonë. Cyrihu vazhdonte me dinamikën stresuese, me jetën e natës dhe me shkëlqimin farfuritës që t’i merrte sytë. Një ballkanas hutohej herën e parë kur dilte nga Banhofi i zhurmshëm. Kontakti i parë me qytetin e liqenit e të institucioneve financiare e linte pa mend. Askush nga ata që vinin një herë nuk kërkonin të ktheheshin prapa. Erdha për tre muaj, ndërsa ndenja gati tre vjet.

Fragment nga libri: ” Nga Dardania në Australi”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora