Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arbana Xharra: Amerika ishte shpresa!

| E shtune, 29.02.2020, 06:28 PM |


Amerika ishte shpresa!

Nga Arbana Xharra

Edhe pak ditë na ndajnë nga shënimi i 21 vjetorit të bombardimeve që zgjatën 78 ditë dhe përfunduan me dëbimin e forcave policore dhe ushtarake të regjimit të Serbisë nga Kosova, me ndihmën e Amerikës.

Trupat e KFOR-it u futën në Kosovë dhe në mendje më vijnë pamjet e qytetarëve teksa i puthnin edhe tanket nga gëzimi që shpëtuan. Kjo ishte data kur historia jonë ndryshoi, falë Amerikës.

Kjo ishte kërkesë e gjithë shqiptarëve që nga vitit 1912 kur na e ndanë fatin të mbetemi nën Serbi. Nuk mund të harrojmë as ata që u shpërngulën me dhunë, e as ata që pësuan deri në Luftën e Dytë Botërore, as viktimat e Rankoviqit, demonstratat e vitit 1968, ato të vitit 1981 e as qindra e mijëra vjet vuajtje në burgjet e Serbisë.

Thjesht asgjë nuk fillon me një datë të caktuar. Sikur të fillonte lufta në vitin 1990 kur u hoq autonomia e Kosovës, zor se mund ta prisnim një mbështetje kaq të madhe ndërkombëtare. Kur minatorët u mbyllën në zgafellet e xeherores së “Trepçës”, përveç sllovenëve dhe deri diku kroatëve, askush nuk guxonte t’i përkrahte. Madje edhe sindikatat e fuqishme evropiane dhe botërore të xehetarëve heshtnin.

Nuk kishim mbështetje sepse Jugosllavia ishte e fortë, kishte autoritet të madh në botë. Por regjimi i ashpër që nisi me mbylljen e shkollave, vendeve të punës, si kundërpërgjigje mori rezistencën paqësore për shumë vjet, bota nisi të njihej me zorin tonë të madh. Por edhe lëvizjes paqësore i erdhi fundi, masakra e Reçakut dhe lufta e vendosur e UÇK-së i hapën rrugën ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.

Tash 21 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s secili kemi nga një tregim për ta treguar, por një është e sigurt: pa Amerikën sot nuk do të kishim shtet!