E enjte, 25.04.2024, 11:54 PM (GMT+1)

Mendime

Prend Buzhala: A i ngjan Kosova një grope septike

E marte, 03.03.2020, 09:13 PM


A I NGJAN KOSOVA NJË GROPE SEPTIKE

Nga Prend BUZHALA

Ende nëpër Kosovë, në shumicën e vendbanimeve, ekzistojnë gropat septike (gropa që grumbullojnë ujërat e pista të nevojtoreve, për të mos u infektuar). Ato gropa (shpesh të mbuluara me një ferrë), janë sinonim edhe i historive trishtuese: në to janë mbytur jo pak fëmijë. Ato gropa shërbenin, pra, për të mos u infektuar.

1.

Larg qoftë, nuk po them që Kosova i ngjan një grope septike. Por, nëpër secilin qytet, buzë ndërtesave të larta, (pra, jo nëpër fshatrat "maloke"), sheh mbeturina, aty ku lëvizin fëmijët apo i zhvillojnë lojërat e tyre. Por nëpër qytete që moti ekzistojnë kanalizimet e ujërave të zeza. Kushedi ku derdhen ato e përse përdoren. Kryesorja, rreziqet nga infektimi qenë mënjanuar.

Mirëpo, në sheshe tregjesh dhe rrugë vërehen mbeturina: nëpër medie, rrjete sociale, dhe në jetën shoqërore, dëgjon e lexon për format më helmuese e më të ulëta të komunikimit njerëzor. Intrigat me qëllime të këqija e ngatërrestare; kurthet për ta dëmtuar Tjetrin, për të arritur vetë qëllimet jo të ndershme; skandalet e shumëllojshme që nuk kanë fund. Ndërsa mediat ndjehen mirë, kur ushqehen nga lënda e tillë helmuese. Si lëndë e parë për informim, debate, ndezje tensionesh...

Kësisoj, Kosova iu ngjet gropave septike, madje gropave të pambuluara e që kanalizimet i gjejnë nëpërmes mediave. Ndërkaq, shpirtrat njerëzorë stërkeqen. Kutërbojnë.

Askush nga ato grupe qytetarësh që banojnë nëpër ato banesa, nuk e marrin mundimin t'i pastrojnë. Madje, nuk ua tërheqin vërejtjen as fëmijëve të tyre, filloristë e gjimnazistë, e, fatkeqësisht, edhe studentë, që i gjuajnë ato kudo nëpër rrugë e trotuare. Ndërsa kodra e mbeturinave shumohen e shtohen. Hapësira përreth lëndohet nga këto pamje... dhe, natyrisht, edhe helmohet!

Ndërsa kjo hapësirë publike helmohet edhe me kanalizimet publike të mediave që i kanë heronjtë vet, kryesisht nga sfera e politikës (pozitivë a negativë, nuk ka rëndësi).

2.

E keqja, me intriga, kurthe, skandale, keqbërje, shitje droge, forma të ndryshme të korruptimit... nuk po i ndalojnë as arrestimet e shumta. Madje, qenka e pamjaftueshme, edhe konstatimi i gjendjes.

Mësimdhënësit janë të paguar që ta edukojnë nxënësin e studentin e tyre edhe për të mos hedhur mbeturina, apo për t'u ruajtur nga fjala e keqe dhe e pistë. Këtë përgjegjësi, në radhë të parë, e kanë prindërit. Dhe rrethi shoqëror, publiku, shteti.

Dhe kur dështojnë familja, shkolla, shoqëria e shteti, atëherë fëmijën e merr përdore dikush tjetër. Dhe e dërgon në të tjera rrugë... deri te luftërat e pakuptimta.

E, kur të rritet, kur t'i kryejë studimet, ai më nuk është dikushi, por kurrkushi: s'ka shpresë për punë, për jetë këtu! Shpresa kërkohet nëpër kanale tjera: ose në ikje nga Kosova, ose duke u futur në kthetra të ndonjë bindjeje të deformuar në emër të fesë, ose nëpër rrugët e krimit.

Fetarët do të thoshin: jeta rinovohet vetëm me besim në Perëndinë!

Partitë politike kërkojnë që të gjithë t’iu besojnë programit të tyre “zhvillimor”.

Ndërsa të rinjtë mbesin pa hapësira rekreative e sportive, pa hapësira për studim e lexim, pa angazhime në fushat ku ata kanë prirje.

Gjithçka i lihet stihisë, anarkisë.

Papërgjegjësisë.

3.

Përgjegjësia?

Kur ka përgjegjësi, edhe jeta bëhet më e lumtur, më harmonike. Ndryshe, na ndodh që t’i fajësojmë gjithmonë të tjerët. Të keqen ta gjejmë te Tjetri. Atëherë ti vuan: fajin ta kanë krejt të tjerët. Ndërsa gjërat nuk lëvizin, nuk ndryshojnë. “Vetëm kur merrni përgjegjësinë për jetën tuaj, ju zbuloni se sa i fuqishëm jeni me të vërtetë” (A. Hunt)

Nëse pret nga Tjetri, ti pret kot.

Kur e merr veprimin e mirë, edhe qëllimet arrihen.

Secili ka mundësi ta drejtojë jetën e tij.

Atëherë ti nuk ke nevojë të kërkosh leje nga dikush, bie fjala, për të mos e hedhur mbeturinën në rrugë a për ta shqiptuar Fjalën e Keqe, për ta bërë mëkatin e veprimeve të dënueshme.

Kësisoj, rritet mirëbesimi te forcat tua. E rrit besimin te vetvetja, te zotësia jote.

Je ti ai që vendos edhe për fatin tënd.

(Prend Buzhala, 1 mars 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora