E enjte, 28.03.2024, 03:05 PM (GMT)

Mendime

Mjeshtër i intrigës, Bisht’i dreqit”

E shtune, 18.10.2008, 11:03 AM


Nga Korrieri

Fill pas 90-ës, pasi ra e u shkërmoq miti i Hoxhës me një konvertim të shpejtë nga “udhëheqës i shtrenjtë” në diktatori gjakatar, nisën rrëfenjat për të; të ashtuquajturit mistere nga jeta dhe personaliteti i tij i dyshimtë, çka çoi në krijimin e një mini-zhanri letrar me në qendër Enverin, ku nuk dallohej realiteti nga fantazia në produktin e ofruar të tipit: “Të pathënat për diktatorin”, ose “Si e njoha Enverin”. Ndër to do të bënte shumë përshtypje një material i transmetuar nga RTSH-ja demokrate andej ‘92-‘93, ku një ish-shok i fëmijërisë së Enverit rrëfente për pashpirtësinë e tij në ekzekutimin e zogjve në pemë dhe hardhucave nëpër murre. Duke e parë këtë si një precedent në psikologjinë e një fëmije, që me gjasë është i ndjeshëm ndaj çdo gjallese, ish-shoku i vegjëlisë pretendonte se nga ky pigment i laboratorit të së kaluarës së diktatorit, pra vrasja mizore e zogjve dhe e hardhucave, mund të shpjegohej më së miri kanibalizmi e tij në qeverisjen e Shqipërisë për 50 vjet. Por së fundi, kompleksi i “zogjve” dhe i  “hardhucave” është zgjatuar edhe me të tjerë elemente nga jeta e Hoxhës, duke i mveshur atij dhe... mos o Zot, pederastinë! Dhe është bash një bashkëqytetar i tij, por i rreshtuar në kampin kundërshtar, atë të të persekutuarve dhe antikomunistëve, i cili pretendon se deviacioni seksual i ish-liderit të shqiptarëve në 50 vjet është i vërtetë. Kjo është shkruar në një libër, ku autori, një shkrimtar i profilit të të shkruarit të historisë me burgje, persekucione e bëma komunistësh, pretendon se po sjell fakte të reja nga personaliteti i Enverit, të cilin e klasifikon që në fillim të librit si individ me deformacion gjenetik. Por hamendja për Enverin gay që nga autori serviret si një fakt i vërtetë, bëhet më shokuese kur në punët e mbrapshta të tij përzihet edhe emri i gjeneral Spiro Moisiut. Konkretisht, në libër autori citon Ymer Dishnicën të jetë shprehur për gazetën “Telegraf”: “Kam qenë disa herë i pranishëm gjatë viteve 1943-1944, kur Spiro Moisiu grindej dhe shahej me Enver Hoxhën me fjalët më të ndyra. Në darkë pajtoheshin, hanin së bashku dhe flinin në një dyshek...”. Në një tjetër rast, autori u referohet rrëfenjave të një bashkëvuajtësi në burg, të quajtur Foto Bala, prej të cilit ka marrë si informacion faktin se Enveri u punësua si cigareshitës tek dyqani “Flora”, me ndihmën e të ashtuquajturit “Beu i kuq”, Esat Dishnica, që siç shkruhet “njihej jo vetëm si homoseksual, por edhe për lidhjet e tij me komunistët”. Dhe në fakt, libri “Mjeshtri i intrigës, Bisht’i dreqit”, me autor Agim Mustën, deri diku është një përmbledhje e dhjetëra deklarimeve nga persona të ndryshëm kundrejt Enver Hoxhës, të cilat Musta i ka përzgjedhur me kujdes, ka kaluar në sitë çdonjërin prej tyre, ka konkluduar me qëndrime përfundimtare rreth paudhësive të pretenduara të ish-diktatorit. Kështu, në një rast, autori e nxjerr Enverin si një mason të mundshëm e për këtë ai citon Adrian Kuçukun, i cili në një shkrim të tij rrëfen sesi është vrarë Viktor Eftimiu në vilën e pushimit të Enverit në Pogradec, duke marrë të mirëqenë faktin se ky i fundit duke qenë vetë mason e nuk ishte dakord me linjën që po ndiqte shoku i tij i idealit lidhur me luftën e klasave. Vaji i derdhur në tualetin e vilës së diktatorit ka rezultuar tragjik për jetën e Eftimiut, duke e mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull. Por sipas autorit, kjo nuk është vrasja e vetme që ka kryer “kanibali”. Në listën e tij figuron edhe vrasja e një prej kirurgëve të famshëm të asaj kohe, dr. prof. Loci, për të vijuar më tej me zbuluesin e puseve të naftës, polakun Stanislav Zuber etj. Për Mustën, lista e viktimave është e pallogaritshme dhe për një fakt të tillë në libër përshkruhen faqe pafund. Një tjetër fakt interesant në librin e Mustës është se autori ka mbledhur opinione pafund jo vetëm nga pala anti-diktator, por edhe nga bashkëpunues të ngushtë të tij. Një prej tyre është edhe opinioni i ish-anëtarit të Byrosë Politike, Hajredin Çeliku, i cili është shprehur tekstualisht: “Enver Hoxha ishte një Zeus dhe përbindësh i vërtetë, që të priste kokën për kundërshtimin më të vogël”. Si për të treguar mllefin e vet, autori e përmbyll ciklin e “rrëfenjave” me opinionin e poetit Lasgush Poradeci: “Mos thoni që  Enveri vdiq, por thoni që ngordhi”. Jo pa qëllim Musta e botoi librin në prag të njëqindvjetorit të lindjes së diktatorit, për të mbyllur njëherë e mirë një llogari të lënë përgjysmë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora