E premte, 19.04.2024, 09:12 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Hante dhe qante

E merkure, 11.03.2020, 07:02 PM


Hante dhe qante

Nga Edison Ypi

Përdorimi i dhëmbëve për shkuljen e tapave metalike të shisheve, për thyerjen e arrave, bajameve, lajthiave, deri edhe coptimin dhe gëlltitjen e qelqeve, nuk bënin përshtypje, ishin të zakonshme.

Flitej për dhëmbët që për shkak të ushqimit të pakët duke mos u përdorur shndrrohen në send batall, në gjymtyrë atavike. Për dhëmbin e qenit, dhëmbin e qumështit, dhëmbin e shkulur që duhej hedhur mbi çati, dhëmbin e verdhë të kurvit, dhëmbët e ofiqarëve rusë që Pjetri i Madh, pasi pa në ëndërr se u bë dentist, ua shkuli me darë kovaçi. Flitej për rëndësinë e dhëmbëve në arenën ndërkombëtare; proletariati lufton dhëmbëpërdhëmbë me imperializmin.

Shprehja "Sa më pak tru në kokë dhe sa më pak dhëmbë në gojë, aq më mirë" që thuhej se e kishte thënë Konfuci, pëshpëritej më së shumti atje ku mendohej dhe hahej më pak, në burg.

Në njërin nga burgjet, gjatë bisedave për dhëmbët flitej për një të burgosur të heshtur që nuk llafosej me kërrkend, veç rrinte, veç punonte, veç hante. Ca nga mospërdorimi, ca nga mosha, ca nga plasja e kokës pas muri në hetuesi, këtij të burgosuri nuk i kishte mbetur në gojë asnjë dhëmb. Të burgosur pa asnjë dhëmbë kishte plot të tjerë. Çudia me këtë ishte se ky pa asnjë dhëmb hante më tepër se të gjithë të tjerët që kishin dhëmbë.

Kishte patur në atë burg të burgosur pa këmbë por që ecnin, pa gojë por që flisnin, pa veshë por që dëgjonin, pa sy por që shihnin. Si ky që pa dhëmbë dhe hante, s'mbahej ment asnjë.

Në përpjekje për të mësuar diçka rreth misterit të ngrënies pa dhëmbë, bëheshin hamendje nga më të ndryshmet. Supozohej se punën e dhëmbëve qyqarit në fjalë ja bënin kockat e forta të nofullave. Të tjerë thoshin se ai, me dhjamrat, kockat, dejet, e nakatosura me ujë, sajonte në fshehtësi një lloj llapaje që e gëlltiste ngadalë për të mos u dukur si pirje por si ngrënie.

Ngrënia pa dhëmbë mbeti mister për një kohë të gjatë. Enigma u zbulua vonë. Kur i bugosuri që kafshonte dhe hante pa dhëmbë, vdiq. Gjatë kontrollit pas vdekjes ju gjetën nën dyshek dhëmbë hekuri, dentierë llamarine. I kishte bërë vetë me gërshërë dhe limë. Dhëmbët e hekurta me njolla ndryshku, i hiqte kur fliste, i vinte kur hante dhe qante.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora