E premte, 19.04.2024, 07:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: ''Po na firon alfabeti''

E diele, 08.03.2020, 01:11 PM


”Po na firon alfabeti.”

Nga Shyqyri Fejzo

Ne, shqiptarët e paskemi pasur mendjen e thellë.Kjo vërtetohet dhe nga të dhënat shumë të hershme të zhvillimit të shoqërisë njerëzore,pra e kemi në gen. Jo se stërgjyshrit tanë për një plesht digjnin jorganë. Jo.Ata dalloheshin se vepronin e flisnin atëhere kur duhej.Ama, me sa duket, mendjen e kanë pasur të hollë, halë.Tani unë nuk po rendit bëmat e disa shqiptarëve emblemë, nga  Greqia e Roma e lashtë, Vatikani, perandoria turke, Egjypti etj. Nuk po përmend dhe atë që thonë nga njëherë gojët e liga që nuk lënë person, figurë apo udhëheqës të mëdhenj shtetesh në epoka të ndryshme, ti nxjerrin shqiptarë apo me gjak shqiptari. Konkretisht do ndalem në ditët e sotme.

Gjyshja ime, analfabete, për të mbajtur mend rradhën e punëve e veprimet që duhet të bënte, mbante disa kuti që u thoshte “kokume”, si dhe disa sepete të vogla ku kishte emrat e njerëzve që i kishin ardhur për gëzime, hidhërime. Po ashtu dhe njerzit për tu bërë qoka e kthyer urimet. Në to mund të gjeje kokrra misri, kokrra fasule, kokrre arra si dhe guricka të marra nga zalli i Dermecit. Sejcila nga ato do të përfaqësonte një bagëti, baklava, revani apo  një dhuratë tjetër e bërë në ndonjë gëzim, si dasëm, fejesë, lindje fëmije etj. “Kwto,- thoshte ajo, “janë borxhe qw duhen shlyer.” Kurse gjyshi, thonë se llogaritë i mbante në një shkop të bukur thane, të cilin nuk e ndante asnjëherë nga vetja. Në njërën anë të shkopit ai kishte gëdhendur numurin e krerëve të dhenve me shkalla të bëra me thikë, dhe në anën tjetër paratë e hyra dhe në një anë të tretë, paratë e dala. Këtij, me sa kam dëgjuar, i thoshin “rabush” dhe po të futëte në “rabush” gjyshi ta bëje mend mirë…”

Por, tani kohët kanë ndryshuar.Kanë ndryshuar aq shumë sa dhe nxënësit nuk kanë më nevoja të mbajnë mend as tabellën e shumëzimit, as rregullin e treshit, as nxjerrjen e rrënjës katrore, as katër veprimet në matematikë apo më thellë pastaj  në gjeometri për teoremat e Pitagorës, Euklidit e më the të thashë.Nxir celularin dhe ai ti jep hesapet në pëllëmbë të dorës në sekondë.Një mësues një ditë në shkollën që kam afër, i tha kolegut të vet:”Më ka pjellë belaja o koleg.Nuk u përgjigjen pyetjeve nxënësit në orën e matematikës. Ti i dashur, si ja bën? “Ëhë!-i përgjigjet kolegu. “Unë nuk e kam këtë problem, se nuk bëj pyetje fare”.

Mirpo, telashet nuk kanë të sosur me këto djallka llogarish. Se jeta është bërë e komplikuar shumë dhe në cdo hallkë të zhvillimit duhen mbajtur mend data, ditë, njësi matëse, para në lekë, të reja e të vjetra, në dollarë e euro,  emërtime me shkronja të mëdha dhe të vogla.. E, këto të fundit janë zhvilluar në mënyrë të paparë. Njeriu në jetë ka problemet e veta shëndetësore.Nuk po flasim për kartën e shëndetit,mjekun e familjes apo specialitetet ku paraqitet nevoja të shkosh, por për barnat. Me qindra emërtime, me bazë aspirinën e famshme.Me qindra emërtime të antibiotikëve me një bazë, penicilinën apo derivatet e saj. Me qindra emra të barnave që mbarojnë  me “ol”, “oil” për tensionin e sëmundjet kardiovaskulare.Shumë njerëz, me që nuk kanë shumë besim tek mjekët që i ndërrojnë herë pas here dhe ata e kanë në majë të gjuhës sharjen e kolegut, të përgjigjen: “Ama tek ai ishe? Ilaci që të ka dhënë nuk bën fare.Shko në x farmaci dhe merr këtë që të jap unë.” Nëpër farmacitë pastaj barnat merren pa problem recete si të dëshërosh. Pa duhet të mbash mend llojin e virusit apo bakterit që të ka “sajndisur”, është H1N1 është “Sars”, është “Honkong A2” apo është “koronavirus”, se cdo vit, sidomos në dimër e në të dalë të tij, sëmundëshmëria përsëritet  Një miku im tregon se cdo vit ka marrë vaksinën kundër gripit por asnjëherë nuk ka qëlluar në gripin që është vaksinuar.Kështu që gripi e bënte punën e vet.

Po jetën e veprimtarinë e njeriut e prekin dhe fenomenet meterologjike që kalon vendi ose që do na “vizitojë”, është tornado “Alberta” urugani “Irenë” , “Katrina”, apo stuhia “Georgi”. Kur u emërtuan këto dukuri në Majami, i u vu emra të bukur vajzash që mbase kështu merreshin me të mirë dhe ulnin agresivitetin e tyre. Fillimin e sezonit te tornadove, uruganëve e stuhive e nisin gjithnjë më shkronjë A, vazhdon më pas me B etj. Vetëm shkronjat Q,V,X,Y,Z, shpëtuan pa përdorur se ishin “të lodhura” nga përdorime të herë pas herëshme në të gjitha shkencat.

Pa përdorimin e energjisë elektrike jeta do të kishte probleme të mëdha.Nga do që të kthehesh, sejcili ka të bëjë me këtë tregues. Por edhe këtu emërtimet janë të shumëllojta dhe të ndryshueshme.Nuk e kemi fjalën për “ligjin e Ohmit” për një qark të plotë apo për një pjesë të qarkut.Nuk flasim për tensionin, intensitetin, rezistencat e rrymave atyre alternative apo të vazhdueshme. Jo. Flasim për pronarët e komandimit e shpërndarjes energjisë. Sa herë ka ndryshim politika, prite dhe ndryshimin në faturë, CEZ,  CEZ-DIA, KESH. OSSHE e më the e të thashë. Pastaj gojët e liga këto emra nuk i lënë rehat po përgojosin më shit-blerje shtrenjtë apo lirë, me mbushje e zbrazje të ujëmbledhsave, me vjedhje (qoftë larg) apo me padi në gjykata e SPAK. Ka kusuret e veta dhe pasuria që shkon nëpër tela. Nga e  njëjta gjë pak a shumë lëngojnë dhe pronarët e ujësjellsave në qytet e në fshat. Shkronjat edhe këtu janë ndërruar disa herë.Kush di not ti futet problemit të ujit e ujsjellsave, na del tjetër Mucobej, po nuk po e trazojmë shumë këtë herë.

Sallata më e madhe me shumë asortimente brenda është me emërtimet e famëshme të shoqatave jo fitimprurëse jo qeveritare, OJF, OJQ  me gjithë bijtë e bijat e tyre, të cilat nuk kanë të numuruar, e më the të thashë. Më pas, në cdo reformë që futet politika dhe vendi dalin njësitë dhe emërtimet e reja, si SPAK, PPP,BKH, GjK , KKGJ, LPSKZ,  KQZ,KQZL ,KED, OFL, GJL, KLSH etj. pa llogaritur dhjetra KH ose komisione hetimore nga Babalja deri tek presidenti.

Të gjitha me shkronja të alfabetit. Le me shkronjat e tij do bëheshin, se nuk ka me se të zevendësohen. Në këtë peocës e kanë pësuar bashkëtingëlloret. Zanoret pak ose aspak nuk janë përdorur. I gjori afabet e ka pësuar nga të gjitha anët.Nga një anë, në shkolla, në gjuhën zyrtare, në gazetari  e në jetën e përditëshme shkronjat e tij firojnë mjaft, sidomos ajo ë, e, t, etj. Diskutimet që bëhen për dialektet nuk kanë lënë pak gjurmë dhe në të shkruar.Nga ana tjetër, reformat që kanë pjellë e po pjellin gjith farë drejtorish e institucionesh, po rrëmbejnë pa mëshirë shkronjat e tij. Dhe thoni po të doni se mendja e shqiptarit mund ti kllaposë brenda gjithë ato emra shkronjorë dhe ti përdorë ku ti lipsen. Nuk është kujtuar ende as ndonjë kanal televiziv të bëjë ndonjë konkurs me këto emërtime. Vendit tonë nga një anë po i bëjnë firo njerzit që emigrojnë më qindra e mijra, na, del dhe alfabeti që po firohet përditë dhe nuk do i dalin bashkëtingëlloret e zanoret për tu vënë emrat drejtorive, institucioneve që dalin si kërpudhat pas shiut. Lum si ne!

Hamburg, Shkurt 2020.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora