E merkure, 24.04.2024, 12:33 PM (GMT+1)

Mendime

Enver Robelli: Diktatori Hoxha dhe qesharakët e Prishtinës

E shtune, 18.10.2008, 12:23 AM


Diktatori Hoxha dhe qesharakët e Prishtinës 
 
Nga Enver Robelli

Këto janë ditë për t’u mbajtur mend. Janë ditë, kur një grumbull pseudokomunistësh shqiptarë në Prishtinë i thurin lavdi diktatorit Enver Hoxha me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Nuk do të ishte befasi nëse së shpejti simpatizantët e terrorit të madh komunist në Shqipëri të kërkojnë që ndonjë rrugë në Prishtinë t’i vendoset emri i Enver Hoxhës. Kështu figura e diktatorit do të lartësohej edhe më shumë në sytë e dashnorëve të tij. Dhe kësisoj do të zhvendosej vëmendja e opinionit nga fakti i pamohueshëm historik se Enver Hoxha është figura më e errët e historisë shqiptare. Një stalinist që e shndërroi Shqipërinë në Gulag të Mesdheut. Vetëm një vend si Kosova, ku nuk ka as rend, as moral publik, as përgjegjësi institucionale mund të lejojë që në qendër të Prishtinës të vijë ndihmëskasapi Ramiz Alia, dora e djathtë e diktatorit, dhe të thotë: “Enver Hoxha e kishte Kosovën në zemër”. Dhe një turmë kosovarësh me tru të shpëlarë i duartrokasin kësaj gënjeshtre të madhe. Sikur Kosova të ishte vend vetëm pak demokratik, ditën kur madhërohej Enver Hoxha në Prishtinë një njësi e policisë do të duhej ta arrestonte dhe ta dëbonte jashtë territorit të Kosovës ndihmëskasapin Ramiz Alia dhe çetën e tij komuniste. Por, asgjë nuk do duhej të na befasonte, sepse sikur në Prishtinë të mbahej një akademi përkujtimore për Hitlerin dhe Stalinin, shteti i Kosovës nuk do të ndërhynte. Sepse ky vend shpesh nuk ka tru politik, as empati për viktimat, as ndjenjë turpi. Kësisoj, para syve të opinionit, Adem Jashari, të cilin Kosova e konsideron hero kombëtar, në Prishtinë u krahasua dhe u barazua me Enver Hoxhën, shqiptarin që ka qenë armiku më i madh i shqiptarëve. Pushtetarët dhe opozitarët e Kosovës nëse vazhdojnë të heshtin gjithsesi e miratojnë këtë fyerje të rëndë që iu bë në zemër të Prishtinës vetë sakrificës së Adem Jasharit.

* * *
Gjasat që të hapet një debat që një rrugë në Prishtinë të marrë emrin “Enver Hoxha” janë jo të vogla në botën shpeshherë irracionale kosovare. Fundja nuk do të ishte diçka e re. Para disa vitesh një grusht simpatizantësh të diktaturës hoxhiste lançuan një iniciativë të tillë në Ferizaj. Për fat të mirë komuna e Ferizajt nuk lejoi që emri i Enver Hoxhës të vendoset nën pullazet e shtëpive të këtij qyteti. Nga ana tjetër: Pse të mos hapet edhe ky debat i dreqit, kur vetë mënyra se si janë emëruar rrugët në Kosovë pas luftës së viteve 1998/’99 tregon se sa thellë dhe me çfarë vetëdëshire të pakuptueshme e çoroditëse shoqëria kosovare fundoset në provincializëm? Shumë të flijuar në luftën e fundit, por edhe mjaft viktima e kanë merituar të nderohen - dhe emrat e tyre fisnikë sot qëndrojnë në tabelat e rrugëve në shumë qytete të Kosovës. Por, po ashtu, jo pak emërime të rrugëve janë bërë pa asnjë kriter, duke favorizuar njerëz krejt të panjohur përtej lagjes apo katundit të tyre. Kosova nuk ka rrugë për emrat e të gjithë të rënëve në luftën e fundit, jo pak prej të cilëve janë vrarë në rrethana tragjike dhe jo në fushëbetejë. Po të ecësh sot nëpër secilin qytet të Kosovës, emrat e rrugëve do të kujtojnë vetëm luftë, gjak, tmerr, heroizma të qena dhe të paqena.

* * *
Njëkohësisht shumë personalitete të njohura të kulturës janë injoruar. Dhe si të mos injorohen, kur komisionet për emërime kryesisht janë përbërë nga historianë injorantë e provincialë, të cilët në këtë botë nuk shohin asgjë tjetër përveç se një mal me patriotë shqiptarë. Ndoshta këta historianë kujtojnë se edhe sahatin e botës e kurdis një shqiptar. Medet, çfarë do bëhej sikur këtë shqiptar sahatkurdisës një ditë ta zinte gjumi? Bota do fundosej! Do bëhej kiameti! Qameti, si thonë shqiptarët e Toskërisë. Pasojë e kësaj mendjeshkurtësie është se sot në Prishtinë asnjë rrugë e vetme nuk e mban emrin e intelektualit, shkrimtarit, eseistit dhe humanistit të madh kroat Miroslav Kërlezha. Emrin e tij çdo rrugë e shesh i Prishtinës do ta kishte për nder. (Kjo vlen edhe për Tiranën). Kërlezha ka qenë një mik i madh i shqiptarëve kudo në Ballkan. Ka shkruar me admirim për Fan Nolin, të cilin e ka njohur personalisht. Madje, ai thotë se në kohën e tij Noli ishte ndër njerëzit më të kulturuar në Evropë.

* * *
Kosova gjatë Jugosllavisë së Josip Broz Titos zyrtarisht është quajtur Krahinë Socialiste Autonome. Por, nuk ka qenë provincë kulturore! Falë shtëpisë dikur të famshme botuese “Rilindja” në Prishtinë janë përkthyer e botuar këto vepra të Miroslav Kërlezhës: “Novela” (1960, ribotim 1978), “Kthimi i Filip Latinoviqit” (roman, 1966), “Glembajët” (drama, 1974), “Ese” (1979). Në esenë “Mbi të vetmit flamuj të kohës sonë”, Miroslav Kërlezha shkruante në vitin 1924 kundër terrorit që ushtrohej mbi shqiptarët në Jugosllavinë e posathemeluar mbretërore. Fuqia formuluese e Kërlezhës është vërtet impresionuese. Dhe kjo fuqi tingëllon edhe në gjuhën shqipe falë përkthimit, në pjesën më të madhe mjeshtëror, nga Vehap Shita. “U ngrit ushtria dhe i vrau me topa dyqind qytetarë të vet, për t’i treguar rajës shqiptare ad oculos, çka do të thotë e Drejta e Shpatës. (…) Ndodhi që prapë menjëherë, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, e ndjeva çka do të thoshte të jesh një nga dyqind Mustafa Abazët ose Adem Beqirët njëzet e pesëvjeçarë dhe çka do të thoshte të bjerësh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar lojal nga mitralozi i shtetit tënd, vetëm nga mendjelehtësia e faktorit parlamentarisht të papërgjegjshëm, që krenohej se sundonte me Vullnetin e Perëndisë”. Duke ecur rrugëve të Beogradit, në atë kohë kryeqytet i Mbretërisë serbe, kroate dhe sllovene, Kërlezha kishte parasysh terrorin mbi shqiptarët dhe në esenë e tij pyet nëse mund të “gjendej dikush që do t’ia kalonte kësaj bande dhe t’ia shpjegonte se nën rrotat e asaj tollovie të marrëzishme ishin shtrirë sot pasdite dyqind Mustafa Abaza të rinj e të pafajshëm, me kafta të çara e brinjë të thyera?”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora