E merkure, 24.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Letër e hapur Albin Kurtit

E merkure, 04.03.2020, 09:00 PM


KURSIMI I PARASË PUBLIKE - PREMTIM I QEVERISË VV-LDK

Letër e hapur Albin Kurtit

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Qeveria e koalicionit qeverisës VV-LDK, ende pa filluar fushata parazgjedhore, është delkaluar për të qenë koalicion i ndryshimit, i shpresës. Në mes shumë premtimeve, dhënë elektoratit, popullit, ka qenë edhe kursimi i parasë publike. Për festimet e përkujtimet të datimeve historike të përvitshme, në mes tyre edhe marsi i Prekazit, "Flaka e Janarit" dhe të tjera të kësaj natyre, Qeveria ndanë fonde enorme, krejt të pajustifikueshme dhe pa fije mbulese, që shprehen në shumë dhjetra mijëra euro.

Lufta e Kosovës numëron 400 masakra. Në Prekaz përkujtimi vazhdon tri ditë radhazi! Janë shumë dhjetra zyrtarë që braktisin zyrat dhe me vetura zyrtare sorollatën për homazhe të përsëritura, koncerte e mbremje zjarrndezëse! E gjithë kjo mund të reduktohet në një ditë të vetme, përfshirë mbledhjen komemorative përkatëse. Një këngë ose dy përkushtuese, do ta shmangnin tallavanë koncertale, hiç e zakonshme për gjëmat e mëdha.

Reduktimi i shpenzimeve enorme, të panevojshme, do të mjaftonin për ta rinovuar Kullën e Jasharajve, e cila edhe pas dy dekadave, ka mbetur si karakatinë, nga granatmi i forcave pushtuese serbo-sllave. Bërja e një muzeu, në hapësirat e Kullës, do ta pasqyronte historinë lavdiplote të Drenicës, të paktën, përgjatë shekullit 20-të, në kupolë të kësaj lavdie, pa mëdyshje, qëndron Heroi nacionalist, Komandant Shaban Polluzha.

Qeveria e koalicionit aktual, VV-LDK, duhet ta nismojë rishikimin e historisë më të re të Kosovës. Falsifikimi i saj grotesk, nga "komandantët", për ta përvehtësuar luftën e bërë nga të tjerët, duke kopjuar filosllavin Enver Hoxha në Shqipëri, i cili luftën civile, qytetare vëlla-vrasëse, e konvertoi, falsifikueshëm, në luftë "çlirimtare", ka dëmtuar skajshëm një pjesë të historisë së Kosovës.

Qasja serioze dhe objektive ndaj historisë, tashmë, duhet të jetë pjesë e ndryshimit. Ndarja e fitoreve të pakëta, nga humbjet numerike, duke mos i ngatërruar njëra me tjetrën, duhet bërë, për hirë të së vërtetës historike, qoftë ajo edhe e hidhur. Përndryshe, sot, po emitojmë serbët, të cilët festojnë Betejën e humbur të Kosovës, duke e konvertuar rrejshëm në "fitore", shekuj më parë!

Ndarja e Ademit nga Hamza, krim i politikës së kuqe

Qeveria e koalicionit VV-LDK, duhet të ndërhyjë në korrigjimin e shtrëmbrimeve të qëllimshme të meritave të heronjëve. Ndarja e Vëllezëve Jashari, përkatësisht, të Hamzës nga Ademi, është krim i politikës së kuqe. Qëllimet errëtake të "komandantëve të Rognerit", për t`i bërë vend e emër vetës, me tendencën për njëfarë kundërvënie, paradoksale e anakronike, të ushtarit luftëtar, në rastin konkret të Adem Jasharit, ndaj Presidentit plebishitar Ibrahim Rugova, që, në fakt, dështoi turpshëm dhe baltosi projektuesit, "komandantët" hileqarë e hiçër, tashmë, është e lexueshme për shqiptarët dhe më gjerë. Dihet mirëfilli se Adem Jashari nuk ka shkrepur asnjë pushkë, asnjë plumb më shumë se vëllai i tij, Hamëza. Ademi pa Hamzën nuk do të ishte ai që është sot. Atëherë, pse duhej ndarë e veçuar dy vëllezërit, luftëtarë të barazvlershëm?!?

Për këtë krim të politikës, kryesisht, të "komandantëve" pa ushtarë, të cilët nuk u bënë kurrë pjesë e luftës, përgjegjësi mbanë edhe Familja e nderuar Jashari, për heshtjen e saj, për padrejtësinë që i bëhet Hamzës, pas flijimit sublim. Familja e dinë mirëfilli se aksionet me armë, rezistencën karshi pushtuesit, deri në flijimin e tyre, e bënë së bashku. Asgjë nuk i ndau. Atëherë, pse duhej ndarë, pas vdekjes, në emërtime rrugësh, institucioneve e deri në buste e shtatore të bronzuara?!

Shtatorët e kryeçetanikëve të parë, krijues të grupeve të armatosura të para, përkatësisht, në Deçan, Drenicë e Llap, duhet të përfaqësoheshin në komunat e tyre nga: Sali Çekaj, Hamëz e Adem Jashari, Zahir Pajaziti. Korrigjimi duhet filluar nga shtatorja e Ademit në Skënderaj, t`i bashkangjitët edhe shtatorja e Hamzës, duke pasuar me emërtimet e pëbashkëta të Vëllezërve Jashari.

"Komandantët" e inkriminuar të Llapit, për "lavdinë luftarake" të tyre, nxituan ta ngrisin, kundërligjshëm e dhunshëm, shtatorën e Zahir Pajazitit në Prishtinë, ndërkohë që ajo e ka vendin në Podujevë, atje, prej nga vjen Zahiri. Ndërkohë, në Prishtinë do të duhej të ngritej një shtatore e përbashkët e kryeçetanikëve: Sali Çekaj, Hamëz e Adem Jashari, Zahir Pajaziti, me emërtesën - Sheshi i Kryeçetanikëve -.

Në Varrezat e Dëshmorëve është përzier gjithëfarë "ujemi". Pjesëtarë të bandave të djeshme, të haraçit, dajakut e më shumë, janë strehuar dhunshëm, në parcellat varrezore, ku prehen edhe bijtë më të devotshëm, dëshmorë e heronj të popullit. Nivelizimi dëshmor e hero, tashmë, ka degraduar, pa përfillur asnjë kriter të meritueshmërisë. Ndërhyrja e tanishme është e vonuar dhe komplekse. Por, të paktën, rishkrimi i historisë, me objektivin shkencor, nuk guxon të kompromentohet. Falsifikimet groteske të bandës komuniste në Shqipëri, të kryesuar nga filosllavi Enver Hoxha, duhet të shëbejnë për të kundërtën në Kosovën tonë.

Shpërfillja e kritereve bazë, për lokacionet e ngritjes të shtatoreve, largësia, të paktën, prej 300 metrave nga njëra-tjera, ka ndodhur. Zënia e dhunshme e lokacioneve, në kundërshti me normat përcaktuese për memorialet; mos plotësimi i kritereve meritore; kapërcimet në komunat tjera, duke mos e pasur vendlindje, dhe duke mos e lidhur as lufta dhe as vdekja me atë zonë, komunë; emërtimet e rrugëve qendrore, duke tejkaluar meritorët faktikë, që nuk kanë asgjë, përveç varrit të ngritur nga familja. Kësaj anarkije bizare duhet dhënë fund, gjithnjë bazuar në kritere e kode ligjore të përcaktuara.

Ndryshimi dhe dalja nga amullia e krijuar nga"komandantët" mujëshorë, deri në rrugaçëri, duhet stopuar me arsyetim të bazuar:

E para, duhet t`i jipet fund falsifikimit marroç, si cilësimi "Epopeja e UÇK-së" në Prekaz. Dihet se në marsin e 1968, ende nuk ka ekzistuar kurrëfarë UÇK-je;

E dyta, në Prekaz ka ndodhur sulmi i forcave serbe kundër Familjes Jashari. Dhe, ajo ka qenë e vetme një rezistencë, qendresë dhe assesi e UÇK-ja, e cila ishte ende inekzistente, ngaqë në përballjen e armatosur, mungoi jo vetëm ushtria imagjinare, e proklamuar, odave e kafeneve të LPK-eistëve , madje, qysh para viteve `90-a, por edhe vetë çeta faktike e Hamëz dhe Adem Jasharit;

E treta, përgjatë atyre pak muajve luftë në Kosovë, nuk ka pasur asnjë "epope". Për ata që nuk e dinë, duhet t`i referohen fjalorit, për t`i kuptuar termat "epope", "legjendë", "legjendar", sepse përdorimi i tyre paushall, për dy dekada radhazi, është i gabuar, madje, i banalizuar, jashtë kontekstit kohor dhe hapësinor.

Hamëza dhe Ademi trimërinë e kishin të bollshme dhe nuk kanë nevojë për epitete, të shpikura dhe të shpifura, nga "komandantët" profanë, frikacakë dhe profiterë, që relativizojnë të vërtetën, duke i kthyer në legjendë, pra, në përrallë dhe "epope", në lashtësinë e shtizave dhe të jataganëve. Një profanizëm, injorancë e tillë, nuk i nderon heronjtë faktikë, përkundrazi, i përrallëzon, duke i kthyer në hiç, nulitet, zero. Ruajna Zot nga injoranca!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora