E premte, 19.04.2024, 01:19 AM (GMT+1)

Mendime

Çerçiz Loloçi: Keqkuptuesit e Kadaresë

E shtune, 18.10.2008, 01:36 AM


Kadare
Keqkuptuesit e Kadaresë

Nga Çerçiz Loloçi

Kam ndjekur me vëmendje të gjitha mendimet pro dhe kundër, të dhëna kohë më parë në një forum online dhe në shtypin shqiptar, pas përfshirjes prej meje në të - të esesë së Ismail Kadaresë: “Raportet e mia me Camajn dhe Pipën”, ose me titullin që e kishte botuar e përditshmja "Shekulli": Për të vërtetën kanë nevojë të gjithë.

Rrëfimi i Kadaresë, për marrëdhëniet e tij me dy emra të njohur të diasporës shqiptare, Pipën dhe Camajn, është një rrëfim që ndodh shpesh ndër kombe të qytetëruar. Pavarësisht personalitetit të gjithsecilit, breznitë e sotme apo ato të mëvonshme kanë dhe do të kenë kuriozitet edhe për atë pjesë joletrare ndër-artistë, pra duan të dinë se si ka jetuar Ismail Kadareja, si ka qenë në raport me krijues të tjerë, me bashkëmoshatarë të tij shkrimtarë, etj. Por, përveç kuriozitetit që vjen në këtë rrëfim (a janë takuar ndonjëherë, kur janë idhnuar, çfarë mesazhesh kanë shkëmbyer), nuk mund të mos merret parasysh edhe një akt emancipimi i një personaliteti të madh dhe që s’mund të bëhet prej mendjeve dosido.

Disidenca

Ndryshe nga një farë M.B. (përkohësisht jeton në Londër), që duket se vërente një përpjekje të sofistikuar për disidencë antikomuniste, mëse një here, Kadare, është shprehur se nuk ka qenë disident... Ritjerrja e kësaj teme për disidencën në Shqipëri, në truallin ku jo vetëm nuk lejohej disidenca, por edhe që mund ta paguaje për të thjesht se regjimi kishte parë një ëndërr që ti mund të bëheshe disident dhe të rraste në shtatë penxhere, është një temë pa krye. Për hir të së vërtetës: as Pipa, as Camaj nuk bënë ndonjë lloj disidence brenda territorit shqiptar; aktivitetin e tyre antidiktatorial ata e kanë kryer jashtë vendit por që për kushtet shqiptare të asokohshme nuk arrinin të ndikonin tek askush.

Për ata që nuk e dinë, Kadare, pavarësisht se shkrimtari më i madh, jetonte në një banesë të zakonshme, apartament që e zotëronin një duzinë shkrimtarësh të tjerë. Ndryshe nga ç’mund t’i kenë thënë ndoca kritizerëve të palodhur, Kadare mbijetonte jo për shkak se i bënte fresk regjimit (vetëm një mendje naive mund të gjejë realizëm socialist në veprat e Ismailit), por falë personalitetit të tij të spikatur, falë një pune titanike qysh në adoleshencë dhe për hir të një talenti të madh.

Censurimi

Për fat të keq, asnjë nga librat e Kadaresë që ishin ngjarje më vete, nuk kanë kaluar pa peripeci nga ish-regjimi komunist. Gati më shumë se gjysma e librave janë ndaluar, censuruar, kanë qenë objekt të diskutimeve kryqëzuese, ndërsa ka qenë një periudhë e vështirë, deri me kërcënim jete pas vrasjes apo (vet)vrasjes së Mehmet Shehut. Nëse Bogdani dhe ndonjë kureshtar tjetër që nuk ka mundur të shfletojë “Një dosje për Kadarenë“, nuk ka se si ta dijë se, për cdo libër të botuar, ka pasur një histeri letrash me emër dhe anonimë, që gjenden fare lehtësisht edhe në këtë dosje, por gjenden për fat në arkivin e shtetit, në arkivet respektive të ministrisë së Brendshme, të Jashtme, të policisë sekrete etj.

Intrigantë, kamuflatorë, egoistë, falsifikatorë e kanë ndjekur fatalisht Kadarenë, që nga përmbledhja e parë poetike, e deri më sot. Nuk kam ndër mend të riprodhoj se çfarë ka pjellë fabrika e shpifjes për thuajse gjashtë dekada, por po ndalen në disa që janë përsëritur më shpesh:

“Fyerja” e shqiptarëve që hynë në ambasada në 2 korrik

Fund e krye një shpifje. Pyetja do të ishte për të hedhur poshtë këtë fabrikim: Në çfarë ekrani televiziv është bërë kjo deklaratë, në çfarë artikulli, në çfarë libri, në çfarë takimi mes miqsh, në çfarë promovim libri? Askund. Nuk gjendet kërkund. Kjo shpifje është fabrikuar edhe më tej, duke vendosur autorin në një podium me njerëzit e diktaturës dhe, mëgjithëse kjo ngjarje është e filmuar (në këto filmime Kadare nuk ekziston ne podium), janë disa njerëz që duan të besojnë sajesën e tyre.

“Denigrimi” i Fishtës

Thashethemnaja më e shëtitur kundër Kadaresë ka qenë ajo për ndalimin e Fishtës. Edhe kjo është vetëm një shpifje dhe asgjë tjetër. Kur është ndaluar Fishta dhe autorë të tjerë të klerit katolik, Kadare ka qenë veçse nëntë vjeç.

“Konflikti” me Bilal Xhaferrin

Megjithëse kjo ngjarje i përket një kohe relativisht të gjatë, duhet thënë se Bilali ishet veçuar nga shoqëria e asokohshme komuniste për shkak të biografisë. Pavarësisht kësaj, pra që diktatura e konsideronte të rrezikshëm dhe nuk e lejonte të botonte, Kadare ka insistuar dhe ka ndihmuar drejtpërdrejt që atij t’i jepej e drejta e botimit dhe të rihynte në Lidhjen e Shkrimtarëve.

Pikërisht në këtë kohë kishte pas dalë romani “Dasma” dhe nuk dihet se për çfarë arsye (ka zëra se atij i është thënë që të sulmonte Kadarenë për të rregulluar diçka në biografi) Xhaferi e sulmoi si vepër që nuk i përmbahej parimeve të Realizmit Socialist, duke u shaqur kështu më komunist se Enveri, apo si i thonë, më fanatik se Papa. Bilal Xhaferri, pas ferrit komunist, arriti të jetonte dhe të krijonte në një botë të lirë në SHBA, por, mjerisht, nuk la ndonjë trashëgimi të spikatur, çka ndodhi edhe me shumë autorë të tjerë që i shpëtuan këtij gulagu, dolën në liri e, megjithatë, u gjendën edhe më shumë “të burgosur” nga pikëpamja e krijimit letrar.

Raportet me Trebeshinën dhe Resulin

Dy nga sulmuesit më të zellshëm të post-nëntëdhjetës, shkrimtarët nënmesatarë, Trebeshina dhe Resuli, kanë qenë të angazhuar në skalionet e para të sulmeve ndaj Kadaresë; këto dy minifabrika të shpifjeve kanë mijëra radhë vreri, megjithëse deri më sot, nuk kanë nxjerrë asnjë dokument ku të shfaqet firma e Kadaresë kundër tyre.

Fama e Kadaresë

Ka qenë një periudhë e artë në letrat shqipe ku, për shkak të latinishtes europiane dhe të talentit të madh, humanistët shqiptarë me Budin, Bardhin, Barletin, Bogdanin, ishin po aq të mëdhenj sa letërsia që krijohej në Europën e atëhershme. Pas kësaj periudhe duhet thënë se letërsia e mirë, e ballafaquar me letërsi të tjera, e njëkohshme me to, pothuajse ka munguar.

Për shumë arsye objektive dhe subjektive, prodhimi kulturor shqiptar ka qenë me vonesa të mëdha, herë 50 vjet e herë njëqind vjet, e herë më shumë mote pas letërisë europiane dhe asaj botërore. Natyrisht, regjimet që janë instaluar në këtë vend, kanë pasur ndikimin e tyre, por nuk kanë qenë gjithçka: kryesorja ishte mungesa e personaliteteve të mëdhenj.

Kjo ndërprerje fatale me Europën, Perëndimin, botën e qytetëruar, iu rikthye shqiptarëve me Kadarenë. Kadare, përpos një shkrimtar europian, është një prej personaliteteve më të mëdhenj të kohëve të sotme; i përkthyer në më shumë se dyzet e pesë gjuhë të huaja, ai ka një reputacion botëror që pakkush mund ta gëzojë nga homologët e tij. Kadare është fitues i trofeve më të rëndësishëm letrarë në shumë kryeqendra botërore, fitues edhe i çmimit britanik “Man Booker” duke dalë edhe mbi disa shkrimtarë nobelistë. Krijimtaria e Kadaresë dhe, disa nga librat e tij, janë tekste të detyrueshëm mësimorë, jo vetëm në gjuhët kryesorë të OKB-së, por edhe në shumë vende dhe gjuhë të tjera.

Edhe për këtë njohje jashtë vendi të Kadaresë, nuk ka munguar sajesa se, ai, është përkthyer për shkak të Enver Hoxhës (janë nga një lagje, nga një qytet, është lokalist, do të ngrejë vetëm Gjirokastrën dhe gjëpora të tjera). Ne që kemi jetuar në të dy kohët, atëhere dhe tani, në komunizëm dhe në demokraci, e dinim fare mirë se një sektor i veçantë i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” që angazhonte përkthyes mjaft të mirë, merrej edhe me përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj.

Një aradhë shkrimtarësh, që nga ata më militantët, e deri te ata më të tërhequrit, përktheheshin në gjuhë të huaja, por nuk arrinin të linin kurrfarë gjurme. Por, për të mos u marrë me këtë kope krijuesish (edhe në letërsitë botërore ka një prodhim të pavlerë në nëntëdhejtë e ca përqind të tij), do të rikujtoj përkthyesin Jusuf Vrioni. I ndjeri përkthente njëherësh edhe Enver Hoxhën, edhe Kadarenë, por ai nuk kishte mundësi të ndikonte mëpastaj që, veprat e të parit, të syrgjynoseshin nëpër bimsat e ambasadave dhe, letërsia e të dytit, të pritej me entuziazëm në mjaft shtete europiane dhe më gjerë.

Mendoj se ka pak rëndësi nëse ke jetuar nën mbretëri, nën komunizëm, nën kapitalizëm, nën fashizëm, nën një regjim të gjithfarsojtë, rëndësi ka se çfarë asimilon nga krijimi botëror në të gjithë kohërat, çfarë vlerë krijon për sot dhe për të ardhmen, si ballafaqohesh me majat e kahershme dhe të sotme të letërisë, ç’ka Kadare e ka arritur dhe nuk mund t’ia nëpërkëmbë askush. (Për kuriozitet disa nga nobelistët e mëparshëm apo ata më të rinjtë, për shkak që një banesë të dytë e kanë edhe ata në Francë, janë miq të Kadaresë dhe shumë syresh, vetëm për shkak të krijimtarisë, e shikojnë atë si një idhull dhe si një majë që s’mund të arrihet lehtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora