E premte, 19.04.2024, 09:47 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ish-të përndjekurit, para Kuvendit: Dënoni krimet e komunizmit

E shtune, 18.10.2008, 12:46 PM


ERALD KAPRI
 
Qindra ish-të përndjekur politikë kanë protestuar dje përpara Kuvendit nga ku kanë bërë thirrje që të dënohen krimet e komunizmit. Protesta paqësore e ish-të përndjekurve u ka kujtuar ligjvënësve shqiptarë se në morinë e ligjeve të pafundme që kanë miratuar, kanë harruar diçka thelbësore, dënimin e së kaluarës së errët diktatoriale. Drejtuesit e shoqatës kanë kujtuar edhe një herë vuajtjet dhe shifrat e krimit të sistemit të kaluar. Ata renditën edhe një listë me 9 pika, të cilat ua kanë dërguar deputetëve shqiptarë. Paralelisht me protestën e ish-të përndjekurve politikë, ka reaguar edhe OSBE-ja. Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka paraqitur raportin e veprimtarisë së institucionit në Vjenë, nga ku ka rikujtuar edhe një herë dënimin e krimeve të komunizmit. “Kuvendi vazhdon të shqyrtojë legjislacionin për ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist, duke u përqendruar kryesisht te bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Diskutimet nisën në verë dhe po vazhdojnë edhe tani. Duke mbajtur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, shpresohet që ligji të shqyrtohet nga Kuvendi dhe e gjithë shoqëria civile”, - thuhet në raportin e OSBE-së. Në listën e kërkesave të ish-të përndjekurve politikë është kërkuar heqja e titujve të diktatorit Enver Hoxha, i cili ende sipas ligjeve shqiptare, cilësohet si hero. Njëkohësisht, ish-të përndjekurit kanë kërkuar të hapen arkivat e të publikohen dokumentet e krimit komunist. Ata u shprehën më tej se u miratua një ligj antikombëtar për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, si dhe kanë shprehur indinjatën që në sallën e Kuvendit ka pinjollë të kriminelëve që kanë shkaktuar gjenocid. Një tjetër kërkesë ka qenë edhe nxjerrja e një fondi të veçantë nga qeveria për të gjetur trupat e 4500 qytetarëve shqiptarë që janë pushkatuar pa gjyqe, të cilëve ende nuk u dihet varri. Protestuesit i bënë thirrje edhe medias që të ndalojë promovimin e nomenklaturës së diktaturës. Në listën e protestuesve ishte edhe kërkesa për implementimin e rezolutave të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë dënimin e krimeve të komunizmit. “Të gjithë të pushkatuarit të shpallen “Dëshmorë të Atdheut” se u vranë për demokracinë dhe të varrosen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Të hiqen simbolet e komunizmit në vendet publike. Të fillojë menjëherë dhënia e pronës pronarit të ligjshëm dhe të ndalet menjëherë politika e Katovicës, si ndaj të përndjekurve politikë dhe ndaj pronarëve të ligjshëm, dhe për votimet e vitit 2009 të bëhet referendum kombëtar për sistemin zgjedhor dhe mos të tjetërsohet vota e votuesit, siç ka ndodhur gjatë këtyre 18 viteve të pluralizmit. Implementimi i rezolutës së KE-së dhe dënimi i krimit të komunizmit do të na çojë drejt një pajtimi kombëtar të shoqërisë, e cila në këto momente është interesi më madhor i Shqipërisë”, - thuhet në kërkesat e protestuesve.

Shifra të krimit komunist

5577 burra të pushkatuar me ose pa gjyq si “armiq të popullit e të partisë”

450 gra të pushkatuara me ose pa gjyq si “armiq të popullit e të partisë”

26.768 persona të burgosur si “armiq të popullit dhe partisë”

7.367 gra të burgosura si “armiq të popullit dhe partisë”

998 burra dhe 45 gra të vdekura ne burgjet politike.

308 burra dhe gra të çmendura nga torturat si “armiq të popullit dhe partisë”

50.000 familje të internuara dhe pjesa më e madhe fëmijë dhe pleq nga të cilët

7.022 kanë vdekur në kampet moçalore, një version shqiptar i gulagëve siberianë leninistë-stalinistë, si “armiq të popullit e të partisë”

Roshi: Presim krijimin e Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, reagoi dje për gazetën se shoqëria shqiptare ende nuk është njohur me krimet që kanë ndodhur gjatë komunizmit. Këtë vonesë Roshi e cilësoi si një tjetër krim që po i bëhet shoqërisë, e cila është mohimi i asaj që ka ndodhur. Ai ka këmbëngulur se duhet të ngrihet Instituti për Studimet e Krimeve të Komunizmit. “Partia jonë gjykon se duhet të krijohet një institut për studimin e krimeve të komunizmit. Duke parë edhe propagandën e javëve të fundit, e cila vjen nga grupe ideologjikisht të inkriminuara, krijimi i këtij instituti është më i nevojshëm se kurrë. Kalimi i kohës është dëm ndaj kujtesës sonë historike”, - tha Artur Roshi. “Ne nuk kemi asnjë tendencë hakmarrjeje dhe besoj e kemi treguar një gjë të tillë gjatë këtyre 18 viteve demokraci. Ne thjesht e vlerësojmë të rëndësishme që shqiptarët të njihen me krimet e komunizmit dhe brezat e rinj të mos bien pre e ideve komuniste apo ndonjë ideologjie tjetër të dëmshme në të ardhmen”, - tha më tej zoti Roshi. “Ideja e institutit nuk është një shpikje jona, - tha ai. - Ne e kemi huazuar nga vendet e tjera të Lindjes që kanë pasur thuajse histori të ngjashme me ne, si Rumania, Hungaria, Polonia, Çekia etj. Kryeministri Sali Berisha e aprovoi para disa muajsh këtë ide tonën, tani presim momentin se kur do të realizohet, pasi kërkohet kohë dhe infrastrukturë ligjore”, - deklaroi Roshi. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora