E enjte, 25.04.2024, 06:45 AM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Komunizmi, Ramiz Alia dhe kontrata jonë me Djallin

E shtune, 18.10.2008, 01:19 AM


Agron Tufa
Komunizmi, Ramiz Alia dhe kontrata jonë me Djallin

Nga Agron TUFA*

As progresi teknik, as revolucioni postindustrial me bumin e teknologjisë së mjeteve të informimit, as situata morale postmoderniste me moskokëçarjen liberale si stil jetese – nuk e bëri njerëzimin aspak më të përgjegjshëm në raport me historinë, e madje – me historinë e tij më të afërt. Përkundër predikimit se “po jetojmë në kohën e rënies së ideologjive dhe kundërvënieve polare”, gjithë e më tepër po vërtetohet e kundërta: pema e ideologjive mbetet gjithherë e blertë. Këtë e shohim nga lëvizjet naziskine në Perëndim dhe nga gjallërimi i mitit dhe idoleve të komunizmit në Lindjen ish-komuniste. Fashizmi dhe komunizmi si dy versione manipuluese me idenë e së Mirës, synojnë të rikthehen. Megjithatë sot kujtesa historike nuk i kundron të njëllojta këto dy forca të së Keqes. Nazizmi, pa marrë parasysh se është shpartalluar krejtësisht para gjysmë shekulli, vazhdon të ngjallë neverinë e merituar njësoj si më parë, pa u dobësuar me kalimin e kohës. Përkundrazi, komunizmi, edhe pse më i afërt dhe i freskët në kohë e në plagë, i përmbysur vetëm afro dy dhjetëvjeçarë më parë, gëzon të drejtën e amnezisë dhe amnistisë, të miratuar njëzëri. Madje, miratimin e tij e shfaqin jo vetëm idhtarët e tij, që ekzistojnë ende, por edhe armiqtë e tij më të përbetuar, e ndonjëherë edhe viktimat. As njëra palë, as tjetra nuk e quajnë me vend ta trazojnë komunizmin nga harresa. Nganjëherë, menjëmend, arkivoli i Drakulës hapet. Kështu në fund të vitit 1997 autorët e një vepre (“Libri i zi i Komunizmit”) guxuan të bëjnë bilancin e vdekjeve të shkaktuara nga komunizmi. Ata numëruan një shifër që luhatej midis 80-100 milionë njerëzve të vrarë. Skandali nuk vazhdoi gjatë dhe arkivoli u mbyll prapë, megjithëse shifrat nuk iu nënshtruan ndonjë përgënjeshtrimi serioz. Siç shihet kemi të bëjmë me një kontrast ndërmjet pakujtesës mbi komunizmin dhe mbikujtesës mbi nazizmin.
Por siç e shprehëm më sipër, arkivoli i Drakulës hapet herë pas here, sado që ta nxjerrim jashtë vëmendjes komunizmin, sado që ne, të frymëzuar nga ëndrra për paqen sociale, të mos ua njohim krimet dhe përgjegjësitë komunistëve si shkaktarë të njëvlershëm me nazistët për nga shkalla e katastrofës njerëzore.
Nga kapaku i arkivolit pamë dje dhëmbët skërmitës të vampirit Ramiz Alia, njërit prej shkaktarëve qendrorë në katastrofën unikale shqiptare. Përveç pyetjeve të pafundme dhe habisë negative që ka të bëjë me gjendjen e vetëdijes së komunistëve shqiptarë, ajo që fundërron si precipitat i hidhur në mendje është fakti meditativ se mbi çfarë fundamenti është ngritur ngrehina jonë e shoqërisë së lirë demokratike!
Ky Gorbaçov shqiptar, siç janë munduar ta quajnë thellësisht gabueshëm shumë mendjelaraska intelektuale, në dithirambin e vet për sanin e tij shpirtëror, kryesatanain Enver Hoxha, shpalli dje në “Panorama” identifikimin e plotë me shkaktarin e fatkeqësive tona. Në një faqe gazetë, arkitekti i cilësisë së demokracisë që gëzojmë ne sot, shpalosi edhe njëherë versionin e historisë së kuqe të PPSH-së dhe të udhëheqësit të saj. Nuk ke çfarë t’i kundërvësh. Argumentet janë të kotë. Madje, edhe toni, edhe logjika, edhe serioziteti apo ironia janë të pavlefshme, kur ne duhej t’i ishim përgjigjur vetëm me një gjuhë, atij dhe vampirëve si ai: Tribunalin e Hagës! Sepse komunistët nuk dëgjojnë askënd dhe asgjë, përveç diskut që sillet papushim në trutë e tyre.
Në këso kushtesh edhe vetë Hyjnesha e Drejtësisë, Temida, ajo që në antikitet paraqitej me një peshore ndër duar dhe me sy të lidhur, pas këtyre revansheve komuniste në Shqipërinë e vitit 2008 na del e shpërfytyruar, vetëm me njërin sy të lidhur: si piratët! Unë do t’i sugjeroja lexuesit jo fjalë, jo argumente, se ato nuk di nga t’i kapësh, sepse fjala fjalën nuk e mund. Unë do t’i sugjeroja lexuesit një imazh përtej fjalëve, një imazh zotërues e alegorik, një parabolë morale që ta ndihmojë atë të shpështjellë të vërtetën e trishtueshme që ne duhej ta kishim kuptuar që në fillim, por që nuk qemë të zotët ta mishërojmë praktikisht karshi Satanait tonë dhe Ballos së tij. Ja se si:
“Njëherë e një kohë, një fshatar zgjohet ndaj të gdhirë nga një ëndërr e çuditshme. Në gjumë atij i shfaqet Profeti: Çohu Hasan, mprih sëpatën dhe shko e preje Lisin e Kuvendit! Pse, Imzot? – pyet në ëndërr Hasani ynë. – Sepse në zgavër të tij ka hyrë Djalli, biri im! – i gjegjet i zemëruar Profeti. Ngrihet Hasani vullnetmirë, një grusht ujë syve, mpreh sëpatën dhe mbërrin te Lisi i Kuvendit sapo plas rrezja e parë e diellit. Që në dy-tre sëllitjet e para, prej zgavrës së lisit del djalli i veshur tebdil, si udhëtar: Puna e mbarë zotni!, - i thotë. Çfarë po bën? Po pres lisin, i thotë ky. Le ta ndezim një cigare, i thotë Djalli dhe, ndërsa ulen, Djalli i thotë: nuk po bën mirë që po e pret! Nën hijen e këtij lisi mblidhen e kuvendojnë burrat, ti pse po i len pa hije mbi krye? Fshatari i thotë se po përmbush urdhrin e Profetit që pa në ëndërr, ndërsa Djalli kërkon t’ia mbushë mendjen se ëndrrat janë pallavra.
Megjithatë Hasani ynë nuk tutet, ngrihet dhe merr sëpatën. Atëherë Djalli i del para e i thotë: ti nuk do ta presësh! E pres, s’e pret, kapen fyt a fyt, rrokullisen përtokë, por në fund fshatari del njëqind herë më i fortë dhe e mposht Djallin. Atëherë Djalli ndërron taktikë. I thotë: mos e pre vetëm për sot dhe të jap si këmbim një kovë florinj. Preje nesër... Fshatari mendon me vete: nesër prapë do ta pres, pse të mos i marr florinjtë kur dihet sa ngushtë jam. E pranon propozimin e burrit të panjohur dhe të nesërmen rishmi kthehet me ag të presë lisin. Sërish nga zgavra del Djalli, në trajtën e po ati burri. Ky i thotë: a e di çka? Mos e pre dhe sot: të jap dy kova florinj... ti për ta prerë ke, preje nesër... Edhe kësaj radhe fshatari tundohet. Merr dy kovat me florinj dhe kthehet në shtëpi. Ditën tjetër historia përsëritet. Edhe tjetrën, deri në krye të javës. Fshatari tanimë është i krimbur në florinj dhe thotë: s’kanë ç’më duhen më shumë. Kam siguruar jetën time, të familjes e farefisit, madje për dy breza. Nesër do të shkoj të pres Lisin dhe të çoj amanetin e Profetit në vend. S’ka ndryshe! Dhe kështu bëri. Nuk iu dha asnjë pazari të Djallit: ishte i vendosur ta priste lisin atë ditë. Herëdokur Djalli u lodh, u bind se fshatari nuk dëgjonte më dhe i tha: Ja pra, tani ti nuk do ta presësh Lisin! E pres, s’e pret, u kapën fyt a fyt, rrokullimthi në tokë, u përleshën, por kësaj herë Djalli doli njëqind herë më i fortë dhe e mposhti. E sheh që nuk e pret dot? – i tha ai triumfueshëm fshatarit të mposhtur e të pikëlluar”.
Kjo është historia e fshatarit që pa në ëndërr Profetin dhe i cili, në vend që të çonte në vend amanetin e Tij, bëri marrëveshje me Djallin. Nxirrni dhe ju, lexues të nderuar, përfundimin e vlefshëm nga kjo histori (që mund të ketë ngjarë pas rënies së komunizmit shqiptar), dhe përfundimin, ua rekomandoj ta shisni për pesë para spec djegës në pazar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora