E premte, 29.03.2024, 02:47 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Të vdesësh i bukur… dhe të rrosh në këngë

E marte, 03.03.2020, 07:55 PM


Të vdesësh i bukur… dhe të rrosh në këngë

Sprovë

Nga Timo Mërkuri

1-Sa herë që dëgjoj  këngën e Kanan Mazes[1],  vargu që të mbetet në mëndje dhe të vë në lëvizje fantazinë është pikërisht vargu…”Kanan tu prish bukuria”. Sepse unë e di  që ky varg flet për plagosjen e një luftëtari lab në sulmin mbi pozicionet italiane në Kotë[2], ku gjylja e topit i mori gjysmën e nofullës dhe nuk kemi të bëjmë me sfilata apo konkurse bukurie. Por le ta lexojmë bashkërisht këtë këngë kënduar nga luftëtarët shqiptarë të Luftës së Vlorës në 1920 që thotë…O bobo se ç’qënka Kota/ Më e bukur se Evropa/ Bytym mitroloz e topa/ Kanan Mazeja nga Shkoza/Me një nofull copa-copa/Kanan t’u prish bukuria/Le të rrojë Shqipëria/ Shiko si mblidhen bukuritë në një vend, sikur i vë  zoti  me dorë. Kanan Maze i bukur  plagoset në Kotën e bukur që, siç e thotë kënga ishte Më e bukur se Evropa…

1.a- Ne nuk na  ndalet vëmëndja te vargu…Me një nofull copa copa…, thua se nuk na bën përshtypje ashtu siç nuk i ka bërë përshtypje as vetë Kanan Mazes plaga në nofull, që normalisht duhej ta ndalonte në sulmin e tij. Por jo, ai vazhdoi sulmin sikur të mos kishte ndodhur gjë. Pikërisht në këtë moment i thërrasin shokët…Kanan t’u prish bukuria…Ata nuk i thonë psh “t’u ënjt plaga” apo “të rrjedh gjak plaga” por i thonë…t’u prish bukuria…Vërtet që ajo plagë gjyleje që i mori gjysmën e nofullës ja “prishi” pak bukurinë fytyrës  luftëtarit lab, por në atë çast e në atë vend ku vriteshin burrat e gjymtoheshin trupat e të vrarëve nga plumbat e gjylet, sikur nuk ishte vendi që të tërhiqej vëmëndja për “bukurinë”e fytyrës. Por ja që rapsodi gjykon se ky detaj ishte tepër i rëndësishëm, në mos më thelbësori për luftëtarin që u godit dhe që mund të vdiste. Ai gjykon dhe na thotë edhe ne se “bukuria” e luftëtarit në momentin e vdekjes[3] ishte diçka më e rëndësishme se plaga apo dhe jeta e tij. Ishte thelbësore edhe për  vdekjen e njeriut shqiptar[4].

2- Te romani “Ultimatumi” i Petro Markos[5] që bën fjalë për Luftën e Vlorës në 1920 ka një pasazh mbresëlënës. Shumë nga luftëtarët shqiptarë ishin fshatarë të varfër dhe vetkuptohet që edhe rrobat i kishin me arna e copë e çikë. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk kishte fonde t’i paiste luftëtarët me uniformë[6] ndërsa Qeveria e Lushnjës jo vetëm që s’kishte fonde, por ishte pozicionuar me “qëndrim në hije” në problemin e konfliktit. Por këta luftëtarë fshatarë po shkonin në luftë dhe mund të vriteshin. Problemi nuk ishte se do vriteshin, problem ishte se do vriteshin me rroba të vjetra e të grisura dhe kjo ishte e papranueshme në traditën shqiptare.

Sipas traditës shqiptare, dhëndëri ditën e dasmës dhe luftëtari ditën e betejës duhet të vishen me

rrobat të mira. Dhëndëri vishet me rroba të reja sepse duhet të vejë i bukur te nusja dhe luftëtari vishet me rroba të mira sepse mund të vritet dhe duhet t’i vejë i bukur vdekjes[7]. Plaga e plumbit nuk quhet shëmtim, Ajo është një zbukurim në trupin e luftëtarit, kudo që të jetë.. Prandaj, shkruan Petro Marko këta luftëtarë të varfër i thirën  një nga një komandantët e çetave dhe që të mos u cënohej sedra nga varfëria e tyre, gjetën argumenta të ndryshme për secilin dhe u dhanë nga një palë rroba të reja[8]. Ata i morën rrobat qetësisht thotë Petro Marko dhe pasi i veshën …fluturuan për në pozicionet e tyre sikur nxitonin për në dasëm. Ata s’kishin drojë nga plumbat sepse ishin gati t’i dilnin vdekjes përpara serbez serbez e t’i hiqnin hijen e rrëndë, siç u dilnin vashave te burimi i fshatit dhe u ngacmonin shaminë e kokës.

3- Një tjetër situatë në pragvdekje përjetohet edhe te “Bilbilenjtë trembëdhjetë”. Këta kaçakë quheshin  “Bilbilenjtë” nga emrat e dy komandantëve të tyre Bilbil Shako nga Rexhini i Kurveleshit dhe Bilbil Resuli nga Progonati. Por le të flasë kënga në vendin tonë… O Kurveleshi me vulë/Të bënë sa doli ujë/Shtatë[9] pashallare u çkulë/Per Bilbil e per Resulë/O ju të shkretët kaçkënë,/Shkurti u prishi takëmë,/U hodhi borë të rëndë.../…/ Pashai hapi fermanë/ -Ngrehu bilbil e hidh litarë/Dale bej të dredh cigarë/Se nuk jam çanak me dhallë/Po jam bilbili me pallë/…/Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litarë vetë…Biografinë e tyre e …ligjëron kënga , por ne na intereson moment i ekzekutimit të vendimit të gjyqit me vdekje, me varje në litar. Duhet të dimë që gjatë varjes, kur litari shtrëngon fytin e njeriut, nga mungesa e ajrit, i varuri hap gojën dhe nxjerr gjuhën jashtë për frymëmarje. Shtrëngesa e njeriut dhe gjuha e nxjerrë jashtë i japin fytyrës të të varurit një pamje jo të bukur. Por në qoftë se njeriu në momentin e varjes shtrëngon midis dhëmbëve ndonjë send, atëherë pengohet dalja e gjuhës jashtë dhe fytyra ruan një farë normalitetit. Bilbil Shakua e dinte këtë fenomen ndaj i thotë kapardisur pashait … Prit pasha të dredh cigarë… për të mbajtur cigarin në gojë me qëllim që të mos e nxirte gjuhën e mos t’i jipte pashait turk kënaqësinë që ta shohë të shpërfytyryar…Bilbil Shakua[10] me pallë/Me dhëmb e shtrëngoj cigarë…thotë një këngë tjetër.  Prandaj kanë ngelur të bukur në kujtesën tonë “bilbilenjtë” madje edhe emrin ua themi me ëmbëlsi e dashuri sikur flasim për bilbila këngëtarë..

4- Kaq shumë ështe rrënjosur në jetën shqiptare koncepti i vdekjes “i bukur” sa që nizamët  shqiptarë, ndonëse të ndarë forcërisht nga atdheu dhe familja qysh në fëmijëri dhe të rritur në ambiente të huaja uhtarake, në pragvdekje nëpër sheshbetejat e Arabisë …këndonin…O ju korba që më hani/ Sytë e zez të mos m’i ngani / Sytë e zez mos mi qorroni/Se jam djal’ e më shëmtoni … Vargje të tilla më së paku të sjellin rrebesh lotësh nga shpirti në qepalla, në mos ja nis vajit me

logori.

5- Është pikërisht kjo traditë që ka kultivuar te luftëtarët e luftërave antiturke[11] edhe zakonin  që, kur plagoseshin në luftë dhe e shihnin se armiku ishte në fitore dhe ata në pamundësi tërheqjeje, t’u luteshin shokëve të tyre që t’u …mirnin kokën me pallë…dhe ta çonin në shtëpitë e tyre, duke  mos e lënë në dorë të armikut, i cili do t’jua përçudnonte ose turpëronte duke e ngulur në hu, për ta ekspozuar si trofe apo duke e përplasur shkëmbinjve, siç bënin rrëndom ushtarët turq. Rasti[12] i Zenel Gjolekës së plagosur në Rekë që i drejtohet bashkluftëtarit të tij Shuaip Gjordukës me fjalët… Shuaip të kam si djalë /Jam lavosurë në ballë/ Mos më le në ta të gjallë/ Hiqma kokënë me pallë…është tepër kuptimplotë por nuk është i vetmi. Sado makabre që të na duket sot një veprim i tillë, ai ishte produkt i një tradite fisnike shqiptare që synonte t’i  ndërpriste armikut çdo mundësi shëmtimi të fytyrës së luftëtarëve të vdekur.

6- Zakoni i të vdekurit “i bukur” arin kulmin e tij në rastin e Osman Takës, një djalë çam nga Konispoli, ish kryetari i Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit për zonën e Prevezës. Për këtë “të kaluar” atdhetari, në vitin 1886, pasi e zbulojnë  me tradhëti vendstrehimin e tij dhe pas nje përleshjeje me armë, ku u mbarohen fishekët e arrestojnë  bashkë me katër shokët bashkë-luftëtarë. Gjyqi në Janinë e dënon me varje dhe ekzekutimi do bëhej publikisht në Filat, ku do asistonin edhe Valiu i Janinës bashkë me Kadiun. Para ekzekutimit e pyesin Osman Takën për dëshirën e tij të fundit dhe ai, si një valltar virtuoz që ishte, kërkon ta lejojnë të kërcente një valle të fundit bashkë me shokët e tij të dënuar. Vallja  që kërceu është e famëshmja dhe e njohura “Valle e Osman Takës”. Interpretimi i tij ishte aq mbresëlënës sa që Valiu turk, i detyruar nga entusiazmi i popullit të pranishëm por edhe nga hutimi i ushtarëve turq, shpalli faljen[13] e të dënuarve.

Kujtesa sjell pranë nesh melodinë e “Fyellit të Tanës” që  “shoqëron” këngët e të dënuarve

para skuadrës së pushkatimit ose thirrjet e tyre për Shqipërinë dhe Lirinë në ato momente, të cilat

janë aq të shumta sa që na vijnë si jehonë e një kënge e asamblit të historisë.

7- Në 17 Maj 1941 Vasil Laçi[14], djalosh 19 vjeçar, qëllon me pistoletë katër herë  mbi Perandorin 71 vjeçar të Italisë Fashiste Viktor Emanueli III, i cili largohej nga Shqipëria në përfundim të një vizite zyrtare që kishte nisur në datën 10 Maj. Mbante në duar një tufë lule[15], me të cilat maskonte pistoletën. Në momentin (ora 15.30) që ngriti armën të qëllonte nuk haroi të thërriste …Rroftë Shqipëria…por pikërisht çasti i thirrjes u pasua me ndërhyrjen së një oficeri fashist ndaj tij. Vasil Laçi humbet drejtimin  dhe plumbat goditën makinën dhe asfaltin. Vasili arestohet menjëherë dhe qysh në atë moment fillon torturimi i tij. Gjatë hetimit “lejtmotivi” i tij ishte…E bëra për Shqipërinë”. Dënohet me vdekje me varje në litar me Vendim Nr. 227/41, Datë 26 Maj 1941, nga Gjyqi Ushtarak i Fuqive të Armatosura të Njisueme të Shqipërisë. Francesko Jakomoni, Mëkëmbësi i Përgjithshëm i Viktor Emanuelit III nxori një Dekret po më 26 Maj 1941, që Miratonte Vendimin e Gjykatës Ushtarake kundër Vasil Laçit dhe urdhëronte ekzekutimin e tij. Në momentin e ekzekutimit[16] , kur u pyet për dëshirën e tij të fundit, me një gjest serbez kërkoi një krehër dhe pasi krehu flokët …“u shoqërue në trikëmbëshin e pregatitun, ku i dënuemi tha disa fjalë”[17]  që u konfirmuan se ishin …“Poshtë Fashizmi! Rroftë Shqipëria!”. Vasil Laçi nuk i përkiste asnjë formacioni politik të kohës dhe si i tillë ai nuk zbatoi direktiva partie por zbatoi kodin e popullit për të vdekur i bukur pas një akti që ndrin në historinë e Shqipërisë si diamante i parë në kurorën mbretërore.

8- Hitoria shqiptare e quan të zakonëshme  traditën e vdekjes së luftëtarit “ të bukur”. Pa folur për formacionet ushtarake të Ilirisë apo Arbërisë, ku vetë uniforma ushtarake u jipte luftëtarëve një pamje të bukur, le të kujtojmë faktin se luftëtarët shqiptarë edhe të vetmuar i kushtonin një rëndësi të madhe veshjes në prag lufte. Në kundërshtim me kalorësit persë apo mongolë që në kalërimet e tyre të gjata, në shumë raste edhe nevojat personale i kryenin në shalë të kalit në ecje e sipër, kalorësit shqiptarë të të gjitha kohërave, veshjen dhe pastërtinë vetiake[18] e kishin detyrim në vetvete të imponuar nga edukimi në familje. Kjo ska të bëjë me rregulla ushtarake, kjo është pjesë e traditës dhe e besimeve popullore sepse:

a)-Luftëtari kur vritet u lë familjarëve dhe shokëve pamjen e tij të fundit si një fotografi të përjetëshme dhe mbi këtë pamje ngrihen edhe këngët apo vajtimet. Sa më e bukur të jetë kjo pamje aq më ngushëlluese është për të afërmit e tij dhe për pasojëaq më të bukura do jenë këngët e vajet për atë.

b)-Asnjë këngë apo vajtim nuk përmënd  papastërtinë e luftëtarit në momentin e vdekjes edhe pse ai mund të jetë përbaltur gjatë betejës apo rënies së tij. Kjo përbaltje është pjesë e fushës së luftës dhe jo e portretit të luftëtarit.

c)-Gjithashtu luftëtari i vrarë shkon para zotit apo zotave, të cilët e  gjykojnë jetën e tij në tokë. Një patraqitje e kënaqëshme para zotit shton shanset që  ti falet ndonjë  mëkat që ka kryer gjatë jetës apo ndonjë gabim.

ç)-Por në atë botë ai takohet edhe me të parët e tij, me nënën e babanë dhe është normale që të ketë një paraqitje sa më  të kënaqëshme në këtë takim. Këtë gjë vetë prindërit ja kanë mësuar në jetë.

P.s. I hodha këto shënime i nxitur nga balada për Kanan Mazen  të publikuar nga Petrit Ruka në fb në 18 dhjetor 2019 për të kuptuar kodin shqiptar të të vdekurit “i bukur”të luftëtarëve, si një domosdoshmëri për të shijuar bukurinë e kësaj balade. Se për Kanan Mazen dhe heronjtë e tjerë të luftës së 1920, tani që po vjen edhe 100 vjetori i rënies së tyre heroike do flasim, do shkruajmë e do këndojmë si bilbilat në pranverë.



[1] Kanan Maze (1878-1936). Patriot i shquar përparimtar, luftëtar trim, Hero i PopuIIit. . Rreth vitit 1900 shkoi nizam në Jemen. Për zotësi ushtarake e futën në një shkollë ushtarake, ku u kualifikua për oficer kavalerie. Pas luftës  të Vlorës, u kurua në  Athinë me ndihmën financiare të miqve të tij patriot.  Ndër miqtë e tij bënin pjesë  edhe Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Avni Rustemi etj. Kur Avni Rustemi u kthye nga Franca ku vrau Esat Pashe Toptanin, dhe u takuan, Kanan Maze i tha që donte ti puthte gishtin që shkrepi koburen… dhe Avni Rustemi iu përgjigj, " Unë do të puth nofullën që e dhe për Shqipërinë…Pasi u shërua  u emërua oficer i xhandarmërisë.  Më 1924 u vu në krye të forcave të Kudhësit e marshoi drejt Tiranës. Luftoi në Berat e në Kavajë, deri në rrëzimin e Zogut. Në qeverinë e Nolit shërbeu me besnikëri.  Zogu, kur erdhi në fuqi, nuk e përndoqi,  por e la në ushtri me detyrën e nëntogerit. Më pas Kanani kreu detyrën e Qarkomandantit në rrethet e Gjirokastrës, të Përmetit e të Tepelenës.  Më 1928 Zogu e çmobilizoi. Më 1935 u lidh me forcat antizogiste të Fierit dhe pas dështimit të saj  Zogu e dënoi me vdekje, por u detyrua ta anullonte vendimin (Gazeta “Labëria” shtator 2010 f.3 dhe 9). Vdiq në varfëri të madhe, në fshatin e tij.

[2]    Realisht vendi i quajtur “Kotë “ ishte thjeshtë  terreni i nënvizuar  në hartat e ushtrisë italiane si “kuota 860” ku dhe u vendos një garnizon ushtarësh italianë. Për nga rëndësia strategjike vendi u fortifikua së tepërmi prej tyre. Pikërisht ky  fortifikim i pa parë deri atëherë në ato anë tërhoqi vëmëndjen e  luftëtarëve shqiptarë mbi domosdo-shmërinë e marjes prej tyre dhe i dha udhë këngës …O bobo se ç’qënka Kota…

[3]Një variant i kësaj kënge thotë U vra Ziguri te porta / Të xhumanë në saba / Komita ne Kotëe ra / Shkozë ç'u bë lakëra / çu vra Kanan Mazeja /çe mori në nofulla/ Kanan tu prish bukuria / Le të rrojë Shqipëria. Por interpretohet si vrasje jehona e plagosjes së Kanan Mazes duke ruajtur besnikërisht vargjet dialoguese. Realisht  për Luftën e Vlorës në vitin 1970, Instituti i Folklorit mblodhi dhe botoi 108 këngë popullore, një pjesë e të cilaave janë motërzime .

[4] Vargu …Me një nofull copa copa…na kujton vdekjen e Pirros së Epirit në vitin 272 p.e.s. në qytetin e Argos. Porsa ishte kthyer nga Italia dhe pas një lufte të shkurtër me mbretin maqedon  Antigon Gonatën niset për në Peloponez kundër  mbretit Spartan Areut. Në bêtejën e bërë në qytetin e Argos ( në gjirin e Korinthit), ndërsa ishte si zakonisht në vijën e parë të luftëtarëve të tij, shkëputet në ndjekje të një ushtari grek në një rrugicë, ku një grua e qëllon nga dritarja (apo çatia) me një tullë (apo tjegull ) dhe ai rrëzohet i trullosur në tokë. Ushtari që ndiqej prej tij kthen kokën pas dhe kur e pa Pirron të rrëzuar për tokë afrohet dhe, o nga frika e ringritjes së tij ose e njohu që ishte mbreti Pirro e godet me shpatë me synim që t’i priste kokën, por i emocionuar siç ishte, shpata e goditi në nofull dhe ja coptoi atë. Ndërsa ushtari nisi të brohorasë si triumfator se  kishte vrarë mbretin Pirro, u mblodhën në vendgjarje luftëtarë nga dy ushtritë ndërluftuese dhe  një oficer, kur pa Pirron të vrarë dhe të masakruar, pasi dëgjoi rrjedhën e ngjarjes nga ushtari i tij,  i tha…Ti nuk kishte të drejtë të vrisje një mbret si mbreti Pirro e jo më ta masakroje e ta shëmtoje trupin e tij. Ti kishe për detyrë ta kapje të gjallë dhe tja dorzoje atë mbretit tënd.Ti ke shkelur ligjet e luftës ndaj do gjykohesh e dënohesh me vdekje. Spartanët e njihnin  kodin e epirotasve për mosshëmtimin e trupave të kundërshtarëve të vrarë dhe peshën që ai kishte në jetën e tyre. Prandaj në rastin në fjalë ushtari vrasës i Pirros u dënuan dhe ekzekutua brenda asaj dite publikisht.

[5] Shtëpia botuese Omsca-1, viti botimit 2002

[6] Madje edhe pas fitores ju dha të gjithë luftëtarëve nga një qylaf i bardhë si “shpërblim”.

[7] Këtu e ka origjinën edhe zakoni që pleqtë e vendit tonë i pregatisin për së gjalli “rrobat e dekijës”(vdekjes) dhe i mbanë në  sënduqe të pastëra, duke mos i lënë për momentin e fundit si një peshë e tepërt për fëmijët..

[8] Vetkuptohet që ishin rroba “të lehta”karakteristike të fshatit përkatës, fustanellë, bluzë a këmishë e bardhë.

[9] Një variant tjetër i këngës thotë …katër pashallarë…

[10] Edhe fakti që…Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litarë vetë… ishte porosia e Bilbil Shakos që të mos lejonin xhelatët ti shtynin drejt litarit por të shkonin vetë në litar, si një sfidë krenarie ndaj pashait.

[11]Është vërtetuar se ushtritë ballkanike të antikitetit dhe mesjetës respektonin kodin e vdekjes së luftëtarit kundërshtar duke mos e shëmtuar kufomën e tij dhe lejonin palën kundërshtare që ti mirte luftëtarët e saj të vrarë dhe ti bënte ceremoninë e vdekjes sipas zakoneve të tyre. Masakrimi i kufomave erdhi në Ballkan bashkë me dyndjen sllave, të cilët erdhën si turma të pakontrolluara si dhe me ushtrinë turke që e kishte praktikë dhe metodë friksimi dhe nënshtrimi masakrimin e robërve dhe të trupave të kundërshtarëve të vrarë.

[12] Disponojmë edhe një këngë të ngritur për vëllezërit komitë Kiço e Pilo Leka nga Nivic-Bubari I Sarandës, ku në përpjekje me forcat turke u plagos Kiço Leka dhe i lutet vëllait ti “marë kokën me pallë”. Kënga thotë... Lekatëj të dy vetë /Stambollit poshtë e përpjetë/Tu mir arhodëve djemtë/Sebep djali i arhodit/U vra Kiço Kaçandoni/Vetëm Pilua shpëtoi/I mori kokën e shkoi/Në Gjirit vate qëndroi/…/Impurgo mor tungjatjeta/Me ngadal ato trumbeta/Rron akoma Pilo Leka/Do ta bëj të tundet jeta…

[13] Realisht turqit e kapën përsëri pas disa ditëve Osman Takën dhe e pushkatuan në Konispol.

[14] Vasil Laçi ( Piqeras 15 Shtator 1922- Tiranë 26 Maj 1941) Hero i Popullit. Në fakt mbiemri i tij ishte Llaçi .

[15] Në disa shkrime të publikuara dhe në vvikipedia thuhet se Vasili ishte i veshur me “kostum kombëtar” në momentin e atentatit. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk dokumentohet në asnjë burim. Konti Çiane në ditarin e tij do ta kishte shënuar këtë specifikë, po ashtu edhe në dokuemntat e hetimit dhe gjykimit. Praktikisht, kostumi kombëtar ishte veshje e shtrenjte dhe Vasil Laçi nuk kishte burime financiare për ta blerë. Po ashtu kostumi kombëtar ishte veshje që binte në sy dhe fashistët do ta vinin në qëndër të vëmëndjes për simbolikën e saj si dhe do  ta kontrollonin imtësihst. Në momentin e varjes ai ishte me xhaketën e tij, që kishte veshur gjatë atentatit.

[16]Në materialet e publikuara, si datë e ekzekutimit diku shënohet data 26 Maj 1941 dhe diku data 27 Maj 1941.

[17] Ditari i Kontit Çiano

[18] Vetkuptohet në raport me kohën..



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora