Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Islam Gegaj: Zekerija Idrizi - Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë

| E shtune, 07.03.2020, 01:06 PM |


“BISEDË SHPIRTËRORE ME SHËN NËNËS TEREZË” TË ZEKERIJA IDRIZIT

SHKOQITJE E NJË PJESE TË FJALËS SIME NGA PROMOVIMI I LIBRIT QË U BË NË SHKUP

Nga Islam GEGAJ

Këtu në Shkupin e Iliridës na mblodhi teologu e shkrimtari erudit Zekerija Idrizi, na bashkoi vepra e tij për të madhen Shën Nënën Terezë, së cilës ia ka kushtuar tërë mundin.

E si mos të ia kushtonte shenjëtares tonë dardane që është krenaria e kombit, është krenaria e Shkupit që e lindi. Këtu lindi fjalë shkruar në vepër si dialog përshpirtësie mes  Nënës së madhe hirëplote, të Gonxhe Bojaxhiut e njohur nga gjithë bota si Nënë Tereza dhe bashkëvendësit mendjendritur Zekerija Idrizit bashkëbisedim që rrjedh natyrshëm valë-valë. Një teolog i spikatur merr në konsideratë, e ndjen atë lloj borxhi për bashkëvendësen Shën Nënën Terezë dhe shkruan vepër monumentale teorike e poetiko-filozofike në tërë dimensionin shenjtëror të devotshmërisë së misionit të saj përshpirtëror të humanizmit e bamirësisë që e karakterizonte shpirtin e misionares në përmasa globale, planetare, unikale për njerëzimin mbarë.

Në vepër spikatë edhe figura e Gjergj Kastriotit – Skendërbeut që na bënë të njohur ndërkombëtarisht e na shquan. Kështu, autori me prirje atdhedashëse, përçon mesazhin e fortë, se një popull i vogël si yni, i ka dhënë botës njerëz të mëdhenj si Skënderbeun zulmëmadh e Shën Nënën Terezë e famshme. Nuk është e rastësishme, që një teolog si Zekerija Idrizi, mishëruar me ideale atdhedashurie shpërfaq kaq bindshëm idetë e tij largpamëse për unitet kombëtar.

Në vepër përshkohet e përvijohet ideja përkushtuese:

Një komb

Një gjuhë

Një qellim

Se vetëm kështu të unifikuar, do të jemi të lartësuar. Kjo është doktrina e tij postrilindase mbrujtur me vlerat e shqiptarizmes që e bën të veçantë teolog Zekrijan ndër klerikët muhamedanë të kohës sonë. Ai është pasues i denjë i shkollës hoxhatiste, fanoljane, naimnjane, gjergjfishtjane e idrizgjilanase, që shkruan me respekt të thellë edhe për figura klerikësh shqiptarë religjionesh të ndryshme, shquar për shqiptarizëm. Bashkëpunimi ndërkomfesional i Zekerija Idrizit duke mbajtur lidhje të forta përmes takimesh e korrespodencash të rëndësishme për çështje kruciale të kombit e bëjnë unik për të qenë një figurë e dashur dhe e shumçmuar kudo ndër shqiptari që do të jetë frymëzim për gjeneratën e re.

Vepra: “Bisedë shpirtërore me Shën Nënën Terezë” është thesar i vlefshëm në panteonin e vlerave tona kombëtare e në përmasa ndërkombëtare që na shquan para botës në idenitet, kulturë e historinë tonë më të re.

E përgëzoj autorin Zekerija Idrizin për këtë vepër me vlera të veçanta dhe i uroj shumë suksese në jetën e tij për t’na dhuruar edhe të tjera vepra me vlera sublime.