Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Basha: Qëndresa e grave të familjes Jashari

| E merkure, 04.03.2020, 10:05 PM |


QËNDRESA E GRAVE TË FAMILJES JASHARI, 1998

“ Liria e një populli merr kuptimin e vërtet, vetëm kur njeriu tregon se është i gatshëm të vdes për të” Hegeli

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Të nderuar të pranishëm, po e filloi këtë kumtesë me thënjejn e filozofit të njohur gjerman Hegelit se çfarë bëri populli shqiptarë në përgjithësi, Kosova e Jasharajt në veçanti për lirinë që nuk e patëm.

Çlirimi i Kosovës është vepër e disa brezave të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar ndërsa heroizmi i gruas shqiptare është i njohur ndër shekuj, Pra, sipas burimeve historike, qëndresa dhe sakrifica e gruas shqiptare, si formë e rezistencës se saj, dëshmohet si vazhdimësi. Megjithatë, pjesëmarrja e gruas në jetën shoqërore në Kosovë në përgjithësi e sidomos pjesëmarrja e saj në frontin e luftës për çlirim kombëtar, emancipim, pavarësi e barazi nacionale deri në vitet e fundit ishte shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse. Nga kjo del se numri i grave që morën pjesë në këtë luftë shumëshekullore ishte i madh. Kosova mburret me Shotë Galicën, Marie Shllakun, Xhevë Lladrovcin, Hanumshahe Avdullahun, por Kosova kishte edhe shumë heroina të tjera që në ndonjë rast tjetër do të mundem ti përmendi. Gruas shqiptare asnjëherë dhe në asnjë periudhë nuk i ka munguar atdhetarizmi dhe vetëdija e lartë e saj se atdheu i saj ishte i robëruar. Kontributi i gruas shqiptare në luftërat shekullore për çlirimin e atdheut nga robëruesit nuk mund të vlerësohet vetëm nga shkalla e pjesëmarrjes së saj të drejtpërdrejtë në luftëra. Gratë shqiptare kanë dëshmuar besnikërinë dhe shpirtin e tyre të madh, duke u bërë burim i forcës dhe qëndresës së të dashurve të tyre.

Pikërisht, më 5 mars u bënë 20 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm, në historinë e kombit tonë.

Jo rastësisht, sot për këtë konferencë shkencore mora temën “Qëndresa e Grave të Familjes Jashari”, dhe me një emocion të veçantë u ndala për të hulumtuar dhe analizuar këtë ngjarje të dhembshme por edhe krenare, në mënyrë që ta formësojm dhe qartësojm sa më shumë kornizën e identifikimit të qëndresës së grave të familjes Jashari, dhe pastaj, duke e pasur të njohur dhe të zbërthyer brendësinë e saj, që domethënë formën themelore të saj, të krijohen mundësi reale që të thellohemi detaisht në  substancë: padyshim, nga pikëpamja më e thelluar studimore-shkencore. Ekuivalent me qëllimin – objektivin, mund të konstatojmë se ngjarja e Prekazit, është një nga ngjarjet epokale të luftës çlirimtare, e cila si rrallë ndonjë tjetër, e shpalos idealin e lirisë. Kjo ngjarje, po ashtu, e shpalos vetëdijen dhe shpirtin sakrifikues kundrejt ruajtjes së identitetit, të kulturës, të racës, me një fjalë, e shpalos gamën e ruajtjes dhe të zhvillimit të identitetit tonë kombëtar.

Ngjarja e Prekazit, po ashtu, si rrallë në historinë tonë, e shpalos tipologjinë e shqiptarit atdhetar, e shpalos modelin funksional të familjes shqiptare, e cila, pati gjithmonë një rol vendimtar në ruajtjen e substancës kombëtare kundrejt padrejtësive politike, historike, kundrejt okupimit, asimilimit dhe zhdukjes fizike të tij.

Gjithashtu duhet thënë se Lufta e Prekazit, si rrallë ndonjë ngjarje tjetër në historinë kombëtare dhe në historinë njerëzore, e shpalosi sakrificën heroike e legjendare të gruas shqiptare. Pra, kjo luftë e zhvilluar në fund të shekullit XX-të, e nxori në sipërfaqe një model të betejës unike nga domeni i luftës për liri. Por ajo që është esenciale këtu, është fakti se kjo ngjarje, e nxori në sipërfaqe, nën një: gruan në luftën e drejtpërdrejt, e cila jo vetëm që është unike në tërësinë e saj, porse, është qëndresë heroike e cila nuk ka përngjasim dhe as krahasim në historinë tonë nacionale, dhe në historinë njerëzore. Dhe dy: që të mos rrijë duarkryq para sulmeve barbare dhe okupuesve shekullor, Gruan e Jasharajve e shtynin në radhë të parë: traditat e lashta në luftë për lirinë e vendit; të kultit për nderin e familjes; të shpirtit të lartë të vetë sakrificës. Ndjenja e sakrificës për gruan e Jasharajve shpesh gjeti shprehje në më shumë se tri raste kundër sulmeve të egra serbe që ndodhën në familjen e tyre në Prekazin legjendar. Për gruan e Jasharajve okupimi klasik nga Serbia ishte edhe kulmi i fatkeqësisë, sepse ato ishin të vetëdijshme se s’bashku me lirinë e atdheut do të humbnin edhe më të dashurit e tyre.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte- vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.           Ngjarjet dramatike, të hapëta, kundër familjes Jashari kishin filluar më datën 30 dhjetor të vitit 1991, familja e Jasharëve rrethohet nga forcat policore dhe ushtarake serbe. Tre vëllezërit Jashari: Ademi, Rifati dhe Hamza nuk pranuan tu dorëzoheshin kriminelëve serbë, por iu kundërpërgjigjën me zjarr, duke çarë rrethimin, ku lanë dhjetëra ushtarë dhe policë serb të plagosur. Në këtë ngjarje u plagos nga helikopteri serb, Vesel Selimi nga Açareva.

Rrethimi i dytë i familjes Jashari u bë më 22 janar të vitit 1998. Forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, gratë dhe fëmijët e familjes Jasharaj i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit, që ishin në mbështetje të luftëtarëve të Jasharëve.  Bashkëfshatarët duke e parë se cak i sulmit serbë, ishin familja Jashari, ata kërkuan nga i zoti i shtëpisë të Jasharajve që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë, edhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë në shtëpi dhe të rezistojnë bashkë me të tjerët. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se gratë e burrat e Jasharajve nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre dhe do e mbrojnë vendin deri në pikën e fundit.

Po të njëjtin vit (1998), për tri ditë rresht, më 5, 6 dhe 7 mars, familja heroike me në krye komandantin legjendar- Adem Jasharin u bëri ballë sulmeve të pareshtura të makinerisë serbe. Familja Jashari këtë herë do të qëndronte për jetë a vdekje. Shpëtuan nga kjo betejë vetëm Besarta dhe Bashkimi. Ndërsa nuk ndodheshin në shtëpi, bacë Rifati, Murati, Bekimi dhe Lulzimi që gjendeshin në emigracion, si dhe Iliriana, Shqipja, Marigona dhe Fazliu, të cilët një ditë më parë kishin shkuar në Okrashticë. Adem Jashari me familjen para se të vriteshin i kishin dhënë besën njëri – tjetrit se, të gjithë do të luftonin deri në vdekje për çlirimin e vendit. Para se të vritej Adem Jashari kishte deklaruar: ”Nuk do të dorëzohem për së gjalli, vrastarët nuk do të kalojnë veçse mbi trupin tim të vdekur”.

Në luftën kundër serbëve , në mars, të vitit 1998 në kullat e Jasharajve legjendar u   vranë 48 veta, e nga familja e ngushtë  e Adem Jasharit, në mars të vitit 1998, janë vrarë 20 veta, prej të cilave  12 gra e vajza (midis tyre 3 të mitura), që me këtë rast do i përmendi vetëm emrat e gjinisë femërore që u vranë në këtë luftë : si Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit, 3. Zarife Jashari (49 vjeçare) gruaja e Rifatit, Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit, Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit, Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit, Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit, Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit, Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit, Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit, Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit,  Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit, Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit, e cila ishte vra e para me rastin e sulmit, rrëfen Besarta Jashari, e shpëtuara e sulmit, e cila tregon se “Adilja, gruaja e Ademit, Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi. Ajo shkoi me mare municion në katin e tretë të shtëpisë ku ikishin dhomat bali Adem dhe babai ynë, Hamza”.

Sulmi mbi familjen Jashari, nuk u bë vetëm pse ishte shqiptare, por pse pjesëtarët e saj ishin luftëtarë, pse ishin bërthama e UÇK-së, pse ishin shembulli i familjes liridashëse, pse Serbisë i kishin shkaktuar humbje dhe kërkonte të hakmerrej mbi një familje për të përhapur tmerr e frikë në çdo vatër shqiptare. Sulmi në familjen Jashari nuk kishte vetëm qëllimin e zhdukjes së një familje shqiptare dhe vrasjen e komandantit të UÇK-së, por qëllim kryesor kishte vrasjen e guximit të shqiptarëve për të luftuar për çlirim e bashkim kombëtar.

Në kohën kur në trojet shqiptare mungonte thuajse tërësisht sistemi edukativo-arsimor i organizuar nga institucionet shtetërore ose publike, roli edukues i ambientit familjar dhe në mënyrë të veçantë i nënës dhe i gjyshes për fëmijën ishte vendimtar. Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha, thotë një fjalë e popullit. Gruaja shqiptare e ka përbuzur kurdoherë frikacakun, ajo e ka përbuzur dhe e ka mallkuar edhe birin e saj kur plogështohej përpara vdekjes.

E tillë ishte shkolla e edukimit atdhetar në familjen Jashari të Prekazit të Drenicës, të cilën e bënë gratë e Jasharajve. Një shkollë që do të mbahet mend brez pas brezi dhe përjetësisht.... Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe në këtë betejë legjendare-mitike, shpëtoi gjallë edhe një vajzë e vogël me shpirt engjëlli, dhe  me një emër të bukur e sinjifikativ për kohën dhe për vendin: Besarta! Kjo vajzë e Hamzes, shpëtoi e gjallë, se kjo duhej të shpëtonte për dy arsye:

- Për të qenë dëshmitare e kësaj ngjarje legjendare-mitike,

- Për të qenë dëshmitare e misionit dhe e sakrificës së lirisë.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Familja Jashari u vra, për të dhënë kumtin që iluzioni mori fund, që realiteti kosovar nuk mund të durojë Serbinë dhe shqiptarët në një vend, në Kosovë. Familja Jashari i dha identitet realitetit të njëmend të Kosovës. I dha emër çlirimit të saj në muajt dhe vitet e mëvonshme.

Qëndresa e paepur e grave të Jasharajve ishin frymëzim për të gjitha gratë shqiptare në vitet e mëvonshme dhe tani. Ato vërtetë punonin në shtëpi, por zinin një vend të nderuar në familje dhe se jeta e grave të Jasharajve fisnikërohej me të qenit nënë. Është e vërtetë se ato vlerësonin shumë lartë të qenit nënë dhe bashkëshorte. Gjithë jeta e tyre ndërtohej në këto dy shtylla kryesore, por kur e kërkoi atdheu e familja, ato dëshmuan se që të dyja i sakrifikuan për liri, gjë që u ngritën në piedestalin e barazisë me heronjtë.

Roli dhe ndikimi i sakrificës në Prekaz, ka dimension gjithëpërfshirës: si brenda vendit, po ashtu, edhe jashtë vendit! Ajo, është një prej ngjarjeve që me mënyrën apo me sistemin e zhvillimit, ka habitur dhe ka shtangur jo vetëm shqiptarët, por këdo që ka dëgjuar për te. Pesha, efekti dhe ndikimi i saj lëvizi aso kohe gjithçka: si në lindje po ashtu edhe në perëndim.

Dhe jo rastësisht, duhet thënë se Familja Jashari, pati rol polidimensional  brenda një kauze të drejtë kombëtare: fillimisht mbi kondita politike, e më pastaj, edhe mbi kondita të tjera siç qe, kauza e ndritshme e organizimit dhe e fillimit të rezistencës së armatosur në Kosovë me vite të tëra.

Për qëndresën e familjes Jashari u shkrua në shumë shkrime shkencore e publicistike dhe jo vetëm në ato. Por, ajo që më bëri përshtypje është shkrimi i  motrës së dëshmorit-Afrim Zhitia, Sadete Zhitia, e cila për rolin politik, atdhetar, sakrifikues të kësaj familjeje, ja se çfarë shkruan: “Vetëm një familje e tillë emblemë, ku mbizotëronte harmonia dhe dashuria e pa fund, mund të jap mesazhin e fuqishëm. Vetëm një familje me një edukatë të mirëfilltë njerëzore, intelektuale e patriotike mund t´i jap popullit të saj mundësinë që ta përjetësoj legjendën dhe mitin, pa pasur nevojë të kalojnë vitet. Vetëm një familje e ngritur e me edukim të shëndoshë, ka mundur t´i dhurojë popullit të vet, rastin unik dhe të pa përsëritshëm në historinë e luftërave për liri. Janë të panumërta rastet kur heronjtë dhe dëshmorët kanë dhënë jetën për atdhe, por sakrifica që e bënë Jasharajt është unikate. Ata, luftuan bashkë me fëmijët e tyre. E pikërisht ky fakt, e bënë edhe më madhështore dhe mbinjerëzore sakrificën e kësaj familje“ .

Dhe krejt në fund, më lejoni që t’i numëroi disa tipare të jashtëzakonshme – sublime për gratë e Jasharajve:

-Gratë e Jasharajve në bazë të qëndresës që bënë, mishërojnë rolin historik kombëtar dhe jo vetëm kombëtar në gamën e identitetit, të zhvillimit dhe të kontributit patriotik liridashës.

-Gratë e Jasharajve, në mënyrë të vetëdijshme mobilizohen dhe organizohen përkrahë burrave  që aspiratat për liri, t’i realizojë deri në shkallë sublime.

-Gratë e Jasharajve, me kontributin dhe me aktivitetin e pa kursyeshëm të tyre, përmes rezistencës dhe sakrificës sublime, bëhen shembull i veçantë i organizimit dhe i bashkimit, një atribut që na kishte munguar vazhdimisht në historinë tonë të luftës për liri.

-Gratë e Jasharajve, me mënyrën e rezistencës dhe të sakrificës, e thyen përfundimisht mitin e forcës apo  të epërsisë së pushtuesit, kundrejt të pushtuarit.

-Gratë e Jasharajve, janë  rasti i vetëm në histori i mënyrës së organizimit dhe sakrificës së përbashkët, dhe si e këtillë, mund të konsiderohet edhe si një fenomen Kombëtar i rezistencës në luftën për liri.